Kategoritë: Ballkan

Zgjedhjet në Beograd – pa ndryshime të kushteve

Protestat BeogradShpallet zhvillimi i zgjedhjeve të përsëritura në Beograd më 2 qershor 2024. Fakti që presidenti i Serbisë duhej të merrte një vendim për këtë, mund të mjaftojë për të shpjeguar pse po përsëritën zgjedhjet.

 

Zgjedhjet e përsëritura në kryeqytetin e Serbisë do të mbahen më 2 qershor 2024 me vendim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fakti që presidenti i Serbisë duhej të merrte një vendim për këtë, mund të mjaftojë për të shpjeguar pse po përsëritën zgjedhjet.

Në momentin e parë u duk se autoritetet do ta vononin vendimin, sepse ideja e tyre fillestare ishte që zgjedhjet të zhvillohen në fund të prillit ose në fillim të majit, gjë që opozita e kundërshtoi. Argumentet e opozitës ishin se kishte shumë pak kohë për të përmbushur rekomandimet e ODIHR-it për përmirësimin e gjendjes dhe dukej se do të kishte një luftë të ashpër për këtë, por për habinë e të gjithëve, Vuçiqi e shkurtoi këtë debat dhe caktoi datën 2 qershor për zgjedhje.

 

Vuçiq zgjedh koncesionet

I përballur me presionin e brendshëm dhe të jashtëm, Aleksandar Vuçiq vendosi për këtë datë sepse “duket se duhej të bënte disa lëshime”, vlerëson për DW analisti politik, Dragomir Angjelkoviq.

“Aleksandar Vuçiq ka frikë nga një hetim ndërkombëtar. Presidenti i Serbisë e di se rekomandimet e Parlamentit Evropian mund të kthehen lehtësisht në vendime të Komisionit Evropian për të nisur një hetim serioz evropian. Vuçiq i frikësohet këtij hetimi, sepse do të tregonte se sa i korruptuar është sistemi në Serbi dhe deri në çfarë mase zgjedhjet janë të manipuluara. Kjo është arsyeja pse ai vendosi të bëjë një lëshim për datën në mënyrë që të përpiqet të shmangë përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-së”, beson Angjelkoviq.

 

Shmangia e presionit shtesë

Arsyeja është padyshim presioni që ekziston dhe “Vuçiq tani po përpiqet të ikë me sa më pak dëme të vetëvetes”, tha për DW Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike.

“Data është diçka ku ai mendon se mund të bëjë lëshime.” Nëse ai do t’i qëndronte faktit që zgjedhjet të mbahen gjatë festave të prillit dhe majit, do të kishte hapur pashmangshmërisht historinë e bojkotit të zgjedhjeve, e do të hapej debati edhe për vetë arsyen e zgjedhjeve. Me këtë vendim ai parandaloi disa presione shtesë ndaj qeverisë së tij”, vlerëson Popoviq.

Zgjedhjet në fillim të qershorit praktikisht lënë më shumë kohë për përmirësimin e kushteve zgjedhore dhe përmbushjen e rekomandimeve të organizatave evropiane. Por, siç vëren Dragomir Angjelkoviq, “nëse kjo do të ndodhte, Vuçiq do të humbiste pushtetin dhe do të shpërbëhej sistemi në pushtet”.

“Prandaj, Vuçiq do të mundohet që disa gjëra t’i përmbush formalisht, por jo në thelb. Tani imagjinoni zgjedhje me trajtim të barabartë mediatik ose nëse qeveria ndalon të ndajë para për votuesit para zgjedhjeve. “Ai do të përpiqet t’i shmangë të gjitha këto për të bërë disa lëshime dytësore,” pret Angjelkoviq.

Nuk ka mundësi që këto rekomandime të përmbushen, sepse po të ishte kështu, zgjedhjet tashmë do të ishin të drejta dhe të rregullta, vëren Dragan Popoviq.

“Çdo rekomandim i identifikuar nga ODIHR në thelb ka të bëjë me vullnetin politik të regjimit që të mos lejojë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Ndaj edhe lëshimet minimale arrihen vetëm pas presionit të madh. Duke pasur parasysh se Vuçiq ende nuk është aq i dobët sa të bëjë lëshime të mëdha, mendoj se nuk ka asgjë të keqe të kemi kushte më të mira zgjedhore”, thotë drejtori i Qendrës për Politikë Praktike.

 

Zgjedhjet tashmë jo legjitime?

Ditët e fundit mediat në Serbi kanë njoftuar se tashmë janë regjistruar votues në mënyrë ilegale për zgjedhjet në Beograd dhe se tashmë është e qartë se regjimi nuk do të heqë dorë nga të gjitha truket dhe manipulimet nga zgjedhjet e kaluara. Pushtimi i Beogradit u shpall prioritet kryesor në Partinë SNS, që shihet edhe nga angazhimi pothuajse i paprecedentë i aktivistëve partiakë nga partitë në pushtet.

Ata pretendojnë të fitojnë të paktën 50 për qind të votave. Disa drejtorë kanë vënë kompanitë publike në shërbim të fushatave të SNS. Përveç kësaj, prania e Vuçiqit në fushatën për zgjedhjet e Beogradit do të jetë tani ndoshta edhe më intensive se më parë.

“Vuçiq thjesht nuk është gati të humbasë pushtetin dhe sigurisht që do të vazhdojë të mashtrojë në zgjedhje”, thotë Dragomir Angjelkoviq. “Është po ashtu e qartë se kjo është shkelje e Kushtetutës. Pasi që nuk është më kryetar i SNS-së, Vuçiq nuk ka të drejtë të angazhohet në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se ne kemi një regjim personal, që nuk është në përputhje me vlerat demokratike”, thekson bashkëbiseduesi i DW.

 

Bojkoti nuk është zgjidhje

Sipas analistëve, bojkoti i zgjedhjeve nga opozita nuk do të ishte zgjidhja më e mirë.  “Nëse opozita do të fillonte protestat tani dhe do t’u bënte thirrje qytetarëve që të rezistonin në mënyrë pasive, mendoj se Vuçiq do të ishte në telashe të mëdha. Nëse dalin shumë njerëz në rrugë, ka shanse që Komisioni Evropian të reagojë. Prandaj Vuçiqi do të përpiqet të shmangë me manipulime acarimin e mëtejshëm të opozitës. Por opozita nuk duhet të pajtohet me këtë lojë”, beson Angjelkoviq.

Shikuar nga hapta e tanishëm, vështirë se do të ketë përmirësim seioz të kushteve. Ndaj shtrohet pyetja e hapave që duhet të ndjekë opozita, e ku bën pjesë edhe bojjkotimi eventual i zgjedhjeve. Dragan Popoviq mendon se bojkoti “asnjëherë nuk është zgjidhje e mirë”. Por ajo duhet të angazhohet për përmirësimin e kushteve zgjedhore.

dw

DASH për REL-in: Radoiçiqi është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës

Radojcic GjuricDepartamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriq, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

 

“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.

Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.

Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriq ishte ambasador i Serbisë në SHBA.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.

Marko Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe se kur është bërë fotografia.

Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriqit dhe Radoiçiqit në një konferencë për shtyp më 10 mars.

“Unë nuk e pyeta atë [Marko Gjuriqin] kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiqin, për t’u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiq.

Bashkimi Evropian tha më herët më 11 mars se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se “me kë takoheni flet për ju”.

“Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale,” tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau policin kosovar Afrim Bunjaku në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton atë.

Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë.

Lidhur me rrjedhën e procedurës kundër tij në Serbi, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 8 shkurt se dëshmia e të dyshuarit Radojiçiq është duke u kontrolluar.

rel

Kushte jo të lehta për Ballkanin për të siguruar paratë nga BE-ja

Ballkani BENë dy komisione të Parlamentit Evropian pritet të miratohet të hënën në mbrëmje raporti për pozicionin e këtij institucioni të BE-së për planin për zhvillim dhe reforma për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë prej gjithsej 6 miliardë eurosh dedikuar investimeve në këto vende.

 

Ky votim është pjesë e procedurës së rëndomtë, në mënyrë që vendimi i BE-së të bëhet formal.

E, për t’u bërë formal, hapi i fundit është që për këtë vendim, të propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian, të pajtohen në negociata të përbashkëta Këshilli i BE-së që përfaqëson 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian.

 

Fjala është për një prej paketave më ambicioze që Bashkimi Evropian ka planifikuar për vendet e rajonit, të cilat synojnë anëtarësimin në BE.

Kjo paketë është e veçantë, krahas fondeve që tashmë janë në dispozicion në kuadër të programeve të para-anëtarësimit, të njohura me shkurtesën IPA.

Me këtë plan, BE-ja synon të stimulojë rritjen ekonomike në gjashtë vendet e rajonit, paralelisht të ndihmojë procesin e reformave dhe, në këtë mënyrë, t’u ndihmohet këtyre vendeve që të bëhen gati sa më shpejt për t’u anëtarësuar në BE.

Sipas këtij plani, që fillimisht e ka paraqitur Komisioni Evropian e tash e ka mbështetur edhe Këshilli, për vendet e rajonit do të ndahen 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro do të jenë në formën e kredive të favorshme.

Por, të tria institucionet e BE-së kanë insistuar se vendet e rajonit, për të përfituar nga kjo paketë e asistencës financiare, duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të siguruar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

 

Në propozimet e të tria institucioneve të BE-së, që tash duhet të negociohen për t’u miratuar si një vendim i përbashkët, përmendet kushti për kontrolle financiare dhe auditime të pavarura.

Tërhiqet vërejtja se pagesat për projekte të vendeve të rajonit, do të jenë të kushtëzuara me kritere strikte që kanë të bëjnë me reforma. Para se të bëhet pagesa, Komisioni Evropian duhet të raportojë se janë përmbushur kushtet dhe vendimin duhet ta miratojë Këshilli.

Në rast se konstatohet se ndonjë vend nuk i përmbush më kriteret, atëherë do të suspendohen pagesat.

Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, do të ketë edhe kritere politike.

Për Kosovën dhe Serbinë “para-kusht tjetër” do të jetë “angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi për implementim” dhe “angazhimi në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”.

Për kushtëzimin specifik ndaj Kosovës dhe Serbisë ka pajtim nga të tria institucionet e BE-së. Por, Parlamenti Evropian kërkon që të sqarohen kriteret, në bazë të të cilave do të bëhet vlerësimi nëse njëri apo tjetri vend i ka përmbushur kushtet.

 

Sipas praktikës, kompetencat për të bërë vlerësime për këtë i ka Komisioni Evropian, i cili duhet të marrë parasysh edhe kontributin e Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS).

Diplomatët në Bruksel tërheqin vërejtjen se ky kusht nuk duhet të kuptohet me lehtësi as nga Kosova e as nga Serbia.

“Nëse sot do të duhej të vendosej për pagesat për Kosovën dhe Serbinë, vendimi nuk do të ishte pozitiv, sepse asnjëra palë nuk i ka përmbushur obligimet nga marrëveshjet e dialogut dhe për këtë BE-ja ka shprehur edhe keqardhje”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.

Pritet që në negociatat nga 14 marsi deri më 2 prill mes delegacioneve të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, një prej temave ku mund të ketë dallime të jetë përshtatja e vendeve të rajonit me politikën e jashtme të BE-së.

Këtu ka dallim në tekstet e përgatitura nga Këshilli dhe ai nga Parlamenti Evropian, ndonëse të dyja përmendin përshtatjen në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Por, Këshilli këtë e përmend si “pritje” ndërsa Parlamenti si “parakusht”.

Në njoftimin e Këshillit të BE-së nga 6 marsi, kur ishte arritur pajtimi i 27 vendeve anëtare, thuhej se “një fokus i forcuar i kushtohet përshtatjes së partnerëve me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”.

Por, në atë dokument të miratuar nuk përmendet në mënyrë të prerë si parakusht përshtatja me qëndrimet e politikës së jashtme. Në të thuhet në mënyrë më të përgjithësuar se “përfituesit duhet të dëshmojnë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane edhe përmes përshtatjes së tyre me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit, përfshirë edhe masat restriktive“.

 

Parlamenti Evropian ka propozuar që përshtatja me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme të jetë parakusht i qartë dhe të përmendet edhe formalisht se kjo nënkupton edhe mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Parakusht tjetër duhet të jetë përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit, përfshirë edhe miratimi i masave restriktive ndaj Rusisë, sikur edhe me politikën e BE-së për vizat për vendet e treta”, thuhet në propozimin e Parlamentit Evropian.

Ky kusht, nëse pranohet kërkesa e Parlamentit Evropian, do të thotë se asnjë vend i cili nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, nuk mund të marrë pagesa nga ky fond.

Serbia është i vetmi vend i rajonit, i cili deri më tash nuk është përshtatur me qëndrimet e BE-së sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë.

Nga propozimi i Parlamentit Evropian është hequr fjala “përshtatje e plotë”, sepse kjo do t’u hapte mundësi vendeve të ndryshme të BE-së apo Komisionit Evropian për interpretim shumë të gjerë të kushtit dhe me këtë do të kishin problem disa shtete, sidomos Serbia, Bosnje e Hercegovina, por edhe Kosova.

 

Bosnja e Hercegovina, për momentin, sikur edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përshtatje 100 për qind me qëndrimet e BE-së. Por, në rastin e Bosnje e Hercegovinës kjo shpesh varet nga fakti se kush në cilin moment është ministër apo kryetar i Qeverisë.

Serbia e ka nivelin e përshtatjes diku rreth 60 për qind. Kosova, e cila vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në BE, nuk ka nevojë formalisht të përshtatet, por ajo në shumë raste e ka bërë këtë në mënyrë të njëanshme dhe BE-ja e ka mirëpritur.

Megjithatë, disa diplomatë kanë tërhequr vërejtjen edhe për Kosovën se nuk ka 100 për qind përshtatje me qëndrimet e BE-së. Si shembull kanë përmendur hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që është në kundërshtim me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.

Gjithsesi, ata tërheqin vërejtjen se të gjitha vendet e rajonit, nëse seriozisht synojnë t’i përdorin mjetet nga plani i rritjes ekonomike, duhet seriozisht dhe shumë shpejt të nisin me përmbushjen e kritereve.

rel

Stagnimi në integrim i atribuohet edhe Ballkanit, edhe BE-së

Ballkani TiranePushtimi rus i Ukrainës ka rritur vendosmërinë e Evropës për të mbrojtur arkitekturën e saj të sigurisë dhe demokracinë.
Në të njëjtën kohë, shumë politikanë dhe analistë kanë kthyer vëmendjen e tyre kah Ballkani Perëndimor, nga frika e ndikimit rus në një rajon të rrënuar tashmë nga paqëndrueshmëritë politike. Tensionet atje janë të vazhdueshme edhe rreth tri dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova janë dy vende që veçohen si më të cenueshme nga disa analistë. E para, për shkak të tensioneve etnike dhe udhëheqësit pro-rus të serbëve, Millorad Dodik, i cili shpreh hapur ambiciet e tij për ndarje nga pjesa tjetër e vendit.

“Liria është ajo që na duhet. Nuk kemi nevojë për kolonizatorë; nuk kemi nevojë për mësues. Ky komb nuk e ka lejuar kurrë veten të jetojë i robëruar”, ka thënë Dodik në një tubim para mbështetësve të tij në Banjallukë.

Kosova, në anën tjetër, ka çështje të hapura me Serbinë – vendin që ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër saj, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë së tij se Serbia me “metodat” e presidentit rus, Vladimir Putin, përbën rrezik për Kosovën.

Këtë javë, duke folur në një konferencë rajonale në Prishtinë, ka thënë se në dy vjetët e parë të qeverisjes së tij, Serbia ka dërguar katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, ka sponsorizuar terrorizmin dhe ka shpërndarë lajme të rreme për të justifikuar veprimet e saj agresive.

Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja i janë përgjigjur drejt pushtimit rus të Ukrainës, duke futur Finlandën dhe Suedinë në aleancën ushtarake, dhe duke u dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen me të njëjtën qasje, duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësinë në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Po këtë javë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se agresioni rus në Ukrainë e ka bërë të domosdoshëm zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Kjo, sipas saj, do ta bënte më të fortë edhe Evropën.

“Lufta ruse e agresionit nuk bëhet vetëm me bomba, raketa, dronë dhe me sulmet më të këqija kundër popullatës civile në Ukrainë. Ajo përfshin edhe luftën hibride. Zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike”, ka thënë Baerbock.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE.

Rruga është e gjatë – ato duhet t’i përafrojnë ligjet me ato të BE-së dhe të dëshmojnë se institucionet dhe ekonomitë e tyre i përmbushin normat demokratike.

Procesi ka shkuar shumë ngadalë, por pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato si në reforma, ashtu edhe për t’u larguar nga ndikimi rus.

Analistët nuk presin që gjërat të ndryshojnë brenda natës. Thonë se hezitimi për kohë të gjatë i BE-së për t’u zgjeruar – për herë të fundit në vitin 2013 me Kroacinë – ka koston e vet.

Vessela Tcherneva, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se disa vende të rajonit kanë gjetur tashmë partnerë alternativë.

“Për shembull, Serbia luan lojën e të zgjedhurit midis BE-së në njërën anë dhe Rusisë dhe Kinës në anën tjetër. Ky trend është në rritje. Dhe, mendoj se politikëbërësit evropianë e kanë të qartë tashmë se paqëndrueshmëria në një rajon, i cili gjeografikisht nuk është vetëm pjesë e kontinentit, por në zemër të kontinentit, mund të jetë shumë, shumë e rrezikshme”, thotë Tcherneva.

Në fjalimin për gjendjen e BE-së, të mbajtur në shtator të vitit 2023, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë” ka thënë ajo.

Pak ditë para kësaj, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.

Për Dimitar Bechevin, profesor në Universitetin e Oksfordit, ky afat është tejet ambicioz. Duke folur për Exposenë, ai thotë se deri në fund të dekadës, ndoshta vetëm një vend – Mali i Zi – mund të bëhet pjesë e bllokut.

Për Kosovën, e cila është më së largu prej BE-së, ku vetëm ka aplikuar për anëtarësim, Bechev thotë se duhet të përqendrohet në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përpara se të flasë për integrimin evropian. Rrugë të shkurtër, sipas tij, nuk ka.

“Për fat të keq, ajo që kemi parë për një vit apo një vit e gjysmë në Kosovë, është se si BE-ja ka trajtuar kriza të përsëritura. Në veri të Kosovës ka gjithmonë kriza, tensione, protesta… Kurti po i shton rreziqet tani me çështjen e valutës. Pra, politikëbërësit evropianë, por edhe Shtetet e Bashkuara, që janë po ashtu të përfshira në Kosovë, duhet të fikin zjarre, në vend se të mendojnë për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Bechev.

Kosova dhe Serbia e kanë normalizimin e marrëdhënieve kusht për përparim në rrugën e integrimit evropian.

Bechev thotë se të gjithë liderët ballkanikë mund të angazhoheshin më shumë në zbatimin e reformave, por shton se BE-ja ka përgjegjësi, gjithashtu, për mungesën e suksesit në procesin e zgjerimit.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë në agjendë të BE-së, por jo top-agjendë, qoftë për shkak të hezitimit të disa liderëve për t’u zgjeruar, qoftë për shkak të problemeve të brendshme të BE-së.

Sidoqoftë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, BE-ja ka marrë disa hapa për të konsoliduar pozicionin e saj dhe për të parandaluar përçarjet në kontinent.

Në Bosnje e Hercegovinë ka përforcuar misionin e saj paqeruajtës EUFOR, ashtu siç ka bërë edhe në Kosovë me misionin për sundimin e ligjit EULEX. Por, ajo nuk ka arritur ta bindë Serbinë që t’iu bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Bechev thotë se, tash për tash, qëllim duhet të jetë mbajtja nën kontroll e ndikimit rus në Ballkan, sepse të hiqet qafe plotësisht, është e pamundur.

“Serbia, e cila është qendër e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, do të jetë jashtë BE-së për një të ardhme të parashikueshme. E, derisa nuk prishet kjo lidhje, Rusia do t’i ketë gjithmonë disa karta për të luajtur në këtë pjesë të Evropës”, thotë Bechev.

Tcherneva, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, pajtohet, por shton se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë mënyra për ta përshpejtuar integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa sugjeruar ndonjë alternativë për zgjerimin.

“…sepse, anëtarësimi në BE ka të bëjë me transparencën, me rregullat, me standardet, me sundimin e ligjit, ndërsa ndikimi rus kalon përmes kanaleve të korrupsionit, kanaleve të pandershme dhe kanaleve të mediave të kontrolluara”, thotë Tcherneva.

Në ueb-faqen e BE-së thuhet se blloku është “plotësisht i përkushtuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ky është një objektiv i përbashkët strategjik, që bashkon të gjithë rajonin dhe BE-në”.

Në një postim në X më 29 shkurt, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka shkruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor, “duhet të avancojë me shpejtësi sa u përket reformave”.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, që vlerëson fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor radhiten si pjesërisht të lira.

ondazhe të ndryshme të opinionit tregojnë se mbështetja publike për anëtarësimin në BE është ndryshe-ndryshe në të gjithë rajonin – Kosova dhe Shqipëria zakonisht kanë rezultate më të larta, ndërsa Serbia më të ulëta.

Një sondazh i kryer nga Ipsos në Serbi, i publikuar në prill të vitit 2022, ka gjetur se 44 për qind e pjesëmarrësve kanë qenë kundër anëtarësimit të Serbisë në BE dhe 35 për qind pro. Kjo ka qenë hera e parë që në këtë vend kanë mbizotëruar pikëpamjet negative.

Po atë vit, një sondazh tjetër ka treguar se Mali i Zi është më i mirëprituri në BE, ndërsa Kosova më së paku.

Sot, kanë kaluar më shumë se dy dekada nga Samiti i Selanikut, ku vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar e ardhme evropiane.

Afati i 2030-ës që është përmendur nga Charles Michel, është mjaft afër për t’i joshur ato që të bëjnë sa më shumë investime politike për t’u përafruar me BE-në. Por, është ndoshta edhe zile zgjimi për vetë BE-në që “thirrja e historisë” të mos shndërrohet në një shans të humbur historik.

rel

Mali i Zi, analistët të shqetësuar për riorganizimin e qeverisë me përfaqësues pro-serbë dhe pro-rusë

PodgoricaAnalistët në Malin e Zi thonë se riorganizimi i qeverisë me përfaqësues të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që pritet të bëhet muajve në vijim, paraqet shqetësim për të ardhmen e vendit. Kjo lëvizje sipas tyre, do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.

 

Riorganizimi i qeverisë së Malit të Zi dhe përfshirja në të e përfaqësuesve të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që pritet të bëhet ditëve në vijim, sipas analistëve mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimeve evropiane. Shqetësimi është edhe më i madh pasi përfaqësuesit e këtyre partive u kundërvihen vlerave euroatlantike.

Analisti Ismet Kallaba vë në dukje rikthimin e nacionalizmit nëpër institucione me deklarata dhe veprime të ndryshme.

“Nëse deri në gusht të vitit 2020 luftën e tyre e kanë zhvilluar jashtë sistemit duke mos qenë në pushtet, nga ky vit duke hyrë në pushtet bëjnë luftë nga brenda dhe e kanë më të lehtë. Për çdo ditë jemi dëshmitarë të deklaratave dhe veprimeve të ndryshme të partive pro-serbe dhe pro-ruse”, tha zoti Kallaba.

Analistja Suzana Ganiç vlerëson se riorganizimi i qeverisë mund të ngadalësojë, por jo edhe të ndalojë procesin e integrimit.

“Sa i përket riorganizimit të qeverisë vlerësoj se Mali i Zi nuk do e ndryshojë rrugën evropiane pasi ka një mbështetje të madhe të qytetarëve, por mund ta ngadalësojë procesin e integrimit”, tha zonja Ganiç.

Këtë qëndrim sipas zonjës Suzana Ganiç e pasqyroi më së miri takimi i para disa ditëve mes udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Dodik dhe Mandiç, në parlamentin e Malit të Zi ku sipas saj demonstruan një gjest politik me të cilin duan t’i dërgojnë një mesazh publikut se do të punojnë me përkushtim për të krijuar “botën serbe”.

“Vizitën e Dodikut në Malin e Zi mund ta cilësojmë si një shfaqje teatrale, ku u prit me protesta nga qytetarët. Ai erdhi në Podgoricë për të përcjellë mesazhe të caktuara nga bota ruse dhe serbe”, tha zonja Ganiç.

Ndërkaq, analisti Ismet Kallaba tha se vizita Dodik në Podgoricë ishte në shërbim të interesave të botës serbe.

“Në këtë kontekst do të përmendja edhe vizitën e fundit të kryetarit të entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili ndër të tjera shpalosi hapur duke i ofruar Malit të Zi marrëveshjen për lidhje të veçanta që në një farë mënyre është jetësim i projektit të ashtuquajtur ‘bota serbe'”, tha zoti Kallaba.

Veprimet e përfaqësueseve të partive pro-ruse dhe pro-serbe, sipas analistit Kallaba në vazhdimësi po krijojnë incidenti diplomatike me shtetet fqinje

“Janë kundër politikave të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor duke na përkujtuar retoriken nacionaliste, që është përdorur në vitet 90”, tha zoti Kallaba.

Uashingtoni zyrtar dhe Bashkimi Europian janë shprehur shumë të shqetësuar dhe kundërshtues për përfshirjen në qeveri të partive që janë nën ndikimin rus. Kjo sipas tyre mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në Malin e Zi dhe në qëndrueshmërinë në rajon.

voa

Bix Aliu: Koalicioni qeverisës në Mal të Zi bart rreziqe për synimet integruese të vendit

SenatiBix Aliu, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Malin e Zi, tha të martën para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se nëse konfirmohet, do të punojë për përshpejtimin e procesit të integrimit të Malit të Zi dhe forcimin e luftës kundër ndikimeve të huaja keqdashëse.

 

Zoti Aliu tha se ai do të ishte shqiptaro-amerikani i parë në histori që do të shërbejë si ambasador i Shteteve të Bashkuara, nëse Senati e miraton emërimin e tij.

Ai tha se zgjedhjet e vitit 2023 i krijuan Malit të Zi një mundësi historike për të përshpejtuar rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por “duhet të jemi të qartë edhe për rreziqet që përfaqëson koalicioni qeverisës dhe të mbetemi të angazhuar, me zgjidhje praktike, për të ndihmuar Malin e Zi të zërë vendin e merituar në BE”.

Duke radhitur përparësitë e punës së tij nëse konfirmohet, zoti Aliu tha se “lufta brutale e Rusisë në Ukrainë nënvizon urgjencën që Mali i Zi të përshpejtojë reformat thelbësore për anëtarësimin në BE, zhvillimin demokratik, qëndrueshmërinë dhe përparimin”.

Ai tha se do të ndihmojë një përpjekje ndërinstitucionale “për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit të rrënjosur dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, që do të ofrojë rezultate të prekshme për qytetarët e Malit të Zi, të gjitha në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Aliu tha se ndër përparësitë e tij do të jetë thellimi i lidhjeve ndërmjet NATO-s dhe Malit të Zi, i cili u bë vend anëtar i aleancës shtatë vjet më parë.

Përparësi tjetër tha ai, është forcimi i rezistencës së Malit të Zi ndaj aktorëve keqdashës që duan të dëmtojnë demokracinë dhe institucionet e tij.

Nëse konfirmohem, do të punoj me partnerët ndërinstitucionalë dhe Bashkimin Evropian për të luftuar dezinformimin, për të mbështetur shoqërinë civile dhe për të përforcuar mesazhet amerikane për vlerat transatlantike“, tha zoti Aliu, duke theksuar se përparësi tjetër do të jetë mbështetja për përparimin ekonomik të Malit të Zi nëpërmjet dialogut të ripërtërirë ekonomik amerikano-malazez për të forcuar mjedisin e investimeve.

Është thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja ndihmojnë për të siguruar alternativa të qëndrueshme ndaj investimeve nga Kina, posaçërisht në infrastrukturën thelbësore”, tha zoti Aliu, duke theksuar se Mali i Zi është në udhëkryq.

Vendi ka nevojë për institucione efikase demokratike të çimentuara në kuadrin euroatlantik dhe të përkushtuara ndaj mirëqenies së të gjithë qytetarëve të tij”, tha zoti Aliu duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë një aleat i Malit të Zi në ndërtimin e një të nesërme më të mirë si pjesë e NATO-s dhe BE-së.

 

Kush është Bix Aliu

Zoti Aliu është diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm amerikan. Para se të fillonte shërbimin si i Ngarkuar me Punë, në ambasadën amerikane në Budapest, si shërbeu su zëvendësshef i Misionit amerikan në Poloni. Më parë, ai ishte Konsull i Përgjithshëm amerikan në Krakov, ndërsa më herët kishte shërbyer zëvendësshef i ambasadës amerikane, në Podgoricë.

Mes detyrave të tjera, zoti Aliu kishte kryer detyrën e zyrtarit për marrëdhënie me publikun në ambasadën amerikane në Tiranë.

voa

Mali i Zi, protestë kundër kryetarit të parlamentit Andrija Mandiç

CetinjeNë kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, të enjten, një grup qytetarësh protestuan para selisë së parlamentit, kundër ardhjes së kryeparlamentarit Adrija Mandiç për të marrë pjesë në hapjen e seancës pranverore, e cila tradicionalisht mbahet në këtë qytet.

 

“Ne u mblodhëm këtu në Cetinën liridashëse për të protestuar kundër Andrija Mandiçit. Ne e dimë se me kë është dhe kë mbështet, ky popull nuk e meriton këtë,”, tha Radovan Peroviç, njëri nga organizatorët e protestës.

Zoti Peroviç tha se kryetari i parlamentit Mandiç mohon komunitetet tjera që jetojnë në Malin e Zi.

“Ata prishën të gjithë historinë. Mandiç është kundër Malit të Zi të pavarur. Ai mohon malazezët, kroatët, shqiptarët, myslimanët. Idhujt e tij janë Karaxhiç dhe Mladiç, kriminelë lufte, me në krye Sheshelin“, tha ai.

Protestuesit iu bënë thirrje “partive qytetare të tregojnë se janë antifashistë dhe të votojnë për shkarkimin e Mandiçit“.

Atambanin pankarta me mbishkrimet kundër kryeparlamentarit dhe politikës pro-serbe dhe pro-ruse që ai dhe ithtarët e tij po e ndjekin në Malin e Zi.

Në Cetinë është shtuar prania e policisë dhe pjesë e qytetit u bllokua.

Për shkak të pranisë së madhe të forcave policore ka reaguar edhe kryetari i komunës së Cetinës, Nikolla Gjurashkoviq, i cili rrethimin policor e cilësoi si skandaloze ndaj një proteste paqësore të qytetarëve.

Sipas ligjit dhe traditës, çdo mbledhje e parë e seancës pranverore nis në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, për të vazhduar seanca në Podgoricë.

Kryetari i parlamentit, Andrija Mandiç ditë më parë priti përfaqësuesin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik në Podgoricë duke shkaktuar reagime të shumta në Malin e Zi.

Kjo ishte një nga arsyet që nxiti partitë opozitare të ndërmerrnin nismën për shkarkimin e Mandiçit nga kreu i parlamentit, duke gjykuar se ai “abuzoi rëndë për interesa partiake, nacionaliste dhe antievropiane”.

Mbledhja e parë e rregullt e seancës pranverore të parlamentit në Cetinë u ndërprerë për disa minuta, pas një konflikti verbal dhe gati fizik mes përfaqësuesit të “Partisë Demokratike të Socialistëve” në opozitë, Oskar Huter dhe koalicionit pro-serb dhe pro-rus “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” të Andrija Mandiç.

Megjithatë, parlamenti i Malit të Zi në seancën e sotme miratoi marrëveshjen ndërmjet qeverisë malazeze dhe qeverisë së Shqipërisë për ndërtimin e një ure ndërshtetërore mbi lumin Buna në Shën Kollë, e cila do të lidh bregdetin e Ulqinit me atë të Velipojës në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua në shkurt të vitit 2023 nga kryeministrat e Malit të Zi dhe atij shqiptar, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama.

Po ashtu u miratua edhe marrëveshja ndërkombëtare për ndërtimin e urës ndërshtetërore mbi lumin Tara , e cila do të ndërtohet në kufirin verior të Malit të Zi me Bosnjën dhe Hercegovinën.

voa

Ballkani Perëndimor: Nevojitet ritëm i shpejtë për reformat

BaerbockNdërsa Rusia demonstron gjithnjë e më shumë influencën politike në Ballkanin Perëndimor, vendet e këtij rajoni dhe Europa po rrisin shpejtësinë e procesit të zgjerimit të BE-së. Synohet tabiliteti i Europës.

 

Rreth njëzet vjet presin disa vende të Ballkanit Perëndimor për afrimin në BE, por rruga është me pengesa. Reformat e nevojshme në shumë drejtime nuk janë zbatuar, po ashtu për shumë kohë në BE ka munguar vullneti politik dhe një strategji e qartë ndaj Ballkanit Perëndimor.

E pikërisht tani, kur Europa po përballet me dy luftra – lufta sulmuese e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme – po bëhet e qartë, se një Ballkan Perëndimor i pastabilizuar mund të jetë një rrezik shtesë për sigurinë. “Lufta sulmuese ruse ndaj Ukrainës e ka bërë një domosdoshmëri gjeopolitike zgjerimin e BE-së”, tha mkinistrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të hënën (4.03.2024) në Mal të Zi – stacioni i parë i vizitës së saj në udhëtimin dy ditor në Ballkanin Perëndimor.

 

Mali i Zi po rrit shpejtësinë

Koha e zgjedhur për udhëtimi i kryediplomates gjermane nuk është rastësi: Në mes të marsit publikohet raporti i radhës i Komisionit të BE-së për progresin dhe pak pas tij në samitin e BE-së do të diskutohen hapat e mëtejshëm. Vendi anëtar i NATO-s, Mali i Zi, njëri prej gjashtë vendeve aspirante për antarësim në BE, ka përparuar mjaft në procesin e negociatave.

Mali i Zi nisi një reformë në drejtësi dhe posti vakant prej vitesh i kryeprokurorit tani më në fund u plotësua nën presionin e Brukselit. Megjithatë deri në përmbushjen e të gjitha kritereve rruga është e gjatë. Pavarësisht kësaj qeveria pro-europiane e Malit të Zi po nxit procesin me një plan mjaft ambicioz: “28 by 28″ është nisma kombëtare, që ka për qëllim antarësimin e vendit deri në vitin 2028 në BE.

 

Nga 2028 bë BE?

Baerbock nuk dëshironte të pozicionohej konkretisht për datën, duke nënvizuar, se duam ta përshkojmë bashkarisht rrugën për në BE e “madje sa më shpejt”. Por zgjerimi nuk është “qëllim në vetvete, por i shërben forcimit të Europës sonë të përbashkët”, tha ajo. Nga 33 kapituj të hapur Mali i Zi deri tani ka përmbyllur vetëm tre. Megjithatë ministri i Jashtëm malazez, Filip Ivanovic, dha një sinjal pozitiv. Vendi i tij do t’i përmbahet datës së antarësimit në vitin 2028: “Eshtë e mundur dhe realiste”, siguroi ai.

Në Mal të Zi fryma pro antarësimit në BE është mjaft pozitive: Gati 80 përqind e popullsisë janë për antarësimin e vendit në BE. Ndërsa në Serbi vetëm një në tre qytetarë preferojnë antarësimin e vendit të tyre në BE. Udhëheqja aktuale e Malit të Zi do ta shfrytëzojë këtë frymë pozitive të popullsisë për avancimin e reformave.

 

Bosnja në udhëkryq

Edhe qeveria e Bosnjes dhe Hercegovinës, ku Baerbock qendroi të martën (5.03.2024) siguroi, se do të angazhohet për reformat e nevojshme për në BE. Krahas një ligji për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ky vend do të miratojë edhe një ligj tjetër lidhur me konfliktin e interesit dhe do të nisë reformën në drejtësi.

Ministrja e Jashtme e sheh aktualisjt Bosnjen dhe Hercegovinën në një “udhëkryq vendimtar” në rrugën drejt BE-së. “Ka herë pas here momente në histori, ku duhet kapur çasti dhe duhet shfrytëzuar shansi”, tërhoqi vëmendjen Baerbock në Sarajevo gjatë konferencës së shtypit me homologun boshnjak Elmedin Konakoviç.

Sidoqoftë proceset e vendimmarrjes në Bosnje dhe Hercegovinë janë shumë të vështira. Për shkak të ndarjes në tri etni të vendit reformat e mëdha janë të lidhura me procese të vështira e të mundimshme të vendimmarrjes. “Secili politikan këtu mund t’i bllokojë proceset e vendimmarrjes”, shpjegoi ministri iJashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakovic, gjendjen në vend. “Ne nuk duam t’ua pengojmë shansin qytetarëve tanë për antarësimin në BE”, theksoi ai.

 

Influenca ruse destabilizuese

Bosnje dhe Hercegovina është që nga dhjetori 2022 vend kandidat për antarësim në BE. Udhëheqja në Sarajevë ndërkohë po lufton jo vetëm për gatishmërinë për reforma të të gjitha pjesëve të vendit, por edhe ndaj influencës gjithnjë në rritje e përpjekjeve të Moskës për destabilizim. Në Bosnje dhe Hercegovinë këto përpjekje kanë një emër: Milorad Dodik. Presidenti nacionalist i Republika Srpska (RS) synon shkëputjen e pjesës serbe nga vendi. Ngjashëm si edhe presidneti i Serbisë Vuçiq, edhe Dodik ruan kontakte të ngushta me Kremlinin dhe së fundi vizitoi Aleksandër Lukashenkon dhe Vladimir Putinin.

Në pamje të jashtme udhëheqja e Bosnje dhe Hercegovinës përpiqet ta nënvleftësojë rolin problematik të separatistit Dodik. Njerëzit në vend tashmë janë ambjentuar me të, tha Ivanoviç. Por Baerbock në takimin e përbashkët tërhoqi vëmendjen nga rreziku i “fantazive për shkëputje” dhe bëri thirrje për ruajtjen e unitetit të vendit në rrugën për në BE. “Ne duam, që Bosnje dhe Hercegovina të antarësohet si një e tërë në BE”, tha ajo në Sarajevë.

 

Ballkani Perëndimor në aspektin gjeopolitik më i rëndësishëm se kurrë më parë

Krahas problemeve të politikës së brendshme dhe rritjes së influencës nga Rusia, situata aktuale gjeopolitike krijon shqetësim në Ballkanin Perëndimor. Disa druajnë, se pas zgjedhjeve të BE-së në Parlamentin Europian mund të ketë më shumë deputetë skeptikë ndaj zgjerimit dhe se në SHBA Donald Trump mund të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ndaj ka shqetësim, se kjo do ta zbehte sërish vëmendjen e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor.

Por nuk e shohin kështu gjendjen politikanët gjermanë që merren me politikën e jashtme. Politikani kristiandemokrat, Jürgen Hardt, i cili bënte pjesë në delegacionin e ministress ë Jashtme Baerbock gjatë këtyre vizitave në Ballkanin Perëndimor, mendon, se pikërisht zhvillime të tilla do ta rrisin edhe më shumë peshën gjeopolitike të këtij rajoni për Europën. Rëndësia e këtij rajoni “është aktualisht me e madhe se asnjëherë më parë”, i tha ai DW-së. Ky rajon nuk duhet të lihet si zonë e influencës ruse.

“Pikërisht në një sfond të tillë, që ballkani perëndimor është kaq pranë nesh, qëllimi ynë duhet tëjetë, që Europa dhe Perëndimi të luajnë aty rol parësor”, tha i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili gjithashtu shoqëronte ministren Baerbock gjatë këtyre vizitave. Një rajon kaq i afërt i pastabilizuar mund të kthehej në një pikë të dobët për Europën.

dw

Baerbock: Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, jetike për BE-në

BaerbockShtetet e Ballkanit Perëndimor meritojnë mbështetje të fortë në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha kryediplomatja gjermane më 4 mars, duke vënë në pah rrezikun që paraqet Moska për stabilitetin e rajonit.

 

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se BE-ja nuk mund të përballojë ato që ajo i cilësoi si “zona gri” të sigurisë.

“Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të ketë kudo në Evropë zona gri dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi së bashku për të mbyllur krahët që Rusia mund të përdor në politikën e saj të destabilizimit, dezinformimit dhe ndërhyrjes”, tha ajo para se të nisej për një vizitë në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Kjo përfshin mbështetjen për shtetet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e institucioneve të tyre demokratike, në përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre dhe në ofrimin e mundësive ekonomike për njerëzit”, shtoi kryediplomatja gjermane.

Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, së bashku me Kosovën, Shqipërisë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje këtyre shteteve që të kryejnë reformat e nevojshme për integrimin në bllokun evropian.

Brukseli ka thënë se Mali i Zi deri më tani ka shënuar më së shumti përparim në procesin e anëtarësimit, por ritmi është i ngadalshëm.

Podgorica ka nisur negociatat e anëtarësimit më 2012. Por, edhe në skenarin më ambicioz, BE-ja nuk pritet që të pranojë anëtarë të rinj deri në fundin e dekadës.

Në dhjetor të vitit 2022, Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat për BE, por negociatat për anëtarësim ende nuk kanë nisur. Nga shtetet e rajonit, Kosova mbetet e fundit në integrimin evropian, pasi është e vetmja që ende nuk ka statusin e vendit kandidat.

“Është bërë nevojë gjeopolitike, posaçërisht në dritë të imperializmit brutal të Rusisë, që ne të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur gjashtë vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha Baerbock.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Baerbock do të takohet me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, ministrin e Jashtëm, Fillip Ivanoviq, dhe presidentin Jakov Millatoviq.

Më vonë gjatë së hënës, në Sarajevë Baerbock do të takohet me anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, por edhe me përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr paqen në këtë shtet.

rel

Beogradi sërish në zgjedhje

BeogradZgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të rimbahen më vonë gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe. Njoftimi pasoi disa muaj tensionesh politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.

 

Partia Përparimtare Serbe e krahut të djathtë u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Por aleanca kryesore opozitare, Serbia Kundër Dhunës, këmbënguli se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe votimet për parlamentin e vendit u dëmtuan gjithashtu nga parregullsi të përhapura. Mosmarrëveshjet çuan në protesta të mëdha në rrugë.

Nuk është e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Beograd, e diela ishte afati i fundit që duhej të ishte mbledhur kuvendi komunal.

“Konstatoj se aktualisht nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe ju njoftoj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për vetëqeverisjen lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Kjo do të thotë zgjedhje të reja”, tha Toma Fila, kryetar i Kuvendit të Beogradit.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për manipulime, duke i cilësuar ato të sjuara që synojnë destabilizimin e Serbisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe avantazheve që i krijon sistemi partisë në pushtet.

Raporti i OSBE/ODIHR-it në Evropë tha gjithashtu se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Ai renditi një sërë rekomandimesh që Serbia duhet të përmbushë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb.

“Sot ata pranuan se i humbën zgjedhjet pavarësisht vjedhjeve të përmasave të mëdha. Qytetarët e Beogradit kanë treguar se nuk i duan ata”, tha Vladimir Obradoviç, kandidat i opozitës për postin e kryetarit të Beogradit.

Opozita dhe disa vëzhgues lokalë të zgjedhjeve thanë se votues nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobusë në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçi është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin mbi një dekadë më parë.

voa