Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Shefi i IAEA: ‘logjik’ një kthim i Gjermanisë te atomi

centralRafael Grossi pohon se “nuk e habit” që në Gjermani po debatohet sërish mundësia e rinisjes nga puna të centraleve bërthamore. Gjermania është i vetmi vend që ka braktisur plotësisht centralet e saj bërthamore.

 

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha në një intervistë të mërkurën vonë se ishte “racionale” që Gjermania të kthehej në energjinë bërthamore edhe pse largimi i vendit përfundoi në vitin 2023.

“Mendoj se është logjike. Është një pozicion racional”, deklaroi Rafael Grossi për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, duke kujtuar se Gjermania është i vetmi vend në botë që ka eliminuar plotësisht energjinë bërthamore.

Duke folur në COP29 të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën në Baku, Azerbajxhan, Grossi shtoi: “Duhet të pyesni veten: Pse pjesa tjetër e botës i sheh gjërat ndryshe? Unë respektoj politikën gjermane dhe ato po kalojnë një fazë shumë komplekse. Kështu që do të shohim”.

Ai tha se “nuk është i befasuar” që ka një debat të ri për kthimin në energjinë bërthamore, pasi ajo nuk lëshon pothuajse asnjë gaz serrë.

“Kjo është arsyeja pse vendet që kanë energji bërthamore duan më shumë energji bërthamore,” tha ai. “Shumë vende që nuk kishin energji bërthamore duan energji bërthamore.”

Rinisja e debatit në Gjermani

Megjithatë, Grossi theksoi se Gjermanisë së pari do t’i duhet një vlerësim rigoroz, nëse dhe si mund të rikthehen në rrjet centralet e saj.

Javën e kaluar grupi CDU në Bundestag kritikoi koalicionin aktual të qendrës së majtë për mosndalimin e braktisjes së energjisë bërthamore në vitet 2022  dhe 2023.

Sipas një artikulli të botuar në 2024 në Gazetën Ndërkombëtare të Energjisë së Qëndrueshme, Gjermania mund të kishte kursyer qindra miliarda euro dhe të reduktonte emetimet e saj të karbonit deri në 70%, nëse do të kishte adoptuar energjinë bërthamore në vend që ta refuzonte atë.

Pse e  eliminoi Gjermania energjinë bërthamore?

Gjermania ka pasur një lëvizje antibërthamore që kur u vu në punë termocentrali i parë komercial bërthamor i vendit në vitin 1969. Lëvizja drejtohej nga ambientalistët të shqetësuar për pasojat shkatërruese të një aksidenti të mundshëm.

Aksidentet bërthamore si Çernobili në 1986 dhe Fukushima në 2011 nxitën thirrjet për mbylljen e termocentraleve të vendit.

E përballur me kundërshtimin e fortë ndaj energjisë bërthamore pas katastrofës së vitit 2011 në Japoni, ish-kancelarja Angela Merkel filloi mbylljen e plotë të centraleve atomike në Gjermani.

Para fillimit të procesit, energjia bërthamore përbënte rreth 13.3% të energjisë së vendit.

aud (es/ dpa, DW)

Po dështon modeli i Melonit me qendrat e azilit në Shqipëri?

Qendra e strehimit të refugjatëve në GjadërPërsëri qeveria e Italisë dështoi në përpjekjen për devijimin e procedurave të azilit jashtë BE-së: Një tjetër gjykatë vendosi kthimin e refugjatëve nga Shqipëria.

 

Më keq se kaq vështirë se mund të kishte ecur për qeverinë e djathtë të Italisë: Përpara një jave kryeministrja Giorgia Meloni në samitin e BE-së i bëri reklamë modelit të saj, se si mund të menaxhohet një qendër për shqyrtimin e kërkesave për azil në një vend të tretë. Por tani qendra e sapo ndërtuar në Shqipëri – pa llogaritur personelin italian – sërish ka mbetur bosh, për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër.

Në tetor Italisë iu desh t’i kthejë në vend 16 azilkërkuesit e transportuar në Shqipëri,  pasi disa ishin minorenë, një tjetër i sëmurë, e dymbëdhjetë të tjerë, sepse sipas ligjit aplikimi i tyre duhej shqyrtuar në Itali. Një javë më parë të premten (08.11) qeveria ndërmori një përpjekje të dytë duke dërguar shtatë migrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi në Shqipëri. Por të hënën (11.11) një gjykatë në Romë vendosi kthimin e këtyre personave në Itali duke referuar, që sqarimi përfundimisht duhej t’i kalojë Gjykatës Europiane. Një anije e truprojës kufitare i ktheu refugjatët përsëri në Brindizi.

Në rast të mbingarkesës qeveria e Italisë shpreson, që të dërgojë deri në 40.000 azilkërkues që tentojnë hyrjen ilegalisht në Itali, t’i zhvendosë në qendrën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesave të azilit. Por edhe një muaj pas shtyrjes së herë pas hershme mbetet e paqartë, nëse do të mund të merret ndonjëherë qoftë edhe një vendim i vetëm për azilin në strehimoren në Shqipëri.

Përplasje me drejtësinë

“Tani do të ishte në fakt hapi i duhur, që qeveria Meloni të thoshte: ‘Okay, u përpoqëm, por nuk është e mundur'”, thotë Hein, politolog i specializuar në fushën e politikave të emigracionit dhe të drejtën e azilit në Universitetin LUISS në Romë. Kjo për arsye se si Gjykata Europiane edhe disa gjykata italiane javët e shkuara kanë shpehur rezerva lidhur me konceptin e praktikuar nga Italia lidhur me përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës – “veçanërisht Egjipti dhe Bangladeshi, por edhe Tunizia, janë vendet nga vijnë kryesisht azilkërkuesit në Itali”, thotë për DW eksperti Hein.

IOM: “Aspak efekt frenues”

Modeli i marrëveshjes me Shqipërinë nuk është e vetmja masë restriktive, përmes së cilës qeveria e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’Italia” po përpiqet të kufizojë migracionin e parregullt: Qëkurse është në pushtet nga tetori i vitit 2022 janë nxjerrë ligje restriktive lidhur me shpëtimin në emergjencë detare. Anijet tani duhet ta përmbyllin misionin e tyre, sapo të marrin në bord personat në nevojë. Më pas ato udhëzohen të lundrojnë drejt porteve të largëta në veri të Italisë, gjë që ua bën më të kushtueshme dhe jo efikase misionet e shpëtimit.

Organizata e OKB-së për Migracionin (IOM) e pyetur nga DW pranon, se gjatë këtij viti ka pasur shumë më pak ardhje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por megjithatë zëdhënësja e IOM shpjegon, se: “Nëse u referohemi ardhjeve të muajve të fundit, që kanë pasur të bëjnë me mot të keq, mund të thuash, se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë deri tani nuk ka pasur ndonjë efekt frenues. Vetëm gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit janë regjistruar mbi 3300 ardhje migrantësh përmes rrugëve detare në Itali.”

Zëdhënësja shton, se Europa duke iu referuar numrit të mbërritjeve të migrantëve të parregullt aktualisht është shumë larg situatës së emergjencës të vitit 2015.

Interes i madh – ngjashëm si për modelin britanik me Ruandën

Pavarëvisht problemeve marrëveshja e Italisë me fqinjin përtej Adriatikut, duket se u mirëprit edhe nga qeveritë e tjera europiane; Danimarka, Holanda, por edhe politikanë të opozitës në Gjermani preferojnë marrjen në konsideratë të modelit për kanalizimin e migracionit drejt vendeve të treta. Italia është një rast precendet brenda BE-së e me këtë tërhoqi mjaft vëmenden, ashtu si më parë edhe Britania e Madhe. Marrëveshja e Londrës me Ruandën përfundimisht dështoi në verë, pasi qeveria konservatore pati investuar rreth 830 milionë euro.

“Vështirësitë ligjore, logjistike dhe financiare – dhe këtë e tregoi edhe modeli i Shqipërisë – janë aq të mëdha, sa në fund i gjithë ky mobilizim burimesh dhe energjish nuk ia vlen”, konkludon Christopher Hein. Kemi të bëjmë me “përpjekje të dështuara, për ta devijuar në mënyrë të gabuar situatën e migracionit dhe azilit, gjë që nuk u shërben as azilkërkuesve dhe as nuk justifikon nevojat e popullsisë për më shumë rregull.”

A do të çojë dëm miliona euro Meloni me strehimoren në Shqipëri?

Edhe për Italinë modeli me Shqipërinë rrezikon të kthehet në një dështim financiar. Qeveria i llogarit kostot e menaxhimit deri në vitin 2029 mbi 500 milionë euro. Ndërkohë është vënë në lëvizje Kontrolli i Shtetit në Itali, vendi i BE-së me borxhe të larta.

Profesori i jurispundencës Hein vëren, se ka dukshëm një disproporcion mes shpenzimeve dhe numrit të azilkërkuesve, për të cilët bëhet fjalë: “Kjo mund të ketë madje edhe pasoja penale.” Kontrolli i Shtetit, sipas Hein, ka edhe kompetencën, që si rezultat i verifikimit të pezullojë shpenzimet e mëtejshme.

Javët e ardhshme pritet vendimi i Gjykatës së Kasacionit, instanca më e lartë në Itali – lidhur me çështjen, nëse Italia i ka shkelur rregullat europiane në shpalljen e vendeve të origjinës si të sigurta. Edhe nga Gjykata Europiane në Luksemburg pritet vendimi. Eshtë e mundur që së shpejti këto instanca do të vendosin, nëse qeveria italiane do të mund t’i përmbahet modelit të saj me Shqipërinë ose jo.

dw

Si e sheh botën Marco Rubio, i zgjedhuri i Trumpit për sekretar të Shtetit?

Marco RubioPresidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi më 13 nëntor senatorin Marco Rubio si kryediplomat të tij, në kohën kur administrata e ardhshme po përgatitet të navigojë nëpër një botë gjithnjë e më të rrezikshme – me luftëra në Evropë dhe Lindje të Mesme, si dhe me një konkurrencë në rritje të Kinës në Azi-Paqësor.

 

Me zgjedhjen e Rubios – senator i njohur për qëndrime të ashpra në shumë çështje të politikës së jashtme – Trump kërkoi dikë që ndan kryesisht pikëpamjet e tij për temat më urgjente ndërkombëtare, thotë Behnam Ben Taleblu, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.

“Rubio është dikush që ka përafrim ideologjik dhe politik me Trumpin për disa çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare, si konkurrenca e fuqive të mëdha, kundërvënia ndaj Kinës, kundërvënia ndaj Iranit dhe rivendosja e fushatës së presionit maksimal”, thotë Taleblu për Radion Evropa e Lirë.

Në një intervistë dhënë javën e kaluar, përpara se të emërohej në pozitën e sekretarit të Shtetit, Rubio tha se periudha prej dekadash e dominimit të pakundërshtueshëm global të SHBA-së, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ka përfunduar dhe është zëvendësuar me një epokë të re të ngjashme me Luftën e Ftohtë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të dobësohen shumë përmes angazhimeve globale dhe shtoi se Uashingtoni duhet të jetë “pragmatik” në politikën e jashtme.

“Ne jemi [vendi] më i fuqishëm, por edhe ne kemi burime të kufizuara… Kështu që duhet të investojmë kohën dhe paratë tona në gjëra që i shërbejnë interesit tonë thelbësor kombëtar”, tha Rubio në një intervistë për rrjetin kabllor në SHBA, EWTN, më 7 nëntor.

Rubio, kubano-amerikan, luajti rol me ndikim në formësimin e politikës së Trumpit ndaj Venezuelës, gjatë mandatit të parë të tij si president nga viti 2017 deri më 2021.

New York Times e përshkroi Rubion në atë kohë si “sekretar virtual të Shtetit për Amerikën Latine”.

Senatori nga Florida, i cili e sfidoi Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, merr detyrën me përvojë të madhe në politikën e jashtme, pasi shërbeu edhe në Komitetin e Inteligjencës në Senat, edhe në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë.

Nëse konfirmohet përfundimisht nga Senati, Rubio, 53 vjeç, bëhet latini i parë që shërben si sekretar i Shtetit.

Dhe, derisa Amerika Latine do të jetë në fokus për Rubion, shqetësimet më të ngutshme të politikës së jashtme të SHBA-së – si ngritja globale e Kinës, kërcënimi i Iranit për Lindjen e Mesme dhe pushtimi rus i Ukrainës – pritet të kenë po ashtu rëndësi.

Prioriteti nr. 1: Kina

Kur bëhet fjalë për kërkesat për burime ushtarake, politike dhe financiare të SHBA-së, Rubio dëshiron që fokusi të jetë në Kinë.

“Unë mendoj se e ardhmja e shekullit 21 do të përcaktohet kryesisht nga ajo që ndodh në Indo-Paqësor. Unë mendoj se Kina do të donte që ne të zhyteshim në një konflikt në Evropë dhe të mos fokusohemi në atë që po ndodh në Indo-Paqësor”, tha Rubio më 7 nëntor.

Rubio, i cili shërbeu si bashkëkryetar i një komiteti dypartiak të Kongresit për Kinën, kërkoi vazhdimisht qasje më të ashpër ndaj Pekinit.

Ai udhëhoqi përpjekjet për të armatosur Tajvanin – një demokraci vetëqeverisëse, mbi të cilën Pekini pretendon se ka pronësi. Ai kërkoi dërgesa të drejtpërdrejta të municioneve amerikane dhe të teknologjive të avancuara ushtarake, me shpresën për ta penguar sulmin e mundshëm të Kinës në këtë ishull.

Rubio ishte, gjithashtu, i zëshëm për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, shtyu përpara një politikë industriale të SHBA-së për t’i bërë konkurrencë më të mirë Kinës dhe mbështeti tarifat për mallrat kineze.

Ai u përpoq t’i ndalonte importet e mallrave kineze, të prodhuara nga puna me detyrim e ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në Kinën perëndimore, dhe ta parandalonte Kinën që t’i anashkalonte tarifat e kohës së Trumpit, duke e zhvendosur prodhimin në Meksikë.

NATO-ja dhe Ukraina

Rubio mbështeti vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë, ndërsa ukrainasit i përshkroi si “tepër të guximshëm dhe të fortë”.

Në shkurt të vitit 2022, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, ai bashkësponsorizoi Aktin NYET në Senat, i cili synonte “t’i forconte aftësitë mbrojtëse të Ukrainës” dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë.

Por, Rubio tha po ashtu se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hasur në “ngërç” dhe “duhet arritur në një përfundim”.

Ai ishte në mesin e një pakice senatorësh që, në fillim të këtij viti, e kundërshtuan një projektligj për ndihmën e huaj, e cila përfshinte 60 miliardë dollarë për Ukrainën.

Projektligji u miratua përfundimisht në prill, duke e çuar vlerën e ndihmës totale të SHBA-së për Ukrainën që nga shkurti i vitit 2022 në pothuajse 175 miliardë dollarë – afërsisht sa krejt ndihma që ndau e gjithë Evropa së bashku.

Rubio e nxori në pah këtë çekuilibër, duke thënë se Uashingtoni duhet ta shtyjë Evropën që të marrë një rol më të madh në trajtimin e çështjeve të saj të sigurisë, në mënyrë që t’u mundësojë Shteteve të Bashkuara ta kenë prioritet sfidimin e Kinës në Indo-Paqësor.

Në intervistën e javës së kaluar për EWTN-në, Rubio tha se është “joreale” të pritet që Shtetet e Bashkuara të miratojnë dhjetëra miliarda dollarë për Ukrainën çdo dhjetë muaj. Ai tha se anëtarët evropianë të NATO-s duhet ta rrisin kontributin e tyre në aleancë.

“Çdo ditë në vendin tonë, [ne jemi] duke u përballur me pyetje se si t’u ofrojmë ndihmë amerikanëve”, tha ai.

Edhe pse Rubio e sheh Rusinë si kërcënim për sigurinë e SHBA-së dhe e mbështet sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, ai tha se Kievit do t’i duhet të negociojë për t’i dhënë fund luftës.

Rubio tha se Rusia ka shumë burime në dispozicion, përfshirë armë dhe njerëz, për t’i vazhduar luftimet, edhe pse ka pësuar humbje të jashtëzakonshme.

Jo politikë qetësuese në Iran

Në Lindjen e Mesme, Rubio ka prej kohësh qëndrim të ashpër ndaj Iranit, duke e përshkruar Qeverinë e tij teokratike si një “regjim terrorist”, për shkak të financimit të grupeve të tilla si Hamasi dhe Hezbollahu – të dyja të cilësuara si organizata terroriste nga SHBA-ja.

Si senator, ai ishte kritik i ashpër i marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015, e arritur nën presidentin e atëhershëm amerikan, Barack Obama. E njohur si JCPOA, marrëveshja kufizoi programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër tij.

Kritikët e marrëveshjes thanë se ajo e fuqizoi Iranin, duke ia lehtësuar në masë të madhe sanksionet, pa ndonjë garanci se një ditë nuk do të prodhojë bombë bërthamore.

Në vitin 2018, Trump, i cili atëherë ishte president, e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit.

Së voni, Rubio ishte bashkautor i tri projektligjeve që i dënojnë veprimet e Iranit, të cilat u shndërruan në ligje.

Ato autorizojnë sanksionimin e eksporteve iraniane të naftës, të liderëve të lartë iranianë për shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe të entiteteve të huaja dhe qeverive që mbështesin Hamasin.

Hamasi e sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023, duke shkaktuar një luftë rajonale, e cila kërcënon të përfshijë më shumë shtete.

Në shtator, Rubio e kritikoi administratën e presidentit aktual, Joe Biden, për zvarritje në zbatimin e sanksioneve kundër naftës iraniane. Ajo nuk arriti t’i shtynte përpara as sanksionet në fushën e të drejtave të njeriut.

Varësisht asaj me çka do të përballet administrata e ardhshme në Iran kur ta marrë detyrën, analisti Taleblu pret që Departamenti i Shtetit, i udhëhequr nga Rubio, ta monitorojë zbatimin e sanksioneve.

Si përkrahës i zëshëm i Izraelit, Rubio thotë se e mbështet të drejtën e tij për t’u mbrojtur nga kërcënimet iraniane.

Pas sulmeve raketore të Teheranit në Izrael më 1 tetor, Rubio mbështeti publikisht përgjigje asimetrike.

Afganistani

Rubio ka, gjithashtu, qëndrim të ashpër ndaj talibanëve, duke argumentuar se grupi militant islamik duhet të përshkruhet si “organizatë terroriste” nga Uashingtoni.

Në mars, senatori i Floridës paraqiti një projektligj në Senat, i cili bën thirrje për t’i dhënë fund ndihmës së SHBA-së për Afganistanin e sunduar nga talibanët, duke thënë se disa nga ato para mund të përfundojnë te “grupet terroriste”.

Në komentet për Senatin, Rubio tha: “Një Afganistan i kontrolluar nga talibanët përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe për aleatët tanë në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore”.

rel

Dëmshpërblim milionësh për tre ish të burgosur në Abu Ghraib

Burgu Abu GhraibTre irakianë marrin 42 milionë dollarë dëmshpërblim për abuzimet dhe lëndimet e pësuara në burgun Abu Ghraib, Ky burg u bë simboli i shkeljeve të të drejtave të njeriut nga SHBA-ja në luftën kundër terrorizmit.

 

Një gjykatë federale në Virxhinia urdhëroi një firmë të kontraktuar prej ushtrisë amerikane që të paguajë 42 milionë dollarë dëmshpërblim për tre irakianë të torturuar  në burgun Abu Ghraib  në Irak në vitet 2003-2004.

Trupi gjykues i përbërë prej tetë vetësh e shpalli firmën CACI Premier Technology përgjegjëse për rolin e saj në torturimin e të burgosurve në kohën kur SHBA-ja po zhvillonte luftë kundër Al-Kaidës në Afganistan dhe më pas në Irak.

Secili nga ish të burgosurit, Suhail Al Shimari, Salah Al-Exhaili dhe Asad Al-Zubae, do të marrë nga 14 milionë dollarë dëmshpërblim.

Kontraktori: Fajtore duhet të shpallet qeveria amerikane

Përtej pretendimit se asnjë prej firmave të kontraktuara nuk kishte pasur kontakte me të pandehurit gjatë kohës që ata ishin në Abu Ghraib, avokatët e firmës CACI me seli në Virxhinia argumentuan se kompania nuk ishte përgjegjëse për sjelljen e punonjësve të saj, pasi ata vepronin së bashku me personelin e ushtrisë amerikane sipas një parimi ligjor të njohur si doktrina “shërbyes të huazuar”.

Të tre irakianët dëshmuan se i kishin torturuar fizikisht dhe psikologjikisht; i kishin rrahur, kishin qenë pre e abuzimeve seksuale, i kishin torturuar me elektroshok, apo kërcënuar me qen teksa i mbanin lakuriq mbuluar me kapuç, i kishin detyruar të qëndronin në pozicione stresuese dhe kishin përjetuar edhe abuzime të tjera.

Ditë e madhe për drejtësinë

“Sot ishte një ditë e madhe për mua dhe për drejtësinë”, tha Salah Al-Ejaili. Gazetari lëshoi ​​një deklaratë me shkrim duke thënë: “Kam pritur gjatë për këtë ditë. Kjo fitore nuk është vetëm e tre paditësve kundër një korporate në këtë çështje. Kjo fitore është një rreze drite për të gjithë ata që janë shtypur dhe një paralajmërim i fortë për çdo kompani apo kontraktor që praktikon forma të ndryshme torture dhe abuzimi.”

Baher Azmy, avokat pranë Qendrës për të Drejtat Kushtetuese – organizata që ngriti padinë në emër të paditësve – e quajti vendimin “një masë të rëndësishme drejtësie dhe llogaridhënieje”.

Azmy i lavdëroi paditësit për qëndrueshmërinë e tyre, “veçanërisht përballë të gjitha pengesave që CACI u nxorri në rrugën e tyre”.

Padia u ngrit për herë të parë në vitin 2008, por deri në marrjen e vendimit u deshën 15 vjet për shkak të ankimeve të kompanisë CACI ndaj vendimeve dhe të përpjekjeve të shumta për ta pushuar çështjen.

voa

 

Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për NATO-n

NATONga këndvështrimi i BE-së dhe NATO-s, presidenti amerikan Biden shihej si garantuesi i aleancës transatlantike. Kjo siguri duket se i përket historisë. Evropa tani po mban frymën dhe po ripozicionohet.

 

Zyrtarisht, Donald Trump fitoi zgjedhjet amerikane vetëm rreth mesditës të së mërkurës (06.11.) me orën gjermane. Por deri atëherë, urimet nga selia e NATO-s ishin dërguar tashmë përtej Atlantikut. Shefi i ri i NATO-s Mark Rutte shkroi:

Ne përballemi me një numër në rritje sfidash globale. Këto përfshijnë një Rusi gjithnjë e më agresive, terrorizmin, konkurrencën strategjike me Kinën dhe afrimin në rritje midis Kinës, Rusisë, Koresë së Veriut dhe Iranit.

Mund të supozohet se Rutte e ka menduar me shumë kujdes këtë tekst dhe ka përfshirë disa fjalë kyçe që do t’i bien këmbanave të alarmit me Trump. Këta janë terrorizmi, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Ukraina, megjithatë, nuk përmendet me asnjë fjalë.

E hapur se çfarë do të thotë kjo për Ukrainën

Ky është një tregues se jo vetëm Evropa mund të ketë nevojë për SHBA, por edhe SHBA kanë nevojë për NATO-n. Në fund të fundit, SHBA janë të vetmet që kanë përdorur ndonjëherë nenin 5 të traktatit të NATO-s për mbështetjen. “Një për të gjithë” mund të zbatohet për të gjithë.

 

Dalja nga NATO nuk ishte më në agjendën e fushatës elektorale amerikane. Nga ana tjetër, kërkesa për më shumë para për NATO-n ishte. Kushdo që nuk e përmbush objektivin e tij prej dy për qind nuk do të mbrohet, tha Trumpi në një takim të fushatës. Ndërkohë, më shumë se dy të tretat e vendeve të NATO-s shpenzojnë dy për qind ose më shumë të fuqisë së tyre ekonomike për mbrojtjen. Trumpi mund të kërkojë më shumë se dy përqind gjatë mandatit të tij të dytë, megjithatë, duke pasur parasysh konfliktet globale.

Mungesë e vullnetit politik?

Për Agnes Strack-Zimmermann, kryetare e Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin Evropian, koha e rehatit në çdo rast ka mbaruar: “Presidenti i ri amerikan Trump do të kërkojë me ashpërsi që Europa të japë kontributin e saj”, tha ajo pas zgjedhjeve. Evropa është një kontinent me rreth 450 milionë banorë me një prodhim të fortë kombëtar bruto dhe mund ta bëjë këtë. Por, sipas politikanes së FDP-së, për këtë mungon vullneti politik.

Gjermania, si anëtari më i madh i BE-së, do të jetë veçanërisht e kërkuar. Por ministri gjerman i Financave, Christian Linder, ngul këmbë në frenën kushtetuese për të marrë borxhe dhe vende si Franca dhe Italia janë shumë në borxhe. Pra, pyetja është se nga do të vijnë paratë shtesë për mbrojtjen. Daniel Caspary, eurodeputet nga CDU, bën thirrje për prioritete të tjera në buxhetet e vendeve të ndryshme. Kjo është një temë që ka të ngjarë të trajtohet nga Komisioni i ri Evropian.

Kohezioni brenda NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i saj, Rutte, vë në dukje gjithashtu se tani ka më shumë para për mbrojtjen brenda NATO-s. “Ju jeni të mirëpritur nga një aleancë më e fortë, më e madhe dhe më e bashkuar,” i shkroi Rutte Trumpit. Presioni i ushtruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë gjithashtu kontribuoi, pranon ai.

Por nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Pyetja e madhe që shqetëson Evropën është se çfarë do të ndodhë me Ukrainën. Përveç aludimeve të paqarta të Trumpit se ai do t’i jepte fund luftës brenda disa ditësh apo edhe disa orësh, dhe një depërtimi në publik të informacionit se ai herë pas here flet në telefon me presidentin rus Vladimir Putin, dihen pak gjëra konkrete.

A do të ndalojë Trumpi dërgimin e armëve në Ukrainë – apo ndoshta edhe më shumë? Në fund të fundit, 68 për qind e ndihmës ushtarake të NATO-s porositet te kompanitë amerikane të armëve. Askush nuk e di se sa lart në agjendën e Trumpit është lufta në Ukrainë. Sido që të jetë, kjo temë thuajse nuk luajti rol në elektorat: vetëm dy për qind qenë të interesuar për politikën e jashtme sipas sondazheve.

Ndoshta një marrëveshje mund të ndihmojë

Prandaj, lufta kundër Ukrainës mbetet mbi të gjitha një problem për evropianët: “Ne jemi të bindur se si SHBA ashtu edhe BE kanë interes që Ukraina të jetë e fortë dhe e pavarur”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer në ditën e zgjedhjeve në Bruksel.

Dhe ndoshta qeveria e re amerikane do të jetë gjithashtu e interesuar për sasinë gjigande të lëndëve të para që mban nëntoka ukrainase: litium, kobalt, titan. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensi ka deklaruar tashmë që kushdo që mbron vendin e tij të ketë akses në këto lëndë të para. Sidoqoftë, kjo do të ishte një marrëveshje tërësisht në frymën e presidentit të emëruar amerikan.

(S.Fritz/ARD)

E mpiu Gjermaninë suksesi?

Pas tre vitesh qeverisje, koalicioni u prish - Robert Habeck, Olaf Scholz dhe Christian LindnerPas tre vitesh qeverisje, koalicioni u prish – Robert Habeck, Olaf Scholz dhe Christian Lindner

 

Koalicioni qeverisës u prish, disponimi në Gjermani nuk është i mirë. Shumë njerëz janë të shqetësuar nga luftërat dhe krizat aktuale. A u rehatua shumë Gjermania këto vite?

 

Pas dështimit të koalicionit qeveritar, të përbërë nga SPD,  Të Gjelbërit dhe liberalët e FDP tani Gjermanisë i duhet inkurajim. Nuk duhet harruar, se kritikat që qeveria e koaliconit ishte fajtore për shumë gjëra që nuk shkonin mirë, ishin të përhapura edhe më parë. Sipas një sondazhi të Institutit Allensbach nga shtatori, vetëm tre përqind e të anketuarve ishin të bindur se kjo qeveri ishte e mirë për vendin.

Katër vite më parë, John Kampfner, ish-korrespondent i jashtëmpër agjencinë e lajmeve Reuters në Gjermani, botoi një bestseller të titulluar: “Pse gjermanët i bëjnë gjërat më mirë”, plot lëvdata për politikën gjermane në kohë të vështira. E gjitha kjo nga një britanik. Mesazhi i tij: Gjermania po kalon me sukses në kohë të vështira dhe po ia del shumë më mirë sesa mendon. Për DW Kampfner tha: “Unë e njoh Gjermaninë për më shumë se 40 vjet dhe nuk mbaj mend ndonjë bisedë me mik apo të njohur gjerman, i cili, kur pyetet se si po kalon Gjermania, thotë: “kalojmë mirë, faleminderit”. Gjermanët nuk e thonë këtë, mendoj se kjo është autokritika gjermane, e cila ka të bëjë shumë me luftën dhe historinë, është shumë pozitive.

Me prishjen e koalicionit,  ajo që e nervozonte nganjëherë Kampfner, i cili jeton në Berlin dhe në Londër, ka të ngjarë të rritet: pra tendenca në Gjermani për t’u ankuar.

“Gjermanët janë rehatuar shumë”

Por sipas studimeve, si Atlasi i Lumturisë 2024, raporti i ekuivalencës së jetesës lindje-perëndim i qeverisë federale dhe një sondazh i ri nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike, gjermanët janë të kënaqur me jetën, e kjo ka trend rritjeje, jo vetëm për shkak se pandemia e koronës është kapërcyer në masë të madhe dhe inflacioni po bie.

Kampfner ka një shpjegim, pse gjendja shpirtërore në këtë vend është shumë më e keqe se situata: “Kjo tendencë për t’u ankuar është gjithmonë si justifikim për të hequr përgjegjësinë, një lloj paralize.” Diagnoza e tij është se: “Gjermanët janë rehatuar shumë. Ata e kanë pasur gjithmonë shumë mirë, ka pasur stabilitet, gjithçka ka qenë solide. Por nuk ka kulturë inovacioni, që duhet të rrezikosh ndonjëherë, duhet të fillosh diçka të re. Me dixhitalizimin, për shembull, ka ngecur në Mesjetë.”

“Gjermanët e përkëdhelur me suksesin”

Politologu i njohur bullgar, Ivan Krastev e ka formuluar së fundmi kështu: 30 vitet e fundit kanë qenë aq të mira për Gjermaninë saqë të gjithë do të dëshironin të vazhdonin të jetonin kështu përgjithmonë. Por bota ka ndryshuar rrënjësisht – kujtojmë luftën në Ukrainë-. Tani, pikërisht gjermanët, të cilët janë përkëdhelur me sukesin, detyrohen të ndryshojnë stilin e jetës së tyre – megjithëse mentaliteti i tyre është se gjithçka duhet të qëndrojë gjithmonë ashtu siç është.

Por çfarë duhet bërë nëse duhet të reformohet një vend që nuk është i gatshëm të ndryshojë? John Kampfnerit nuk i duhet të mendojë dy herë para së të përgjigjet: kancelari, shprehet, ai, nuk duhet të jetë arbitër, por kapiten, pra numër njësh i qartë. Ndoshta si mbrëmjen e së mërkurës, kur ai shpjegoi qartë vendimin e tij për shkarkimin e ministrit të Financave, Christian Lindner.  Në të kaluarën, sipas autorit britanik, kjo ndodhte shumë rrallë: problemi i qeverisë ishte 80 deri në 90 për qind një problem Scholz. “Olaf Scholz ishte shumë i guximshëm me fjalimin e tij për kthesën e epokave, aty ai i hyri një rreziku. Kancelai vendosi që Gjermania duhej të ndryshonte shumë rrënjësisht. Pas kësaj, popullariteti i tij u rrit. Por më pas ndodhi shumë pak, dy hapa përpara e dy hapa prapa, kësaj qeverie i mungon lidershipi”.

Dobësimi komunikimi të qeverisë

Po si arritën pikërisht gjermanët të ishin kaq të pakënaqur me qeverinë e koalicionit? Në një intervistë për DW, Hedwig Richter, profesore e historisë moderne dhe bashkëkohore në Universitetin e Bundeswehr-it në Mynih, e sheh këtë edhe si pasojë e komunikimit të dobët të qeverisë. Ata e trajtonin popullsinë si fëmijë të vegjël që duhej t’i mbanin larg nga çdo gjë e rëndë dhe gjithmonë shikonin me frikë nga votat.

“Do të kishte qenë e rëndësishme të thoshim, në rregull, ne jetojmë në një demokraci, duhet të flasim me njerëzit si të rritur. Duhet të themi se çfarë po ndodh, gjë që u përpoqën të Gjelbrit për një kohë, kur thanë, se transformimi mund të jetë gjithashtu i dhimbshëm. Por ai ndryshim ia vlen absolutisht dhe se çdo refuzim i këtij transformimi ekologjik dhe një politikë e re sigurie do të bëhen edhe më të shtrenjta dhe do të gllabërojnë sigurinë tonë.”

Richter sheh po ashtu përgjegjësi të madhe për humbjen e besimit të qeverisë te kancelari Scholz, i cili, për shembull, i la jashtë të Gjelbrit në përpjekjen e tyre për të zhvilluar një politikë realiste klimatike. Por dështimet, sipas politologes e kanë origjinën shumë më herët, nën kancelaren Merkel, e cila qeverisi Gjermaninë nga viti 2005. Në atë kohë, vendi mbështetej në jastëkun e butë të prosperitetit që kishte. Tani Gjermania është në një polikrizë dhe po mbart pasojat e rënda.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë, ne  gjermanët kemi menduar për një kohë të gjatë se mund ta zhvendosim atë. Gjithashtu menduam se thjesht mund ta injoronim migrimin pa pasur nevojë të gjejmë zgjidhje reale, se thjesht mund të shtynim të gjitha katastrofat ekologjike. Tani, megjithatë, ne jetojmë në një kohë në të cilën të gjitha efektet anësore të veprimeve tona rikthehen fort tek ne.”

Narrativa e suksesit

Sociologu Harald Welzer mbështet idenë e rrëfimit të “historive të suksesit”. Kjo është ideja e Fondacionit FuturZwei, bashkëthemelues dhe drejtor i të cilit është Walzer. Ai dhe kolegët e tij duan të shikojnë përpara, të motivojnë dhe të tregojnë se shumë ndryshime janë të mundshme edhe në një masë të vogël me ide konstruktive. Edhe ai ka një shpjegim për kapjen e Gjermanisë pas së kaluarës.

“Ne ishim sigurisht fituesit e periudhës së pasluftës, veçanërisht Gjermania Perëndimore. Kjo është një histori e avancimit dhe prosperitetit ekonomik që ka zgjatur mbi dy breza, e nxitur nga globalizimi. Dhe të gjithë mendonin se ajo do të vazhdonte përgjithmonë. Nëse ti ngec në një model prosperiteti, padyshim që nuk ke dëshirë të japësh asgjë prej saj”.

Welzer gjithashtu fajëson mediat për atmosferën jo optimiste në Gjermani: veçanërisht mediat konservatore si Bild, Welt dhe FAZ kanë goditur të Gjelbërit si me fushatë kundër tyre. Kjo është pikërisht partia, pak a shumë e vetmja që vë në dukje se Gjermania duhet të ndryshojë në shekullin e 21-të. “Dhe në momentin që ata e konkretizojnë këtë, të gjithë bërtasin se kjo është ashpërsi dhe rregullim. Dhe sigurisht personi që jep mesazhin përfundon duke marrë goditje.”

Welzer thotë për DW se tashmë diçka ka ndryshuar në Gjermani. Në dy vitet e fundit, shumë të moshuar i kanë thënë: “Për herë të parë në jetën time, jam i lumtur që jam kaq i moshuar”. Sociologu e përkthen këtë si “humbje të asaj që shihej si e vetëkuptueshmer” dhe premtimi themelor i një shoqërie si ajo e Gjermanisë nuk mund të mbahet më: “Juve nuk do t’iu ndodhë asgjë, do të ketë gjithmonë paqe, do të ketë vetëm përparim dhe rritje të prosperitetit. Për jetën e njerëzve kjo do të thotë: mund të kem kancer, mund të bëj një aksident, mund të divorcohem, por bota do të mbetet gjithmonë ashtu siç është tani në dispozicion për mua, natyrisht, ky premtim është thyer.

Një moment Kennedy për Gjermaninë?

Për ta kundërshtuar këtë me një narrativë pozitive, ekonomisti Marcel Fratzscher kohët e fundit bëri thirrje për një moment gjerman Kennedy.

Kennedy tha në fjalimin e tij inaugurues në presidencën amerikane në vitin 1961: “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.” Ndoshta kjo është ajo që i duhet Gjermanisë tani: një rrëfim që e nxjerr vendin nga pesimizmi aktual dhe krijon një frymë optimizmi.

dw

Transformim rrënjësor i SHBA nën republikanët e Trumpit?

trumpMe fitoren e thellë të kandidatit të tyre, republikanët kanë projekte të mëdha për ristrukturimin e aparatit shtetëror në SHBA. Cilat mekanizma kontrolli, të ashtuquajturat “checks and balances” do të mbeten?

 

“Kjo ditë do të mbahet mend përgjithmonë si dita kur populli amerikan rimori kontrollin” – kështu u shpreh Donald Trump në fjalimin e tij të fitores duke kujtuar premtimin e tij për të “ndryshuar” vendin. SHBA lëvizi ndjeshëm nga spektri i  djathtë në ditën e zgjedhjeve – republikanët, të cilët janë në linjë me lëvizjen “Make America Great Again”, MAGA të Donald Trump, tani kanë gjithashtu shumicën në Senat. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ka të ngjarë që ata gjithashtu të ruajnë shumicën e tyre pasi të jenë numëruar të gjitha zonat. Pra, është lëvizja MAGA e Trump-it ajo që ka “rimarrë kontrollin” – e cila që para zgjedhjeve kishte njoftuar plane të mëdha se si dëshiron ta përdorë këtë pushtet.

Trump më i përgatitur se në 2016-n

Dallimi i madh nga fitorja e zgjedhjeve të Trump në vitin 2016 është se ai është shumë më i përgatitur këtë herë, thotë Stormy-Annika Mildner, drejtoreshë e institutit të pavarur studimor, Aspen Institute, Gjermani.  “Trump ka mësuar se mund të jetë problematike për të nëse ai ka jo besnikë në ekipin e tij”, tha Mildner për DW. Mund të pritet që ai të rrethohet vetëm me mbështetës të vërtetë. “Dhe për shkak të shkëmbimit të gjerë të zyrtarëve në ministri dhe autoritetet më poshtë, nuk do të ketë më një faktor të rëndësishëm që ekzistonte nga viti 2016 deri në vitin 2020: pra njerëz që parandaluan që diçka më e keqe të ndodhte në një moment apo në një tjetër.”

“Project 2025″

Mildner pret që dokumenti strategjik “Project 2025″, i cili u bë publik në verë, të luajë një rol kryesor. Trump ishte distancuar zyrtarisht nga manifesti i think tank-ut konservator “Heritage Foundation”. Por hulumtimet nga mediat amerikane sugjerojnë se të paktën disa nga ndjekësit e tij MAGA ishin të përfshirë në manifest. Si rezultat i ndryshimit të qeverisë, ata mund të ngjiten në pozicione me ndikim.

Trump i miratoi kërkesat qendrore të projektit 2025 gjatë fushatës zgjedhore: sugjerimet e tij për politikën e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve korrespondojnë me ato të fondacionit – gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi “operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane”. Ai gjithashtu dëshiron të rrisë ndjeshëm shfrytëzimin e lëndëve djegëse fosile që dëmtojnë klimën dhe të reduktojë rregulloret mjedisore.

Modifikimi i shtetit fillon nga institucionet

Autoritetet federale – si për shembull Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) – do jenë një levë kryesore për zbatimin e planeve të tilla. Kapitulli 32-faqesh mbi EPA-në në dokumentin strategjik “Project 2025″ vjen nga Mandy Gunasekara, drejtuesja e shtabit të agjencisë gjatë presidencës së parë të Trump, e cila tani po konsiderohet si drejtuesja e mundshme e ardhshme. Në atë kohë, kompetencat e EPA-s u kufizuan dhe shumë punonjës u pushuan nga puna – gjë që administrata Biden e riktheu kryesisht. Në mandatin e dytë në detyrë të Trump, qëllimi është të “heqë dhe rindërtojë” strukturat e agjencisë, citon New York Times të ketë thënë Gunasekara.

Ekspertja Stormy-Annika Mildner thotë: “Ju mund të përdorni autoritetet që i përkasin degës ekzekutive, siç është Agjencia e Mjedisit, për të rregulluar në interes të publikut. Ose mund t’i bllokoni duke u dhënë atyre shefa që thjesht thonë: ‘Këtë nuk e bëjmë më.` Kjo është e pritshme në fushën e mbrojtjes së klimës. Nga ana tjetër, Trump mund të përdorë autoritetet për të nxjerrë rregullore me efekt të madh – për shembull në lidhje me emigracionin e parregullt dhe sigurinë kufitare ose promovimin e lëndëve djegëse fosile.”

Gjithashtu pritet me padurim se kë do të vendosë Trump në krye të Departamentit të Drejtësisë – pikërisht Departamentin e Drejtësisë, të cilin Trump ka deklaruar se dëshiron ta përdorë për ndjekjen ligjore të kundërshtarëve politikë. Transmetuesi publik NPR numëroi më shumë se 100 kërcënime të tilla gjatë fushatës zgjedhore. Nuk janë vetëm prokuroritë publike që politizohen – pas një ndërprerjeje katërvjeçare, por lëvizja MAGA e Trump tani ka dorë të lirë për të plotësuar postet e larta gjyqësore me konservatorë. Republikanët mbajnë shumicën në Senat, i cili do të pajtohet me këtë, të paktën deri në zgjedhjet afatmesme në fund të vitit 2026. Në mandatin e parë në detyrë të Trump, u emëruan 234 gjyqtarë – duke përfshirë tre në Gjykatën e Lartë.

Agjencia e lajmeve Reuters citon profesorin e drejtësisë në Universitetin George Washington, John Collins: “Në mandatin e tij të parë, Trump riformoi gjyqësorin federal. Tani ai ka mundësinë të çimentojë këtë vizion për një brez të tërë.”

Republikanët do të duan të kryejnë një ristrukturim të madh të shtetit brenda rregullave të përcaktuara nga kushtetuta. Mildner, vlerëson se vetë kushtetuta duhet të mbetet e paprekur – sepse ndryshimet kushtetuese janë të ndërlikuara dhe gjithashtu mund të dëmtojnë republikanët nëse ata janë sërish në opozitë në një moment.

Ka ende “Checks and Balances”

Edhe nëse Shtëpia e Bardhë, Kongresi dhe Gjykata e Lartë janë të gjitha konservatore, Mildner është e bindur se institucionet e tjera – për shembull media – do të përmbushin funksionin e tyre të kontrollit si “check and balances”. Dhe shtetet e qeverisura në mënyrë demokratike po përgatiten gjithashtu për mosmarrëveshje të ashpra politike. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit: “Nëse përpiqesh të dëmtosh njujorkezët ose të kufizosh të drejtat e tyre, unë do të luftoj çdo lëvizje tënde”.

Mildner ia atribuon Shteteve të Bashkuara shumë aftësi durimi dhe qëndrueshmëri ndaj krizave. “Prandaj nuk do të thosha definitivisht se ky është fundi i demokracisë amerikane”, tha ajo për DW. Megjithatë, ndarja mes dy kampeve nuk do të tejkalohet nën drejtimin e Trump, përkundrazi: “Këto katër vite do të kontribuojnë që polarizimi të vazhdojë të rritet”.

dw

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit: Hezbollahu në Liban

Ministri i mbrojtjes izraelMinistri izraelit i Mbrojtjes deklaroi se pas vrasjes së Hasan Nasrallahut, kreut të milicisë Hezbollah në Liban, kjo organizatë konsiderohet e mundur.

 

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shpall fitoren ndaj grupit radikalit shiit Hezbollah në Liban. Lajmin e bënë të ditur agjencia e lajmeve Reuters dhe “The Times of Israel”. Eliminimi i drejtuesit të Hezbollahut, Hasan Nasrallahnë fund të shtatorit ishte përfundimi kulmor i këtij qëllimi, tha Katz. Nasrallahu u vra më 27 shtator gjatë një sulmi izraelit në një zonë periferike në jug të Bejrutit.

“Tani detyra jonë është të vazhdojmë të ushtrojmë presion për të korrur shpërblimet e kësaj fitoreje.” Izraeli nuk është i interesuar të ndërhyjë në politikën e brendshme të Libanit, sepse Izraeli “e ka mësuar mësimin e tij”.

Ai tha megjithatë se shpreson që bashkësia ndërkombëtare do ta shfrytëzojë këtë mundësi politikisht dhe që Libani do t’u bashkohet vendeve të tjera për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.

Organizatë me ndikim përtej kufijve të Libanit

Gjatë luftës civile në Liban, nga viti 1975 deri në vitin 1990, Hezbollahu u zhvillua nga një grupi i vogël shiit në një organizatë me ndikim përtej kufijve të Libanit. Në vitin 1983 forcat izraelite i dëbuan ata nga Libani. Në vitin 2006 Hizbollahu zhvilloi një luftë mujore kundër ushtrisë izraelite në Liban. Ushtria izraelite nuk mundi ta mposhtte milicinë e armatosur rëndë dhe të mbështetur nga Irani dhe i tërhoqi trupat e saj. Për Hezbollahun ky ishte një triumf i madh që i solli mbështetës jo vetëm në bastionet e tij në Libanin jugor.

Izraeli e konsideronte milicinë Hezbollah si armikun më të rrezikshëm në kufijtë e tij. Gjatë luftës së Gazës Hezbollahu bombardoi vazhdimisht objektiva të ndryshme në Izrael. Ushtria izraelite marshoi në jug të Libanit natën e 1 tetorit. Që atëherë të dyja palët janë përfshirë në luftime të ashpra, gjatë të cilave trupat izraelite goditën edhe ushtarë paqeruajtës të trupave të Kombeve të Bashkuara Unifil.

dw

Trump dhe Vuçiq zhvillojnë bisedë telefonike

Trump VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën vonë se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

 

“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje, dhe do të thosha shumë e përzemërt”, tha Vuçiq në Instagram.

Ai tha se ndihet “mirënjohës” ndaj Trump që ai “menjëherë dinte shumë gjëra për Serbinë”.

“Shpreha shpresën time që ai do ta vizitojë Serbinë, pasi Serbia ishte vendi ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në gjithë Evropën”, tha ai.

Ai theksoi se Trumpi e falënderoi për “mbështetjen e madhe” që ka marrë nga “qytetarët e Serbisë, nga populli serb, dhe besoj se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësi të flasim për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, në të gjitha fushat”.

“Jam i sigurt që, me mbështetjen e miqve tanë – dhe me miq nënkuptoj të gjithë rrethin e presidentit Trump, të cilët ishin gjithashtu me të gjatë bisedës sonte – do të kemi mundësi të bëjmë, ai Amerikën të madhe, dhe ne Serbinë një vend të denjë, që mund të bashkëpunojë shumë mirë me Shtetet e Bashkuara”, tha Vuçiq.

Vuçiq e njoftoi për bisedën me Trumpin Millorad Dokidkun, presidentin e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska. Vuçiq dhe Dodik ishin ndër liderët e parë botërorë që e uruan Trumpin për fitoren më 5 nëntor.

Po të njëjtën ditë, Shtetet e Bashkuara vendosen sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.

Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut.

Edhe vetë Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkeljen apo pengimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe për aktivitete korruptive.

Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.

Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.

Grenell ishte aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.

Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.

Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Gjithashtu, gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.

Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Por, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me kryeministrin Albin Kurtin ishin të tensionuara.

Kurti, kur mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, përplasej shpesh me Grenellin, i cili e kritikoi publikisht, duke e cilësuar Kurtin si “antiamerikan” dhe duke e akuzuar se i kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

Tensionet kulmuan në marsin e 2020-tës kur Qeveria e Kurtit u rrëzua nëpërmjet një mocioni mosbesimi, për të cilin Kurti pretendoi se ishte orkestruar me mbështetjen e Grenellit.

rel

Berlin: „Muret bien, kur njerëzit nuk mund t’i durojnë ato“

Berlin9 nëntor 1989: Muri që ndau Berlinin për tri dekada u shëmb 35 vjet më parë. Po si u ngrit ai dhe çka mbetur sot në Berlin prej tij?

 

Historia e Murit të Berlinit zë fill në gusht të vitit 1961, në kryeqytetin rus, Moskë. Aty u takuan udhëheqësit e atëhershëm të partive komuniste të Bllokut Lindor. Ata vendosën mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Më 12 gusht 1961, Valter Ulbriht, kryetar i shtetit i RDGJ, nënshkroi urdhërat për mbylljen e kufirit. Më 13 gusht, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.

 

1961: në gjashtë muajt e parë të vitit largohen nga RDGJ mbi 150 mijë vetë

Më 13 gusht të vitit 1961 Berlini Lindor filloi bllokimin e RDGJ nga Perëndimi. Ngritja e Murit të Berlinit ishte pjesë e kësaj mase. Bashkimi Sovjetik dhe Republika Demokratike Gjermane – RDGJ nuk dinin si të vepronin ndryshe për të penguar valën e refugjatëve nga Gjermania Lindore për në Perëndim. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 1961 u larguan nga RDGJ mbi 150 mijë njerëz. Në vitet e mëparshme ishin larguar mbi tre milionë. Shpesh ishin të rinj me kualifikime të larta ata, të cilët i kthenin shpinën socializmit në tokën gjermane. Rruga Bernauer në Berlinin Qëndror ishte një nga zonat më të përfolura të ndarjes gjermane. Në ditët e ndërtimit të murit këtu njerëzit u hodhën nga shtëpitë e tyre në lindje për në pjesën perëndimore të qytetit. Sepse trotuari ishte pjesë e anës së lirë të Berlinit.

 

Për presidentin Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan me gjakftohtësi. Për presidentin Xhon F. Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë. Tre themelet e politikës së tij ndaj Gjermanisë mbetën të paprekura nga ngritja e Murit: qarkullimi i lirë në Berlin, prania e fuqive perëndimore në qytet si dhe liria e popullit në Berlinin Perëndimor.

Për të demonstruar prani, Kenedi dërgoi në qytetin e ndarë gjeneralin Lukjus Klei (Lucius Clay), heroin e urës ajrore të Berlinit në vitet 1948/49 dhe nënpresidentin Lindon B. Xhohnson. Ai vetë e vizitoi për herë të parë në vitin 1963 Republikën Federale të Gjermanisë. Para ndërtesës së bashkisë Shëneberg (Schöneberg) ai mbajti më 26 qershor para qindra-mijëra njerëzve një fjalim lidhur me Murin dhe lirinë. Në këtë vend ai i shqiptoi fjalët që u futën në histori: “Unë jam një berlinez”.

Karizma e presidentit Kennedy i pajtoi berlinezët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e Murit ndarës shumë kishin pritur një angazhim më të madh të SHBA. Megjithatë administrata e Kenedit si dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ndodhej në prag të një lufte atomike.

 

“Checkpoint Charlie”: tanke amerikane përballë tankeve sovjetike

Kjo u bë e qartë në tetor të vitit 1961. Atëherë bashkëpunëtorët e administratës amerikane u penguan të hynin në sektorin lindor. Në pikëkalimin kufitar “Checkpoint Charlie” shkuan në mënyrë demonstrative tanke amerikane. Përballë tyre ndodheshin tanket sovjetike. Në fund të dyja palët i tërhoqën ushtarët e tyre. Megjithatë, amerikanët ia bënë të qartë botës se do t’i mbrojnë të drejtat e tyre në qytet.

 

„Muret bien, kur njerëzit nuk mund t’ i durojnë ato”

Shumica e turistëve çuditen që prej murit ka mbetur kaq pak dhe kërkojnë gjurmë dhe pjesë të mbetura në qytet. Sot ka fare pak pjesë të mbetura nga muri i Berlinit. Kur më 1989 Muri i Berlinit u hap dhe pak më vonë u rrëzua, pasoi një periudhë e distancimit ndaj këtij kapitulli të dhimbshëm të historisë gjermane të pasluftës. Asgjë nuk duhet ta turbullonte gëzimin për ribashkimin e sapofituar. Ky është një shkak se pse në Berlin kanë mbetur në kaq pak vende pjesë të Murit të Berlinit. Në shumë pjesë të qytetit, vendin ku ka kaluar Muri ta tregon vetëm një vijë e shënuar në tokë. Ndarja gjermano- gjermane zgjati 28 vjet. Sipas të dhënave të Qendrës për Studimet Historike në Potsdam, nga viti 1961 deri në vitin 1989, u vranë në Murin e Berlinit 136 vetë.

Në rrugën Bernauer ndodhet sot monumenti kombëtar për viktimat e ndërtimit të murit. Gjithmonë më 9 Nëntor në rrugën Bernauer bien trompetat. Ky është një ritual simbolik, pjesë e iniciativës së aktivistëve të të drejtave të njeriut ish-qytetarë të RDGJ-së, Republika Demokratike e Gjermanisë. Çdo vit buçasin tingujt e trompetave një mesazh i lashtë biblik: muret bien, kur njerëzit nuk mund t’i durojnë ato.

dw