Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Një njësi elitë amerikane po vret krerët e ‘Shtetit Islamik’

Presidenti amerikan Barack Obama synon që me një njësi speciale të eleminojë krerët e “Shtetit Islamik”. Por strategjia e tij është kritikuar shumë, shkruajnë mediat amerikane dhe gjermane.

njesia elite usaNë Uashington do të mblidhen këtë të enjte presidentët dhe kryeministrat e 51 vendeve të ndryshme, në “Nuclear Security Summit”. Zyrtarisht thuhet se tema kryesore është parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore në botë. Por tema dominuese me siguri që do të jetë luftimi i të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.

Në SHBA po vazhdon fushata parazgjedhore për kandidatët e republikanëve dhe demokratëve për president të ardhshëm amerikan. Zgjedhjet do të mbahen nga fundi i vitit, por presidenti Barack Obama do të dëshironte që deri në fund të mandatit të tij, të shkatërrojë pjesën më të madhe të “Shteti Islamik”. Ndaj është e sigurt që pas sulmeve të fundit në Bruskel, kjo konferencë do të shfrytëzohet për dërgimin e një sinjali të fuqishëm për unitet në luftën kundër terrorizmit dhe terroristëve.

Sulmet po vazhdojnë prej javësh

Prej javësh po vazhdojnë sulmet amerikane kundër IS në Siri dhe Irak, bën të ditur revista “Spiegel” duke shtuar se “krahas sulmeve ajrore dhe ndihmës së trupave irakiane dhe kurde në tokë, një rol të madh po edhe angazhimi i njësive speciale”. Ushtarët elitë të Ushtrisë Amerikane angazhohen në të ashtuquajturat misione “Kill-or-Capture”, që do të thotë se obligimi i tyre është që të kapin apo të vrasin kuadrot e IS, me qëllim asgjësimin apo të paktën dobësimin e rrjetit terrorist. Në fillim të marsit, gazeta “Neë York Times” ka njoftuar për arrestimin e personave të rëndësishëm të IS në Erbil të Irakut. Gazeta shkruan se qëllimi i dërgimit të ushtarëve të njësisë speciale Delta Force është të dobësojë udhëheqësinë e IS. Ndërsa këto ditë është konfirmuar edhe vrasja e një prej krerëve të IS.

200 ushtarakë elitë kundër udhëheqësve të IS

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i kanë hedhur poshtë informacionet për angazhimin e njësive speciale. Por njëkohësisht janë theksuar sukseset e tyre, për shkak të kritikave të shtuara ndaj presidentit Obama dhe strategjisë së qeverisë së tij në luftën kundër IS. Ministri i Mbrojtjes Ashton Carter ka bërë të ditur së fundi se njësitë speciale do të “eliminojnë krerët e Kabinetit të IS” një nga një. Ndërsa më i kërkuari në këtë listë është Abu Bakr al-Baghdadi. Së fundi është vrarë i ashtuquajturi “ministër i Financave” i IS, Abdul al-Kaduli. Qëllimi fillestar ka qenë që Kaduli të arrestohet. Rrjeti CNN njofton se pasë identifikimit të Kadulit dhe njëjsisë së tij në territoret e IS, kanë filluar aksionet për arrestimin. Por gjatë aksionit ai dhe luftëtarët e tij janë vrarë. Ndërkohë njoftohet se njësitë amerikane kanë kapur shumë pjesëtarë të tjerë të IS.

Mediat njoftojnë se njësia speciale numëron rreth 200 ushtarakë elitë dhe ata vijnë kryesisht nga Delta Force, një njësi komando, e cila prej 30 vjetësh me radhë angazhohet në aksionet kundër terrorizmit. Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij janë të bindur në sukseset e njësisë, por mendojnë se aksionet duhet të jenë të kujdesshme. “Ne nuk mund të sulmojmë objektiva pa qenë të sigurt se kush është në shënjestër”, tha ai.

Kritikat ndaj strategjisë së Obamës

Kritikët e Obamës mendojnë se kombinimi i njësive speciale dhe sulmeve ajrore nuk mjafton për eliminimin e “Shtetit Islamik” Gati të gjithë kandidatët e rebublikanëve në fushatën parazgjedhore kanë paralajmëruar se aksione shumë më të ashpra kundër IS. Disa prej tyre flasin madje për dërgimin e dhjetëra mijëra ushtarëve në luftë kundër IS. Republikanët John McCain dhe Lindsey Graham kanë kërkuar dërgimin e trupave tokësore amerikane, të cilët duhet të luftojnë së bashku me peshmergët dhe irakianët. SHBA ka aktualisht rreth 3000 ushtarë në Irak, por ata kryesisht kryejnë punën e këshilltarëve dhe koordinatorëve. Obama deri tani i mbetet besnik strategjisë së tij. Mendohet se këtë strategji do ta mbrojë edhe në samitin e ardhshëm. (dw)

Ngjarja qesharake e Ankarasë

Presidenti Erdogan e bën veten qesharak, kur thërret ambasadorin e Gjermanisë për shkak të një videoje satirike. Diplomacia gjermane përpiqet ta ruajë atë sa më shumë nga turpërimi, mendon Matthias Bölinger.

erdoganRecep Tayyip Erdoganit nuk i pëlqen kur qeshin me të

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është një njeri që njeh shumë armiq. E parë më saktë, Presidenti turk ndodhet në mënyrë permanente në luftë kundër komploteve të të gjitha llojeve: një predikuesi në SHBA, i cili thuhet se ndjek një plan të gjerë për rrëzimin e Erdoganit, kundër gazetarëve të pabindur, prokurorëve me një agjendë të fshehtë, kundër fuqive të errëta të huaja. Lista e atyre që i duan sipas tij të keqen atij dhe shtetit të tij është e gjatë. Tani, Presidentit iu desh të durojë edhe një sulm tjetër ndaj nderit të tij.

Të qeshësh për dikë, nga i cili je i varur

Emisioni satirik Extra 3 i Norddeutsche Rundfunk guxoi që të qeshte në një videoklip për sundimtarin turk. Krahas muzikës së Nenas “Disi, Diku, Dikur” i këndohet “Bosit të Bosforit”: “Një gazetar, që harton një gjë, që nuk i pëlqen Erdoganit, që të nesërmen është në burg”, thuhet në vargjet me rimë në gjermanisht. Ose “Të drejta të barabarta për gratë. Edhe ato hanë dru”. Kjo shoqërohet me pamje të dhunës policore kundër një demonstrate për Ditën Botërore të Grave. Presidentit, kaq është e sigurtë, nuk i erdhi për të qeshur nga shakaja. Që javën e kaluar ai ka thirrur me sa duket Ambasadorin gjerman, për t’u ankuar.

Berlini është në një pozicion të vështirë. Sepse fakti që Evropa dhe veçanërisht qeveria gjermane janë të varura në politikën e refugjatëve nga Turqia – ose e kanë bërë veten të varur – është i padiskutueshëm. Pikërisht në momentin kur qeverisë turke i rrëshkasin nga duart frerët në Lindjen e Afërme, ajo ka marrë një levë të përmasave të mëdha. Kështu Turqia arriti ndër të tjera rinisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, megjithëse Turqia po flak tej gjithnjë e më shumë vlera demokratike. “Ji sharmante, se ai të ka në dorë”, shprehet Extra 3 përmbledhtazi në video. Në video shihet Angela Merkeli, si i shtrëngon dorën Presidentit të kënaqur me veten.

“Jo konfirmim” në këtë rast është “po”

Për takimin midis Erdoganit dhe ambasadorit gjerman në çështjen e Extra 3, nga Ministria e Jashtme gjermane nuk të jepet konfirmim zyrtar. Por për këtë nuk ka as nevojë. Sepse mund të jesh i sigurtë që lajmi do të qe kundërshtuar menjëherë, po të mos qe zhvilluar takimi. Në fund të fundit, takimi i vogël nuk është i pakëndshëm vetëm për Ambasadorin gjerman, edhe Erdogani vetë vetëm mund ta dëmtojë veten me aksione të tilla. Një njeri, që e ngre një shaka në një aferë shtetërore, tregohet para së gjithash jo njeri i lartë. Dhe i jep momentit të përplasjes një vëmendje, që ndoshta nuk do ta kishte pasur kurrë.

Erdogani përpiqet ta kundërshtojë shpotinë, duke e bërë veten krejt qesharak. Por nga vaniteti, atë nuk mund ta shpëtojë as diplomacia gjermane. (dw)

Danford, pikëpyetje mbi ndërhyrjen ruse në Siri

Gjeneral Joe DunfordShefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjeneral Joe Dunford tha se ai nuk ka “asnjë dyshim” që ndërhyrja ruse në Siri e mbajti në këmbë qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad.

“Në lidhje me aktivitetin e Rusisë në Siri, – tha gjenerali, – nuk ka absolutisht asnjë dyshim se ata e stabilizuan regjimin, dhe e kanë vënë veten në një pozitë të tillë që mund të ndikojnë mbi zgjidhjen politike në vend.”

Ai i bëri komentet në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Gjenerali Dunford tha se qeveria siriane ishte në pozitë tepër të vështirë në korrik dhe gusht të vitit të kaluar, por tani është në “gjendje shumë më të mirë.” Tërheqja e Rusisë nga Siria “hedh pikëpyetje” rreth qëllimit të saj të vërtetë të hyrjes në konfliktin në Sirian, tha gjenerali.

“Qëllimi i deklaruar ishte për të goditur ISIS-in,” tha ai. “Ata kanë shpallur tashmë tërheqjen. Nga këndvështrimi im, ka ende punë për të bërë kundër ISIS-it”. (voa)

Erdogan: Ky nuk është vendi juaj, kjo është Turqi

Mosmarrëveshja për praninë e diplomatëve të huaj si vëzhgues në procesin gjyqësor kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë në Turqi është ashpërsuar. Presidenti Erdogan ka shprehur zemërimin e tij.

ErdoganNë një fjalim të mbajtur në Stamboll, Presidenti i Turqisë sulmoi veçanërisht Konsullin e Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, Leigh Turner. Pa e përmendur Turnerin me emër, Recep Tayip Erdogani kritikoi që ai angazhohet për një gazetar, i cili ka dalë para gjyqit për shkak të akuzave për spiunazh. “Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai bën edhe një fotografi faqe më faqe me të dhe e nxjerr në internet”, tha Recep Tayip Erdogan sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

Gazetarë kritikë të qeverisë para gjyqit

Turneri pati ndjekur të premten me disa diplomatë të huaj, midis tyre edhe me ambasadorin gjerman, Martin Erdmann, hapjen e procesit gjyqësor shumë të diskutueshëm kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë, Can Dündar dhe Erdem Gül. Kryeredaktorin e gazetës “Cumhuriyet”, Dündar dhe shefin e zyrës së gazetës për kryeqytetin i akuzojnë ndër të tjera për spiunazh, tradhëti të sekreteve shtetërore dhe mbështetje të një organizate terroriste. Në rast dënimi, të dy i pret burgim i përjetshëm.

Para se të shkonte për të ndjekur procesin gjyqësor, Turner publikoi disa fotografi në rrjetin e Twitterit, midis tyre një selfie me Dündarin dhe e komentoi seancën me fjalët: “Turqia vendos vetë se çfarë vendi dëshiron të jetë”. Erdogani deklaroi se me këtë qe kapërcyer një kufi. “Nëse ky person mund ta kryejë edhe më tej shërbimin e tij në Turqi, kjo ka të bëjë me fisnikërinë dhe me mikpritjen tonë”, tha Erdogani sipas agjencisë Anadolu. Sipas tij, në vende të tjera, diplomatët që manifestojnë sjellje të tilla nuk durohen për asnjë ditë.

Ministri i Drejtësisë: sjellja e diplomatëve është e papajtueshme

Anadolu raporton duke iu referuar qarqeve diplomatike se ministria e Jashtme Turke është ankuar zyrtarisht në disa përfaqësi të huaja diplomatike, për shkak të pjesëmarrjes së diplomatëve të tyre në proces. Se në ç’formë konkrete është bërë ankesa, kjo është e paqartë. Edhe një konfirmim të Ministrisë së Jashtme Gjermane për momentin nuk ka. Qeveria në Ankara zemërohet para së gjithash për shkak të publikimeve të diplomatëve në twitter, siç u shpreh një diplomat turk. Kjo mund të vlerësohet si përzierje në punën e pavarur të gjykatës dhe shkel “paanshmërinë” e diplomatëve, u tha.

Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag e quajti sjelljen e diplomatëve sipas medieve turke si “të papranueshme”. Edhe kryeministri Ahmet Davotuglou e dënoi pjesëmarrjen në procesin gjyqësor të diplomatëve. Erdogani vetë u dërgoi që të shtunën një shpërthim zemërimi vëzhguesve të paftuar të procesit gjyqësor: “Ky nuk është vendi juaj, kjo është Turqia”, u shpreh ai i revoltuar në vendin e tij. Diplomatët mund të kryejnë aktivitet në kuadër të përfaqësive të tyre, përndryshe nevojitet leje, tha Presidenti turk.

Kritika ndërkombëtare ndaj procesit gjyqësor

Shkak për procesin është raportimi i gazetës “Cumhyriet” vitin e kaluar, se Turqia ka furnizuar me armë ekstremistët islamikë në Siri. Erdogani, që i paditi vetë gazetarët në gjyq dhe Shërbimi i Fshehtë turk, MIT janë bashkuar si palë me akuzën e prokurorisë.

Kundër këtij procesi gjyqësor protestuan në një letër të hapur Këshilli i Evropës, organizata ndërkombëtare gazetarësh si dhe midis të tjerash më shumë se njëqind autorë në një letër të hapur, midis tyre edhe nobelisti i Letërsisë, Mario Vargas Llossa. Organizata Reporterë pa Kufij dhe organizata të të drejtave të njeriut kërkojnë ndalimin e procesit gjyqësor, që për mendimin e tyre është i motivuar politikisht. Procesi gjyqësor zhvillohet me dyer të mbyllura. Gjykatësit miratuan në fillim të procesit një kërkesë përkatëse të prokurorisë. Mbështetësit e të dy të akuzuarve në sallën e gjyqit reaguan me zemërim për përjashtimin e opinionit publik. (dw)

Gjenomi i këpushës dhe lufta kundër sëmundjeve infektive

KepushaKëpusha është një insekt që njihet për transmetimin e një shumëllojshmërie më të madhe patogjenësh dhe parazitësh, se sa çdo vektor artopod tjetër, duke shkaktuar mijëra vdekje në vit tek njerëzit dhe kafshët. Tani studiuesit në Universitetin Purdue kanë përcaktuar gjenomin e parë të këpushës, me shpresën për t’i dhënë fund infeksioneve vdekjeprurëse të shkaktuar prej pickimit të këtij insekti.

Në mbarë botën ka më tepër se 900 specie këpushash, shumë prej të cilave shkaktojnë sëmundje serioze. Por, askush nuk kishte menduar t’i studjonte ato, deri 10 vjet më parë. Pikërisht atëhere, endomologia me origjinë australiane Catherine Hill, që tani punon në Universitetin Purdue, propozoi idenë e krijimit të një harte të gjenomit të këpushës së drerëve, të njohur si “Ixodes scapulari”, bartëse e patogjenit që shkakton sëmundjen e Lymës.

“Një mënyrë e mirë për përcaktimin e një harte të gjenomit është duke e krahasuar atë me një lojë për bashkimin e pjesëve. Pasi i ndan në pjesëza, më pas i bashkon të gjitha copëzat e vogla tëADN-së.”

Me ndihmën e Institutit Kombëtar të Shëndetit, shkencëtarja krijoi një grup studimor prej 93 studiuesish nga 46 institucione kërkimore nga e gjithë bota.

Mes të tjerash, ata identifikuan një listë të gjatë gjenesh që kontrollojnë receptorët e aromave dhetë shijes; kjo mund t’i ndihmojë shkencëtarët të krijojnë spërkatës dhe ilaçe kundër insekteve, për të mos i lejuar këpushat të gjejnë bartës dhe as për t’u bashkuar e shumuar.

Studjuesit po ashtu përcaktuan se rreth 20 për qind e gjeneve të këpushës janë unike për to, gjë që mund të çojë në përftimin e pesticideve shumë të përqëndruara.

“Përmes tyre ne mund të kontrollojmë vetëm këpushat dhe nuk do të ndikonim tek organizmat e tjera në mjedis. Pra, ne synojmë të krijojmë produkte më të pranueshme për mjedisin, për të kontrolluar këpushat.”

Kolegu i zonjës Hill, virologu Richard Kuhn, e sheh hartën e gjenomit të këpushës si një shteg drejt zhvillimit të ilaçeve të reja. Ai thekson se megjithëse këpushat dhe njerëzit paraqesin të njëjtën sjellje biologjike në qëndresën e tyre me antikorpe ndaj viruseve, këpushat kanë zhvilluar imunitet ndaj shumë patogjenëve që ato mbartin. Zoti Kuhn sugjeron që shkencëtarët mund të zbatojnë të njëjtat parime tek mjekësia për njerëzit.

Njohuritë për gjenomin e këpushës, jo vetëm që do t’i ndihmojnë shkencëtarët që të zhvillojnë vaksina për Sëmundjen e Limës, anaplazmozën dhe një formë të encefalitit, por ato po ashtu mund të parandalojnë epidemi të lidhura me këpushat në të ardhmen.

“Këpushat kanë për t’u shtuar në të ardhmen. Është më mirë që të jemi të përgatitur për të kuptuar se si të bëhemi të aftë për t’i kontrolluar ato tani, se sa të kemi shpërthimin e një sëmundjeje të re.”

Duke reflektuar për kërkimet e 10 viteve të fundit, studiuesja Hill thotë se megjithëse ekipi i saj e ka përfunduar hartën e gjenomit, shkencëtarët janë vetëm në fillimet e punës së tyre për të kuptuar biologjinë e këpushave. (voa)

Europa ndjek këmba këmbës terroristët

policiaPas sulmeve terroriste në Bruksel, autoritetet europiane të sigurisë kanë intensifikuar punën për gjetjen e personave të lidhur me atentatorët. Kërkohen së paku tetë të dyshuar si terroristë e falsifikues pasaportash.

Dorasit e sulmeve terroriste në Francë e Belgjikë i kanë ndihmësit e tyre islamistë në Siri, ose diku të fshehur në Europë, raportoi të dielën (27.03) gazeta gjermane „Welt am Sonntag“, duke iu referuar të dhënave nga qarqet e sigurisë. Ekstremistët e kërkuar janë persona kontakti të kreut logjistik të atentateve të Parisit, Abdelhamid Abaaoud, dhe të ndihmësit të tij të kapur në Belgjikë, Salah Abdeslam, shkruan gazeta gjermane. Në Gjermani është aktivizuar Zyra Federale e Kriminalistikës për kapjen e ndihmësve të terrorit.

Sulmet u koordinuan përmes telefonit

Duke iu referuar rezultateve të para të hetimit nga Franca dhe Belgjika, „Welt am Sonntag“ shkruan se kreu i dyshuar i celulave terroriste të të ashtuquajturit „Shteti Islamik“, IS në Europë është algjeriani Mohamed Belkaid, i cili u vra së fundmi gjatë një aksioni policie në Belgjikë. Bashkë me Najim Laachraoui, një konstruktues bombash dhe më vonë atentator në Bruksel, ai i ka koordinuar dhe drejtuar komandot e terrorit në atentatet e Parisit përmes telefonit nga Belgjika. Në atentatet e Parisit më 13 nëntor humbën jetën 130 vetë dhe u plagosën më shumë se 350 të tjerë. Të martën e kaluar në aeroportin e Brukselit Zaventem, dy atentatorë shpërthyen bomba vetëvrasëse, rreth një orë më vonë një atentator tjetër shpërtheu bombën në një stacion metroje në kryeqytetin belg. 31 vetë humbën jetën, qindra të tjerë u plagosën.

teroristi bruxelI kërkuari i tretë, i dyshuar për terrorin në aeroport (22.03) është kapur ditët e fundit nga policia belge

Pasaporta të fallsifikuara për terroristët

Në Itali policia arrestoi një algjerian të kërkuar në Belgjikë, i dyshuar për lidhje me grupin terrorist të Brukselit dhe Parisit. 40 vjeçari Djamal Eddine Quali, i arrestuar në Salerno, bën pjesë në një bandë të fallsifikuesve të pasaportave, që ka qenë në kontakt me terroristët e Parisit e Brukselit, bëri të ditur policia, e cituar nga agjencia e lajmeve Ansa. Autoritetet belge e kanë kërkuar atë me urdhërarrest ndërkombëtar. Duket se kjo bandë ka përgatitur edhe pasaportat e falsifikuara të përdorura në sulmet e Parisit e Brukeslit. Në Belgjikë ndërkohë policia ka bërë të ditur se ka në arrestuar një atentator të tretë që ka lidhje direkte me atentatet në Bruksel, fjala është për personin e tretë me kapele në pamjet e publikuara në aeroportin e Brukselit.

Konstruktues i bombes Najim

Foto e Najim Laachraouit, konstruktues bombash

Nuk ka të dhëna për një sulme terroriste

Qeveria gjermane nuk ka të dhëna aktualisht për sulme të planifikuara terroriste në Gjermani, sipas të dhënave të Ministrit të Punëve të Brendshme Thomas de Maizière, CDU. „Autoritetet nuk kanë të dhëna të tilla, që të anulojmë aktivitete të ndryshme apo të izolojmë zona të caktuara“, ka thënë ministri gjerman. Megjithate gjendja mbetet e „tensionuar“.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ka bërë të ditur organizimin e një konference të madhe antiterrorizmi në Berlin në verë. Politikani socialdemokrat u shpreh se më shumë do të synohet politika preventive për t’iu kundërvënë radikalizimit të të rinjve. (dw)

Tema e terrorizmit rikthehet në qendër të politikës amerikane

washingtonSulmet vdekjeprurëse të javës së fundit në Bruksel e përqëndruan sërish vëmendjen e Amerikës tek terrorizmi, si dhe e rritën rëndësinë e tematikës së sigurisë kombëtare gjatë debateve për zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë që belgët vazhdojnë të mbajnë zi, protestat dhe shqetësimet për sigurinë shkaktuan anullimin e një marshimi për paqen që do të mbahej në Bruksel.

Përtej Atlantikut, sulmi ka ngjallur retorika të nxehta përgjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Republikani Ted Cruz u zotua të shkatërrojë Shtetin Islamik.

“Do t’i shkatërrojmë nëpërmjet bombardimeve ajrore masive deri sa t’i shfarosim.”

Gjatë një interviste telefonike, kandidati republikan kryesues, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara gjenden në rrezik.

“Terrorizmi ka dalë jashtë kontrollit. Nëse nuk tregohemi shumë të fortë dhe tepër të zgjuar, atëherë do të përballemi me një problem shumë të madh.”

President Obama ka thënë se vetëm ushtria nuk mundet të çrrënjosë terrorizmin dhe se Amerika duhet të udhëheqë nëpërmjet shembullit të saj.

“Duke qenë të hapur për refugjatët që i largohen dhunës së ISIS-it; duke qenë të vendosur për të fituar betejën kundër propagandës së dhunshme me një pamje të shpërfytyruar të Islamit që synon të radikalizojë të rinjtë myslimanë. Në këtë përpjekje, partnerët tanë më të rëndësishëm janë amerikanët myslimanë.”

Ky mesazh u mbështet edhe nga kandidatja kryesuese demokrate.

“Nuk mund t’i dorëzohemi panikut dhe frikës. Nuk është në përputhje me vlerat tona, nuk na mbron me efikasitet dhe realisht luan lojën e terroristëve.”

Republikanët , mes tyre senatori Ted Cruz, e akuzojnë Obamën për dobësi.

“Jam kundër përfshirjes së SHBA-së në një luftë pa fund në Lindjen e Mesme.”

Pas sulmeve të vitit të kaluar në Paris, anketimet treguan një rritje të shqetësimit të amerikanëve për sigurinë gjatë një cikli elektoral gjatë të cilit normalisht do të kishin dominuese tematikat ekonomike. (voa)

Eksperienca izraelite përballë terrorizmit

ushtari izraelitNdërkohë që Evropa është pushtuar nga paniku dhe tronditja që lanë pas sulmet e Brukselit, ekspertët e sigurisë po diskutojnë masat që duhen zbatuar në të ardhmen për të parandaluar sulme të tjera të kësaj natyre. Izraeli ka një përvojë të qartë në zbatimin e masave të sigurisë për të identifikuar dhe parandaluar personat me synimeve terroriste.

Në Izrael, banorët i pranojnë masat e përditshme të kontrollit si një fakt i jetës, për t’u prerë rrugën elementëve keqbërës.

“Mbaj mend që gjatë gjithë jetës kam kaluar nëpër pika kontrolli, si gjithë të tjerët. Kjo metodë funksionon,” thotë një banor.

Kontrollet janë praktikë e rregullt në çdo aktivitet të jetës që nga transporti publik e deri tek veprime të rëndomta si hyrja në qendra tregtare. Izraelitët e kanë përqafuar këtë mënyrë jetese, me gjithë kokëçarjet shtesë që sjell, për hir të sigurisë së jetës.

“Shihet qartë që siguria është më e fortë këtu se në vende të tjera, por është diçka e domosdoshme. Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi ka shumë njerëz që duan të na bëjnë keq,” thotë një shtetas izraelit.

Jeta në gjendje të vazhdueshme gatishmërie, qoftë edhe në rastet kur bëhet praktikë e përdishme, ka koston e vet psikologjike, monetare, por edhe kohore. Meir Elran, drejtor i Programit për Sigurinë Kombëtare, thotë se shpreson që Evropa do të gjejë mënyra të tjera për t’iu përgjigjur rrezikut nga terrorizmi, në forma të ndryshme nga ato që ka zgjedhur Izraeli:

“Shkojmë shpesh në Evropë dhe kur i shohim si jetojnë evropianët, na ngjallet zili. Ajo ndjenja e lirisë që ka invidi, që mund të bëjë ç’të dojë. E dimë që kur kthehemi në vend, do të na kontrollojnë, do të kalojmë barriera sigurie. Nganjëherë do të kalosh disa kontrolle për të shkuar nga një market në një bankomat e më pas për të marrë fëmijët në shkollë. Kjo na është bërë praktikë e përditshme. Uroj që evropianët të mos e gjejnë veten në këtë situatë, uroj që të gjejnë masa të tjera në përgjigje të kërcënimit terrorist. Por duhet të them se nëse evropianët do të vendosin të zbatojnë masa të tillë, nuk është shumë keq. Edhe me këto masa ne vazhdojmë të mbajmë liritë tona, të kemi mundësinë e lëvizjes”.

Ndërkohë që zyrtarët evropianë diskutojnë masat e sigurisë për të ardhmen, një balancë delikate është në pikëpyetje mes të drejtës për jetën dhe të drejtës për privaci dhe liri. (voa)

Motorë me djegie të brendshme të përmirësuar

motor me djegje te brendshmeEdhe pse makinat me motorë me djegie po shkojnë drejt daljes nga përdorimi, ekspertët janë të të njëjtit mendim, se do të duhet të kalojnë disa dekada, para se makinat elektrike të dominojnë tregun.

Ndërkohë, motorët ekzistues me benzinë, apo me naftë, mund të bëhen më efiçentë dhe mund ta ndotin më pak mjedisin.

Me një grant prej 9 milionë dollarësh nga Departamenti amerikan i  Energjisë, një kompani amerikane është duke shfrytëzuar një koncept të vjetër teknologjik për të ndërtuar një motor, i cili të jetë 50 për qind më efiçent në përdorimin e karburantit dhe po aq i fuqishëm, sa edhe motorët konvencinalë.

Një motor i vogël që duket sikur ka vetëm tre pistona… në fakt ai ka gjashtë pistona, që ndajnë mes tyre tre cilindra.

Me ndihmën e teknologjisë moderne, kompania me bazë në Kaliforni “Achates Power”, e ka rinovuar konceptin e motorit me një numër të njëjtë pistonash dhe cilindrash, shumica e të cilëve nuk përdoren më që pas Luftës së Dytë Botërore.

“Me këta lloj motorësh mund të arrish efiçencën e një motori shumë më të madh në një mbulojë shumë më të vogël”, – thotë zyrtari i kompanisë Achates Power, Fabien Redon.

Një motor me djegie të brendshme është një motor me dy goditje dhe me rrjedhje të veçantë karburanti. Motori nuk ka koka cilindri dhe as valvola, të cilat janë burim i konsiderueshëm i humbjeve të energjisë në motorat konvencionalë me djegie të brendshme.

Dy cilindrat lëvizin në drejtim të kundërt, duke shtypur një përzjerje të caktuar të ajrit me karburantin, i cili ndizet vetë nga presioni i madh, gjë që i shtyn pistonat mbrapsht, duke prodhuar kështu fuqi.

Gazet e shkarkuara dalin përmes dritareve të ajrimit që ndodhen në muret e cilindrit.

Të zhveshura nga shumë pjesë konvencionale të motorit, ai me djegie të brendshme nuk është i kushtueshëm dhe është e thjeshtë të prodhohet.

“Ne sigurohemi që të  arrijmë një efiçencë shumë të mirë në djegie, në mënyrë që hidrokarboni i padjegur dhe çlirimi i gazeve të pakësohet ndjeshëm,” thotë Redon.

Motorët me djegje të brendshme me përmasa të mëdha janë përdorur prej një kohe të gjatë në ushtri dhe në aplikacione të tjera. Por zhvillimi i tyre për makinat e konsumatorëve nuk është diçka e lehtë.

“Kjo strategji djegjeje ka disa vështirësi dhe dobësi në ngarkesa të vogla, sepse duhet të ketë një temperaturë të caktuar brenda dhomës së djegjes, për të siguruar ndezjen e benzinës,” thotë Redon.

Kompania “Achates Power”, së bashku me Laboratorin “Argonne” dhe me kompaninë “Delphi Automotive”, thonë se janë të sigurta se do t’i kapërcejnë pengesat dhe se deri në vitin 2018 do të kenë motorë tre-litërsh me tre cilindra, 50 për qind më efiçentë se ata ekzistuesit, që do të jenë të përshtatshëm për makinat e pasagjerëve dhe kamionët. (voa)

Sanders përmirëson shanset

sanders hillarySenatori i shtetit Vermont Bernie Sanders fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet paraprake presidenciale brenda Partisë Demokrate në shtetet perëndimore Uashington, Alaska dhe Hawaii, në përpjekjet e tij për t’iu afruar rivales Hillary Clinton.

Sanders fitoi 82 përqind të votave në Alaskë dhe më shumë se 70 për qind në Uashington dhe Hawaii. Rregullat e Partisë demokrate i ndajnë delegatët në baza proporcionale, prandaj edhe me humbjet e mbrëmshme  kandidatja Clinton përsëri merr një pjesë të tyre.

“Ne e dinim se gjërat janë duke u përmirësuar për fushatën tonë në shtetet perëndimore,” tha dje senatori Sanders. Zonja Clinton ka dominuar në shtetet jugore gjatë garave të para brenda demokratëve, ndërsa kandidati Sanders ka fituar pesë nga gjashtë shtete në garat e kohëve të fundit, të gjitha në pjesën perëndimore të vendit.

Edhe me fitoret e së shtunës, zoti Sanders përsëri renditet prapa ish-sekretares së shtetit, e cila ka rreth 300 delegatë më shumë. Ai përballet me një rrugë të vështirë në përpjekjet për të marrë emërimin.

Megjithatë, senatori refuzon të tërhiqet dhe mbetet një kundërshtar i fortë për zonjën Clinton në disa shtete që ende nuk i kanë zhvilluar zgjedhjet paraprake. (voa)