Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Kanadezët bashkohen kundër Donald Trump

trump kanadaPër kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai.

 

Kur Donald Trump tha se do ta “gëlltisë” Kanadanë si shtetin e 51 federal, u pa fillimisht si shaka pa kripë. Por Donald Trump e përsëriti kërcënimin aq shpesh sa qytetarët në vendin e dytë më të madh në botë, Kanada u desh të reagonin. Përgjigja ndaj Trump: një valë e paprecedentë solidariteti mes kanadezëve.

Nën moton “Bërrylat lart”, (Elbow up) kanadezët po mbrohen kundër politikave të presidentit të SHBA. Shumë qytetarë anulojnë pushimet në Florida e Arizona. Vetëm në muajin shkurt, në kufi janë regjistruar 500 mijë hyrje më pak në SHBA sesa një vit më parë. Hera e fundit që shifrat ishin kaq të ulëta ishte në kohën e pandemisë Corona. Edhe produktet amerikane bojkotohen. Në supermarkete shënohen dukshëm produktet me etiketën “Made in Canada” dhe hiqet nga raftet verërat kaliforneze.

 

“Kjo na zgjoi ne kanadezët dhe na bëri të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh kanadez”, i tha një qytetare portalit gjerman “tagesschau”. Shumë kanadezë janë tani të shqetësuar për të ardhmen duke vënë re varësinë e madhe nga SHBA. “Ardhja e Donald Trump në detyrë dhe kërcënimi me tarifa ndëshkuese e bëri të qartë se sa e cenueshme është Kanadaja”, thotë një qytetare tjetër për “tagesschau”.

Carney: Nuk ka kthim prapa

Kanadaja dhe SHBA-ja – para rikthimit të presidentit Donald Trump ishin dy vende mike me ekonomi të ndërthurura ngushtë. 70 për qind e të gjitha eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Po për kryeministrin e ri të Kanadasë Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai. Por Carney ka theksuar, se do të vazhdojë të flasë me presidentin amerikan Trump. Një telefonatë është planifikuar në ditët në vijim.

 

Trump ndryshon marrëdhënien mes dy vendeve mike

Politika agresive doganore e presidentit amerikan Donald Trump shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet e Kanadasë me SHBA-në. Kërcënimi për vendosjen e tarifave të mëtejshme ndëshkuese ndaj Kanadasë shkakton frikë dhe zemërim. Duket se një epokë po merr fund. “Marrëdhënia e vjetër që kishim me Shtetet e Bashkuara, e cila bazohej në integrimin e thelluar të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në sigurinë dhe fushën ushtarake, ka përfunduar,” u tha Carney gazetarëve në Otava. Me deklaratat e tij, Trump ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet mes vendeve fqinje.

 

Në të njëjtën kohë, Carney njoftoi, se nuk do të negociojë me qeverinë amerikane për çështjet tregtare për sa kohë që presidenti nuk tregon “respekt” për Kanadanë. Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin fqinj verior dhe është tallur me paraardhësin e Carney, Justin Trudeau si “guvernator” të një “shteti të 51-të” të ardhshëm të SHBA-së. Carney u betua si kreu i qeverisë më 14 mars, por nuk ka folur me Trump që nga marrja e detyrës, kohë jashtëzakonisht e gjatë për dy vendet historikisht të afërta aleate.

Mark Carney e bëri të qartë gjithashtu, se vendi i tij do të përgjigjet me kundërmasa ndaj tarifave të importit për automjetet, të vendosura nga SHBA të mërkurën. “Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është të luftojmë, mbrojmë, ndërtojmë”, shtoi ai. Kundërpërgjigja kanadeze do të kishte si synim “ndikimin më të madh të mundshëm në Shtetet e Bashkuara dhe efektin më të vogël të mundshëm në Kanada”.

dw

Çfarë ndodh tani me Marine Le Penin dhe partinë e saj të ekstremit të djathtë?

le penPolitikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen është shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.

 

Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.

Ajo është larguar nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin – çdo hap mund të marrë vite – ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.

Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.

Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës.

Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.

 

Zbardhja e fytyrës së Frontit Kombëtar

Le Pen është ngjitur në krye të Frontit Kombëtar më 2011 dhe e ka ribrenduar partinë në Tubimi Kombëtar, si dhe ka tentuar të zbardhë fytyrën e partisë duke e distancuar atë dhe veten nga disa deklarata raciste dhe antisemitike të babait të saj Jean-Marie Le Pen në të kaluarën.

Ajo vazhdon të ketë qasje shumë kritike ndaj imigrimit dhe Islamit dhe dëshiron të nxjerrë Francën prej Komandës së integruar ushtarake të NATO-s.

Megjithatë, ajo është tërhequr nga deklaratat paraprake për të larguar vendin nga Bashkimi Evropian dhe Eurozona.

Partisë së saj i është garantuar një kredi e përfolur shumë nga një bankë ruse, më 2014, dhe ndonëse ka qenë mbështetëse e Moskës në të kaluarën dhe i ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Kremlinit, ajo e ka mbështetur Francën në vendimin për t’i pranuar refugjatët ukrainas.

Pas vendimit të 31 marsit, Kremlini ka thënë se i vjen keq për “shkeljen e normave demokratike”.

Zyrtarët evropianë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë shpresuar se ajo do të ecte përpara në marrjen e ndonjë detyre, ndoshta duke ndjekur hapat e kryeministres italiane të së djathtës, Giorgia Meloni, e cila përshkruhet në Bruksel si kompetente dhe bashkëpunuese.

Megjithatë, ata kanë folur me doza kujdesi, duke thënë se Tubimi Kombëtar e ka pozicionuar veten gjithnjë nga ekstremi i djathtë dhe që partia është themeluese kryesore e partisë Patriotët e Evropës, bashkë me partinë hungareze në pushtet, Fidesz, lideri i së cilës, Viktor Orban, ka shprehur menjëherë mbështetje për Le Penin.

Ajo që nuk dihet tani është se çfarë do të ndodhë me partinë e saj.

Tetë ish-anëtarë të Parlamentit Evropian, pjesëtarë të Tubimit Kombëtar, janë dënuar bashkë me Le Penin për shfrytëzim të fondeve në vlerë të miliona eurove të Parlamentit Evropian për të paguar stafin në Francë në periudhën 2004-2016, duke ngritur pikëpyetje nëse lëvizja mund t’i mbijetojë kësaj goditjeje.

 

Çfarë do të ndodhë me të djathtën ekstreme të Francës?

Jordan Bardella – i cili është emëruar lideri zyrtar i Tubimit Kombëtar më 2021 dhe është konsideruar pasardhësi i Le Penit – vazhdon të mbetet i panjollosur nga skandali, të paktën drejtpërdrejt.

Por, a mundet Bardella të ketë të njëjtën fuqi tërheqëse sikurse Le Peni? Duke qenë vetëm 29 vjeçar, ai konsiderohet shumë i ri dhe pa ndonjë përvojë.

Ndonëse Tubimi Kombëtar ka arritur të dalë i pari në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershorin e vitit të kaluar, dështimi i partisë për të përsëritur atë sukses në zgjedhjet parlamentare të mbajtura po atë verë, pati ngritur dilema lidhur me qëndrueshmërinë.

Mbetet të shihet se si do të përgjigjet elektorati ndaj vendimit.

Shumë politikanë janë tronditur nga kritikat e bëra prej nënpresidentit amerikan JD Vance më herët gjatë vitit për anulimin e rezultatit të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, pas dyshimeve për ndërhyrje ruse në emër të kandidatit të pavarur, Calin Georgescu, i cili pati befasuar të gjithë kur ka dalë i pari.

“Ne mund të presim goditje të ngjashme edhe këtë herë, pasi shumë pjesëtarë nga e djathta populiste do ta quajnë këtë ‘aferë ligjore’ kundër politikanëve që nuk konsiderohen të zakonshëm, dhe Marine Le Pen sapo është bërë kthyer në ‘kauzën e tyre të famshme’, e cila mund t’i shtyjë ata të fitojnë edhe më shumë popullaritet”.

rel

Millorad Dodik arrin në Moskë

dodikPresidenti pro-rus i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka bërë të ditur të hënën që ka arritur në Moskë.

 

Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Dodik ka thënë se secilën herë që shkon në kryeqytetin rus, qëndrimin e nis me “ një vizitë në Monumentin e Heroit të Panjohur, për të nderuar 28 milionë rusët që kanë vdekur në Luftën e Dytë Botërore”.

Ai nuk ka dhënë hollësi për arsyet e vizitës, por që do të jetë aty sërish më 9 maj, për të shënuar Ditën e Fitores kundër fashizimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata në Bosnje-Hercegvoinë ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për Dodikun, sepse ai nuk u është përgjigjur festave të Zyrës së Prokurorit për t’u intervistuar lidhur me dyshimet se ka kryer veprën penale të sulmit kundër rendit kushtetues.

“Do të jem këtu sërish më 9 maj, me ftesë të presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin për të shënuar 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin, përgjatë së cilit popullit rus dhe ai serb kanë vajtuar më së shumti”, ka thënë Dodik në një video të publikuar në X.

“Disa janë duke tentuar të rishkruajnë historinë. Është e pamundshme, por ata që duan ta bëjnë këtë po përpiqen t’i shtrembërojnë faktet historike. Faktet historike për vuajtjet e popullit rus dhe atij serb dhe hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk do të mund të ndryshohen”, ka thënë Dodik.

Ai ka folur me respekt të madh për Putinin, të cilat e ka takuar disa herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe të cilin e ka përshkruan si “lider të rëndësishëm historik të popullit rus”.

“Ai ka duruar gjithçka dhe ka ardhur në situatën e mirëpritjes së një homologu tjetër, që është i rëndësishëm në luftimin e elitës globale, dhe ai është presidenti (amerikan, Donald) Trump në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Dodik.

Më 27 mars, Gjykata në Bosnje-Hercegovinë ka kërkuar që Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) të lëshojë njoftim të kuq për Dodikun dhe kryetarin e Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Vendimi është marrë pasi të dy janë larguar nga Bosnja, duke shmangur procedurat ligjore kufitare, dhe ndërkohë është lëshuar fletarrestimi, që do të thotë se agjencitë policore duhet t’i dërgojnë para gjykatës së Bosnje-Hercegovinës.

Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në një periudhë të trazuar, pasi më 26 shkurt Dodik është dënuar në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Një ditë pas aktgjykimit, Kuvendi Popullor i RS-së ka miratuar ligje jokushtetuese me të cilat, në territorin e entitetit, ka bërë përpjekje që të ndalojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës ka marrë vendim më 7 mars për një masë të përkohshme dhe ka ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti i entitetit.

rel

Protestat godasin rëndë ekonominë turke

erdoganQë pas burgosjes së kryetarit të bashkisë së Stambollit Imamoglu, tregjet e aksioneve dhe monedha turke kanë shënuar rënie. Po turizmi, një nga industritë më të rëndësishme në Turqi, a do të preket prej tyre?

Lajmi për arrestimin e rivalit të Erdoganit, Ekrem Imamoglu, shkaktoi humbje të mëdha në tregjet turke të kapitalit. Besimi i shumë investitorëve në vend me sa duket u trondit. Kjo çoi në javën më të dobët në tregun e aksioneve që nga kriza globale financiare e vitit 2008: indeksi i aksioneve ISE 100 humbi përkohësisht më shumë se 16 për qind të vlerës së tij.

Si përgjigje Enti Rregullator i Tregut të Kapitalit në Turqi ndaloi shitjet e shkurtra dhe bastet dhe spekulimet për të penguar një rënie të mëtejshme të çmimeve. Në të njëjtën kohë ky ent lehtësoi blerjet e aksioneve në mënyrë që të mbështeteshin çmimet e aksioneve në rënie. Megjithëse indeksi u rrit për një periudhë të shkurtër me rreth dy për qind, ai kaloi përsëri në minus dhe arriti nivelin më të ulët që nga nëntori.

Vëzhguesit janë të mendimit se ky zhvillim mund të bëhet një problem i madh për Erdoganin. Vitet e fundit investitorët turq kishin investuar në bursë për të mbrojtur pasuritë e tyre nga inflacioni i lartë, i cili në mars ishte rreth 39 për qind.

A do të ketë pasoja për turizmin?

Një nga industritë më të rëndësishme në Turqi është turizmi. Në këtë fushë pasiguria për gjendjen në Turqi mund të ketë ndikimin më të dukshëm. Dirk Schmücker, drejtor shkencor në institutin NIT (New Insights for Tourism) në Kiel, beson se pasojat mund të shihen edhe në plazhet e Mesdheut. Megjithatë “se deri në cilin nivel është e paqartë dhe nuk duhet mbivlerësuar”, tha ai për DW. “Sa i përket arrestimit aktual, kjo nuk është hera e parë që qeveria turke sillet ndryshe nga sa jemi mësuar nga shumica e qeverive evropiane.”

Marco A. Gardini, profesor në Fakultetin e Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Kempten, thotë se arrestimi i kryebashkiakut ka “rëndësi të lartë për qarqet ndërkombëtare politike dhe diplomatike”. Por për shumë “turistë që kanë zgjedhur Turqinë si destinacion, kjo ngjarje do të ketë pak ndikim, sepse sot ka shumë pak turistë që e shmangin Turqinë si destinacion udhëtimi për shkak të Erdoganit dhe politikave të tij.

dw

Qindra mijëra njerëz protestojnë në Stamboll kundër arrestimit të Imamoglut

stambollQindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor i presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan.

Demonstruesit i vazhduan protestat të shtunën, të cilat janë shndërruar në demonstratat më të mëdha në Turqi pas më shumë se një dekade.

Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës.

“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letrën e Imamoglut.

“Ata mund të më fusin në burg dhe të më gjykojnë sa të duan, kombi ka dëshmuar se do t’i thyejë të gjitha kurthet dhe komplotet”, thuhej në letër.

Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjeve të opozitës për protesta, pasi Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit nën akuza për korrupsion.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar.

Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), partitë e tjera opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore kanë deklaruar se çështja kundër Imamoglu është përpjekje e politizuar për ta eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

Të shtunën, qindra mijëra protestues me flamuj turq dhe pankarta u mblodhën në një tubim në Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, për protestën “Liri për Imamoglu”, të organizuar nga CHP-ja.

Policia vendosi masa të rrepta sigurie rreth vendit ku po grumbulloheshin mbështetësit e opozitës.

“Nëse drejtësia hesht, populli do të flasë”, shkruhej në një pankartë të mbajtur nga turma.

Kreu i CHP-së, Ozgur Ozel, duke folur në protestë, tha se miliona turq kërkojnë lirimin e Imamoglut dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se akuzat kundër kryebashkiakut janë të pabaza dhe të motivuara politikisht, ndërsa CHP-ja bëri thirrje për bojkot të mediave, markave dhe dyqaneve që mbështesin Erdoganin.

Javën e kaluar, CHP-ja mbajti zgjedhje të brendshme për ta konfirmuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë planifikuar për vitin 2028.

Megjithatë, CHP-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se Qeveria ka humbur legjitimitetin.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha këtë javë se pothuajse 1.900 njerëz janë ndaluar që nga fillimi i protestave, ndërsa gjykatat kanë urdhëruar burgosjen e 260 prej tyre në pritje të gjyqit.

Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se dy dekada, i ka quajtur protestat “shfaqje”, ka paralajmëruar pasoja ligjore dhe ka bërë thirrje që CHP-ja të ndalet “së provokuari” qytetarët.

Që nga arrestimi i Imamoglut, tregjet financiare turke kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke detyruar Bankën Qendrore të përdorë rezervat për të mbështetur lirën. Kjo krizë ka shkaktuar shqetësime edhe në sektorin privat.

Qeveria ka deklaruar se ndikimi do të jetë i kufizuar dhe i përkohshëm. Banka Qendrore tha se dinamika kryesore e ekonomisë mbetet e paprekur, por është e gatshme të marrë masa shtesë nëse është e nevojshme.

rel

A do të triumfojë Erdogani midis protestave gjithëkombëtare për arrestimin e rivalit?

erdogai imamogluRreth një çerek shekulli më parë, një kryebashkiak i njohur i Stambollit u rrëzua nga detyra dhe u burgos për akuza që mbështetësit e tij i kundërshtuan si të nxitura politikisht, para se të kthehej më vonë për t’u bërë udhëheqësi që ka shërbyer më së gjati në historinë moderne të vendit të tij.

Ai ishte Recep Tayyip Erdogan, presidenti i sotëm i Turqisë.

Por, tani Erdogan po përballet me një krizë politike që mund të jetë më e rënda gjatë sundimit të tij gjithnjë e më autoritar, që ka zgjatur më shumë se dy dekada.

Dhe, në një simetri domethënëse, ishte arrestimi i një tjetër kryebashkiaku të njohur dhe kritik të Stambollit që e nxiti këtë krizë.

Për më shumë se një javë, protestat kanë shpërthyer në Stamboll, Ankara dhe në qytete e provinca të tjera anembanë vendit, pas ndalimit më 19 mars të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.

Kjo trazirë është më e madhja dhe më e përhapura që ka përfshirë vendin që nga protestat e Parkut Gezi, të cilat pushtuan ballinat e mediave botërore për javë të tëra në vitin 2013, duke përshpejtuar atë që grupet e të drejtave të njeriut e cilësojnë si rrëshqitje drejt autoritarizmit nën sundimin e Erdoganit.

Derisa nuk është raportuar për viktima në demonstratat e tanishme, janë arrestuar gati 1.500 njerëz – disa prej tyre për fyerje ndaj Erdoganit dhe familjes së tij – ndërsa disa gazetarë janë burgosur dhe një reporter i BBC-së është dëbuar nga vendi pasi u njoftua se përbën “kërcënim për rendin publik”, sipas transmetuesit britanik.

Por, arsyeja kryesore pse analistët besojnë se kjo krizë mund të shënojë një moment edhe më të rëndësishëm për Erdoganin dhe demokracinë e Turqisë, është mjedisi i ndryshuar ekonomik dhe politik.

“Në atë kohë Erdogan nuk kishte vërtet një rival karizmatik, ekonomia ishte në një gjendje më të mirë dhe, më e rëndësishmja, votuesit konservatorë ishin besnikë ndaj Partisë AK [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim]”, tha Dimitar Bechev, autor i librit të vitit 2022 “Turqia nën Erdogan: Si u largua vendi nga demokracia dhe Perëndimi”.

“Tani, sondazh pas sondazhi tregon se kostoja e jetesës është çështja kryesore për qytetarët turq. Imamoglu merret me këtë shqetësim dhe, si pasojë, lidhet me një elektorat më të gjerë”, tha Bechev për Radion Evropa e Lirë (REL).

Fuqia në numra

Është e vështirë të ekzagjerohen përmasat e sfidës që Imamoglu përbën për Erdoganin dhe Partinë AK.

Arrestimi i tij ndodhi vetëm disa ditë para votimeve paraprake të 23 marsit, ku ai pritej të konfirmohej si kandidati i Partisë Republikane Popullore (CHP) në opozitë, për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për vitin 2028.

Rreth 15 milionë qytetarë morën pjesë në votimin paraprak – më shumë se numri i atyre që votuan për CHP-në në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 – për të shprehur mbështetjen e tyre për kandidatin e vetëm në fletën e votimit.

Më 24 mars, CHP shpalli zyrtarisht kandidaturën e Imamoglut.

Në kohën e arrestimit të tij, 53-vjeçari po luftonte ndaj një dënimi kundër tij nga viti 2022 dhe kundër një vendimi për burgim, pasi i kishte quajtur “budallenj” zyrtarët zgjedhorë që anuluan rezultatin e fitores së tij për kryetar bashkie në vitin 2019, dhe e detyrua të garonte dhe të fitonte sërish në rivotim.

Dënimi me dy vjet e gjysmë burgim nuk ka hyrë ende në fuqi për shkak të apelimit të tij.

Ndërkohë, pak para arrestimit, Imamoglut iu shfuqizua në mënyrë kontroverse diploma universitare nga Universiteti i Stambollit, duke e lënë atë pa dëshmi se ka kryer arsimin e lartë, që është kusht i domosdoshëm për kandidatët presidencialë në Turqi.

Grumbullimi i këtyre veprimeve kundër tij ka nxitur dyshime të mëdha mbi pretendimin e autoriteteve dhe mediave proqeveritare se hetimi i fundit ndaj tij dhe më shumë se njëqind kolegëve të partisë së tij, është apolitik.

“Fatmirësisht për [Imamoglun], këto veprime vetëm sa do ta bëjnë atë më popullor”, tha për REL-in Ihor Semyvolos, Drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Kiev.

I njohur për retorikën e tij të ashpër, Erdogan e ka akuzuar CHP-në se po e nxit një “lëvizje dhune” duke mbështetur protestat, të cilat në shumicën e rasteve kanë qenë paqësore, dhe se po “fundos ekonominë” me një “shfaqje” që, sipas tij, do të zbehet me kohën.

CHP-ja e ka dënuar arrestimin e Imamoglut, duke e cilësuar si një “grusht shteti” dhe mbajti atë që tha se ishte protesta e fundit e partisë pranë ndërtesës së bashkisë së Stambollit natën e 25 marsit, para një tubimi të ri të planifikuar për 29 mars.

Megjithatë, protestat studentore kanë vazhduar, ndërsa një grup studentësh që protestonin pranë Universitetit të Lindjes së Mesme në Ankara u sulmuan nga policia me topa uji, sprej piperi dhe plumba gome në orët e para të 27 marsit, raportoi Associated Press.

Drejt një ‘diktature të zgjedhur’?

Pavarësisht nga mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet në rrugë, CHP, partia që lidhet më ngushtë me themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturkun, duket se ka marrë hov.

Kjo, në masë të madhe, falë Imamoglut, i cili ka arritur të shkojë përtej bazës tradicionale të partisë – që përfshin segmentet urbane, laike dhe të arsimuara të shoqërisë – duke përdorur sloganin optimist “gjithçka do të shkojë mirë”, në kontrast të fortë me retorikën më përçarëse të Erdoganit.

Kufizimet kushtetuese theksojnë se Erdogani nuk mund të jetë në gjendje të garojë përtej mandatit të tij të tanishëm, përveç nëse Parlamenti thërret zgjedhje të parakohshme ose vetë ligji themelor ndryshohet.

Por, pak njerëz dyshojnë se njëra nga këto do të ndodhë, gjë që shpjegon pse CHP-ja mbajti votimet paraprake kaq herët.

Në janar, një zëdhënës i Partisë AK të Erdoganit konfirmoi se një mandat i katërt presidencial për liderin turk – i cili ka shërbyer më parë si kryeministër para se të bëhej president – është “në agjendën tonë”.

Ndërkohë, Devlet Bahceli, lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe mbështetës kyç i Erdoganit, ka shprehur gjithashtu mbështetje për këtë ide.

Në raportin e saj Liria në Botë 2025, organizata Freedom House e renditi Turqinë mes dhjetë vendeve me rënien më të madhe të lirive demokratike gjatë dekadës së fundit.

Megjithatë, garat elektorale mbeten shumë konkurruese, siç dëshmojnë fitoret e Imamoglut në zgjedhjet për kryetar bashkie në vitet 2019 dhe 2024.

Në vitin 2024, kandidatët e CHP-së fituan një përqindje më të madhe të votave në zgjedhjet lokale në mbarë vendin sesa Partia AK, duke i shkaktuar kështu partisë në pushtet, të cilën Erdogan e bashkëthemeloi në vitin 2001, një nga goditjet më të mëdha prej se erdhi në pushtet.

Në një artikull për The Conversation, Ahmet T. Kuru, drejtor i Qendrës për Studime Islame dhe Arabe në Universitetin Shtetëror të San Diegos, shkroi se lideri afatgjatë i Turqisë është treguar “mjeshtër i manovrave elektorale, duke promovuar politika populiste dhe duke manipuluar mediat e praktikat zgjedhore kundër partive opozitare”.

Por, me një ekonomi të goditur nga inflacioni i pakontrolluar dhe një rival vërtet të popullarizuar, Erdogan tani është “vërtet i shqetësuar” se këto taktika nuk do të mjaftojnë më, shkroi Kuru.

Nëse elita në pushtet rrezikon një shtypje edhe më të fortë, “sistemi politik i Turqisë mund të kalojë nga një demokraci e brishtë në një ‘diktaturë të zgjedhur’, të ngjashme me atë të Rusisë së Vladimir Putinit”, argumentoi analisti.

rel

Më shumë se 1000 të vdekur në Mianmar pas tërmetit

MianmarTërmeti i fuqishëm u ndje në disa vende të Azisë Juglindore. Më së shumti u godit Mianmari. Vdekje u raportuan edhe në Tajlandë.

 

Numri i të vdekurve pas tërmetit të fuqishëm në Mianmar (ish-Burma) është rritur në më shumë se 1000, sipas shifrave zyrtare. Qeveria ushtarake e Mianmarit deklaroi të shtunën se nga tërmeti kanë humbur jetën 1002 të vdekur dhe 2376 të plagosur. Kreu i juntës ushtarake, Min Aung Hlaing, urdhëroi një operacion të menjëhershëm shpëtimi në rajonet e prekura.

Gjendje e jashtëzakonshme në Myanmar

Të premten junta ushtarake e Mianmarit raportoi fillimisht numër të vogël vdekjesh, 144 vetë. Qeveria ushtarake i kërkoi ndihmë komunitetit ndërkombëtar të premten dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mjaft pjesë të të vendit. Masat vlejnë si për kryeqytetin Naypyidav, Mandalay dhe gjashtë rajone dhe shtete të vendit, njoftoi stacioni televiziv shtetëror MRTV.

Që nga grushti ushtarak në vitin 2021, në Mianmar mbretërojnë dhuna dhe kaosi. Grupe të ndryshme rebele luftojnë mes tyre, disa me sukses kundër ushtrisë. Si rrjedhojë, nga shumë rajone të vendit vijnë vetëm informacione të pakta ose aspak për shkallën e dëmeve dhe numrin e mundshëm të viktimave.

Sipas Qendrës Gjeokërkimore Gjermane Helmholtz dhe Observatorit Amerikan të Tërmeteve (USGS), tërmeti të premten ka qenë me magnitudë 7.7 ballë. Një tërmet i dytë dymbëdhjetë minuta më vonë u tha se kishte një magnitudë 6.4. Burimi i tërmetit ishte rreth dhjetë kilometra në thellësi. Lëkundjet u ndjenë edhe në pjesë të Kinës,  Indisë  dhe Bangladeshit. Në Kinë, provinca Yunnan, e cila kufizohet me Mianmarin, u prek veçanërisht, siç raportoi televizioni shtetëror kinez.

Vdekje u raportuan edhe në Tajlandë

Nga tërmeti u trondit edhe Tajlanda fqinje. Në kryeqytetin Bangkok u shemb një godinë 30-katëshe e papërfunduar. Punonjësit e shpëtimit janë ende në kërkim të të mbijetuarve. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, më shumë se 100 persona janë ende në rrënoja. Ka raportime të ndryshme për numrin e të vdekurve dhe të zhdukurve. Mediat raportojnë se dhjetë viktima janë gjetur deri më tani në Bangkok. Tre vdekje janë konfirmuar zyrtarisht.

la/ag

Rusi: Si e çimenton Putini pushtetin e tij prej 25 vitesh

PutinMë 26 mars 2000 Vladimir Putin u zgjodh president i Rusisë. Sot ai sundon si diktator. Një vështrim retrospektiv se si ish-oficeri i KGB-së e ka zgjeruar pandërprerë pushtetin e tij.

 

Në fakt ajo qe vetëm një formalitet: në zgjedhjet presidenciale ruse më 26 mars 2000 Vladimir Putini u konfirmua në detyrë me 52,9 për qind të votave. Rezultati dihej që në fillim. Sepse kur Boris Jelzin u dorëhoq papritur më 31 dhjetor 1999, Putini, i cili nga 9 gushti 1999 ishte kryeministër, mori përsipër edhe detyrat e presidentit sipas kushtetutës.

Putini është në pushtet prej 25 vjetësh. Për t`u bërë sundimtari autokratik dhe i padiskutueshëm i Rusisë, ai ka vepruar me strategji – edhe pse për disa vjet nuk ishte në pallatin presidencial.

Ndërrim karrigesh në Kremlin

Meqë sipas kushtetutës ruse presidenti në atë kohë nuk lejohej të mbante më shumë se dy mandate radhazi, zgjedhjet e 7 majit 2008 sollën një ndërrim postesh. I besuari i Putinit, Dmitri Medvedev, ish-kryetar i bordit mbikëqyrës të Gazprom, zëvendësoi Putinin në detyrë.

 

Me propozimin e Medvedevit, Duma ruse zgjodhi një ditë më vonë kryministër Putinin me 87,1 përqind të votave. Edhe pse Medvedev mbante postin më të lartë, fijet në Kremlin i lëvizte nga sfondi Putini.

 

Themeli i pushtetit të Putinit: eliminimi i autonomisë rajonale

Në këto 25 vjet presidenti rus e ktheu vendin në “diktaturën më të fortë të personalizuar në botë”, thotë politologu rus Mihail Komin. “Që në fillim ai ka pasur synim ta transformojë demokracinë në favor të tij. Sot i gjithë pushteti është i përqendruar në duart e një personi të vetëm, në duart e Putinit”. Gjithçka filloi me eliminimin e “autonomisë rajonale”, kujton Komin: “Një nga reformat kryesore në mandatin e parë të Putinit ka qenë vendosja e të ashtuquajturve përfaqësues të presidentit në rajone”. Kremlini krijoi kështu instrumentin e kontrollit në rajone – një gur themeli për çimentimin e pushtetit.

 

Këtë vlerësim bën edhe politologu rus me banim në Finlandë, Grigory Nishnikov: “Nëse kujtojmë Rusinë e viteve të para të Putinit, na bien ndërmend disa qendra autonome të pushtetit, qofshin kushtetuese apo edhe informale, si oligarkët. Ata të gjithë përbënin një lloj kundërpeshe ndaj Kremlinit”. Putini i shkatërroi të gjitha këto, centralizoi gjithçka dhe e drejtoi sistemin e pushtetit në Rusi drejt vetes”, thotë Nizhnikov në intervistë me DW.

 

Putini und Trumpi: vëllezër ideali?

Në politikën e jashtme shënohet një riafrim mes SHBA dhe Rusisë, që nisi në mandatin e parë të presidentit amerikan Donald Trump (2017 – 2021). Takimi i parë i tyre u zhvillua në korrik 2018 në samitin e Helsinkit. “Për Putinin, Trump është dhurata më e madhe e jetës së tij politike”, thotë politologu dhe historiani Helmut Müller-Enbergs në një intervistë me platformën e lajmeve T-Online.

Në negociatat për armëpushimin në Ukrainë Putini i ofroi Trumpit “si të thuash mouse au chocolat – lëndët e para dhe perspektivën e përmbushjes së premtimit të tij zgjedhor”, thotë eksperti nga Universiteti i Danimarkës Jugore. Sipas ligjit ndërkombëtar ai nuk ka të drejtë për këtë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov së fundmi para shtypit ndërkombëtar la të kuptohet, se Trump dhe Putin kanë marrëdhënie të mira dhe mund të flasin me njëri-tjetrin më shpesh nga ç`supozohej deri tani.

 

Aparati i pushtetit nuk toleron asnjë kundërshtim

Rritja e fuqisë së Putinit, sipas ekspertëve, bazohet në kërcënimin ushtarak dhe represionin, në politikën e brendshme dhe të jashtme. Sipas ekspertit Nizhnikov në çerekshekullin e kaluar ka pasur mjaft ngjarje, qö kanö pörbörö rrezik për Putinin.

Këtu bëjnë pjesë protestat pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 në sheshin Bolotnaya në Moskë, rreziku nga një situatë e paqendrueshme në Krime pas aneksimit të gadishullit ukrainas në 2014, trazirat pas reformës së diskutueshme të pensioneve në 2018, protestat e Navalnit në të gjithë Rusinë në vitet në vijim dhe invazioni në Ukrainë, që u shoqërua me protesta në rrugët e metropoleve Moskë dhe Shën-Petersburg.

Por çdo rezistencë e popullit u pasua nga një represion edhe më i fortë, thotë politologu Nizhnikov. Dhe “me secilën nga këto ngjarje u eliminuan vazhdimisht kundërshtarë të rinj”. Kështu që sot nuk ka mbetur askush, që mund të kundërshtojë Putinin.

Një tjetër faktor i rëndësishëm për mbajtjen e pushtetit të Putinit është dobësimi i qëllimshëm i gjykatave në mandatin e tij të dytë, vëren Mihail Komin. Gjykatat ruse sot nuk janë më të pavarura, kritikon ai.

Këtyre i shtohet edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor në favor të Vladimir Putinit dhe partisë së tij në pushtet “Rusia e Bashkuar”. “Tani partia në pushtet dominon falë sistemit të shtypjes së opozitës, jo falë temave sociale, të cilat luajtën rol në dy mandatet e para të Putinit”, thotë politologu.

Në vend që të afirmohet ndaj opozitës demokratike, Putini krijoi një kabinet hije rreth vetes, thotë sociologu rus Alexander Bikbov. Presidenti ka mbledhur në këtë rreth të ngushtë njerëz, që ndajnë me të interesa specifike biznesi. Firmat e tyre kanë marrë kontrata të mëdha nga shteti dhe janë pasuruar në këtë proces, thotë Bikbov: “Putin i mban gjithmonë të gjitha frenat në duar dhe është i përfshirë personalisht në biznes.”

 

Manipulimi i kujtesës historike kolektive

Shoqërisë i shitet imazhi i një Rusie, ku shteti gjatë gjithë historisë ka luajtur një rol vetëm pozitiv. Çdo gjë negative eliminohet, të gjitha konfliktet e së shkuarës fshihen, thotë Bikbov. Ai i quan ato “manipulime me kujtesën kolektive historike”. Edhe kjo vetëm e forcon pushtetin e Putinit, mendon ai.

Si shembull, sociologu përmend mbylljen për publikun të arkivave të KGB-së, që përmbajnë “kapitujt e errët të historisë ruse”. Bikbov e quan imazhin e Rusisë nën Putinin, i cili ka qenë vetë shefi i KGB-së, “imazhi i gjelit të artë”, duke iu referuar një personazhi të përrallave ruse. Gjeli i artë do të thotë “një Rusi vetëm e lumtur”.

Një vend, që shihet me syze rozë dhe ku familja e Carit paraqitet çuditërisht së bashku me diktaktorin komunist Stalin si ruajtës të të njëjtave tradita – edhe pse të dy në historinë ruse përfaqësonin forca politike krejtësisht të ndryshme”.

 

Fundi i sundimit të Putinit nuk duket gjëkundi

Të tre ekspertët e intervistuar nga DW mendojnë se këto tendenca do të forcohen në të ardhmen dhe se Putini do të qëndrojë në pushtet për një kohë të gjatë. “Problemi është, se nuk ka ndonjë kandidat të mundshëm dhe as vend për të. Zgjedhjet e fundit, që Putini i fitoi vërtetë, ishin ato të vitit 2004. Çdo gjë tjetër ka qenë e padrejtë”, ankohet Mikhail Komin.

“Putini u zgjodh këtë mars për gjashtë vitet e ardhshme”, vlerëson eksperti, “por 2030 nuk do të jetë viti i fundit i presidencës së tij. “Unë mendoj se ai do të vazhdojë edhe me një mandat tjetër. Kohën e tij në pushtet do ta kufizojë vetëm mosha e tij fizike”.

 

“Grigory Nishnikov ankohet edhe se rusët nuk shohin alternativë ndaj Putinit dhe se kanë frikë nga ndryshimi: “Në rregull, thonë njerëzit, ne duam të përfundojë lufta, por çfarë vjen pastaj? Nëse Putini ikën, do të vijnë në pushtet hajdutë edhe më të këqij, që do të grabisin edhe më shumë vendin. Imazhi që kultivon qeveria, është: stabiliteti i sotëm është më i rëndësishëm se ndryshimet e së nesërmes”.

Nizhnikov vëren se në Rusi ka pasur gjithmonë nevojë për një dorë të fortë: “Një personalitet i fortë drejtues duhet të marrë gjithmonë vendime dhe të zgjidhë problemet. Nö rast nevoje rusët fajësojnë guvernatorët dhe jo presidentin, sipas motos: vetëm po ta dinte Putini këtë, ai do ta zgjidhte problemin menjëherë!” Kjo është një traditë shumë e vjetër ruse.

dw

Macron shtyn përpara planet për një forcë sigurie në Ukrainë gjatë samitit në Paris

Volodymyr Zelensky, Emmanuel Macron, Keir Starmer, 27 mars ParisPresidenti ukrainas Volodymyr Zelensky (majtas), presidenti francez Emmanuel Macron (djathtas) dhe kryeministri britanik Keir Starmer, mbajnë takim trepalësh në margjinat e një samiti për “koalicionin e të vullnetit”, më 27 mars, në Paris 

Liderë nga më shumë se 30 vende u takuan të enjten në Paris për të biseduar për gjetjen e një mënyrë se si ta forcojnë pozicionin e Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës. Ata premtuan ndihmë të re për Kievin dhe shqyrtuan propozimet për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë, në rast të ndonjë marrëveshje për paqe.

Pas samitit të quajtur “koalicioni i vullnetit” – i cili nuk përfshin Shtetet e Bashkuara – presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se liderët e mbledhur në Paris janë më të bashkuar se kurrë rreth Ukrainës dhe se ata duhet të garantojnë se janë në gjendje ta kundërshtojnë synimin e Rusisë për zvarritjen e bisedimeve për paqe me qëllim të marrjes së më shumë territori.

“Qëllimi ynë është i qartë”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas samitit.

“Është të arrijmë paqe dhe për ta bërë këtë, duhet ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm”, theksoi ai.

Presidenti francez tha ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të koalicionit kanë për detyrë shqyrtimin e çështjeve specifike ligjore mbi çdo forcë sigurie të udhëhequr nga Evropa, për ta mbështetur një armëpushim, dhe do të raportojnë përsëri brenda tri javësh.

“Do të ketë një forcë sigurie që do të veprojë në Ukrainë, duke përfaqësuar disa vende”, tha Macron.

“Nuk është Rusia ajo që mund të vendosë nëse një forcë sigurie mund të vendoset në Ukrainë”, nguli këmbë ai.

Ai shtoi se tani për tani nuk ka njëzëshmëri për dërgimin e një force të udhëhequr nga Evropa dhe se jo të gjithë anëtarët janë pajtuar të marrin pjesë, megjithëse theksoi se kjo nuk është e nevojshme për të ecur përpara.

Duke folur një ditë para samitit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Macron tha se kjo forcë sigurie nuk do të dërgohej në vijën e parë të luftës dhe nuk do të kishte për detyrë mbikëqyrjen apo zbatimin e ndonjë armëpushim.

Sipas tij, një detyrë e tillë mund t’i caktohet paqeruajtësve të OKB-së.

Gjatë konferencës së tij për shtyp, Macron shtoi se disa vende pjesëmarrëse dhanë zotime të reja për ndihmë ndaj Ukrainës, përfshirë njoftimin e Francës për një paketë të re ndihmë ushtarake me vlerë 2 miliardë euro.

Macron gjithashtu tha se liderët evropianë u pajtuan të mos i lehtësojnë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe se ata do të ndërmarrin masa shtesë për ta goditur të ashtuquajturën flota e errët e Rusisë.

Ritheksimi i mbështetjes për Ukrainën

Përtej këtyre propozimeve, liderët gjithashtu diskutuan se si mund të koordinonin çështjet aktuale që po trajtohen në negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja me Moskën dhe Kievin, duke përfshirë një kërkesë të debatueshme të Rusisë për të lehtësuar sanksionet para se të zbatohet një armëpushim.

Më herët këtë javë, disa runde bisedimesh të koordinuara nga SHBA me Kievin dhe Moskën në Arabinë Saudite çuan në njoftimin e një marrëveshjeje që, sipas Shtëpisë së Bardhë, rezultoi në një zotim “për të zhvilluar masa për zbatimin” e premtimeve të fundit për t’i ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike dhe për një armëpushim në Detin e Zi.

Por, Rusia po kërkon gjithashtu që të plotësohen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.

Duke folur një ditë para samitit, së bashku me presidentin Zelensky, i cili gjithashtu po merr pjesë në samit, Macron e akuzoi Rusinë për shfaqjen e një “dëshire për luftë” dhe nguli këmbë se Moska duhet ta pranojë armëpushimin 30-ditor “pa kushte paraprake”.

Lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë dhe një marrëveshje për Detin e Zi

Mes një vale diplomacie të rëndësishme të udhëhequr nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, liderët evropianë janë përpjekur ta sigurojnë një vend në tryezën e bisedimeve, por deri më tani janë përjashtuar nga rundet e bisedimeve mes Moskës, Kievit dhe Uashingtonit.

I nxitur nga marrëveshja e fundit për Detin e Zi dhe këmbëngulësia e Rusisë që të fillojë lehtësimi i sanksioneve si pjesë e procesit, samiti në Paris u përqendrua gjithashtu në çështjen e heqjes së kufizimeve financiare.

Pas samitit, Macron tha se ai dhe liderët e tjerë u pajtuan se tani nuk është koha për të hequr sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur së fundmi mundësinë e lehtësimit të disa sanksioneve të tyre ndaj Rusisë.

Duke folur për gazetarët gjatë një vizite pune në Xhamajkë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do t’i shqyrtojë kushtet e Moskës.

“Ne do ta vlerësojmë këtë. Disa nga këto kushte përfshijnë sanksione që nuk janë tonat – ato i përkasin Bashkimit Evropian”, tha Rubio në një konferencë për shtyp në Xhamajkë më 26 mars.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha në një intervistë për Fox News më 26 mars se beson që Trump “nuk do të hezitojë t’i rrisë sanksionet, nëse kjo i jep përparësi atij në bisedime”.

Ai shtoi se shtrëngimi ose lehtësimi i sanksioneve do të varet nga veprimet e mëtejshme të udhëheqjes ruse.

Bessent tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina mund të nënshkruajnë marrëveshje për burimet natyrore javën e ardhshme. Marrëveshja fillimisht ishte planifikuar të nënshkruhej më 28 shkurt gjatë vizitës së fundit të Zelenskyt në Uashington, por ceremonia e nënshkrimit u shty pas një debati të ashpër midis Zelenskyt, Trumpit dhe nënpresidentit JD Vance në Zyrën Ovale.

rel

Gjërat kryesore nga bisedimet e SHBA-së me Ukrainën dhe Rusinë në Riad

Hoteli Ritz-Carlton ku SHBA-ja ka mbajtur bisedime me Ukrainë dhe Rusinë në Riad në Arabinë SauditeHoteli Ritz-Carlton ku SHBA-ja ka mbajtur bisedime me Ukrainë dhe Rusinë në Riad në Arabinë Saudite

Pas bisedimeve të ndara të Shteteve të Bashkuara me delegacionet ukrainase dhe ruse gjatë tri ditëve në Arabinë Saudite, Uashingtoni njoftoi për marrëveshje të ndara me Ukrainën dhe Rusinë për ndalimin e forcës në Detin e Zi dhe për përpjekjet për të ndaluar sulmet ndaj ndërtesave energjetike në dy vendet. Por, ende ka shumë pengesa në rrugën drejt paqes.

Dy njoftimet e Shtëpisë së Bardhë – një për bisedimet më 23 dhe 25 mars me Ukrainën, dhe tjera për takimin e 24 marsit me Rusinë – u lëshuan disa orë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përmbajtja e bisedimeve SHBA-Rusi “definitivisht nuk do të bëhet publike”.

Në dy njoftimet u tha se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të lehtësojnë negociatat mes dy palëve për të arritur një zgjidhje paqësore” për luftën, që tashmë është në vitin e katërt që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Marrëveshjet duket se janë arritjet më konkrete sa i përket përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur përfundimin e luftës që kur ai mori mandatin dy muaj më parë. Por, këto marrëveshje lënë shumë paqartësi, përfshirë edhe sa larg është e gatshme të shkojë Moska drejt një armëpushimi të plotë apo një marrëveshjeje të paqes që nuk përfshin qëllimin e saj, atë të nënshtrimit të Ukrainës.

Në këtë artikull mund të mësoni se cilat janë pikëpyetjet kryesore:

A do të zbatohet armëpushimi për Detin e Zi?

Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia kanë sugjeruar se qëllimi kryesor i këtij rundi bisedimesh ishte të arrihej një marrëveshje për armëpushim detar në Detin e Zi, që do t’u lejojë atyre lëvizje të papenguar të anijeve në këtë zonë strategjike detare dhe do të shërbente si një hap i rëndësishëm drejt një armëpushimi më të gjerë.

Rusia dhe Ukraina kanë brigje në Detin e Zi dhe në Gadishullin ukrainas i Krimesë, që Rusia e ka pushtuar dhe aneksuar më 2014, i cili shtrihet në jug nga territori ukrainas. Deti i Zi është një rrugë kryesore për eksportet e grurit ukrainas dhe rus.

Para takimit SHBA-Rusi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti pretendimin rus se premtimet e bëra ndaj Moskës nën marrëveshjen e vitit 2022 për kalimin e sigurt të anijeve, që njihet si marrëveshja e drithërave në Detin e Zi, nuk janë përmbushur. Marrëveshja u zhbë një vit më vonë, pasi Rusia u tërhoq njëanshëm nga pakti teksa palët këmbyen akuza të ndërsjella.

Më 25 mars, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i përsëriti këto pretendime, duke sugjeruar se kundërshtarët po pengojnë eksportet ruse të drithërave dhe plehrave artificiale. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet me Rusinë u tha se SHBA-ja “do të ndihmojë në rivendosjen e qasjes së Rusisë në tregun botëror për bujqësi dhe eksporte të plehrave artificiale, të ulë kostot në sigurimet detare dhe të rrisë qasjen në porte dhe sisteme të pagesave për transaksione të tilla”.

Kjo përbën një shtytje të rëndësishme për Rusinë, por djalli mund të fshihet në detaje.

Në njoftimin e tij, Kremlini tha se ndalimi i përdorimit të forcës në Detin e Zi do të hyjë në fuqi pasi të jenë zbatuar disa masa specifike, duke kërkuar masa të detajuara që nuk u përmendën qartë nga Shtëpia e Bardhë. Këto masa përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj Rosselkhozbank – bankës shtetërore ruse për kredi – si dhe ndaj institucioneve të tjera financiare, si dhe rilidhja e tyre me sistemin e pagesave SWIFT, gjë për të cilën mund të duhet edhe miratimi i Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, i cili mori pjesë në bisedimet SHBA-Ukrainë, bëri thirrje në rrjetet sociale për “konsultime shtesë teknike sa më shpejt të jetë e mundur që të pajtohen mbi të gjitha detajet dhe aspektet teknike të zbatimit, monitorimit dhe kontrollit të marrëveshjeve”.

Ai gjithashtu tha se Ukraina mund të “ushtronte të drejtën e vetëmbrojtjes” nëse luftanijet ruse lëvizin drejt perëndimit nga pjesa lindore e Detit të Zi.

Po ashtu, nuk pati sinjale për një marrëveshje të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë, duke rritur mundësinë e interpretimeve të ndryshme, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kritikoi disa aspekte të marrëveshjes SHBA-Rusi.

“Me sa e di, rusët e kanë ngritur çështjen e ndihmës nga ana amerikane që rusët të transportojnë produktet e tyre bujqësore. Kjo ka të bëjë me portet, tarifat e të tjera”, tha ai. “Ne nuk jemi pajtuar për këtë… Ne besojmë se ky është dobësim i qëndrimeve dhe dobësim i sanksioneve”.

Po pezullimi i sulmeve ndaj ndërtesave të energjisë?

Bisedimet në Riad u mbajtën pas propozimit të Trumpit për një armëpushim të plotë 30-ditor – një ndalim të armiqësive në tokë, det dhe ajër – që u pranua nga Ukraina më 11 mars, por u përball me rezistencën ruse. Pasi Trumpi bisedoi ndarazi me Putinin dhe Zelenskyn, Kievi dhe Moska u pajtuan në parim javën e kaluar për një marrëveshje më të ngushtë armëpushimi.

Por, në njoftimet e Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, pas bisedës Trump-Putin të zhvilluar më 18 mars, kishte një dallim të vogël, por substancial. Në njoftimin e SHBA-së u tha se udhëheqësit “u pajtuan që lëvizja drejt paqes të nisë nga armëpushimi në energji dhe infrastrukturë”, ndërkaq në njoftimin rus u përshkrua për një ndalim më të ngushtë të sulmeve ndaj “infrastrukturës së energjisë”.

Kremlini tha se Putini ka lavdëruar nismën dhe “menjëherë i dha urdhër ushtrisë ruse”, por Ukraina e akuzoi Rusinë se vazhdoi sulmet ndaj infrastrukturës, përfshirë ndaj ndërtesave të energjisë.

Në deklaratat e saj paralele më 25 mars, Shtëpia e Bardhë nuk përmendi specifikisht infrastrukturën, por tha se shtetet “janë pajtuar të zhvillojnë masa për zbatimin [e marrëveshjeve] për të ndalur sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë të Rusisë dhe Ukrainës”.

Kush do të kontrollojë dhe çfarë do të kontrollojë?

Një çështje që lidhet me çdo marrëveshje për armëpushim apo me një pakt të mundshëm të paqes është pyetja për territorin: Sa territor të Ukrainës do të kontrollojë Rusia – nëse do të kontrollojë ndonjë pjesë –dhe nën çfarë rrethanash?

Duke folur për gazetarët në Uashington më 24 mars, Trump sugjeroi se në negociatat në Riad është biseduar për këtë çështje.

“Tani ne po flasim për territorin. Po flasim për vijat e demarkimit”, tha Trump.

Rusia aktualisht ka nën okupim rreth një të tretën e Ukrainës: të gjithë Krimenë, pothuajse të gjithë territorin e rajonit të Luhanskut, por edhe pjesë të rajoneve të Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit – por, jo edhe kryeqytetet e dy rajoneve të fundit. Në shtator të vitit 2022, Putini pa asnjë bazë shpalli rajonet e Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit në tërësi si pjesë të Rusisë, përfshirë zonat që janë nën kontrollin ukrainas.

Moska thotë se Ukraina duhet të tërheqë forcat e saj nga rajonet dhe insiston se ato duhet të njihen si ruse. Zelensky e ka pranuar se Kievi mund të mos jetë në gjendje të rimarrë kontrollin e gjithë shtetit shumë shpejt. Çdo marrëveshje e armëpushimit në një të ardhme të afërt duket se mund të lërë shumicën e territorit të pushtuar në duart e rusëve, por Ukraina është zotuar se kurrë nuk do të pranojë zyrtarisht apo në mënyrë të përhershme ndryshimin e kufijve të saj.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet në Riad nuk u përmend territori.

Po marrëveshja për mineralet e rralla të tokës?

Më 25 mars, Zelensky u tha gazetarëve se SHBA-ja ka propozuar një version të ri gjithëpërfshirës për marrëveshjen lidhur me burimet minerale, çështje për të cilën është diskutuar për muaj të tërë. Në deklarimet e tij më 24 mars, Trump tha se Uashingtoni dhe Kievi “shpejt” do të nënshkruajnë marrëveshjen për zhvillimin e përbashkët të mineraleve të rralla të Ukrainës dhe burimeve të tjera natyrore, që sipas zyrtarëve të SHBA-së do të ndihmojnë Ukrainën që t’i ofrohet siguri. Marrëveshja, po ashtu, sipas zyrtarëve amerikanë do të jetë një pjesë e rëndësishme e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Nënshkrimi i marrëveshjes pritej të ndodhte kur Zelensky vizitoi Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, por ai takim ishte i tensionuar, teksa Trumpi dhe nënpresidenti JD Vance e kritikuan presidentin ukrainas gjatë një përplasjeje të pazakontë para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Që atëherë, tensionet janë ulur dhe marrëveshja për mineralet e rralla të tokës mund të nënshkruhet në shenjë solidariteti mes Ukrainës dhe SHBA-së, teksa po vazhdojnë përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës.

Cili është plani i Rusisë?

Trump tha se përgjigja e Putinit ndaj propozimit për armëpushim të plotë prej 30-ditësh ishte: “ne jemi për të, por ka nuanca”.

Ndër të tjera, këto “nuanca” përfshijnë një thirrje për mbështetësit e Ukrainës që të ndalojnë dërgimin e armëve dhe për Kievin që të ndalojë mobilizimin e ushtarëve gjatë armëpushimit. Ndërkaq, Rusia nuk do të ishte subjekt i këtyre kufizimeve.

Kievi e ka akuzuar Moskën se po blen kohë dhe po bën sikur është e interesuar që lufta të përfundojë. Analistët thanë se Rusia ka gjasa që me qëllim po zvarrit procesin me shpresën që të shtyjë sa më shumë përpara qëllimet e saj përmes diplomacisë dhe në fushëbetejë.

“Për momentin, ky proces ka qenë plotësisht pa kosto nga një këndvështrim rus. Mendoj se mësimi që ata po nxjerrin nga kjo është se nëse lëvizin ngadalë, pikë së pari ata mund të nxjerrin koncesione nga amerikanët, dhe potencialisht edhe nga evropianët, thjesht për të mbajtur Rusinë në tryezën e bisedimeve”, tha më 20 mars, Sam Greene, profesor në Institutin Mbretëror të Rusisë, njëherësh drejtor i Qendrës për Analiza të Politikës Evropiane.

Greene sugjeroi se pavarësisht se asaj që mund të bien dakord, ka një hendek mes qëllimeve të Trumpit dhe Putinit kur bëhet fjalë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Trump dëshiron “përfundimin e kësaj lufte”, tha ai, ndërkaq “Rusia dëshiron një rezultat nga kjo luftë që e lë atë në një pozicion dominues në Ukrainë. Mendoj se Rusia beson e mund të jetë fleksibile, në kuptim se si do të realizohet ky dominim… për aq kohë sa të mbetet dominante”. 

rel / Steve Gutterman