Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Sprova e parë e unitetit të BE-së

Pas përshkallëzimit të dhunës në Ukrainën lindore BE-ja planifikon zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Por Greqia mund të dalë kundër.Tri ditë pas krijimit të qeverisë së re në Athinë, Bashkimi Evropian po përballet me sprovën e parë. Deri tani diplomatët e konsideronin unitetin e BE-së në qëndrimin ndaj Rusisë si suksesin e tyre më të madh në politikën e jashtme. Kjo mund të ndryshojë shpejt me qëndrimin e kryeministrit Aleksis Tsipras, i cili protestoi kundër një deklarate të përbashkët të qeverive evropiane për të zgjeruar sanksionet kundër Rusisë. Edhe në të kaluarën, uniteti ishte në rrezik sepse vende si Hungaria, Sllovakia apo dhe Italia janë shprehur për një qëndrim më të butë ndaj Moskës. Por deri tani pas dyerve të mbyllura ishte arritur gjithmonë të gjehej një konsesus i përbashkët.

Zgjerimi dhe zgjatja e sanksioneve
Ky konsensus mund të jetë tani në rrezik. Në takimin e tyre të posaçëm ministrat e Jashtëm të BE-së duan që deri në samitin e tyre në mes të muajit shkurt të kenë gati propozimet për zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë, si kufizime shtesë në tregjet financiare apo zgjerim të listës së njerëzve dhe kompanive me të cilat Perëndimi nuk bën më biznese. Ministrat gjithashtu duan të përgatisin edhe zgjatjen e sanksioneve ekzistuese, të vendosura në pranverën e vitit 2014, deri në fund të vitit 2015. Të dy vendimet duhet të merren në parim me unanimitet, dhe qeveria e re në Athinë mund t’i rrëzojë që dyja.
Shtetet e BE-së duhet të reagojnë urgjentisht ndaj Moskës, sidomos pas sulmit ndaj qytetit Mariupol, gjë që sipas ministrit të Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier, ka shpënë në një ndryshim cilësor të situatës.

Solidariteti nuk është një rrugë njëkalimshe
Eurodeputetja e të Gjelbërve, Rebecca Harms, anëtare e Komitetit për Ukrainën e Parlamentit Evropia, u shpreh e tmerruar nga sinjalet nga Athina dhe kërkoi që as Greqia as shtetet e tjera anëtare të mos e dobësojnë unitetin evropian ndaj Rusisë në lidhje me luftën në Ukrainën lindore. Ajo tha se Greqia ka gjetur gjithmonë mbështetje në Bruksel dhe tani nuk e merr në konsideratë solidaritetin e BE-s në një çështje tjetër, tha Harms..
Nuk është ende e qartë nëse Greqia do të krijojë vërtetë probleme në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, thotë Jan Techau nga Fondacioni Carnegie Europe: “Greqia është relativisht e izoluar me qëndrimin e saj. Vendi ka shqetësime dhe halle të tjera dhe ka nevojë për partnerët politikë në Evropë.” Por nëse grekët do të ngulin vërtetë këmbë për këtë çështje, atëhere ajo mund të marrë një “dinamikë zhvillimi interesante,” thotë Techau.

Gjithësesi ai mendon se Greqia nuk do të bëhen pengesë në çështjet e politikës së jashtme të BE-së.
Fusha të tjera rreziku
Por Jan Techau mendon se Greqia mund të shfaqet si faktor problematik në çështje të tjera, sepse Evropës i duhet votë e njëzëshme jo vetëm në çështjet politikës së jashtme, por edhe në ato që kanë të bëjnë me tregtinë apo financat.
Këtë vit, për shembull, marrëveshja transatlantike e tregtisë kalon në raundin vendimtar, dhe për këtë marrëveshje duhet të jenë dakord edhe grekët. Përveç kësaj shumë prej masave urgjente të marra üër shkak të krizës së euros duhet të shndërrohen në marrëveshje të vazhdueshme, si .sh. çështja e mbikëqyrjes bankare, dhe në koto pika ka shumë gjëra për të diskutuar. (dw)

Kurthi i kredive në franga zvicerane

Për vite të tëra bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane. Por rritja e kursit të frangës po u krijon probleme huamarrësve në Evropën Qendrore dhe Lindore.Marko Vasić bleu në vitin 2008 një banesë në Beograd dhe për këtë mori një kredi të bazuar në vlerën e frangës zvicerane. Kësti mujor i shlyerjes së kredisë ishte 350 euro, shumë kjo që elektriçisti mund ta përballonte. Por tani pas rritjes së vlerës së frangës dhe shkëputjes së vlerës së saj prej vlerës së euros atij i duhet të paguajë 560 euro në muaj.
Të njëjtin problem kanë edhe qindra-mijëra qytetarë në Evropën Qendrore dhe Lindore që kanë marrë në vendet e tyre kredi hipotekare të bazuara në vlerën e frangës. Në Poloni ka rreth 550.000 kredi hipotekare të lidhura me monedhën zvicerane, në Rumani rreth 150.000, në Kroaci 60.000 dhe Serbi 22.000.
Kush paguan për humbjet?
Për vite të tëra bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane, sepse me këtë monedhë normat interesit ishin edhe në periudhë afatgjatë më të favorshme.Por bankat kanë ndjekur në këtë mes interesin e tyre, kritikon ekonomisti serb Dejan Gavriloviç: “Huadhënësit padyshim kanë spekulluar me forcimin e frangës.

Nuk është rastësi që kjo ndodh vetëm në Evropën Lindore. Këtu qytetarët kanë pak informacione në lidhje me financat dhe nuk mbrojen sa duhet nga shteti”, thotë Gavriloviç në bisedë per DW. Ai punon për shoqatën serbe të klientëve të bankave “Efektiva” dhe e përshkruan situatën e re të krijuar si një rreth vicioz. Megjithëse ata i shlyejenë këstet e kredive, huamarrësit zhyten edhe më thellë në borxh, thotë Gavriloviç.
Edhe Manuel Ammann nga Universiteti i St. Gallenit në Zvicër nuk e përjashton që në shumë raste, konsumatorët janë këshilluar gabim. Por eksperti zviceran për bankat thekson aspektin e detyrimeve kontraktuale: “Në parim, duhet të paguajnë ata që marin përsipër rrezikun dhe në këtë rast këta janë konsumatorët. Është naive të mendosh se mund të marrësh norma të ulëta interesi pa rreziqe që mund të lidhen me monedhën në të cilën merret kredia.” Prandaj, është problematike nëse politika i detyron me dekret bankat të marrin përsipër humbjet”.
Politikanët në vendet e prekura i shohin gjërat ndryshe, sepse në rast se do t’i lënë në baltë mijëra familje që nuk mund të paguajnë sot kreditë për shtëpi, do të kenë vështirësi politike për t’u rizgjedhur përsëri.

Edhe kryeministri socialdemokrat kroat Zoran Milanoviç dëshiron të të rizgjidhet vitin e ardhshëm, dhe prandaj qeveria e Zagrebit do t’i detyrojë bankat që të marrin mbi vete pasojat e ngritjes së kursit të frangës zvicerane.
Hungaria si shembull?
Ideja bazë është në pamje të parë shumë e thjeshtë: Kreditë në franga duhet të konvertohen në euro ose në monedhën përkatëse kombëtare – sipas kursit të këmbimit në kohën kur franga qe e lidhur me kursin euros. Si model për vendet e tjera shërben Hungaria, e cila sa i përket politikës bankare konsiderohet prej kohësh si fëmija problematik i Bashkimit Evropian. Edhe përpara se franga zvicerane të zgjidhej nga kursi i euros, qeveria në Budapest i detyroi bankat që t’u kthenin klientëve interesin e kredive dhe t’i konvertonin kreditë në monedhën vendase, forint, sipas një çmimi të caktuar prej shtetit. Për këtë shumë banka edhe nga Austria dhe Italia – patën një humbje prej rreth tri miliardë euro.

Këtë rrugë duan të ndjekin tani dhe qeveritë në Kroaci dhe Poloni. Ndërhyrja e politikës është e domosdoshme thotë Barbara Liberda nga Universiteti i Varshavës: “Kreditë janë bërë vërtetë një problem i madh social, perspektivat në tregun e punës janë përkeqësuar dukshëm vitet e fundit dhe shumë njerëz nuk do të jetë në gjendje për të paguar kreditë “, tha ajo në bisedë per DW. Prandaj, profesororesha e ekonomisë mendon që duhet që bankat dhe klientët t’i ndajnë humbjet.
Eksperti serb Gavriloviç sjell një argument tjetër: “Nëse shumë konsumatorë do të falimentojnë, bankat do të mbeten mbi një grumbull pronash bosh dhe të vështira për t’i shitur.” Por qeveria konservatore serbe, deri tani është e tërhequr sa u përket planeve të tilla. (dw)

Greqia kërkon reparacione

Greqia i ka borxh Gjermanisë miliarda euro. Apo anasjelltas? Edhe 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Athina dhe Berlini debatojnë për shpenzimet e kohës së pushtimit gjerman të Luftës së Dytë Botërore.Pas sulmit kundër Greqisë, në maj 1941 mbi Akropol-in në Athinë valon flamuri me kryq të thyer. Deri në maj 1944 Wehrmacht-i e mban të pushtuar vendin. Në këtë periudhë, Gjermania naziste vret e plaçkit në të gjithë Gadishullin e Ballkanit. Dëmet ekonomike të luftës dhe pushtimit shkaktojnë debat deri sot.
Sepse Greqia e ndien veten të diskriminuar në negociatat ndërkombëtare për reparacionet pas fundit të diktaturës naziste. Kryeministri i ri i Greqisë, Alexis Tsipras ngul këmbë që një çështje e tillë të diskutohet dhe mendon se Greqia duhet të marrë ende disa miliarda euro si dëmshpërblim.
Hua e detyruar e regjimit të pushtimit
Nga njëra anë bëhet fjalë për dëme direkte të luftës, për shembull përmes plaçkitjeve, vrasjes dhe shkatërrimit. Viktimave të krimeve naziste në Greqi, Republika Federale u pagoi 115 milionë marka gjermane- në bazë të një marrëveshjeje të vitit 1960 kjo do të mbulonte të gjitha kërkesat për dëmshpërblim individual.
Në qendër të diskutimit megjithatë është edhe një hua e detyruar shtetërore. Rajhu Gjerman e detyroi Bankën Qendrore Greke në vitin 1942 që të japë një hua pa interesa në shumën 476 milionë marka të Rajhut. Me këto para nazistët financuan zyrtarisht “shpenzimet e pushtimit” në Greqi. Këto para nuk u kthyen. Një komision grek ekspertësh është i mendimit se prandaj Gjermania i ka borxh Greqisë rreth 11 miliardë euro.
Paqe pa marrëveshje
Por qeveria gjermane mendon se çështja e pagesave të reparacioneve ka marrë përgjigje përfundimtare. Një konferencë e parë për këtë u zhvillua më 1945 në Paris. Grekëve iu dha një pjesë në përqindje nga shuma e reparacioneve gjermane për Luftën e Dytë Botërore. Greqia mori përfitime në natyrë, që kapin vlerën e sotme prej dy miliardë dollarësh.

Në konferencën e borxheve të Londrës të vitit 1953, fuqitë perëndimore e spostuan rregullimin e kërkesave për reparacione të tjera deri në lidhjen e një marrëveshjeje paqeje. Veç kësaj ata bënë një falje borxhesh për Gjermaninë. Por një marrëveshje zyrtare paqeje midis Gjermanisë dhe Fuqive Fituese nuk u nënshkrua kurrë. Në vend të kësaj, në vitin 1990 hyri në fuqi e ashtuquajtura “Marrëveshje-dy-plus-katër” për bashkimin e Gjermanisë, e cila u pranua edhe nga Greqia dhe e cila nuk parashikon pagesa reparacionesh të tjera.
Borxhe të reja, forcë e re shpërthyese
Tema e reparacioneve ka fituar forcë shpërthyese që prej shpërthimit të krizës së borxheve në Greqi. Në vitin 2010 Athinës iu desh t’i kërkojë ndihmë BE, për të shmangur falimentimin e shtetit. Edhe Gjermania i ka dhënë që atëherë hua Greqisë rreth 65 miliardë euro.
Kryeministri i Greqisë, Tsipras ka ngulur herë pas here këmbë që kur ishte në opozitë që në këto borxhe të llogariten edhe pagesat e reparacioneve të Greqisë. Disa juristëve në Greqi ky model u duket i përshtatshëm. Kjo në një kohë kur ata llogarisin para së gjithash kthimin e huasë së detyruar nga koha e pushtimit — negociata të reja 70 vjet pas fundit të luftës shumica e ekspertëve i konsiderojnë të përjashtuara. (dw)

Amerika në ndihmë të Ukrainës

Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje që i ofron Ukrainës 2 miliardë dollarë në formën e garancisë për borxhet, të cilat do të ndihmojnë programet sociale të këtij vendi gjatë vitit 2015. SHBA deklaruan gjithashtu se janë të gatshme të rrisin trysninë e sanksioneve kundër Rusisë nëse kjo do të jetë e nevojshme. Marrëveshja u nënshkrua në Kiev nga ministrja ukrainase e financave, Natalia Yaresko, dhe sekretari amerikan i thesarit, Jack Lew.

“Jam i kënaqur që nënshkrova me ministren Yaresko deklaratën për të filluar me garancinë e borxhit prej 1 miliardë dollarësh. Kjo garanci synon të ndihmojë Ukrainën me shpenzimet sociale afatshkurtëra për të mbrojtur ukrainasit në nevojë nga efektet e reformave të domosdoshme ekonomike”, u shpreh zoti Lew gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Ai shtoi se marrëveshja parashikon që qeveria ukrainase të vazhdojë programet e reformës fiskale dhe dhënien fund të korrupsionit.

Sekretari Lew foli gjithashtu edhe për mbështetjen e Rusisë ndaj separatistëve në Ukrainë, gjë që ka sjellë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Opsioni ynë parësor është një zgjidhje diplomatike që do të lejonte lehtësimin e sanksioneve, ashtu siç dhe jemi të gatshëm për t’i shtuar ato”, shtoi zoti Lew.

Presidenti Obama fajësoi Rusinë të dielën për rifillimin e luftimeve në Ukrainën lindore, dhe tha se Uashingtoni do të shqyrtojë alternativa të tjera për rritur trysninë mbi Moskën.

Disa qeveri të vendeve të Bashkimit Evropian po bëjnë gjithashtu thirrje për sanksione të reja.

Ministrja Yaresko falenderoi Shtetet e Bashkuara për dhënien e kësaj garancie të borxhit dhe premtoi zbatimin më të shpejtë të reformave shumë të nevojshme.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ofroi Ukrainës një garanci borxhi prej 2 miliardë dollarësh. Kjo do t’i lejojë Ukrainës të zbatojë reformat e filluara dhe të sigurojë mbështetje financiare ndërkombëtare.”

Ekonomistët kanë paralajmëruar se Ukraina mund të përballet me një ristrukturim drastik të borxhit, nëse huadhënësit ndërkombëtarë nuk rrisin ofertat e tanishme për të plotësuar një boshllëk financimi prej 15 miliardë dollarës (voa)

Fluturimi i parë me avion diellor përreth botës

Dy pilotë që do të fluturojnë rreth botës me një avion diellor bënë publike rrugën që do të ndjekin. Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg do të fluturojnë pa karburant në udhëtimin e tyre prej 35 mijë kilometrash që fillon pas pak javësh.Solar Impulse 2, apo Si2, do të niset nga Abu Dhabi në fund të shkurtit apo fillim të marsit në një udhëtim të veçantë që pilotët shpresojnë se do të hyjë në histori.

Pas një studimi 12 vjeçar, avioni i ndërtuar me energji diellore dhe pilotët e tij – Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg – janë gati për udhëtimin rreth botës.

Si2 është i pari avion diellor që do të jetë në gjendje të fluturojë ditën dhe natën pa përdorur asnjë pikë karburant.

Avioni dhe një ekip prej 80 teknikësh dhe inxhinierësh mbërritën në Abu Dhabi më 6 janar. Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg komentuan rreth udhëtimit.

“Nuk më besohet që jemi një muaj larg fluturimit me avionin diellor. Çasti po afron. Duam t’ju themi se jemi shumë modestë rreth kësaj përpjekjeje, por edhe shumë ambiciozë. Po përpiqemi të realizojmë diçka që nuk është provuar më parë.”

Aventura diellore do të zgjasë 25 ditë gjatë një hapësire kohore prej pesë muajsh. Pilotët do të marrin kontrollin e avionit me radhë.

Solar Impulse nuk është avioni i parë diellor por i pari që mundëson kalimin përtej oqeaneve dhe kontinenteve, duke qëndruar në ajër për disa ditë dhe netë pa u ulur.

Rruga përfshin ndalesa në Muscat të Omanit; Ahmedabad dhe Varanasi të Indisë; Mandalay të Birmanisë; dhe Chongqing e Nanjing në Kinë.

Pas kalimit të Oqeanit Paqësor përmes Hawait, Solar Impulse do të fluturojë mbi Shtetet e Bashkuara duke ndaluar në Phoenix të Arizonës dhe në aeroportin John Kenedy të Nju Jorkut.

Piccard nuk është i panjohur me sfidat e aviacionit. Në vitin 1999 ai dhe Brian Jones kryen me sukses një fluturim pa ndalesa me balonë rreth botës.

Kompania e energjisë së ripërtëritshme në Abu Dhabi, Masdar, është partneri teknologjik dhe shkencor i avionit Solar Impulse.

Masdar ka një ekip prej 10 specialistësh për të ndihmuar, si dhe 50 apo 60 individë nga institute dhe universitete në Abu Dhabi që do të japin asistencë teknike.

“Ne jemi një partner shkencor, teknologjik dhe sigurisht që do të ndihmojmë në këtë udhëtim me ekspertizën tone. Kemi formuar një grup të sofistikuar që do të ndihmojë për nevojat teknike të avionit. Sigurisht ne mbështetemi në marrëdhëniet e fuqishme në mbarë botën për realizimin e këtij udhëtimi.”

Gjatë ndalesave ekipi i Solar Impulsit do të organizojë takime dhe vizita për të promovuar mesazhin e këtij misioni dhe për të theksuar zgjidhjet teknike ndaj ndryshimeve klimatike. (voa)

BE: Falja e borxhit grek për momentin e panevojshme

Vizita e Dijsselbloem në Athinë nuk lidhet me ndonjë mandat zyrtar të eurogrupit. Mministri gjerman i Financave Schäuble është i qetë.Ministri i ri grek i Financave, Giannis Varoufakis, i cili nuk mori pjesë në takimin e ministrave evropianë të Financave të martën (27.01) në Bruksel, e konsideron programin e donatorëve ndërkombëtarë për Greqinë si “torturë financiare”. Ministrat e Financave të BE-së u përpoqën të reagonin të qetë lidhur me lajmet për koalicionin e të majtëve dhe të djathtëve populistë në Greqi. Kreu i 19 vendeve të eurozonës, holandezi Jeroen Dijsselbloem, njoftoi se do të shkojë në Athinë të premten (30.01) për t’u takuar dhe njohur me ministrin e Financave.

Ministrat evropianë të Financave presin për momentin të marrin vesh se cilat janë përfytyrimet e qeverisë së re për bashkëpunimin e mëtejshëm për financimin e Greqisë. “Ata kanë dëshirë të qëndrojnë në eurozonë dhe mbi këtë bazë mund të mbështetemi”, tha Dijsselbloem.
Schäuble: Ne jemi të qetë
“Nëse ata nuk duan më ndihma, ne nuk kemi ose të ngulim këmbë”, tha ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble pas takimit. Vizita e Dijsselbloem në Athinë nuk lidhet me ndonjë mandat zyrtar të eurogrupit. Programi aktual i ndihmës për Greqinë përfundon më 28 shkurt. Kur ky të përfundojë me një raport përfundimtar të trojkës së inspektorëve të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, mund të diskutohet për një kredi të mëtejshme parandaluese për ndonjë emergjence fiskale. Përveç kësaj ende nuk është paguar kësti i fundit i programit që po skadon. Në këtë situatë nga zgjedhjet në Greqi që ai i respekton shumë, nuk ka ndryshuar gjë, tha Wolfgang Schäuble në Bruksel. “Ne jemi të qetë,” tha Schäuble.

Ai tha se Gjermania ka kontribuar relativisht shumë për faljen e një pjesë të borxhit grek, kur para tre vjetësh kreditorët privatë i falën Greqisë rreth 100 miliardë euro.
BE: Falja e borxhit për momentin e panevojshme
Afatet për shlyerjen e borxhit nga ana e Greqisë janë mbi 30 vjet. Po ashtu edhe rreth 240 milionë eurot që duhet të paguajë Greqia si përqindje interesi për kredinë janë kthyer në formë këstesh. Sipas prognozave të FMN-së në rast se Greqia vazhdon me kursin e deritanishëm deri në vitin 2020 boxhi i saj do të ulet nga 170% të prodhimit bruto në 112%. Borxhi pra do të ulet dhe kërkesa e kryeministrit Alexis Tsipras për faljen e borxhit nuk është e nevojshme.
Politikanët konservatorë në Bruksel thonë se Greqia në të kaluarën nuk i ka përdorur si duhet të ardhurat dhe fondet dhe prandaj po paguan tani edhe çmimin e kësaj politike. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble pranoi se populli grek po vuan, por tha se vendet e eurozonës nuk mund të vihen kaq lehtë nën presion, duke reaguar kështu për deklaratën e Alexis Tsipras se do t’i griste marrëveshjet me trojkën. (dw)

Koalicioni i të ndryshmëve në Greqi

Partia e majtë Syriza hyn në koalicion me populistët e djathtë me populistët e djathtë. Por nga pikëpamja programatike të dyja partitë janë shumë larg.Tepër surprizuese nuk ishte kjo martesë politike, sepse ashtu si partia e majtë Syriza edhe partia Grekët e Pavarur (Anel) i quan huadhënësit ndërkombëtarë si “pushtues të Greqisë”. Të dyja palët janë me forcë kundër masave të kursimit të diktuara nga BE-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Me shumë zell Anel mbështet gjithashtu kërkesën për dëmshpërblime prej Gjermanisë dhe reparacione nga Lufta e Dytë Botërore – ashtu sikurse edhe të majtët. Prej shumë kohësh populistët e djathtë kanë bërë me Tsipras një pakt mossulmimi në parlament, dhe tani ata po i shërbejnë atij për të arritur shumicën.
Por nga pikëpamja programatike të dyja partitë janë shumë larg: populistët e djathtë e kundërshtojnë ndarjen e kishës nga shteti, kërkojnë lehtësime tatimore për nxitjen e investimeve dhe duan që emigrantët ilegalë të ekstradohen nga vendi – kërkesa që janë të papranueshme për shumicën e votuesve të majtë. Drejtori i gazetës liberal-konservatore Alexis Papachelas thotë se këto dallime janë thelbësore dhe se në lidhje me politikën ndaj kreditorëve nuk duhet harruar se shpesh politikanët pasi vijnë në pushtet e ndërrojnë mendimin e tyre.
Parti me një mendim
Në radhët e partisë Grekë e Pavarur (Anel) zakonisht ka vetëm një mendim, atë të kreut të partisë Panos Kammenos. Ish-zëvendësministri i Transportit Detar, e themeloi partinë në vitin 2012, pasi u largua nga konservatorët për shkak të refuzimit të tij për politikën e kursimeve. Sot në partinë e tij bëjnë pjesë njerëz të famshëm: si moderatori Terence Quick, ish-mbretëresha e bukurisë Helena Kountoura, dhe Pavlos Haikalis, një nga ko35nët më të njohur në Greqi. Në Parlamentin e BE-së, populistët e djathtë të Anel-it janë të afërt me partinë nacionaliste britanike UKIP, e cila kundërshton politikat e integrimit evropian.
Në marrëdhënie personale Kammenos është shumë miqësor. Në të njëjtën kohë ai është mjeshtër i fushatës elektorale populiste. Pak ditë para zgjedhjeve ai ngriti fort zërin kundër “masave të kursimit” të donatorëve ndërkombëtarë dhe rritjes së varfërisë në Greqi, që i detyron shumë njerëz të emigrojnë. “Ne do t’ju sjellim sërish fëmijët në shtëpi”, i premtoi ai elektoratit të vet. Deputeti i Anelit Nikos Nikolopoulos është si shefi i tij sa i përket pasionit politik. Në një tubim zgjedhor në Peloponez ai tha se lufton për “çlirimin e vendit” nga huadhënësit dhe për t’i siguruar Greqisë përsëri sovranitetin e saj kombëtar, dhe se është për një “Evropë të kombeve” si kundëalternativë ndaj “diktaturës së tregjeve”.
Fatkeqësi dhe aksidente
Udhëheqësi i partisë Anel, Panos Kammenos, ka rënë shumë në sy për pozicionet e tij polemike në politikën e jashtme. Në dhjetor 2011, ai u shfaq para një gjykate ushtarake si mbrojtës i paftuar i ushtarëve elitë që akuzoheshin për përhapjen e sloganeve raciste dhe nxitjen e urrejtjes. Në vitet 1990 ai botoi një libër mjaft të vlerësuar për terrorizmin ndërkombëtar, i cili po i shkakton sot kokëçarje për shkak se autori ghostwriter i kësaj vepre, Jorgos Georgalas, po kërkon honorarin. Vetë Kammenos e mohon marrëveshjen me Georgalas.
Edhe deputeti i Anelit, Pavlos Haikalis, ka shkaktuar bujë me pretendimin se ish-kryeministri Antonis Samaras kishte ngarkuar jë këshilltar që t’i ofronte tre milionë euro në mënyrë që ky të votonte për kandidatin e koalicionit qeveritar. Më pas Haikalis i tërhoqi akuzat, sepse regjistrimet e bisedave dolën në shesh.
Kurse ish-politikania eAnelit, Rachel Makri, nuk pranon të bëhet pjesë e intrigave të tilla. Në vitin 2014 ajo e akuzoi Kammenosin për mobing dhe dha dorëheqjen. Prej atëhere ajo anagazhohet me partinë e majtë Syriza. (dw)

Wikileaks: Google ua përcolli e-mail-et autoriteteve amerikane

Platforma e internetit Wikileaks doli të hënën në publik: llogaritë e e-mail-it të tri bashkëpunëtorëve të Wikileaks janë kontrolluar. Tani të prekurit mbrohen.Avokatët e Wikileaks-it u janë drejtuar koncernit të internetit Google dhe Ministrisë së Drejtësisë së SHBA me akuzën se kanë shkelur të drejtat e personit dhe ato gazetareske të bashkëpunëtorëve të Wikileaks. Të prekur janë gazetarja e gazetarisë investigative, Sarah Harrison, redaktori Joseph Farell dhe zëdhënësja e Wikileaks, Kristinn Hrafnsson. Që të tre punojnë prej vitit 2010 për Wikileaks-in. Një ditë para Krishtlindjeve ata i informoi koncerni Google se i kishte përcjellë qeverisë së SHBA-së të gjitha e-mail-et e tyre dhe e kish bërë këtë mbi bazën e një urdhëri për kontroll, për shkak të dyshimit për komplot dhe për spiunazh. Ajo që e zemëron veçanërisht, është se “janë prekur llogaritë e mia private”, të cilat ajo i kishte përdorur prej vitesh dhe që kanë korrespondencën private me shokë dhe familjen etj, thotë Sarah Harrison në bisedë për DW. “Me këtë shkelet në mënyrë shumë reale sfera ime private”, thotë Harrison. Ndërsa puna e e saj dhe e-mail-e të rëndësishme nuk janë prekur, “atje ne kemi punuar të ndërgjegjshëm për problemin e sigurisë”, thotë gazetarja.

Sarah Harrison kritikon Google
Veç e-mail-eve, Google u kishte dorëzuar autoriteteve amerikane edhe lista kontaktesh, lajme të shuara dhe projekte të tri përdoruesve, si dhe adresa IP, prej të cilave të tri bashkëpunëtorët e Wikileaks qenë futur në internet, tregon Harrison. Urdhëri i gjykatësit, të cilën e ka respektuar Google është i vitit 2012 dhe u miratua bazuar në argumentin e ligjit të spiunazhit dhe të mbrojtjes së kompjuterave, në bazë të të cilit, një të akuzuar e presin deri 45 vjet heqje lirie.
Në e-mail-et e Google, të publikuara nga Wikileaks, koncerni vërtet pohon që e kishte pasur të ndaluar dhe prandaj nuk kishte mundur t’i informonte më herët të prekurit. Por në një rast të ngjashëm tek shërbimi Twitter, Twitter e kishte anashkaluar ndalimin për informim, tregon Harrison, për t’i informuar personat e prekur.
Përdoruesit e Twitter-it e mbështesin Wikileaks-in
Shumë përdorues të Twitterit marrin anën e Wikileaks-it dhe shkruajnë, si kryeredaktori i gazetës angleze “The Guardian”, Alan Rusbridger: “Wikileaks kërkon përgjigje, pasi Google u ka përcjellë SHBA e-mail-e të bashkëpunëtorëve.”
WikiLeaks demands answers after Google hands staff emails to US government http://t.co/Uky2NAZlCQ
— alan rusbridger (@arusbridger) January 26, 2015
Përdorues të tjerë veprojnë me ironi dhe publikojnë këtë karikaturë pas fjalisë “Google i jep të dhëna qeverisë së SHBA-së në rastin e spiunazhit të Wikileaks-it.
#Google hands data to US Government in #WikiLeaks espionage case https://t.co/ocBQGvL4yl pic.twitter.com/MIxGiOu9si
— WikiLeaks (@wikileaks) January 26, 2015
Sarah Harrison nuk e shpjegon dot se pse zhvillohen hetime vetëm kundër tri bashkëpunëtorëve të Wikileaks. Me daljen e saj në publik duke publikuar e-mail-et e Google-s, urdhrat e kontrollit dhe kërkimet e saj në gjykatën e Virginias, e cila i ka miratuar urdhrat e kontrollit, ajo synon të hedhë dritë në hetime. (dw)

Polemikat rreth filmit “American Sniper”

Publikimi i filmit “American Sniper” ka çuar në rritjen e kërcënimeve kundër myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, ka thënë një grup arabo-amerikan për të drejtat civile.Komiteti Amerikano-Arab kundër Diskriminimit, i ka shkruar letër regjisorit Clint Eastwood dhe aktorit Bradley Cooper.

Filmi i tyre bazohet në shërbimin e ushtarit amerikan, Chris Kyle, në Irak, nga viti 2003 deri më 2009.

Komiteti Amerikano-Arab kundër Diskriminimit ka thënë se “shumica e kërcënimeve të dhunshme që kemi parë gjatë disa ditëve të kaluara, janë rezultat i asaj se si janë përshkruar arabët dhe myslimanët në filmin American Sniper”.

Organizata, e cila e përshkruan veten si organizata më e madhe e të drejtave të arabëve në SHBA, ka thënë se ka mbledhur qindra mesazhe të dhunshme kundër amerikanëve arabë dhe myslimnanë, shumicën e tyre nga Facebook-u dhe Twitter-i.

Regjisorit Eastwood dhe aktorit Cooper u është bërë thirrje që të flasin kundër mesazheve të tilla, në përpjekje për të reduktuar retorikën e urrejtjes.

Jack Horner, zëdhënës i studios filmike, Warner Bors, e cila ka publikuar filmin, i ka thënë agjencisë Reuters se kompania dënon çdo retorikë të dhunshme dhe anti-myslimane, ndërsa zëdhënësit e Eastwoodit dhe të Cooperit nuk u janë përgjigjur kërkesave të menjëhershme për komente.

“American Sniper” ka qenë hit i madh në Amerikën e Veriut, duke kaluar të gjitha parashikimet për shikueshmëri. Ai ka fituar 90 milionë dollarë në fundjavën e parë të shfaqjes – një shumë rekorde kjo për muajin janar. Filmi po ashtu ka gjashtë nominime për Çmimin Oscar.

Ai, megjithatë, ka shkaktuar polemika. Disa e kanë përshëndetur portretizimin e ushtarit Kyle si hero të luftës, por të tjerët e kanë kritikuar atë për lartësim të dhunës dhe për qëndrimin e Kyle ndaj viktimave.

Kyle ka shërbyer katër turne në Irak dhe ka vrarë mbi 160 njerëz, duke u bërë snajperisti më vdekjeprurës në historinë amerikane.

Filmi bazohet në librin e tij, i titulluar po ashtu “American Sniper”, në të cilin ai ka thënë se nuk ndjen keqardhje, ndërsa atyre që ka vrarë, u është referuar si “egërsira”.

Kyle është qëlluar dhe vrarë në shkurt të vitit 2013, në Teksas, nga Eddie Routh. Ky i fundit ka qenë veteran i luftës në Irak, të cilin Kyle ka bërë përpjekje të ndihmojë për t’u shëruar nga çrregullimet e stresit post-traumatik.

Premiera botërore e filmit “American Sniper” ka qenë më 11 nëntor të vitit 2014, në Festivalin e Institutit të Filmit Amerikan. (Marrë nga BBC/v.tela)

Çfarë do të diskutohet në Mynih

Që nga viti 1963 Konferenca e Sigurisë në Mynih është element kryesor në kalendarin e politikëbërësve dhe studiuesve globalë. Këtë vit organizatorët ofrojnë një shërbim të ri për publikun – një raport paraprak.Raporti i Mynihut për Sigurimin, prej 70 faqesh, u botua këtë vit për herë të parë, para takimit triditor të planifikuar për në fillim të shkurtit. Ky është menduar si një hyrje për Konferencën e Sigurisë në Mynihu. Titulluar “Rend në kolaps, mbikëqyrës ngurrues” dokumenti paraqet çështjet kryesore të agjendës së tanishme të politikës ndërkombëtare siç shihet kjo përmes lenteve të organizatorëve të konferencës dhe një mori think-tankesh globale që bashkëpunuan për këtë raport.
Ndarë në katër seksione, botimi hedh dritë ndaj aktorëve kyç, vatrave të mëdha të nxehta dhe sfidave të reja në skenën globale para se të sugjerojë për lexuesit raporte të vlefshme apo libra në qoftë se ata duan të thellohen më tej në çështje të caktuara.

Ftesë për dialog
Raporti i Mynihut për Sigurinë nuk ofron asnjë trajtim shterues apo zgjidhje të mundshme për temat më të ngutshme të marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare. Por ky nuk ishte synimi i publikimit thotë kryetari i konferencës Wolfgang Ischinger në hyrjen e tij.
“Raporti ka për qëllim, para së gjithash, të jetë – shpresojmë – një nxitës për diskutime kontroverse për konferencën tonë,” shkruan Ischinger. “Është një zhvillim i mirë,” thotë Thorsten Benner, drejtues i Institutit për Politika Globale Publike me qendër në Berlin. “Kjo tregon se Konferenca e Sigurisë në Mynih është e angazhuar me të vërtetë për përmbajtjen dhe për t’u ofruar politikëbërësve dhe analistëve pikëpamjet më të fundit mbi çështjet duke e bërë këtë me modestinë e nevojshme.”
Pyetje interesante
James Davis, profesor për politikën ndërkombëtare në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër thotë: “Raporti shtron një numër pyetjesh të rëndësishme dhe edhe pse nuk ofron ndonjë përgjigje të vërtetë për to që unë mendoj se duhet të kuptohet ashtu sikurse është reklamuar – një ftesë për dialog.”
Të dy Davis dhe Benner vënë në dukje pjesën mbi fuqitë në rritje, si një pikë të vlefshme fillestare për diskutime të mëtejshme dhe dhe më gjera në Mynih. Një tjetër pyetje e rëndësishme është “nëse mungesa aktuale e stabilitetit që shohim në sistemin ndërkombëtar lidhet me rendin në kolaps apo me dështimin e Shteteve të Bashkuara në rolin e tyre udhëheqës,” vuri në dukje Davis.
Shumë mirë është përpunuar edhe pjesa ku bëhet fjalë për zhvillimet që vërehen aktualisht në Ukrainë, thotë Benner. Kështu p.sh. lufta përmes informacionit, pra shpërndajes strategjike të informacioneve manipuluese, dhe lufta asimetrike, pra mes palëve në konflikt që janë të armatosura dhe të organizuara në mënyra të ndryshme. (dw)