Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Lufta kundër Sidës në vitin 2015

Kreu i një organizate të njohur në luftën kundër virusit HIV, dhe Sidës, thotë se 2015 do të jetë viti i mundësive dhe sfidave të mëdha.Epidemia është gati 35 vjeçare dhe më shumë se 30 milionë njerëz vlerësohet të jetojnë me HIV. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua njofton.Mitchell Warren thotë se një sfidë për Vitin e Ri do të jetë zbatimi në praktikë i arritjeve të fundit shkencore. Zoti Warren është drejtor ekzekutiv i organizatës AVAC, e cila sipas tij, “synon të shpejtojë shpërndarjen globale të mjeteve për parandalimin e virusit HIV si pjesë e një përgjigje bashkëkohore.”

“Ky është viti i rëndësishëm për përgjigjen ndaj Sidës. Epidemia filloi para 34 vjetësh. Ky vit do të jetë përcaktues për të provuar nëse jemi në rrugën e duhur për të ndalur epideminë, apo do të jemi duke u zvarritur vit pas viti me shpresë se po bëjmë gjërat e duhura, por pa e ditur me siguri”.

Ai thotë se në fillim të 2015, duhet të publikohen rezultatet e një pomade premtuese për parandalimin e virusin HIV, një mikrobicid të efektshëm.

“Në se e kujtoni, në vitin 2010, filluam provat me pomadën tenefovir në Afrikën e Jugut që oftonte mbrojtje të pjesshme ndaj virusit HIV”.

Tenofovir është një ilaç antiretroviral i përdorur gjerësisht për të ndalur virusin brenda trupit. Por ai ka treguar të jetë i efektshëm edhe në parandalimin e infeksioneve.

Që nga viti 2010, po kryhet një studim për të konfirmuar dhe zgjeruar gjetjet e këtij koncepti. Studimi quhet FACTS001 dhe po kryhet gjithashtu në Afrikën e Jugut. Studimi financohet nga qeveria amerikane, ajo afrikanojugore dhe fondacioni Gates.

Zoti Warren thotë se studimi mund të konfirmojë nëse ilaçi tenofovir i përdorur para dhe pas seksit, mund të parandalojë infeksionin nga virus HIV.

“Rezultatet priten në tremujorin e parë të këtij viti. Në se është një rezultat pozitiv dhe nëse konfirmohen zbulimet do të shohim më pas sesi mund ta çojmë përpara këtë product – jashtë provës klinike, në praktikë. Pra presim një tremujor shumë ngazëllyes vetëm nga rezultatet e këtij studimi”.

Në fund të vitit 2015 dhe fillim të vitit 2016, pritet të publikohen rezultatet e dy studimeve të tjera. Një prej tyre studion efektshmërinë e një unaze vaginale të mbushur me ilac antiretroviral.

Gjithashtu në Afrikën e Jugut, një vaksinë provë për Sidën do të testohet këtë vit. Ajo është pasuese e një vaksinimi-provë në vitin 2009 në Tajlandë që tregoi se mbrojtja ndaj virusit HIV ishte e mundur. Rezultatet e provës në Afrikën e Jugut dhe studimet që lidhen me të, megjithatë nuk do të publikohen për disa vite.

Ndërkohë pritet një përdorim më i madh i antiretroviralëve si një masë parandaluese. Por drejtori ekzekutiv i organizatës AVAC thotë se përdorimi parësor i antiretroviralëve do të mbetet si trajtim për të infektuarit.

“2014 përfundoi me thirrje nga programi për Sidën i Kombeve të Bashkuara, UNAIDS, për të caktuar një objektiv të ri rreth trajtimit. Objektivi i ri është 90/90/90, pra që 90 për qind e njerëzve që janë të infektuar ta dinë statusin e tyre, që 90 për qind e tyre të marrin trajtim dhe që 90 për qind e atyre që marrin trajtim të mos jenë transmetues të virusit HIV”.

Ai thotë se një objektiv ambicioz por i arritshëm do të jetë që të ketë 15 milion njerëz që trajtohen nga virusi deri në fund të vitit.

Megjithatë ai shton se ka probleme me furnizimet me ilaçet antiretrovirale në disa klinika në vendet në zhvillim.

“Gjithë ky ngazëllim rreth parandalimit, rreth trajtimit, varet nga burimet. Pasi ky sukses në përgjigjen ndaj Sidës nuk është i lirë dhe nuk vjen falas. Dhe lind pyetja a do të vazhdojmë ne si komunitet global të shtojmë investimet në gjërat që i dime se funksionojnë? Pasi gjithë debati për t’i dhënë fund epidemisë varet nga shkenca dhe burimet. Dhe burimet po shohim se po pakësohen.”

Zoti Warren nuk parashikon fundin e epidemisë për të paktën 10 vjet. Një nga pengesat është stigma dhe diskriminimi. Ai thotë se po qe se nuk zgjidhet ky problem, asnjë vaksinë apo ilaç nuk do të jetë i efektshëm në një periudhë afatgjatë. Ai shton se nuk ka përgjigje mjekësore që mund të zgjidhë perceptimin e njerëzve për të tjerët. (voa)

Çmimet “Globi i Artë” në Hollivud

Aktorë, regjisorë e kineastë u mblodhën mbrëmë në Hollivud për ceremoninë e çmimeve Globi i Artë, që nderon arritjet më të mira në realizime televizive dhe kinematografike. Ceremonia, që organizohet nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Hollivud, shihet gjerësisht si një parathënie e kandidatëve dhe fituesve të mundshëm të Çmimeve Oscar. Ceremonia e mbrëmshme shërbeu edhe si një plaftormë që Hollivudi të demonstronte solidarizimin me francezët dhe me fjalën e lirë.Dy realizime të reja, drama televizive “The Affair” e kanalit Showtime dhe produksioni “Transparent” i kompanisë Amazon tërhoqën vëmendjen mbrëmë, duke marrë çmimet më të lakmuara të ceremonisë – “The Affair” si drama më e mirë e vitit dhe “Transparent” si ko35 më e mirë.

“Transparent” ishte në një konkurrencë të fortë me serialet “Girls” dhe “Silicon Valley” të kanalit HBO, “Jane the Virgin” të CW dhe “Orange is the New Black” the kompanisë Netflix. Aktori kryesor i komedisë Jeffrey Tambor fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në rol komik të një realizimi televiziv.

Ndërsa Globin e Artë si aktori më i mirë në një serial dramatik e fitoi aktori Kevin Spacey, i cili luan një politikan intrigant në produksionin e kompanisë Netflix “House of Cards”:

“Kam konkurruar tetë herë në këtë kategori. Nuk më besohet që këtë radhë fitova”.

Në kategorinë e aktores më të mirë në një serial dramatik fitoi Ruth Wilson për interpretimin e saj në realizimin e kanalit Showtime “The Affair”. Seriali shtjellon problemet në jetën private të dy individëve të lidhur në një marrëdhënie jashtë martesore.

Aktorja e re Gina Rodriguez, thuajse e panjohur më parë, ka fituar famë të menjëhershme me serialin komik “Jane the Virgin”. Ajo fitoi mbrëmë Globin e Artë në kategorinë e aktores më të mirë në një komedi televizive:

“Ky çmim është shumë më tepër se një fitore për mua. Ai përfaqëson një kulturë të tërë që kërkon të vlerësohet”.

Ceremonia e Globit të Artë shoqërohej me një energji të pazakontë nga incidentet e dhunshme në Paris. Yjet e Hollivudit e shfrytëzuan grumbullimin e djeshëm për të shfaqur mbështetjen e tyre për fjalën e lirë, duke mbajtur tabela me parullën “Je Suis Charlie”, apo me komentet e aktorëve si George Clooney që u solidarizuan me francezët në këtë moment kritik:

“Ishte një ditë e jashtëzakonshme. Miliona vetë marshuan, jo vetëm në Paris, por në mbarë botën. Kishte të krishterë, hebrenj, myslimanë, udhëheqës të mbarë botës. Ata nuk dolën në marshim proteste, por në mbështetje të idesë se nuk do të ecin me frikë. Nuk do ta pranojmë frikën. Je suis Charlie”.

Aktori aludoi për mundësinë e një realizimi televiziv në solidarizim me francezët, të ngjashëm me spektakle që ka organizuar në të kaluarën për të mbështetur viktimat e tërmetit në Haiti dhe të cunamit në Azi. (voa)

Ndërthurja e teknologjisë me rrobat

Rrobat inteligjente, ishin një prej artikujve të ekspsozuar në Panairin Ndërkombëtar të Elektronikës në Las Vegas. Madje, edhe këngëtari i njohur Will.i.am mendon se veshjet që përmbajnë teknologji të lartë do të bëhen pjesë e jetës tonë.Nuk po paraqitet si “orë inteligjente” por si një artikull mode i ndërthurur me teknologjinë më të fundit. Në panairin ndërkombëtar në Las Vegas, artisiti Will.i.am ka sjellë “Puls”-in e tij. Artisiti dhe sipërmarrësi i njohur thotë se paisja e tij e re ka të gjitha aftësitë e një telefoni inteligjent, por që mbahet si një orë e zakonshme, në kyçin e dorës:

“Plus është një paisje e vetme që ka GPS, 3G, WiFi, Bluetooth dhe vjen me kartën SIM. Është një artikull mode me teknologji të lartë.”

Ndryshe nga disa paisje të tjera që mbahen np trup së bashku me veshjet, Plus-i i këngëtarit të njohur, nuk ka nevojë të lidhet me një telefon që të funksionojë. Përdoruesit mund të bëjnë telefonata, dërgojnë mesazhe, dëgjojnë muzikë dhe të tjera:

“Puls ka një kapacitet prej 16 gigabyte, mund të dëgjosh muzikë përmes Bluetooth-it; ka një autoparlant; mund të përdoret si telefon, mund ta përdorësh për rrjetet sociale Twitter, Instagram apo Facebook.”

Paisja ka sistemin e vet operues, AnnedA, i ndërtuar mbi themelet e Andoidit. Artisit Will.i.am po mundohet të reklamojë se sa e modës është kjo paisje që vishet:

“Ajo ështyë si kapset e këmishave apo byzylikët e prodhuara nga kompani si Chanel apo Guci. Po ndërthurim botën e modës me teknologjinë.”

Teknologjia që vishet, është një pjesë e rendësishme në panairin e sivjetshëm. Ajo është një prej prirjeve më të mëdha në këtë panair dhe po e bën modën edhe më të zgjuar. Analisti Steve Brumer shpjegon prirjen:

“Ndërthurja e teknologjisë me sendet që veshim ul koston ndaj do të ketë prodhime më të shumta.”

Sipas një studimi nga firma IDC, mbi 19 milionë paisje që vishen ose tre herë më shumë se në vitin 2013 janë hedhur në treg gjatë vitit të kaluar. April Schweiss përfaqësuese e firmës Zappos.com, që tregton në internet këpucë dhe rroba thotë:

“Ka gjëra mjaft interesante, kryesisht fustanet e darkës.”

Në panair ka edhe kamera që mund të vishen. Një kompani me qendër në Seattle ka parë një mundësi të madhe për të krijuar kamera trupore për policinë. VieVu2 është një videokamera tejet e vogël që mund të vishet. Filmon në HD për 90 minuta në një memorje prej 16 gigësh dhe është e papërshkrueshme nga uji me një mikrofon dinamik për kapje zëri në distancë të largët. Steve Lovell është president i VieVu:

“Vitin e kaluar kemi ruajtur dhe rregjistruar rreth 10 milionë orë filmime nga kamerat që veshin policët. Kamerat janë katrore dhe portative që lejon jo vetëm policët, por këdo që t’i veshë ato dhe t’i përdorë, për synime të ndryshme, që nga sporti e deri tek aktivitetet e sigurisë.”

Një tjetër gjë që të bie në sy në panair janë edhe çorapet Sensoria. Çdo çorape ka tre sensorë në pjesën e poshtme që masin presionin që ushtron këmba. Fibrat dërgojnë informatat tek një paisje që vihet tek kyçi i këmbës. Nga këtu, të dhënat përcillen tek një aplikacion në telefonat celularë që u mundëson përdoruesve të hartojnë synimet e tyre sportive dhe ndjekin përparimet si për rrahjet e zemrës apo trajnime të ndryshme. Davide Vigano është shef i kompanisë Sensoria:

“Në çorape janë vënë sensorë që llogarisin presionin dhe i tregojnë vrapuesit shpejtësinë dhe distancën por edhe se sa mirë po ushtrohet.”

Paisjet në grup nga Sensoria, ku përfshhen çorapet, aparati që vihet në këmbë, aplikacioni dhe karikuesi tashmë janë në listen e paisjeve që mund të porositen në internet gjatë këtij dimri. Në panairin e Las Vegasit morën pjesë mbi 3 mijë e 500 ekspozues përfshi gjigandët teknologjikë si Sony, Samsung dhe LG. (voa)

Koment: solidaritet dhe ndarje

Pegida rritet, por edhe rezistenca kundër saj. Ditët pas atentateve në Paris e bëjnë të qartë: Gjermania është e ndarë. Një konstatim alarmues, mendon Volker WagenerNumërimi i madh ka nisur. 30.000 në Lajpzig, 20.000 në Mynih, 19.000 në Hanover, 9.000 në Saarbrücken – rreth 100.000 në të gjithë Gjermaninë kanë shprehur solidaritetin me “Charlie Hebdo”-në. Por edhe numri i të vetëshpallurve shpëtimtarë të Oksidentit po shtohet. 25.000 vetë shkuan në “ndeshjen në tokën e vet” të Lëvizjes Pegida në Drezden, rekord. Nuk mund ta mohosh: pjesë të shoqërisë gjermane qendrojnë përballë njëra-tjetrës si qendrojnë përndryshe fansat e klubeve rivalizuese të futbollit. Fara e islamistëve vrastarë po çel. Kërpudha e ndarjes po rritet në barkun e shoqërisë gjermane.
Pegida rritet, “Je sui Charlie” gjithashtu
E rrezikshmja në lëvizjen e re të qytetarëve kundër fesë islame është shtrirja e tyre sociale. Nuk janë më ata me mendime përjetësisht të vjetra, që na acarojnë nervat me paranojën e tyre të dominimit të të huajve. Ata që thonë sot se duan të shpëtojnë Gjermaninë, nuk janë ata të njohurit, që nuk përmirësohen: neonazistët, huliganët, agjitatorët me kostume me vija. Për momentin janë para së gjithash qytetarë të urtë ata që marrin pjesë në demonstratat rituale të të hënave. Janë pensionistë, të cilët shohin të rrezikuar pensionin e tyre për shkak të shpenzimeve për refugjatët nga Siria. Nëna, që shqetësohen për fëmijët e tyre, të cilët gjoja mbështeten pas muri në shkolla nga numri i madh i Ahmetëve dhe Aisheve. Madje edhe shtresa e mesme akademike druhet për degradim social: gjithçka për shkak të myslimanëve tanë. Një rast për terapi.

Po të ishin vetëm këta pretendues për patriotë, Gjermania do t’i kishte keq punët. Në fakt që prej javësh – dhe aq më tepër pas atentateve të Parisit- gjithnjë e më shumë njerëz dalin në rrugë për tolerancë dhe kundër ksenofobisë se sa mund të mendosh duke parë numrin në rritje të njerëzve të Pegidas në Drezden. Por me gjithë respektin për protestën civile: Pohimi “Je sui Charlie” është i dyshimtë. Sepse solidariteti me Charlie-në nuk kushton asgjë, ai është refleks i të ndjerit i prekur i pjesëve të gjera të shtresës sonë të mesme të arsimuar.
Shumë hipokrizi te alternativat tona
Por që solidariteti i momentit të kthehet në një solidaritet të përhershëm, për këtë duhet vazhdimësi. Më shumë besueshmëri te “njerëzit tanë të prekur”. Kërkimi i së drejtës për veten, në të cilin pjesë të skenës alternative depërtojnë deri thellë në shtresën e mesme, është vetëm hipokrizi. Për aq kohë sa atraktiviteti i multikulturalizmit tonë ushqehet vetëm nga përvojat e pushimeve në Toskana dhe nga ofertat me gjellë ekzotike në restorante në lagjet e mirëqenies, solidariteti me migrantët tanë myslimanë katandiset në një ritual të njeriut të mirë.
Jo pak nga ata që e shpallin veten sot si mbështetës të Charlie, pa dëgjuar më parë kurrë për këtë gazetë satirike, i dërgojnë fëmijët e tyre me kilometra larg në shkolla të tjera, për t’i shpëtuar numrit të madh të të huajve në klasat e fëmijëve të tyre. Ose ngulin këmbë në komuna që të mos ngrihen shtëpi për refugjatët pranë shtëpive prona të tyre. Kjo është tolerancë që nuk kushton asgjë, është vetëm një qendrim liberal. Më shumë dukje, se sa realitet.
Merkeli e tha edhe njëherë: feja islame është pjesë e Gjermanisë!
Realitetin e kujtoi kancelarja Merkel. Christian Wulff, Presidenti gati i harruar i Gjermanisë ka mbetur në kujtesë pozitivisht vetëm me një akt: me fjalinë e tij: “Feja islame është pjesë e Gjermanisë!” ai shqiptoi një të vërtetë të spostuar deri atëherë. Me këtë me mjaft vonesë ai e bëri të qartë se Gjermania është vend migrantësh. Këtë Angela Merkeli e përsëriti tani shprehimisht. Ka ardhur tashmë koha që fqinjët tanë myslimanë, kolegët e punës, shokët e sportit t’i vështrojmë si normale në jetën tonë. Gjithçka tjetër do të ishte mohim i fakteve. (dw)

Brazil, lojtarët prodhojnë energji në fushë

Disa fëmijë në Brazil luajnë sot në atë që mendohet të jetë fusha e parë e futbollit në botë që prodhon energji elektrike.Fusha e merr energjinë nga lojtarët që vrapojnë mbi të dhe e kthen atë në elektricitet. Do t’ju njohim tani me një lagje të varfër të Rios, ku është realizuar ky projekt.

Favela Morro da Mineira në Rio de Janeiro, është themeluar në vitin 1920 nga emigrantët.

Dy pasionet braziliane, futbolli dhe karnavalet, janë këtu mjaft të respektuara.

Fusha e futbollit ka qenë në qendër të komunitetit që nga fillimet e tij.

Kjo është hapësira ku fëmijët shpenzojnë energjinë e tyre pas shkollës dhe në fundjavë. Në vitin 2011 tregtarët e drogës në këtë favelë u çarmatosën nga policia dhe në komunitet u vendos paqja.

Kjo fushë u zgjodh mes shumë të tjerave në Rio për një eksperiment nga kompania holandeze Shell.

Në qershor 2014 nga kjo hapësirë u hoq zifti dhe fusha u bë e re. Në zonën e penalltisë në të dy skajet e fushës u instaluan 200 pllaka për kapjen e energjisë të krijuara nga kompania britanike, Pavegen.

Pllakat janë të lidhur me instalime elektrike dhe të pajisura me një sistem kullimi. U instaluan gjithashtu panele diellore për të gjeneruar energji shtesë në ditë me diell.

Më pas e tërë fusha u mbulua me një shtresë bari artificial dhe u mbush nga poshtë me grimca gome për më shumë stabilitet.

Një modul kontrolli rregullon energjinë e cila kalon pastaj në një sistem ndriçimi ose ruhet në bateri për përdorim të mëvonshëm.

Fusha e re u përurua më 10 shtator 2014 me praninë e yllit të futbollit brazilian Pele dhe, që nga ajo kohë, është bërë e njohur për ndeshjet mes lagjeve që luhen aty.

Menaxher i Projektit, Doug Gray, banor i Rios është vizitor i shpeshtë dhe e monitoron rregullisht sistemin.

“Këtu janë 5 rreshta me nga 20 panele dhe po ashtu në anën tjetër. Normalisht ato nuk dallohen dot. Por mund ta kuptoni kur shkelni me këmbë mbi to,” shpjegon zoti Gray.

Pllaka për gjenerimin e energjisë janë instaluar në një numër vendesh publike, por sipas firmave Pavegen dhe Shell kjo është përpjekja e parë për shfrytëzimin e energjisë së lojtarëve në një fushë futbolli.

“Ajo që ne duam është që të frymëzojmë projekte për objekte të tjera, si metrotë apo rrugët. Ndoshta një ditë do të kemi energji të prodhuar nga ne vetë në një shkallë më të madhe,” thotë Simone Guimaraes, zëdhënëse e firmës Shell në Brazil.

Është ora 7:00 e mbrëmjes në Rio dhe kudo po ndizen dritat. Lojtarët amatorë punojnë gjatë ditës dhe mund të luajnë vetëm natën.

Sistemi Led i këtushëm siguron dritë të mjaftueshme për një ndeshje gjatë natës.

Luiz Henrique Rodrigues, organizator i kampionatit

“Njerëzit e komunitetit nuk kanë probleme me ndriçimin. Më parë e kishim të vështirë të luanim natën sepse shpesh na fikeshin dritat. Për ne është një përmirësim”, thotë Luiz Henrique Rodrigues, një nga organizatorët e kampionatit.

“Futbolli ndihmon për t’i mbajtur fëmijët larg nga jeta e krimit,” thotë Paulo Luz, një ish-tregtar droge.

Gjatë gjithë ditës, të shtunave dhe të dielave lojtarët prodhojnë energji kinetike me këmbët e tyre, e cila kthehet në elektricitet që furnizon bateritë për t’u përdorur gjatë javës. (voa)

Mjetet fluturuese pa pilot në bujqësi

Mjetet fluturuese pa pilot, të njohur zakonisht si drones, që dikur përdoreshin vetëm nga ushtria apo nga amatorët, sot po bëhen mjete me vlerë për profesionistët e ndryshëm – nga ekipet e shpëtimit e deri te fermerët.Një kompani në Francë përdor avionë të telekomanduar për të ndihmuar fermerët të analizojnë prodhimet e tyre.

Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë kompjuterike, i pajisjeve me sensorë për imazhet, i navigacionit satelitor, madje edhe i telefonave inteligjentë gjatë dekadës së kaluar ka krijuar mundësi për zhvillimin e mjeteve ajrore më të vogla e më të lira pa pilot që tani po hyjnë në shumë segmente të jetës së përditshme.

Industria e filmit i përdor vazhdimisht mjete të tilla për të marrë imazhe mahnitëse nga ajri.

Historianët i përdorin ato kur eksplorojnë rrënojat e lashta.

Ekipet e shpëtimit i përdorin për të kërkuar të mbijetuarit.

Edhe fermerët përdorin avionë të telekomanduar për të monitoruar to korrat.

Sipërmarrësi francez Romain FAROUX, bir i një fermeri, e kuptoi dobinë e këtyre mjeteve për industrinë bujqësore. Kompania Airinov e themeluar prej tij, ka krijuar një krah fluturues të telekomanduar të quajtur Agridrone, që përdor një sensor optik të veçantë për të analizuar të korrat.

“Teknologjia e përdorur është e ngjashme me atë të përdorur nga celularët inteligjentë, por tani ajo ka krahë. Industrializimi i pjesëve elektronike për celularët dhe tabletat na lejoi të kemi monitprues të tillë me një çmim shumë të ulët.”

Një program kompjuterik krijon modelin e fluturimit për të mbuluar tërë fushën e të mbjellave, ndërsa sensorët regjistrojnë dritën e diellit që pasqyrohet nga të mbjellat – e kuqe, e gjelbër apo infra e kuqe.

Fermeri Jean-Baptiste Bruggeman thotë se duke e përdorur mjetin fluturues në kohë të ndryshme të stinës dhe duke analizuar të dhënat, merret një gamë e tërë informacioni rreth bimëve.

“Së pari, unë shikoj këtu mundësinë për të gjetur sasinë e saktë të plehut që nevojitet për bimët. Së dyti, duke përdorur sasinë e saktë të plehut, eliminohet azoti i tepërt, pra është në dobi të natyrës.”

Zoti Faroux thotë se kompania Agridrone ka gjetur se sasia e plehut varion mes zonave, dhe kjo sjell kursime të konsiderueshme të kostos dhe një pakësim të ndotjes. Më parë, një fermer do të kishte përdorur të njëjtën sasi plehu kudo.

Mjetet fluturuese pa pilot kursejnë edhe kohë, sepse duhet vetëm një minutë për të skanuar një sipërfaqe të mbjellash deri në 3 hektarë. (voa)

Koment: Ne të gjithë jemi republika!

Nuk ishte thjeshtë marshim i përmortshëm, por demonstrim solidariteti. Por pavarësisht gëzimit prej të qenit të bashkuar, e ardhmja ajo që do ta tregojë, nëse ky solidaritetit është i qendrueshëm, mendon Barbara Wesel.Në këtë ditë francezëve thuajse ua ke zilinë, sepse kjo ishte një demonstratë e fuqishme. Pas zhvillimeve të përgjakshme të javës së shkuar ata treguan një lidhje impresionuese me historinë, me vlerat, me kombin dhe me idealet e tyre. Ky marshim i më shumë se 1,5 milionë njerëzve në Paris – dhe i rreth 2 milionë demonstruesve në pjesë të tjera të vendit – ishte një pohim i fortë për demokracinë, kundër dhunës dhe kundër frikës. Njerëzit nuk pranojnë të frikësohen prej terrorit dhe ato duan në radhë të parë që atyre të mos ua mohojnë atë çka është e rëndësishme për ta: lirinë e mendimit. Ajo bën pjesë në traditën e lashtë franceze, në shpirtin e veçantë të vendit. Edhe mendimet ekstreme duhet të shprehen dhe në përballjen e pikëpamjeve dëshmohet demokracia, ky është parimi.
Solidaritet i madh – e madje ndonjëherë edhe i çuditshëm
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga mbi 40 vende kishin ardhur në Paris, për të shprehur solidaritetin me Francën dhe ata u përshëndetën me një duartrokitje të veçantë. Në këtë kontekst prezantimi i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu krah për krah me presidentin plestinez Mahmud Abbas nuk ishte pa ironi. Të dy për herë të parë u shfaqën në një demonstratë, por Netanjahu shfrytëzoi çastin e veçantë jo për një gjest paqeje. Përkundrazi në vend të kësaj ai u bëri thirrje herbjeve në Francë që pas ngjarjeve në Paris më mirë të largohen nga Franca dhe të emigrojnë në Izrael. E ç’mund të ketë menduar ministri i Jashtëm rus Lavrov për lirinë dhe demokracinë, teksa marshonte në një resht me presidentin e Ukrainës, Petro Poroschenko? Kjo mund të duket absurde ose e çuditshme, në varësi të kondicionit shpirtëror.
“Bota ngre krye”, titullonin gazetat franceze të së dielës, jo pa një farë krenarie, që në këtë ditë e shihnin veten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Sepse aktualisht francezët kërkojnë mbështetje dhe konfirmim nga jashtë. Ata e shohin veten në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e vlerave themelore demokratike dhe janë të shqetësuar, sepse e dinë, që ky kërcënim vazhdon të ekzistojë prej terroristëve të prodhuar në vend. Ngjashëm si në Britaninë e Madhe fqinjë Franca ka krijuar truallin e islamit të radikalizuar në getot e periferive, që duket se po dalin jashtë kontrollit.
Republika si identitet i përbashkët
Ka pasur shumë shenja impresionuese të humanitetit dhe frymës qytetare gjatë këtyre ditëve – demonstruesit mbanin parrullat me mbishkrimin “Unë jam Charlie Hebdo, unë jam polic, unë jam hebre”, për të sjellë në kujtesë të përbashkëtat me viktimat. E anë e mbanë ishin të pranishme pohimet për republikën franceze si identitet i përbashkët.
Por pas këtyre çasteve të lartësimit pason lodhja me këtë nivel. Grindja politike deri këtë të dielë ishte lënë më një anë – por ajo do të kthehet, kampet do t’i sulen njëri-tjetrit me akuza për fajin dhe do të përpiqen të fitojnë kapital politik prej këtyre ngjarjeve. Por para së gjithash ajo që duhet të nisë në këtë kontekst është një debat i sinqertë për kushtet e jetesës së imigrantëve nga vendet e Afrikës së veriut. Franca përballet sot me neglizhimet e disa dekadave: periferitë e rrënuara të qyteteve, të cilat nuk e konsiderojnë veten si pjesë të kësaj republike dhe burgje me kushte të tilla jo njerëzore, të cilat prej kohësh janë kthyer në fole të radikalizimit.
Franca ka nevojë për një program gjigant reformash për ta përmiësuar në mënyrë të qendrueshme jetën e disa miliona francezëve me prejardhje emigracioni. Megjithatë një e djathtë politike e forcuar do të përpiqet që kjo të mos ndodhë. Pas fjalëve të mëdha emocionuese të ditëve të fundit edhe më shumë shtrohet çështja e një shansi të humbur. (dw)

Qindra-mijëra vetë marshojnë në shenjë solidariteti në Paris

Dhjetra udhëheqës botërorë sot u mblodhën në Paris për t’u bashkuar me qindra mijëra qytetarë francezë që mbajtën një marshim për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste. Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri britanik David Cameron, Kryeministri italian Matteo Renzi, dhe ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ishin në mesin e 44 udhëheqësve botërorë që morën pjesë në marshimin e sotëm së bashku me presidentin francez Francois Hollande. Para fillimit të marshimit Presidenti Hollande priti në pallatin Elize udhëheqësit botërorë, duke përfshirë Presidentin palestinez Mahmud Abbas dhe Kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu.

Udhëheqës të shumtë botërorë sot në Paris u bashkuan me Presidentin francez Francois Hollande në marshimin “uniteti” për të shprehur solideritetin me viktimat e sulmeve terroriste në të cilat u vranë 17 njerëz. Marshimi në heshtje që filloi sot rreth orës tre reflekton tronditjen mbi sulmin më të rëndë të militantëve islamik në një qytet evropian në nëntë vjet. Për Francën, sulmi ngriti çështjen e fjalës së lirë, besimit dhe sigurisë, dhe jashtë Francës ai zbuloi vështirësinë e shteteve për t’u mbrojtur nga sulmet urbane.

Rreth 2.200 policë dhe ushtarë patrullonin rrugët e Parisit për të mbrojtur marshuesit nga sulmues të mundshëm, përfshirë vendosjen e snajperëve në çatitë e ndërtesave dhe dislokimin në turmë të axhentëve në rroba civile. Infrastruktura e rëndësishme e qytetit u kontrollua me kujdes nga forcat e sigurisë para fillimit të marshit dhe sistemi i trenave nëntokësorë përreth rrugës ku u zhvillua marshimi u mbyll përkohësisht.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha sot në Indi se asnjë akt terrori nuk do ta frenojë “marshimin e lirisë”.

“Ne mund të vijmë nga drejtime të ndryshme në jetë, por sot qëndrojmë të bashkuar me popullin e Francës ndërsa ata marshojnë për të nderuar viktimat e sulmit vrasës së javës së kaluar në redaksinë e Charlie Hebdo në Paris. Dhe ne qëndrojmë së bashku jo vetëmë në zemërimin dhe indinjatën tonë, por në solidaritet dhe të përkushtuar ndaj çështjes së luftës kundër terrorizmit”.

Shtatëmbëdhjetë persona, duke përfshirë gazetarë dhe policë, u vranë
në tri ditët e dhunës në Paris që filloi të mërkurën me një sulm ndaj gazetës satirike Charlie Hebdo dhe përfundoi me një pengmarrje në një dyqan ushqimesh ku u vranë katër pengje.

Shfaqet një video e njërit prej autorëve të sulmeve

Një video ku shfaqet një nga autorët e sulmeve, e publikuar sot në 35t sociale përshkruan vrasjet si një hakmarrje për fushatën ajrore anti-islamike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ku po merr pjesë edhe Franca.
Në video shfaqet një person që besohet të jetë Amedy Coulibaly, për të cilin policia franceze thotë se është i lidhur me vrasjen e një polici dhe pengmarrjen vdekjeprurëse në një dyqan ushqimesh menjëherë pas sulmit ndaj gazetës Charlie Hebdo.

“Ajo që ne po bëjmë tani është legjitime, duke patur parasysh atë që ata po bëjnë. Kjo është ajo që ata e kanë merituar për një kohë të gjatë”.

“Ju po sulmoni kalifatin, Shtetin Islamik, ne po ju sulmojmë. Nuk mund të sulmosh dikë dhe të mos presësh një përgjigje”.

Gjermani: Policia arreston dy vetë pasi sulmohet një gazetë

Ndërkohë policia në Gjermani tha se sot ka arrestuar dy burra të dyshuar për një sulm me zjarr kundër një gazete që ka ribotuar karikaturat e Profetit Muhamed që në të kaluarën i ka botuar gazeta satirike Charlie Hebdo.

Zyrtarët e policisë nuk dhanë hollësi në lidhje me burrat e arrestuar, por thanë se askush nuk u lëndua në sulmin ndaj gazetës Hamburger Morgenpost. (voa)

Filmi “Selma”

Në mars të vitit 1965, rreth 600 persona të udhëhequr nga udhëheqësi amerikan i të drejtave civile Martin Luther King Jr., u nisën nga Selma drejt Montgomery, në Alabama, në një marshim paqësor për të drejta të barabarta dhe për lirinë e votës. Policia sulmoi protestuesit në të dalë të qytetit. Dhuna e ushtruar i nxiti ata më shumë. Disa javë më vonë, presidenti Lyndon Johnson i paraqiti Kongresit në një transmetim televiziv Ligjin për të Drejtën e Votës, që garantonte këtë të drejtë pavarësisht nga raca apo etnia. Një marshim tjetër më datë 25 mars, me 25 mijë persona, përshkoi me sukses një distancë prej 80 kilometrash nga qyteti Selma drejt shkallëve të Capitol, në Montgomery. Producentja e filmave Ava DuVernay i interpreton këto ngjarje në filmin dramatik “Selma”.

Drama dokumentar “Selma” fillon në zyrën e regjistrimit në Selma të Alabamës, ku aktivistja e të drejtave civile Annie Lee Cooper përpiqet më kot të regjistrohet për të votuar. Në vazhdim, filmi përshkon për audiencën rrjedhën e ngjarjeve të vrullshme që çuan në marshimet e qytetit Selma, në mars 1965.

Filmi “Selma” i regjisores Ava DuVernay interpreton gjithashtu marrëdhënien e komplikuar ndërmjet presidentit Lyndon Johnson dhe udhëheqësit të lëvizjes së të drejtave civile, Dr. Martin Luther King Jr.

Paraqitja nga DuVernay e një Presidenti Johnson që ngurron, ka marrë kritika nga simpatizantët e tij.

Por regjisorja Lyndon Johnson është vetëm një pjesë e kësaj historie. Ajo thotë se është një përkujtim i njerëzve që arritën diçka të mrekullueshme, dhe se kjo ishte një sfidë e vërtetë për aktorët.

David Oyelowo interpreton në rolin e Dr. Martin Luther King Jr.

“Është e pamundur të luash një ikonë dhe figurë të historisë. Por, mund të luash rolin e një burri, dhe këtë unë di ta bëj. Jam vetë baba i katër fëmijëve dhe jam i krishterë. Këto janë gjërat e përbashkëta me Dr. King bazuar mbi të cilat unë shpresova që fryma që përshkruante atë do të më mbushte dhe mua gjatë xhirimit të filmit. E ndjeva vazhdimisht këtë gjë gjatë xhirimit.”

Si David Oyelowo, ashtu edhe regjisorja Ava DuVernay, kanë marrë vlerësime nga kritika dhe kanë gjasa të nderohen me çmimin Oskar. Nëse kjo ndodh, Ava DuVernay do të jetë regjisorja e parë afrikano-amerikane që do të nderohet me këtë çmim.

“Është e mrekullueshme të gjendesh në po ato vende ku patën qëndruar njerëz realë; aty ku derdhën lotë dhe gjak, aty ku njerëzit marshuan, qeshën së bashku, dhe u kapën dorë më dorë.”

Një nga personat realë ishte John Lewis, në atë kohë student, i luajtur nga Stephan James. Sot, kongresmeni Lewis kujton atë kohë dhe e lidh me të tashmen.

“Mendoj se sot të rinjtë, dhe jo vetëm, mund të mësojnë nga ky film; të mësojnë mos të dorëzohen, mos të hidhërohen, mos të urrejnë, por të vazhdojnë përpjekjet, pasi lufta për të çliruar shpirtin amerikan nuk ndalon.”

Regjisorja e filmit “Selma” nuk kishte nga ta dinte gjatë xhirimit të filmit, për ngjarjet që do të ndodhnin në Ferguson, të Mizurit, në gusht të vitit që kaloi, por është e pamundur të shikosh filmin “Selma” dhe të mos lidhësh ngjarjet e 50 viteve më parë me rëndësinë e tyre në ditët e sotme. (voa)

Paris, vriten tre pengmarrësit

Autoritetet franceze thanë se dy të dyshuarit për sulmin e kësaj jave në gazetën Charlie Hebdo janë vrarë dhe pengjet e tyre janë liruar gjatë një sulmi policor në veri të Parisit. Në një mësymje tjetër në kryeqytet policia vrau një person të armatosur që mbante disa pengje në një supermarket, por policia tha se tre pengje u vranë gjatë operacionit.Shpërthime dhe të shtëna u dëgjuan në Paris dhe qytezën Dammartin-en-Goele në veri ndërsa policia ndërhyri sot pasdite gati në të njëjtën kohë. Vëllezërit Cherif and Said Kouachi, të dyshuarit kryesorë për sulmin e përgjakshëm në gazetën satirike në Paris, dolën nga depoja ku fshiheshin dhe filluan të qëllonin ndërsa policia lëvizi për të ndërhyrë. Ata u qëlluan për vdekje nga zjarri i forcave të mëdha të policisë në vendngjarje.

Në Paris, forcat e sigurisë ndërhynë në një supermarket pranë Porte de Vincennes, në një lagje të njohur hebraike të Parisit. Ata vranë personin e armatosur i cili kishte hyrë në supermarket disa orë më parë dhe ndihmuan klientët dhe personelin e mbajtur peng. Autoritetet thane se kishte të paktën pesë pengje dhe se tre pre tyre ishin vrarë por nuk është e qartë se kush i vrau ata dhe kur.

Duke folur në një fjalim drejtuar vendit sot në mbrëmje, presidenti francez Francois Hollande falenderoi personelin e sigurisë i cili ndihmoi në dhënien fund të krizës dhe neutralizimin e terroristëve. Ai u bëri thirrje popullit francez të tregojnë vigjilencë dhe bashkim, që ai i cilësoi si armën më të mire të vendit për të luftuar kundër terrorizmit, racizmit dhe anti-semitizmit.

Duke folur nga shteti i Tenesisë këtu në Shtetet e Bashkuara, presidenti amerikan Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Francën dhe përshëndesin forcat franceze të rendit që i dhanë fund krizës. Ai tha se forcat amerikane të rendit do të japin çfarëdo mbështetjeje që Franca ka nevojë. Zoti Obama tha se sulmi tregon se terroristët nuk kanë asgjë për t’i ofruar botës ndërsa Parisi përfaqëson lirinë, shpresën dhe dinjitetin njerëzor.

Duke folur me gazetarët të premten në mbrëmje, ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve falenderoi policinë për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund krizës dhe premtoi se Franca do të mbetet e mobilizuar për të siguruar të gjithë qytetarët e saj. Ai nuk dha hollësi specifike rreth sulmit të policisë.

[Një zyrtar i policisë tha se personi i armatosur në sulmin e supermarketit, 32 vjeçari Amedy Coulabaly, besohet të ketë qënë i njëjti person i cili qëlloi për vdekje një police dje në jug të Parisit.

Autoritetet po kërkojnë gjithashtu një grua që besojnë të jetë bashkëpunëtore e Coulabaly-t, Hayet Boumeddiene. Njoftimet e para nga vendngjarja thanë se ajo mund të ketë shpëtuar nga konfuzioni ndërkohë që klientë të tjerë u larguan nga dyqani. (voa)