Kategoritë: Intervista

Masakra e Tivarit, rrëfimet e historianëve: Titoja i kërkonte vazhdimisht Enver Hoxhës të dërgonte formacione të ushtrisë shqiptare në Kosovë dhe…

Masakra e Tivarit1941-Pushtimi i Mbretërisë serbo- kroato sllovene

Në prill të vitit 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u pushtua nga Gjermania naziste dhe fuqitë e tjera të Boshtit. Takimi në Vjenë, më 21 prill të këtij viti i ministrave të jashtëm italian dhe atij gjerman, çoi në vendimin që shumica e pjesëve të banuara me shqiptarë të Kosovës duhet të viheshin nën kontrollin italian dhe të gjitha ato territore të bashkoheshin me Shqipërinë. Pas kësaj, Komandanti i divizionit gjerman, gjenerali Eberhardt, u takua në Mitrovicë me liderët shqiptarë, mes të cilëve edhe Xhafer Devën duke zyrtarizuar kështu pushtetin në duart e shqiptarëve.

Edhe pse shumica e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës ishin kundër pushtimit të forcave të Boshtit, populli i Kosovës ishte i kënaqur. Për shumicën e shqiptarëve atje, pushtimi italian dhe gjerman ishte, në fund të fundit, shumë më i mirë se sundimi serb. Italianët, lejuan dhe promovuan arsimin në gjuhën shqipe, i cili ishte ndaluar rreptësisht nën administratën e vjetër jugosllave. Ata hapën rreth 170 shkolla fillore në gjuhën shqipe në Kosovë dhe Maqedoni.

 

Shtator 1943 -Kapitullimi i Italisë Fashiste dhe pushtimi nga Gjermania

Për forcat e djathta shqiptare, gjermanët kishin mbërritur në territoret shqiptare vetëm përkohësisht. Ata mendonin se nuk kishin pse t’i bënin rezistencë një fuqie botërore si Gjermania dhe në të njëjtën kohë të mbroheshin edhe kundër serbëve. Qëllimi i tyre ishte të mbronin dhe të administronin Shqipërinë e madhe. Kjo ishte një ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe që atyre u kish ndodhur për herë të parë në histori.

 

Pranverë – vjeshtë 1944

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore raportet do të ndryshonin. Gjermanët dhe aleatët e Boshtit fashist po e humbnin luftën. Me disfatë ushtarakisht por dhe politikisht ata po tërhiqeshin nga tokat e pushtuara të mundur. Kjo do të sillte një reaksion të brendshëm brenda territoreve ku ata qeverisnin me regjencën dhe nacionalistët shqiptarë në të ashtuquajturën Shqipërinë e madhe. Çfarë pritej të ndodhte me projektin e tyre tani që gjermanët humbën? Çfarë planesh kishin forcat komuniste serbe me në krye Titon? Cila do të ishte lëvizja e radhës për të dyja palët?

Për të kapërcyer rezistencën e pritur të nacionalistëve në Kosovë, në mars 1944 dhe më pas në 26 gusht të këtij viti, Tito i bëri thirrje Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët shqiptarë që të hynin në Kosovë për të luftuar armikun dhe reaksionin shqiptar në trojet e Kosovës.

 

Uran Butka, studiues: Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë, i kërkonte vazhdimisht Enver Hoxhës që të dërgonte formacione të ushtrisë shqiptare në Kosovë dhe Jugosllavi, për të luftuar kundër armikut, gjermanëve dhe reaksionit kosovar.

 

Qerim Lita, historian: Kjo çështje për jugosllavët nuk ishte shumë e lehtë për arsye se në këtë periudhë shqiptarët e Kosovës dhe të trevave lindore, ishin fuqishëm që qëndronin pas organizatave kombëtare shqiptare, siç ishte Balli Kombëtar, Lidhja e Prizrenit, pastaj Besa Kombëtare, Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare. Dhe këto organizata faktikisht e mbanin në duar tërë situatën politike ushtarake në ato vise që në vitin 1941 iu bashkangjitën Shqipërisë.

Dhe në vjeshtën e ’44 ushtria nacionalçlirimtare ju bashkua kushtrimit të Titos. Kjo ishte gracka më e madhe që Tito u ngriti shqiptarëve të Kosovës. E bashkë me të, edhe historisë së Shqipërisë. Nga fundi i nëntorit, e gjithë Kosova ra në duart e formacioneve të përbashkëta ushtarake; shqiptare dhe jugosllave gjithashtu. Me shumë gjasë siç edhe ndodhi, asaj, po i kthehej sundimi serb. Një plojë e madhe po përgatitej në sfond. Do të quhej Masakra e Tivarit.

 

Uran Butka : Masakra e Tivarit, mars-prill 1945, u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav për ripushtimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Platforma politike e kësaj masakre u bë projekti famëkeq shovinist i ultra-nacionalistit serb Çubriloviç, botuar në 1937 dhe pastaj u ribotua në nëntor të vitit 1944 në prag të kësaj masakre dhe si një nxitje për këtë masakër.

Populli shqiptar, i gjendur pa dëshirën e tij nën darën e autoriteteve shtetërore të quajtur Jugosllavi shpresonte se gjendja do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me kohën para luftës. Por në vend që të gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar masakra masive kudo. Cili do të ishte projekti i radhës? Çfarë shënohej në platformën e historianit dhe politikanit jugosllav me origjinë boshnjake Vaso Çubrillovic që mbante titullin “Dëbimi i shqiptarëve”?

 

Uran Butka: Dhe tekstualisht këtu thuhet: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve, t’i zhdukim dhe t’i shpërngulim që në kohën e luftës nga trojet e tyre”. Gjithashtu, thekson ai, “në vend të tyre, të shqiptarëve të shpërngulur, të vendosen kolonët serbë, malazezë dhe maqedonas”. Ky ishte dhe thelbi i platformës së Çubrilloviçit, që u bë dhe platforma e Partisë Komuniste Jugosllave dhe ushtrisë jugosllave që realizoi këtë masakër.

Cubrillovic ishte këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Beograd. Memorandumi i tij “Dëbimi i shqiptarëve” që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë deri kur ajo fitoi pavarësinë. Masakra e Tivarit ishte vetëm njëra dëshmi.

 

Si nisi ngjarja? Dimër 1944- 1945

Në dhjetor të vitit 1944, pas marrjes së pushtetit nga komunistët, u ndërmorën hapa për të mobilizuar me forcë shqiptarët e Kosovës në Ushtrinë Jugosllave. 30,000 deri në 50,000 burra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia u rekrutuan për t’u dërguar në front gjoja për nevojat e forcave të armatosura jugosllave në Serbi, Vojvodinë, Bosnjë, Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Por qëllimi ishte krejt ndryshe.

 

Qerim Lita (historian): Duhet theksuar se në këto rrethana, Tito me bashkëpunëtorët e tij, bënin një lojë politike që ripushtimin e Kosovës ta bëjë me ndihmën e brigadave të atëhershme shqiptare, me në krye partinë komuniste shqiptare, domethënë Frontin Nacional – Çlirimtar të Shqipërisë.

Kjo u bë jo vetëm për të forcuar radhët për Ushtrinë Jugosllave por dhe për të evituar çdo rezistencë të mundshme antikomuniste në Kosovë duke larguar sa më shumë të rinj nga vendi.

 

Mars – Prill 1945

Dhe kolonat u nisën. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën e në disa raste edhe u vranë për shkaqe te pabesueshme si në rastet kur dilnin nga kolona për të shuar etjen.

 

Qerim Lita (historian): Pas mbarimit të luftës së Drenicës, kur forcat jugosllave në fund të shkurtit arritën ta pushtojnë Drenicën, vendosën që gjatë muajit mars, të bëjnë mobilizimin e dhunshëm të popullsisë civile në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare. Dhe si rrjedhojë e kësaj, në pjesën e dytë të marsit, në Prizren u mobilizuan mbi 13.500, rekrutë shqiptarë.

Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga. Atyre u tha se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Që këtej u nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar do të stërviteshin para se të shkonin në front. Ata ishin të zbathur, të zhveshur dhe të paarmatosur.

 

Qerim Lita (studiues): …Këta eshalona u nisën nga Prizreni për në Kukës, Shkodër dhe në kufirin që ishin me jugosllavët ranë në duart e njësive të atëhershme malazeze, me qëllim që do të dërgohen në frontin e Adriatikut apo Triestes kundër gjermanëve, në kohën kur në atë kohë gjermanë nuk kishte asnjë.

Shumë prej tyre, të gatshëm për të shkuar në tokën mëmë, ku e shihnin si toka e shpëtimit, u dorëzuan me dëshirë. Në Prizren tani ishin mbledhur plot 7.700 burra. Të detyruar të flinin në dyshemetë e ftohta të kazermës, mes tyre shpërtheu tuberkulozi. Kjo ishte dhe pika e fillimit të sagës, e cila u bë e njohur si ngjarja e rëndë e Tivarit.

 

Qerim Lita (historian): Këto janë disa dokumente, disa burime që kanë filluar që nga prilli i vitit 1944 kur Peka Dabcivic i shkroi një letër shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Nacional – Çlirimtare të Shqipërisë dhe kërkoi që fronti Nacional – Çlirimtar me njësitë e veta, t’u bashkangjitet njësive ushtarake të LNÇJ dhe bashkarisht ta përmbysin reaksionin shqiptaromadh në Kosovë që i prin Lidhja e Prizrenit dhe Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare.

Po pse ju desh ushtrisë partizane jugosllave ndihma dhe mbështetja e shqiptarëve të Kosovës? Dhe përse pikërisht forcat e djathta u kërkuan të merrnin pjesë me insistim në këtë kushtrim të Titos?

 

Uran Butka (studiues): Pra, i thirri për të shtypur atë që ai e quante reaksioni shqiptar, pra qëndresa shqiptare. Dhe pikërisht Enver Hoxha si një vasal i bindur ose puthador i Jugosllavisë në atë kohë, ju bind urdhrit e kërkesës së Titos dhe gjeneralëve të tjerë dhe dërgoi fillimisht në fillim të nëntorit të ’44-ës, brigadën e tretë dhe të pestë, me porosinë që i jepte që të mos tregohet ky inkursion dhe në mënyrë të veçantë anglezëve të mos ju thuhet objektivi i brigadës së pestë dhe të tretë që do të shkojnë në Kosovë. Pra, ai e ruante jo vetëm nga shqiptarët dhe politika, por dhe nga politika evropiane… Urdhrat që jepnin ata, i zbatonin me përpikmëri… ushtria shqiptare, kuptohet për qëllimet e veta.

Një dokument i gjetur nga studiuesi Butka citon:

Komandës së Përgjithshme të Armatës Jugosllave në Beograd

Brigadat e divizioneve tona vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparshme të Kosovës. Brigadat janë bërë për ndjekje dhe rrethime të popullsisë gjithnjë me sukses. Stop. Elementët e arratisur, sidomos ata që kanë më pak faj, do të dorëzohen, repartet tona janë bërë, etj… Të gjitha këto veprime bëhen duke iu përgjigjur urdhrave të shtabit tuaj.

Për shtabin operativ të divizionit të gjashtë

Komisari politik

Enver Hoxha

Komandanti nënkolonel

Gjin Marku

Po përse kolonat me rekrutët shqiptarë, në mars dhe në prill të vitit 1945 kaluan përmes Shqipërisë për të shkuar në Tivar dhe Trieste, kur mund të kishin kaluar shumë lehtë në Jugosllavi apo edhe përmes Kroacisë? A kishte një prapavijë tjetër ky projekt? Cili ishte qëllimi?

 

Uran Butka (studiues): …Vetë fakti që e plotëson këtë gjë, ishte se në këto tre kolona që ishin 30 mijë e ca rekrutë, nuk kishte asnjë jo shqiptar, pra as serbë, as maqedonas. Pra ishte qëllimisht e gatuar kështu që të vriteshin vetëm shqiptarë. Qeveria shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Ministria e Brendshme, e lejuan që kolonat me rekrutë të kalonin nëpër Shqipëri, nga një shtet në një shtet tjetër. Nuk u kontrolluan, përkundrazi u ndihmuan nga ushtria shqiptare, në mënyrë të veçantë nga repartet e mbrojtjes së popullit (sigurimit të shtetit). Këto merreshin me prapavijën, arrestonin reaksionarë, arrestonin të arratisur dhe ndihmonin ushtrinë jugosllave në këtë udhëtim mortor.

Ushtria shqiptare e gjeti veten në dispozicion jo vetëm të synimeve të ushtrisë jugosllave, por dhe kushteve në të cilat u realizua masakra e Tivarit. Të gjithë ushtarët shqiptarë që ishin rekrutuar në brigadat partizane të ushtrisë jugosllave dezertuan. Ata u larguan për t’iu bashkuar formacionit të ushtrisë partizane shqiptare sepse ishin në kërkim të shpëtimit të vetes dhe Kosovës.

 

Uran Butka (studiues): Fatin e kësaj beteje e përshkruan në mënyrë të hollësishme rekruti i mbijetuar Azem Hajdini në promemorien që ai i drejton qeverisë. I pari që e ka denoncuar është Azem Hajdini. Dhe po e citoj: “Në rrugëtimin nëpër Shqipëri humbën jetën 800 shqiptarë të kolonës së parë. Kur hymë në territorin e Shqipërisë u gëzuam pa masë, duke menduar se tash e tutje do të jemi në përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë. Se nuk do të përjetonim mizoritë që kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët. Shumë shpejt u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat dhe vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës. Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”

Por autoritetet ushtarake të Titos që të bëheshin të besueshëm shpikën një tjetër mashtrim; kësaj here atyre u thanë se do të dërgoheshin në Shqipëri sepse i kishte thirrur Enver Hoxha. Shumë vullnetarë nga Kosova, ju bashkuan ushtrisë shqiptare me besimin se po viheshin në krah të vëllezërve të tyre. Por a ishte kjo e vërteta?

 

Uran Butka (studiues): Për fat të keq, ushtria shqiptare i dorëzonte tek divizioni 27 dhe këta natyrisht i ndëshkonin, i vrisnin e me radhë… Këtu kemi një dokument të Enver Hoxhës që thotë ‘të gjithë ata të dezertuar dhe vullnetarë që bashkohen me ushtrinë shqiptare, t’i dorëzohen divizionit 27’. Pra ishte një bashkëpunim i plotë midis ushtrisë jugosllave dhe ushtrisë shqiptare.

Rrugëtimi i kolonave me rekrutët shqiptarë ishte i pamëshirshëm dhe shumë i rëndë. Në dokumentet e kohës përshkruhet qartazi bashkëpunimi mes dy autoriteteve ushtarake të kohës, ushtrisë nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe asaj që drejtohej nga Josip Broz Tito.

 

Uran Butka (studiues): Por po ilustroj vetëm me raportin e shtabit të armatës së katërt të Jugosllavisë, më 8 prill ’45. Po e citoj: “Eshaloni i parë shkoi mirë deri në Kukës, në afërsi të Kukësit ndodhi një incident kur u hodh një bombë mbi rojen tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe në këtë rrëmujë arriti të arratisej një grup prej 10 shqiptarësh. Kështu, duke ikur hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare e cila i ndaloi dhe i bëri thirrje të dorëzoheshin. Ndaj kësaj thirrje ata nuk u përgjigjën por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë dy persona, dy të tjerë i plagosën, në të cilën edhe ata vdiqën.” Pra bashkëpunim ushtarak midis dy ushtrive, siç shihet qartësisht edhe nga ky dokument i arkivave jugosllave; asgjesimi i rekrutëve shqiptarë nëpër Shqipëri u bë në bashkëpunim me forcat edhe të ushtrisë jugosllave edhe të Shqipërisë. Dhe ç’është e keqja brenda territorit të Shqipërisë.

Rrugëtimi vazhdoi drejt veriut. Edhe pse të gjithë të tubuarve nga anë të ndryshme të Kosovës dhe Maqedonisë u ishte premtuar se do të deportoheshin me statusin e luftëtarit për të ndjekur armikun në vijën e frontit në veriperëndim të Adriaktikut, nga momenti i parë në Prizren u kuptua se çdo gjë do të ishte tërësisht ndryshe.

 

Uran Butka (studiues): Duke vazhduar ngjarjet në Kukës: “54 rekrutë të rraskapitur nga ecja dhe nga infektimi i sëmundjeve të ndryshme, u pushkatuan nga ushtarët serbë sepse nuk mund të vazhdonin më udhëtimin. Në Fushë -Arrëz ku fjetëm për t’u shplodhur, i pushkatuan në gjumë 126 rekrutë shqiptarë dhe i hodhën në një hendek dhe i mbuluan me gjethe. Në Pukë, ata pushkatuan para kolonës tre të rinj kosovarë që ishin veshur me rroba kombëtare dhe në prani të forcave shqiptare. Në urën e Gomsiqës, të shkatërruar, e humbën jetën 50 rekrutë sepse ishte prishur rruga dhe u këput teleferiku dhe të gjithë ranë dhe u mbytën. Në Vaun e Dejës, në Drin dhe në lumin Buna por dhe në kazermat e ushtrisë në Shkodër, humbën jetën 124 rekrutë shqiptarë”.

Gjatë rrugës rekrutëve shqiptarë u ndalohej dalja nga kolona për të pirë ujë apo për të kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jetën. Prej një sjelljeje të tillë tani u kuptua qartë se ata nuk ishin më luftëtarë por robër lufte. Pas kalimit të Shkodrës, u vranë me dhjetëra shqiptarë të tjerë. Në një dokument të papublikuar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Butka rrëfen se këto të dhëna janë marrë nga arkivat jugosllave. Dëgjojmë se c’thuhet në to:

 

Uran Butka (studiues): “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq nga organet e UNÇSH. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë dhe Koçi Xoxe”.  Në fakt ai ishte koka e turkut, se ishin të tjerë, në fillim të ’45, kur në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UNÇSH që të pushkatoni ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, është një font i caktuar. Pra edhe ata e pranojnë që në Shqipëri u vranë më shumë se 1000 shqiptarë të Kosovës. Këtë e ka deklaruar edhe prokurori i përgjithshëm i asaj kohe, Bedri Spahiu, në një prokurë që është bërë për dënimin e koloboracionistëve, duke ia ngarkuar natyrisht Koçi Xoxes.

 

NË TIVAR, Prill 1945

Me të arritur në Tivar u pa një mobilizim i madh i popullatës vendase ku me ta së bashku ishin edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur në çdo aspekt.

 

Uran Butka (studiues): … Por më në fund arritën me mjaft dëmtime deri në Tivar, ku i priti brigada e dhjetë malazeze e komanduar nga Gorzha Markoviç, i cili vuri ushtrinë malazeze dhe aty u vranë 420 prej tyre. …

Azem Hajdini, njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga Masakra e Tivarit, e kujton kështu ngjarjen e krijuar pas një provokimi të ushtarëve serbo- malazese ndaj ushtarëve shqiptarë:

“…na kanë urdhëruar të ngrihemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas ca na drejtuan dhunshëm të ecim drejt një ndërtese të madhe 3 katëshe, i ashtuquajtur “Monopol i duhanit. Në të hyrë të oborrit, ishin 10-15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh… dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta. Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë, rreth 1000 veta, dhe brenda oborrit, 2.200- 2.500 veta, rreth orës 14.00, ata shtinë nga të katër anët. Me te gjitha llojet e armëve të zjarrit, me pushkë automatike, mitralozë, mortaja dhe bomba dore. Kështu që brenda një ore, gjithë masa e grumbulluar në ato hapësira nuk mbeti në këmbë. Oborri dhe sheshi u shndërrua në lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj. Kësaj masakre makabre arritën t’i shpëtojnë kryesisht ata që u gjendën në ndërtesë dhe ndonjëri, që kishte rënë në tokë para se të fillonte sulmi. Kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar mizorisht gjatë natës së 1 duke u gdhirë 2 prilli, u bartën me qerre dhe u hodhën në det për t’u zhdukur nga vendi i krimit”.

 

Qerim Lita (historian): Burimi më i saktë është që diku rreth 1670 janë masakruar vetëm në Tivar. Ndërsa gjatë rrugëtimit kemi rreth 700 – 800 që janë masakruar, sidomos kjo masakra më e madhe pas Tivarit është masakra e Dubrovnikut.

 

Uran Butka (studiues): Më tej, në Trogil, një qytet në Kroaci, hipën në një anije por që u përmbush plot e përplot dhe nga pesha u nda në dysh dhe deti u mbush me plisat e bardhë. Vdiqën me qindra e qindra rekrutë shqiptarë në Trogil të Kroacisë.

Ngjarja e rëndë e Tivarit është cilësuar si një krim shtetëror me përmasa ballkanike. Viti 1945, është viti i vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Kosovë ky vit cilësohet dhe si viti i pushtimit jugosllav të Kosovës me ndihmën e divizioneve të Shqipërisë për të realizuar të ashtuquajturin projekt të Cubrilovicit, mbi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe bashkimin e Kosovës me pjesët e tjera të Serbisë.

 

Uran Butka (studiues): Dua të theksoj për këtë një saktësim të profesorit historian Zekarie Cana, i cili ka shkuar dhe i ka zbuluar kufomat më vonë atje dhe thotë: “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar në rrugën e vdekjes, e quajtur Golgota e madhe shqiptare”.

 

Uran Butka (studiues): Për shembull, në arkivin e Kosovës, është një dokument në fondin OKMM, kutia 10/29, viti ’45, kam gjetur dokumentin i cili thotë …që komandantët e ushtrisë jugosllave janë urdhëruar që të vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë në këto troje, e citoj siç është. Pra menjëherë pas projektit të Çubriloviçit, më 8 shkurt të vitit 1945, nga Titoja u vendos regjimi i pushtimit, apo siç quhet regjimi ushtarak në Kosovë dhe nisi në një mënyrë apo në një tjetër dhe shpërngulja masive e shqiptarëve, ‘gjuetia e shtrigave’ në Kosovë dhe në vise të tjera.

Rreth 13,000 rekrutë shqiptarë u dëbuan me forcë nga Kosova dhe Maqedonia dhe u dërguan të paarmatosur në Frontin e Adriatikut në mars dhe prill të vitit 1945. Statistikat ushtarake jugosllave tregojnë se 2,543 prej tyre vdiqën, por shifra reale është shumë më e lartë.

 

Uran Butka (studiues): Nëse përpiqemi, sipas pyetjes suaj, që të konkludojmë numrin e të vrarëve në masakrën e Tivarit dhe në rrugëtimin nëpër Shqipëri, unë kam studiuar dokumentat e kohës dhe ka rezultuar një numër prej 2933 të masakruar në Tivar, Trogil, Dubrocnik – se një pjesë e atyre që shpëtuan vazhduan rrugëtimin gjoja për në Trieste që do luftonin kundër gjermanëve. Po t’i shtosh këtij numri edhe 1000 shqiptarë të vrarë që u deklaruan nga qeveria shqiptare, rezulton shuma prej 3933 shqiptarësh të vrarë, të mbytur dhe të helmuar në tragjedinë e quajtur të Tivarit. Por kjo është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, ajo e dokumentuara sepse pjesa tjetër e padokumentuar, e thënë, e dëshmuar nga vetë qytetarët e Kosovës për bijtë e tyre është shumë e madhe. Kështu që masakra e Tivarit i kalon 4000 – 4500 të vrarë.

E vërteta është se i gjithë ky aksion i përbashkët i të dy ushtrive partizane, jugosllave dhe shqiptare, në dëm të shqiptarëve të Kosovës të cilët u asgjësuan me jetë, u mbajt i fshehtë. Asnjë raport nuk ju dërgua forcave anglo- amerikane se çfarë qëllimi kish dhe çfarë po ndodhte në të vërtetë. Të paktën burimet arkivore të luftës kështu thonë. Këtë, e thonë gojarisht dhe të mbijetuarit e ngjarjes. Por a patën ata burime të tjera informimi?

 

Uran Butka (studiues): Shteti komunist jugosllav dhe shqiptar e mbajtën të fshehur dhe të pa hetuar këtë masakër… 90 vjet përpara e deri më sot qëllimisht për të fshehur krimin se ishte masakër ndërshtetërore, për të fshehur fajin dhe përgjegjësitë që kishin në këtë tragjedi me përmasa ballkanike sepse nuk ishte vetëm shqiptare.

 

Qerim Lita (historian): Janë shumë burime të tjera që flasin, por në masakrat që ndodhën, në masakrën e Tivarit dhe të Dubrovnikut, ka qenë i informuar dhe kryetari i misionit ushtarak britanik, gjenerali Hotson, i cili ai merr një letër, promemorje nga kryetari i Besës Kombëtare, profesori Met Berisha, diku në tetor të vitit 1945 dhe e njofton për krimet dhe masakrat që kanë bërë brigadat jugosllave në atë kohë në Kosovë.

E dukshme është se në vitet e mëvonshme as komunistët jugosllavë të Titos dhe as komunistët shqiptarë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët bashkëpunuan mes tyre, nuk do të ishin aspak të interesuar të hapnin marrëveshjet kriminale që kishin bërë në kurriz të rekrutëve të pafat kosovarë. Shumë masakra të tjera, në shkallë edhe më të tmerrshme, ndodhën në Jugosllavi në vitet 1944-1945, aq sa ngjarja tragjike e Tivarit u zbeh me kohën.

 

Uran Butka (studiues): Heshtja dhe mosdënimi i krimit solli që masakra të tjera ndaj shqiptarëve të përsëriteshin në mënyrë tragjike, si përshembull ato të fundit si masakra e Reçakut ose gjenocidi serb i Milosheviçit në 1999 ndaj shqiptarëve në Kosovë. E vërteta, vetëm e vërteta mund të shërojë plagët dhe të kapërcejë urrejtjen dhe konfliktet, jo vetëm midis njerëzve por edhe midis popujve.

Në Jugosllavinë komuniste në vitet e mëvonshme, diskursi publik i tragjedisë së Tivarit mbeti një tabu për dy arsye kryesore; së pari, hapte plagë të vjetra mes komunistëve dhe jokomunistëve dhe, së dyti, sepse kërcënonte destabilizimin e marrëdhënieve shpeshherë të dobëta etnike mes shqiptarëve të Kosovës dhe malazezëve që jetonin shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Në Shqipëri, akoma dhe më keq. Regjimi stalinist i Enver Hoxhës i kaloi ngjarjet në heshtje të plotë për të shmangur kështu çdo dyshim për përfshirje të saj. Sepse mesa duket përfshirje ka pasur.

Top Channel

 

Ja si u kundërvihet Kadare tezave greke e serbe për Skënderbeun

ISRAEL-ALBANIA-LITERATURE-NOBEL-KADAREËshtë i njohur fakti që historia e Skënderbeut ka qenë frymëzuese për shkrimtarin më të madh të epokës sonë, Kadarenë. Një figurë që e ka çuar shkrimtarin tonë të madh në një piedestal. Tezat greke dhe ato serbe, për të përvetësuar figurën tonë legjendare, kanë sjellë dhe reagimin e shkrimtarit tonë të madh. Ja çfarë ka thënë ai kundër këtyre tezave dhe mendimet e tij mbi Skënderbeun…

 

Skenderbeu“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madhi i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij, ai qe themeluesi i idesë shqiptare me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marrë kaq famë në Evropë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se Shqipëria vetë. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit, që i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës deri në fund, sa vdiq.

 

Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare. Ky është një rrugëtim shumë i gjatë. Tani kanë dalë lloj-lloj sofistash që thonë, po jo turqit s’kanë qenë aq të këqinj. Thuhet, po pse qëndruam ne 500 vjet me ta? Pesëqind vjet e patën të gjithë ballakanasit Turqinë në qafë, jo vetëm ne shqiptarët, e pati greku, që mbahet si flamurtar kundër Turqisë, serbët, bullgarët, gjithë Ballkani. Nuk është teori, kjo është e vërtetë!

 

…Para ca kohe u përhap se jo vetëm djepi, por dhe kurora e Serbisë është Kosova, por edhe heroi ynë, Skënderbeu, është serb. Doli më vonë një sulm mbi Skënderbeun. Nga mund të jetë sllav ai? Nëna mund të jetë ose është dhe s’do të thotë asgjë. Feudalët e mëparshëm martoheshin ashtu. Dhe as na turpëron fare ne një gjë e tillë. Kjo s’ka të bëjë fare. Po vete më tutje, edhe babai i Skënderbeut mund të ishte sllav, punë e madhe! Emri i tyre ishte i lidhur vetëm me Shqipërinë. S’ka asnjë rëndësi, vetëm idiotët mund të mbahen pas këtyre tezave.

 

E quan historiani Schmidt Ivan Kastrioti babanë e Skënderbeut, sepse ka gjetur diku në dokumente sërbe, ne e morëm me shumë nxehje këtë gjë. Problemi është t’i thuash: more zotëri sërb, a ishte sërb Skenderbeu? Po pika të raftë, ai të braktisi, s’donte të ta dëgjonte emrin ty, ai erdhi e u dashurua me një atdhe tjetër, ta zëmë se, në qoftë se! Ju jeni turpëruar, jo ne.

 

…Familja Gjon Kastrioti, Gjergj Kastrioti, janë të lidhur me Shqipërinë në mijëra e miliona dokumente e pikë. Miti ishte i keq, se në vulgun botëror pi ujë kjo gjë edhe sot. Po ne duhet të dinim të shpjegonim, e jo te druhemi se obobo e bëri një zviceran, gjerman dhe s’duhet kundërshtuar. Ia thua dhe gjermanit dhe austriakut dhe kujtdo. Ç’do të thuash me këtë, le që s’është e vërtetë, po përse i jep kaq bujë të madhe?…(I.Kadare, Köln, 12.12.2010)

 

…Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdha mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar. Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Evropë.

 

Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit. Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Evropa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike. Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar.

 

U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes. Arbëreshët e cilësojnë si “të pafat”, ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor.

 

Megjithatë, ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm. ( I.Kadare, Prishtinë, 06.2014, për “Zërin e Kosovës )

 

Poezia e Kadaresë mbi Skënderbeun

 

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

 

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

 

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

 

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

Mësimi i madh që del për ne shqiptarët dhe rajonin, nga qëndrimi dinjitoz i Kroacisë ndaj Serbisë!

Diplomacia dhe qeveria serbe krijuan një tymnajë të madhe propagandistike për pjesëmarrjen e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, në ceremoninë e krishtlindjeve ortodokse të minoritetit serb në 6 janar në Zagreb, duke e reklamuar si nismë e presidentit serb Vuçiç për të shkrirë marrëdhëniet e ngrira midis Serbisë dhe Kroacisë.

 

Nuk ishte as vizitë zyrtare dhe as me ftesë zyrtare nga Kroacia. Daçiç ishte i ftuar nga Këshilli Kombëtar i minoritetit serb në Kroaci për të marrë pjesë në ceremoninë kishtare. Por ministri i jashtëm serb ngriti zhurmën sikur ai dhe presidenti Vuçiç po bënin “revolucion diplomatik” në marrëdhëniet e ngrira midis dy vendeve.

 

Që në 31 dhjetor 2022 Daçiç njoftoi solemnisht se ai do të jetë për krishtlindjet ortodokse në Zagreb, sepse “Presidenti i Serbisë Vuçiç na ka kërkuar të punojmë për shkrirjen e marrëdhënieve me Kroacinë”.

 

Përtej fryrjes tipike mburravece të diplomacisë serbe dhe të ashtuquajturës nismë të presidentit Vuçiç për shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira, shtrohet çeshtja thelbësore: A mundet dhe a dëshiron vërtet diplomacia e sotme serbe dhe garnitura e sotme udhëheqëse e Serbisë një shkrirje reale dhe normalizim me shtetin fqinj të Kroacise? Asgjë të re nuk ofroi Daçiç në fjalën e tij në ceremoninë kishtare në Zagreb dhe as në takimet e rastësishme me zyrtarët e lartë kroatë.

 

Asgjë nuk ka ndryshuar deri tani në qendrimet armiqësore të Serbisë ndaj Kroacisë. E ashtuquajtura nismë e re diplomatike e presidentit serb për marrëdhëniet dypalëshe nuk ka asnjë shenjë, asnjë akt, asnjë lëvizje dhe asnjë propozim real për zgjidhjen e çeshtjeve të shumta të hapura dhe të pazgjidhura prej dekadash midis dy shteteve.

 

Madje Daçiç në Zagreb me djallëzi deklaroi në një moment se “ne jemi armiq të njeri-tjetrit”, duke u përpjekur ta ndajë fajin përgjysëm.

 

Natyrisht që për çdo shikim realist vendosja e marrëdhënieve normale midis dy shteteve, që kanë dalë nga e njejta ish-Federatë Jugosllave, është e mirëpritur dhe i shërben stabilizimit dhe qetësisë në Europën Juglindore. Por në skanimin diplomatike të ecurisë së marrëdhënieve midis tyre gjatë 32 viteve që nga pavarësia e Kroacisë, dalin shumë probleme të mprehta të trashëguara nga periudha e agresionit ushtarak të Serbisë kundër Kroacisë në 1991.

 

Por ndërkohë janë shtuar edhe shumë probleme të reja të pazgjidhura, tensione dhe konflikte të krijuara çdo vit nga politika e gjitha qeverive serbe, që nga largimi i Millosheviçit nga pushteti në vitin 2000 e deri më sot.

 

Misioni i shkrirjes së marrëdhënieve të ngrira midis Serbisë dhe Kroacisë, që Daçiç e shpalli me bujë si nismë presidenciale serbe, duket një mision i pamundur, sepse udhëheqja e sotme e Serbisë as nuk mundet dhe as nuk don që realisht të shkrijë akujt, që dominojnë marëdhëniet midis dy shteteve. Retorika e çngjyrosur, që diplomacia serbe po përdor për konsum të brendshëm apo për ndonjë vesh proserb në BE mbi të ashtuquajturën nismë diplomatike të shkrirjes së akujve, nuk ka fuqi që të kapërxejë kufirin kroat. Janë disa faktorë të rëndësishëm dhe divergjenca të rënda që karakterizojnë marrëdhëniet midis tyre dhe që provojnë se udhëheqja e sotme e Serbisë nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve as me Kroacinë dhe as me fqinjët e tjerë të saj.

 

Diplomacia dhe shteti serb e kanë arkitektuar veprimin dhe ezistencën e Serbisë si shtet mbi bazën e tensioneve të përhershme dhe të konflikteve me të gjithë shtetet e rajonit, sepse përmes tensioneve planifikon të realizojë ambicjen e saj gjenetike për hegjemoninë serbe në rajon dhe për krijimin e “Serbisë së Madhe. Ja disa nga çeshtjet bazike dhe jetike, që Serbia duhet të pranojë dhe të zgjidhë para se të pretendojë se dëshiron shkrirjen e akujve midis dy shteteve.

 

1-Së pari, Serbia duhet të pranojë, sepse nuk e ka pranuar ende as pas 32 vitesh, që ajo organizoi agresion ushtarak kundër Kroacisë dhe një luftë pushtuese që zgjati deri në vitin 1995. Kjo është pikënisja reale e ripajtimit.

 

2-Udhëheqje serbe me në krye presidentin Vuçiç duhet t’i kërkojë falje Kroacisë për agresionin kriminal kundër popullit dhe shtetit kroat. Kjo është pikënisja reale e ripajtimit.

 

3-Serbia duhet t’i paguajë Kroacisë reparacione lufte dhe Zagrebi ka bërë kërkesë zyrtare për reparacionet qysh në vitin 1995.

 

4-Serbia e sotme nuk mundet të bëjë me të vërtetë shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira me Kroacinë, sepse udhëheqja e sotme e Serbisë ka qenë pjesë e agresionit kundër Kroacisë, sepse ishte pjesë e kabinetit qeveritar të kriminelit ndërkombëtar të luftës Millosheviç. Presidenti i sotëm Vuçiç, ministri i jashtëm i sotëm Daçiç dhe zëvendëskryeministrja e sotme Gojkoviç, kanë qenë që të tre anëtarë të qeverisë së Millosheviçit.

Ata nuk janë distancuar kurrë dhe nuk i kanë dënuar kurrë luftrat kriminale, që shpërtheu Millosheviçi kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, dhe vazhdojnë ta glorifikojnë atë edhe sot e kësaj dite. Ndaj është e pamundur që udhëheqja e sotme të dëshirojë vërtetë shkrirjen e akujve në marrëdhëniet me Kroacinë.

 

5-Personalisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është pjesëmarrës direkt në fushatën kriminale ushtarake serbe në Kroaci. Në vitin 1995 Aleksandër Vuçiç mblodhi bandat çetnike serbe në Glinë të Kroacisë duke i nxitur në pushtimin e territorit kroat me histeri fashiste se “Krajina është serbe dhe ju do të jetoni në Serbinë e Madhe”.

 

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç deklaroi në 25 maj 2022 se Vuçiç ka kryer nje akt kriminal në Glinë të Kroacisë në 1995, sepse retorika e tij u kushtoi jetën shumë njerzve. A do ta nxjerrë nga dollapi  presidenti serb këtë skelet të krimeve të tij të luftës për të provuar se don vërtet ripajtim me popullin dhe shtetin  kroat?

 

Unë e di se në disa qarqe filoserbe të diplomacisë europiane, madje edhe në qarqet qeveritare në Shqipëri, ekziston autosugjestioni se garnitura e sotme drejtuese e Serbisë ka ndryshuar. Ky autosugjestion apo vetëiluzion e ka bazën në doktrinën e gabuar të “simetrisë së fajit”, që shpiku diplomacia europiane për luftrat në ish-Jugosllavi, duke bërë fajtorë njësoj si Serbinë agresore, ashtu dhe popujt viktima të saj.

 

Po e shohim çdo ditë të aplikuar këtë doktrinë edhe ndaj Kosovës. Natyrisht është një interpretim fals teza se udhëheqja e sotme serbe ka ndryshuar nga origjina e saj millosheviçiane, tezë të cilën nuk e besojnë as vetë në diplomacinë europiane, por e përdorin për t’u hedhur hi syve të qeveritarëve folkloristë në Ballkan.

 

Vetë Europa nuk lejoi kurrë që një anëtar i qeverisë se Hitlerit të bëhej prapë ministër në qeveritë gjermane të pas luftës, por i vrau në Nuremberg. Qendrimi indulgjent i diplomacise europiane bëri atë që udhëheqja e sotme serbe e konsideroi si leje për të ringjallur rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër qoftë dhe me dhunë dhe të sunduar nga Serbia. Kjo shjegon agresivitetin e pafrenuar të sotëm të Serbisë ndaj Kroacisë, ndaj Kosovës, ndaj Bosnje-Hercegovinës, ndaj Malit të Zi, etj.

 

As Vuçiçi, as Daçiçi dhe as garnitura nacionaliste politike, ushtarake, diversioniste serbe, që kanë pushtetin në Beograd, nuk kanë ndryshuar. Presidenti serb Vuçiç po zbaton programin kriminal të Millosheviçit “të gjithë serbët e rajonit në një shtet”, që i ka vënë tani emrin “bota serbe”.

 

Ndaj udhëheqja e sotme e Serbisë i ka politikë dhe strategji tensionet e përhershëm dhe konfliktin e përhershëm me shtetet fqinjë. Kroacia është objektiv strategjik i armiqësisë shtetërore serbe. Gara e çmendur e armatimeve, që po ndjek Serbia prej vitesh, ka si objektiv të parë pikërisht Kroacinë, dhe Serbia në doktrinën e saj zyrtare ushtarake serbe përcakton Kroacinë si kërcënim të saj kryesor.

Presidenti i Serbisë Vuçiç, që u premtoi çetnikëve serbe në vitin 1995 se Kroacia do të përfshihet në “Serbinë e Madhe”, po përpiqet ta mbajë gjallë këtë ambicje aneksioniste. Në funksion të kësaj ambicje qeveria serbe organizon çdo vit në muajin gusht manifestime antikroate me rivendikime territoriale ndaj Kroacisë.

Presidenti serb, një pjesëmarrës direkt në agresionin ushtarak serb kundër Kroacisë, udhëheq personalisht një fushatë të egër të vazhdueshme antikroate. Jo larg por në 6 tetor të vitit 2022 Vuçiç sulmoi Kroacinë duke e anatemuar si shtet fashist, që “po bën të njejtën punë që ka bërë qysh nga viti 1941” i pushtimit nazist.

Presidenti serb nisi në vitin 2022 të organizojë farsat teatrale gjyqësore ndaj ushtarakëve dhe pilotëve kroatë, të cilët në vitin 1995 luftuan të mbrojnë atdheun e tyre nga agresioni serb. Në të njejtën kohë presidenti serb po bën zhurmë të madhe propagandistike për ngjarjet e luftës së dytë botërore, duke fajësuar popullin kroat për kampin  nazist të përqendrimit në Jasenovac.

Për të mbuluar agresionin serb kundër Kroacisë në vitet 1991-1995 Vuçiç shtrembëron historinë e Jugosllavisë në luftën e dytë botërore. E vërteta e madhe është se ushtria naziste pushtoi Jugosllavinë dhe territorin e Kroacisë së sotme si pjesë të saj, kurse Kroacia nuk ekzistonte si shtet i pavarur. Çdo veprim apo organizim, që kanë ndërmarrë pushtuesit nazistë gjermanë në atë kohë, u takon atyre dhe jo popullit kroat. Por presidenti Vuçiç ndërmerr personalisht provokacion antikroat në 17 korrik të vitit 2022, kur tentoi të hyjë ilegalisht në Kroaci për të inskenuar një manifestim antikroat në Jasenovac.

Me të drejtë shteti kroat  i ndaloi atij hyrjen në Kroaci, duke i bërë të qartë se hyrja e një presidenti të një shteti të huaj në territorin kroat nuk është çeshtje private dhe as nuk mund të bëhet pa lejen dhe pa koordinimin me institucionet zyrtare kroate.

Serbia ka një dinamikë konstante armiqësore me Kroacinë, dinamikë e cila në vitin 2015 arriti në karakter dhe në dimensione antinjerëzore, kur forcat ushtarake dhe policore serbe bllokonin rrjedhën e refugjatëve të Lindjes së Mesme të shkonin nga Serbia në Austri dhe e drejtonin qëllimisht në kufirin kroat për të krijuar destabilizim në Kroaci.

Serbia refuzon të zgjidhë çeshtjet kufitare me Kroacinë dhe mban padrejtësisht 10 mijë hektarë tokë kroate rreth lumit Danub. Ka një vijë shtetërore dhe diplomatike serbe, që në mënyrë sistematike provokon tensione me Kroacinë. Sepse strategjia e “Serbisë së Madhe” përfshin edhe Kroacinë në ambicjen e saj. Deputeti serb Pavle Gerboviç, kryetar i “Lëvizjes së qytetarëve të lirë”, në një forum ballkanik me temën “Quo vadis Balkans?”, të organizuar në 10 qershor 2022 deklaroi: “Serbia ka çeshtje të hapura politike me pothuaj të gjithë fqinjët e saj. Marrëdhëniet e Serbisë me vendet e tjera në rajon nuk mund të jenë të mira nëse Serbia i trajton ata si pjesë e territorit të saj dhe jo si fqinjë.”

Nisma serbe e shkrirjes së akullit në marrëdhëniet e  ngrira me Kroacinë kërkon që Kroacia të harrojë gjithçka dhe t’i falë Serbisë të gjitha krimet dhe borxhet historike. Kroacia demokratike është shteti i vetëm i dalë nga ish-Jugosllavia, që me dinjitet dhe me vendosmëri ka mbrojtur interesat e veta shtetërore dhe kombëtare përballë një Serbie recidiviste. Kroacia ka qenë dhe mbetet barrikada kryesore rajonale ndaj shovinizmit dhe hegjemonizmit serb në Ballkan.

Ministri i jashtëm serb Daçiç shkoi në 6 janar në krishtilindjet ortodokse në Zagreb me vetëmburrjen se po shkrinte akujt me praninë e tij në një ceremoni kishtare të minoritetit serb. Por kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në fjalën e tij në atë ceremoni ia bëri të qartë shefit të diplomacisë serbe dhe Serbisë të vërtetat e mëdha, me të cilat duhet të përballet udhëheqja serbe nëse vërtet dëshiron normalizim të marrëdhënieve dypalëshe. Ja mesazhet e kryeministrit kroat për Serbinë:

“Marrëdhëneit tona janë të ngarkuara që nga koha e agresionit të regjimit të Millosheviçit kundër Kroacisë, kur krime të tmerrshme u kryen, të cilat jetojnë me ne”. Pra kryeministri kroat i kërkoi Beogradit të pranojë sëpari faktin dhe pasojat e agresionit ushtarak të Serbisë kundër Kroacisë. Mesazhi i dytë i rëndësishëm ishte se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve përderisa Serbia vazhdon të jetë e rreshtuar në aleancë me Rusinë, që ka ndërmarrë invazion brutal në Ukrainë. Kryeministri kroat i theksoi në 6 janar shefit filorus të diplomacisë serbe: “Ne në Kroaci qendruam në anën e drejtë të historisë”, për t’i kujtuar se Serbia vazhdon të qendrojë në anën e gabuar të historisë.

Daçiç u kthye duarzbrazur nga misioni i tij i nismës së shkrirjes së akujve në marrëdhëniet e ngrira me Kroacinë, sepse Kroacia nuk është shtet, që gënjehet nga retorika boshe serbe. Udhëheqja e sotme serbe as nuk mundet dhe as nuk don realisht të shkrijë marrëdhëniet e ngrira midis dy shteteve.

Mësimi i madh, që del nga qendrimi dinjitoz i Kroacisë ndaj Serbisë, është që historia e përgjakëshme e politikës serbe ndaj popujve joserbë në ish-Jugosllavi nuk mund të fshihet me disa gota verë serbe. Problematika e rëndë, që ka shkaktuar dhe po shkakton sot e kësaj dite Serbia në Ballkan, është e pazgjidhur dhe vetëm zgjidhja e saj do të çojë te stabiliteti në rajon.

Kroacia i bën një shërbim të madh shteteve të rajonit, duke u dhënë modelin se si duhet të sillen dhe të ndërtojnë marrëdhëniet me Serbinë e sotme.

 

Shaban Murati /Botuar në DITA

“Kosova është demokraci, Serbia jo”

Albin“Këtë verë, një mosmarrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, çoi sërish në përshkallëzim të situatës. Dhe kryeministri kosovar Albin Kurti paralajmëroi se lufta e Rusisë mund të përhapet në Ballkan. E pyetëm: A është vërtetë kaq keq zoti Kurti?

 

Albin Kurti tani është aty ku ka dashur të jetë gjithmonë. Pas një dere me një pllakë masive bronzi ku shkruan “Kryeministri”. Dhoma është në fund të një korridori të gjatë, në katin e tretë të një ndërtese, me zyre me pasqyrë, mu në qendër të Prishtinës. Dikur bankë, tani është zyra qeveritare e shtetit më të ri në Evropë.

47-vjeçari është në detyrë që nga marsi i vitit 2021. Fitorja e tij dërrmuese u konsiderua një pikë kthese në historinë e pasluftës së Kosovës. Me Kurtin, në ndërtesën e qeverisë u zhvendos edhe një brez i ri: të rinj, shumë prej tyre pjesë e diasporës, të shkolluar jashtë vendit. Ata alternojnë mes anglishtes dhe shqipes , një fotografi e Bernie Sanders, amerikanit të majtë, është varur në mur pranë Skënderbeut, heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve.

Është 9 shtator dhe në Prishtinë bie shi. Vera po kalon, gjë që shihet edhe nga fakti se numri i automjeteve me targa zvicerane nëpër rrugë është në rënie. Për Kurtin, këta ishin muaj krize: inflacion, mungesë energjie dhe më pas, në fund të korrikut, të shtëna dhe sirena në kufirin me Serbinë. Situata mes Serbisë dhe Kosovës ka kohë që nuk ka qenë aq e tensionuar sa ishte këtë verë.

Një mosmarrëveshje rreth dokumenteve për hyrje  dhe targave u përshkallëzua, dhe retorika midis Beogradit dhe Prishtinës është më helmuese sesa ka qenë në një kohë të gjatë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pretendon pa asnjë arsye të dukshme se shqiptarët duan të dëbojnë serbët nga Kosova. Albin Kurti, nga ana tjetër, ka paralajmëruar, që nga lufta në Ukrainë, se pushtimi rus mund të përhapet në Ballkan. Përshkallëzimi më i fundit me ndërmjetësimin e BE-së, i dha fund asaj situate. Por të dyja palët janë shumë larg nga qëllimi kryesor i dialogut. Deri më sot, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008. Në ndryshim nga mbi 100 vende anëtare të OKB-së, përfshirë Zvicrën që e njohin atë.

 

Zoti Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundmi ju ka quajtur “Zelenski i vogël”. A ju nderon kjo?

Vuçiqin e kisha cilësuar më parë si “Putin i vogël” në Facebook. Unë nuk mendoj se ai ishte mjaft kreativ në mënyrë që të dalë me diçka më të mirë.

 

Putin pushtoi Ukrainën disa muaj më parë. Ushtria serbe nuk e ka kaluar kufirin me Kosovën që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Në këtë rast, a mos po e  teproni?

Jo, për mendimin tim Serbia është një regjim klient i Kremlinit. Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtura “Mburoja Sllave” dhe “Vëllazëria Sllave”. Pjesa më e madhe e industrisë së naftës në Serbi është në pronësi të Gazpromit. Ministria ruse e Mbrojtjes ka ngritur zyrën e saj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Serbia merr tanke dhe sisteme armatimi nga Moska. Gjermania është gjithashtu e varur nga nafta e Putinit. Por ajo që e bën Serbinë unike në Evropë është se ajo refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Putinit. Sot, 70 për qind e serbëve kanë një opinion pozitiv për Vladimir Putin. Në të njëjtën kohë, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 30 për qind. Ky humor është përhapur edhe te serbët në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit.

 

Për veriun do të flasim më vonë. Së pari një pyetje themelore: në një intervistë në fillim të gushtit ju paralajmëruat për një luftë me Serbinë. A është vërtetë situata kaq keq?

Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financon  strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë. Së dyti: Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk ka keqardhje. Arsyeja e tretë që më shqetëson: Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik. Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus Putin. Vuçiq e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, më e fundit më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës. Tani e citoj Vuçiqin: “Ne folëm për standarde të dyfishta dhe hipokrizi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Putin e kupton se për çfarë po flas. Ne folëm edhe për veriun e Kosovës dhe ia tregova atë Putinit në hartë”. Pse Putini është i interesuar për veriun e Kosovës, pyes veten.

 

Për Putinin, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë ishte një fyerje. Ai kurrë nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Para luftës, Putin foli jashtëzakonisht shpesh për Kosovën. Ai e përdori këtë si shembull për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë. Si i përgjigjeni atij?

Populli i Kosovës ka përjetuar gjenocid. Në pranverën e vitit 1999, 19 vende të NATO-s u mblodhën dhe bombarduan një vend të vogël në Evropë. Pra, duhet të ketë qenë shumë keq. Është shumë e vështirë të kesh 19 shtete në bord, aq më tepër që janë shtete demokratike, e ku ka pasur protesta kundër ndërhyrjes. Në Ukrainë situata është shumë e ndryshme. Është ushtria ruse që po kryen një ndërhyrje ushtarake – në Krime, në Donbas, në të gjithë Ukrainën.

 

Derisa po paralajmëronit për një luftë të mundshme, mijëra të rinj kërcenin në një koncert të këngëtares Dua Lipa në Prishtinë. Gjendja e krizës ekziston vetëm në retorikën e politikanëve?

Jam dakord me ju: njerëzit e zakonshëm nuk duan konflikt dhe nuk e inkurajojnë atë. Disa qindra njerëz të financuar nga Beogradi e bëjnë këtë. Shumë prej tyre kanë fituar përvojë në luftërat e ish-Jugosllavisë.

 

Në vitet 1990, Vuçiq ishte ministri i informacionit i një regjimi që ju arrestoi dhe deportoi në Serbi. 22 vjet më vonë ata të dy të atëhershmit janë ulur në një tryezë dhe po negociojnë të ardhmen e vendeve të tyre. A është kjo një kënaqësi personale për ju?

Jo ne të vërtetë. Do të preferoja shumë që në Serbi të shihja politika progresive dhe pro-evropiane. Por nuk është kështu. Nga ana tjetër, atmosfera gjatë takimeve tona në Bruksel është përmirësuar.

 

A keni shtrënguar ndonjëherë duart me njëri-tjetrin?

Jo kurrë. Kjo për shkak se jemi takuar tre nga katër herë gjatë pandemisë dhe nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.

 

Le të kalojmë te ngjarjet aktuale. Veriu i Kosovës është i populluar kryesisht me serbë, rreth 50,000 banorë. Më 31 korrik u ngritën barrikada në kufi. Dezinformimet në Tëitter u përhapën. Papritmas u fol për një sulm të Serbisë. Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Atë ditë u ngritën 13 barrikada, 9 prej tyre në më pak se 10 minuta. Bandat kriminale që janë pjesë e strukturave ilegale në veri të lidhura me Beogradin ato i vendosën. Qëllimi i tyre ishte që më pas të mbronin individë të armatosur. Situata ishte shumë e rrezikshme dhe e tensionuar. Mund të jemi të lumtur që nuk ka pasur vdekje.

 

Një Njësi Speciale e policisë kosovare, e njohur si ROSU, vazhdon të shkojë në veri për të goditur aktivitetet e kontrabandës. Për shumë serbë ata janë armik. Të rinjtë u referohen atyre si “pushtues”?

E dini çfarë është interesante? Nga prilli i vitit të kaluar dhe këtë gusht, forcat speciale të Kosovës arrestuan 71 persona në veri: 33 shqiptarë, 26 serbë të Kosovës, 6 serbë nga Serbia, 3 romë, 2 boshnjakë dhe një goran.

 

A thua se etnia nuk ka rëndësi nga këndvështrimi i policisë?

Krimi i organizuar është multietnik dhe ndërkufitar. Strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës padyshim që kanë një problem me policinë tonë që t’i godasë ato. Në luftën kundër rrugëve të kontrabandës, laboratorëve të drogës dhe minierave ilegale të bitcoin-it, policia jonë është sulmuar vazhdimisht, e vetëm këtë vit dhe vitin e kaluar, kjo ka ndodhur mbi 40 herë. Janë pikërisht këta kriminelë që ngritën barrikadat në korrik. Disa janë në listat e të sanksionuarve nga SHBA.

 

Sapo jam kthyer nga Mitrovica. Qyteti është i ndarë etnikisht në jug me shqiptarë dhe veri serbë. Në jug, flamujt e SHBA-së valëviten, e në veri “Z”, simboli i luftës së agresionit të Rusisë, është skalitur në muret e shtëpive. Si dëshironi ta rregulloni këtë hendek të thellë në shoqërinë tuaj?

Shumica e serbëve në Kosovë e dinë se kohët kanë ndryshuar. Ata janë të integruar dhe një shembull i mirë për këtë është se mbi 130 mijë  prej tyre tani kanë letërnjoftime kosovare. Ekziston vetëm një pakicë e vogël – midis 2 mijë dhe 5 mijë njerëz – që refuzojnë t’i njohin ato. Jam optimist se gjërat do të ecin për mirë. Strukturat ilegale po humbasin gjithnjë e më shumë ndikimin. Për shkak të kësaj, ata po bëhen gjithnjë e më agresivë. “Z” në muret e shtëpive është një shenjë e kësaj.

 

Njerëzit në veri vozisin me targa të lëshuara në Beograd. Ata i duan të tjerat?

Ne po punojmë shumë që serbët në Kosovë të kalojnë në targat e Kosovës sepse vetëm ato janë të ligjshme në këtë shtet. Tani ia kam shtrirë dorën popullit. Kushdo që regjistron veturën e tij deri më 31 tetor, nuk paguan as taksa dhe as tarifë regjistrimi. Kjo është shumë tërheqëse për serbët në Kosovë. Pikërisht për këtë po bëjnë presion strukturat ilegale. Por ka ende kohë të mjaftueshme.

 

Ndërtesat në veri janë të mbuluara me qindra pankarta që shpallin “Jo dorëzim!”. Njerëzve u kërkohet veçanërisht të mbajnë targat e tyre serbe. A do të përfundoni ju këtë, duke i detyruar ata?

Pas datës 1 nëntor, këto shenja do të jenë të paligjshme dhe ne do të veprojmë në përputhje me ligjet tona.

 

Më 15 gusht 2021, talebanët morën pushtetin në Afganistan pasi NATO ishte tërhequr më parë nga vendi. A mund t’u besoni amerikanëve?

NATO do të mbetet në Kosovë sepse Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO. Të dyja janë pjesë e historisë së njëri-tjetrit – dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Nuk ka asnjë paralele mes Afganistanit dhe Kosovës. E vetmja gjë që pyeta veten për ato që ndodhen me 15 gusht ishte: Si mund të ndihmoj me çështjen e refugjatëve? Si rezultat, Kosova pranoi rreth 1,800 refugjatë afganë. NATO na ofron mbrojtje dhe siguri, dhe ne gjithashtu kontribuojmë diçka në aleancën e mbrojtjes perëndimore. Nga marsi deri në qershor të vitit të kaluar morëm pjesë në stërvitjen ushtarake “Defender Europe” me 330 ushtarë dhe së bashku me ushtrinë amerikane dërguam një forcë paqeruajtëse në Kuvajt.

 

Ju i thoni të gjitha këto duke ditur që administrata juaj e parë u përmbys me urdhër të Uashingtonit?  I dërguari i Trump për Ballkanin, Richard Grenell donte që ju të largoheshit. Ai të shihte si një ngatërrestar me të cilin nuk mund të bësh marrëveshje?

Kosova e konsideron SHBA-në mik, partner dhe aleat për sigurinë dhe mbrojtjen tonë. Përsëri, me përjashtim të Bjellorusisë, nuk ka asnjë vend më afër Kremlinit sesa Serbia. Kjo është arsyeja pse SHBA është më e rëndësishme për ne se çdo vend tjetër. Por, sigurisht, nuk jam dakord me gjithçka që thonë përfaqësuesit e SHBA. Kjo u bë e qartë në vitin 2020 kur i dërguari i Trump për Ballkanin, Grenell, donte që unë të hiqja dorë nga kërkesat e mia ndaj Serbisë.

 

Grenell ju quan “fashist” në Twitter. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin nëse shefi i Grenellit, Donald Trump, rikthehet një ditë?

Jam optimist se gjërat do të shkojnë për mirë në SHBA. Joe Biden është sot politikani më përparimtar në botë. Shpresoj që kjo ndjenjë transatlantike të mos humbasë. Shpresoj për më të mirën.

 

Në nivel lokal, partia juaj Vetëvendosje së fundmi pësoi një disfatë. Opozita fitoi në shumicën e komunave. Si e shpjegoni këtë?

Opozita është bashkuar kundër nesh. Qeverisja është e lodhshme. Nuk të jep aq kohë të jesh pranë bazës së partisë dhe të takosh njerëz. Pandemia na ka goditur më shumë se partitë e tjera që tradicionalisht janë reklamuar përmes spoteve në TV. Metoda jonë kanë qenë gjithmonë takimet publike.

A mund të ndodhë që keni marrë më pak vota sepse diaspora në Gjermani apo Zvicër nuk ka votuar?

Ke te drejte. Në nivel lokal, ajo merr pjesë në një numër shumë më të vogël.

 

Le të marrim një të re shqiptare nga Zvicra – gjenerata e dytë apo e tretë. Jeton në Bernë dhe vjen një herë në Kosovë gjatë verës. A duhet lejuar një person i tillë të ketë fjalën e tij në politikën e vendit tuaj?

Më shumë aeroplanë udhëtojnë ndërmjet Prishtinës dhe Zvicrës në ditë sesa ka lidhje me autobus ndërmjet qyteteve të veçanta. Diaspora nuk vjen vetëm një herë në vit, por disa herë. Çdo i treti qytetar i Kosovës jeton jashtë vendit – shumica e tyre në Gjermani dhe Zvicër. Transfertat nga jashtë përbëjnë 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ata mund të mos jetojnë këtu, por na ndihmojnë të jetojmë këtu. Për këtë kontribut material dhe financiar, por edhe për njohuritë që na sjellin, duhet të kenë fjalën politike.

 

Megjithatë, diaspora nuk zëvendëson shtetin social. Si keni ndërmend ta luftoni varfërinë në vendin tuaj?

Unë e konsideroj si model sistemin e arsimit të dyfishtë në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Ne duhet të lidhim nevojat e tregut të punës me arsimin. Disa ditë më parë ndoqa një klasë me nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç: parukierë, muratorë, ndihmës spitalesh, kuzhinierë. Ata janë në shkollë tre ditë në javë dhe në kompani dy ditë në javë. Kjo është një mënyrë për të luftuar varfërinë dhe për të krijuar vende pune.

 

Qeveria juaj së fundmi miratoi paketa me vlerë miliona euro për të luftuar inflacionin dhe krizën energjetike. Ekspertët e ekonomisë kritikojnë: Paratë e shpejta për disa muaj nuk janë një strategji veçanërisht e qëndrueshme?

Studentët kanë marrë pagesa të njëhershme prej 100 euro – për herë të dytë. Ka pasur edhe përfitim për fëmijët e për nënat me fëmijë të vegjël. Kemi rritur pensionet me 11 për qind dhe ato për invalidët me 33 për qind. Sipërmarrësit vendas, ofruesit e shërbimeve dhe shitësit me pakicë kanë marrë gjithashtu para. Ne kemi hartuar një paketë stimulimi ekonomik dhe një paketë inflacioni. Ne gjithashtu subvencionojmë konsumin e energjisë dhe lehtësojmë ata që reduktojnë konsumin, pra kursejnë energjinë. Por shpresoj që ne si e gjithë Evropa të dalim nga kjo krizë. Dhe shpresoj t’i mbijetojmë dimrit. Kremlini dëshiron të ndajë Evropën.

 

Katër vite më parë ju më keni shpjeguar gjerësisht dhe hollësisht se përse  nuk mund të identifikohesh me flamurin blu dhe me hartë të artë të Kosovës. A ka ndryshuar kjo tani?

Si Kryeministër i Republikës, flamuri i Kosovës është detyrë dhe obligim im dhe gjithashtu diçka që unë e respektoj dhe e përqafoj. Ajo është prioriteti im kryesor. Mund të ketë gjëra të tjera në programin e lëvizjes sonë.

 

Për shembull, se Shqipëria dhe Kosova një ditë mund të formojnë një shtet të përbashkët. Duhet të hiqnit dorë nga kjo ëndërr?

Askush nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij. Por ju duhet të qëndroni gjithmonë realistë.

 

(Gazeta republik.ch është medium zviceran. Intervista është përkthyer nga RTKlive.com)

Non-pejpëri i rremë serb, dokumenti origjinal franko-gjerman dhe rruga njëkalimëshe e njohjes së Kosovës

Shaban MuratiDuke demostruar vetinë tipike gjenetike serbe, të pohuar nga ish-presidenti dhe shkrimtari serb Çosiç se “rrena është virtut i serbëve”, presidenti i Serbisë Vuçiç po insinuon formatim të ri, arkitekturë të re dhe kuadrim të ri të dialogut Serbi-Kosovë, me qëllim që të shtyjë ose të shmangë orën finale shtetërore, që po vjen e pashmangëshme për zgjidhjen përfundimtare të dialogut me njohje reciproke.

 

Në datën 10 shtator, një ditë pas  bisedimeve të tij në Beograd me dy këshilltarët diplomatikë të presidentit francez dhe të kancelarit gjerman, Vuçiç deklaroi se ai mori një propozim për një “kuadër të ri të bisedimeve të Brukselit, i cili duhet të çojë te një zgjidhje finale me Kosovën”. Ngrefosja personale e presidentit serb mori fund shpejt dhe ai iu drejtua rrenës diplomatike dhe propagandistike për vetëngushëllim.

Menjeherë e gjithë diplomacia dhe propaganda serbe ngriti konstruksionin fals propagandistik të të ashtuquajturit “kuadër të ri apo kornizë të re” të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, jo ashtu siç ia kishin kërkuar dy këshilltarët diplomatikë të Francës dhe të Gjermanisë, por ashtu siç do ta dëshironte presidenti serb.

 

Ky konstruksin propagandistik serb po mbështetet në dy shtylla demagogjike.

 

E para, që Vuçiç po tregohet trim mbi trimat dhe po u kundërvihet presioneve të Francës dhe të Gjermanisë, madje në 19 shtator në Nju Jork u mburr se e ka refuzuar ta marrë letrën e BE për “kuadrin e ri” të dialogut.

 

E dyta, propaganda serbe me nxitim hodhi në qarkullim një të ashtuquajtur projekt-marrëveshje gjoja të propozuar nga Franca dhe Gjermania, një non pejpër të ri “fake”, i cili përmban dëshirat, tezat dhe interesat e Serbisë. Portali i njohur proqeveritar serb “B92” shkruante në 19 shtator se “Kuadri i ri është propozim i ri, që erdhi direkt nga përfshirja e Makronit dhe e Sholcit në procesin e dialogut, sepse sipas dokumentit Kosova dhe Serbia vetë nuk do të jenë kurrë në gjendje ta zgjidhin problemin dhe Serbisë nuk do t’i kërkohet të njohë legalisht Kosovën”.

Është interesant, se ashtu si non-pejpëri serb i prillit të vitit të kaluar për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, edhe ky i tanishmi zgjodhi Prishtinën të shpërndahej në 19 shtator. Madje presidenti serb Vuçiç u bë qesharak në 20 shtator kur në Nujork iu referua mediave shqiptare për “kuadrin e ri” të projekt-marrëveshjes, në një kohë që ai e ka në zyrën e tij projekt-marrëveshjen e vërtetë, që i lanë në tavolinë këshilltari diplomatik i Francës dhe i Gjermanisë.

Por presidenti serb don ta fshehë projekt-marrëveshjen  reale që ka marrë, dhe tenton të shesë non-pejpërin e shpikur serb, që u shpërnda në 19 shtator nga vetë serbët. Presidentit serb i duket se rrena serbe bëhet më e besueshme nëse shpërndahet nga shqiptarët.

Madje një portal perëndimor “reddit.com” në 19 shtator tërhiqte vëmendjen se “një portal në Shqipëri, i afërt me kryeministrin Edi Rama, publikoi “kuadrin e ri” të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës”.

Çuditërisht non-pejpëri i tanishëm serb, ashtu si tre non-pejpërat e vjetshëm, përmban ide dhe teza, që përputhen me interesat e Serbisë. Kështu përfshihen zvarritja e dialogut për marrëveshjen e tretë të normalizimit të marrëdhënieve deri në vitin 2033, kur o gomari o i zoti do të kenë ngordhur. Përfshihet kushti i habitshëm proserb që “Serbisë nuk do t’i kërkohet që të njohë Kosovën”. Pastaj del oferta alogjike për të anëtarësuar në fazën e tretë Kosovën në NATO, sikur anëtarësimi në NATO përcaktohet nga BE dhe jo nga SHBA. Dhe në fund non-pejpëri proserb ka një kërcënim të çuditshëm drejtuar Kosovës që nëse nuk pranon “marrëveshjen” e mësipërme me idetë proserbe, do të organizohet “izolim komplet i qeverisë Kurti, që do të çojë në rënien e saj”.

Taktika dinake diplomatike e presidentit Vuçiç, për të mos komprometuar autorësinë serbe të non-pejpërit të ri,  është të shtiret sikur ka refuzuar ta marrë në dorëzim këtë non-pejpër. Tenton të krijojë situatën virtuale sikur ai mund të detyrohet ta pranojë me zor non-pejpërin, që e ka gatuar vetë, nën presionin e diplomacisë europiane. Kemi një intrigë të vogël meskine bizantine të presidentit serb dhe të diplomacisë serbe.

 

Cila është e vërteta e realitetit diplomatik lidhur me këtë temë?

Së pari, theksojmë se askush në BE, as Franca, as Gjermania dhe as diplomacia e BE, nuk kanë përmendur dhe as kanë folur për ndonjë “kuadër të ri”, “kornizë të re” apo “arkitekturë të re” të dialogut Serbi-Kosovë, për të cilat po zhurmon këto ditë presidenti serb dhe diplomacia e propaganda serbe. Flet vetëm Vuçiçi.

I dërguari i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, i cili ishte i pranishëm në bisedimet, që dy këshilltarët diplomatikë të presidentit francez dhe të kancelarit gjerman zhvilluan në 9 shtator në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe në Beograd me presidentin Vuçiç, e përgënjeshtroi në 15 shtator se ka një “kuadër të ri” të dialogut”.

Lajcak deklaroi se u habit, që po flitet për  një “kuadër të ri” të dialogut Serbi-Kosovë. Stacioni i njohur televiziv serb “n1TV” shkruante në portalin e  tij në 19 shtator se “Burime diplomatike të BE deklaruan se nuk kanë dijeni për ndonjë dokument me një “kuadër të ri” të dialogut. Burimet e BE theksuan se disa herë ndodh që i paraqiten publikut dokumenta anonime për keqinformim”. Stacioni televiziv serb pohon se dokumenti i qarkulluar në mediat serbe dhe shqiptare është një keqinformim.

E vërteta diplomatike e bisedimeve të fundit të dy këshilltarëve diplomatikë të presidentit francez dhe të kancelarit Sholc në Begrad dhe në Prishtinë është krejt ndryshe dhe lidhet me një aksion diplomatik të dyshes më të fuqishme europiane për t’i shtërguar rripat Serbisë që të shkëputet nga Rusia, të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe të njohë Kosovën.

Një diplomat perëndimor në Bruksel vuri në dispozicion të gazetës “Dita” dokumentin e projekt-marrëveshjes së vërtetë, që u është dorëzuar presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës nga dy këshilltarët diplomatikë francez dhe gjerman. Projekt-marrëveshja origjinale ka vetëm dy faqe, dhe jo katër siç pretendon propaganda serbe për non-pejpërin e rremë të shpërndarë nga propaganda serbe.

Dokumenti orgjinal mban titullin “Marrëveshje bazike midis Kosovës dhe Serbisë” dhe ka gjithsej 10 nene. Projektmarrëveshja origjinale franko-gjermane e dorëzuar kërkon që në preambul konkretisht “respektin reciprok për integritetin territorial dhe sovranitetin”.

Në nenin 1 thekson angazhimin e të dy palëve “për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me njeri-tjetrin mbi bazën e të drejtave të barabarta”. Po në atë nen thuhet se “të dy palët do te njohin reciprokisht dokumentat respektive të njeri-tjetrit dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe pullat doganore”. Në nenin 4 thuhet se “të dy palët do të procedojnë me qendrimin që asnjeri prej të dyve nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj”. Po në atë nen thuhet se ”Serbia dhe Kosova nuk do të kundërshtojnë anëtarësimin e njera-tjetrës në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

Në nenin 5 thuhet se të dy palët do të mbështesin aspiratat respektive per t’u bërë anëtarë të BE.

Në nenin 6 thuhet se “të dy palët do të vazhdojnë me një forcë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE, i cili duhet të çojë te një marrëveshje legalisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre të qendërzuar në njohjen reciproke”.

Në nenin 8 thuhet se të dy palët do të shkëmbejnë misione permanente.

Ky është dokumenti i vërtetë që dy këshilltarët diplomatikë të presidentit francez dhe të kancelarit gjerman i kanë lënë në tryezë presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës. Ky sanksionon rrugën njëkalimëshe të njohjes së Kosovës, nëpër të cilën do të detyrohet të kalojë Serbia. Ky dokument përputhet me kërkesën e qartë kategorike të njohjes së Kosovës, që ia parashtroi presidentit serb Vuçiç kancelari gjerman Olaf Sholc në vizitën e tij në Beograd në 10 qershor 2022.

Vendosmëria për një zgjidhje të shpejtë finale të dialogut Serbi-Kosovë, e ndërmarrë nga krerët e dy shteteve kryesore të BE, e ka tërbuar presidentin serb. Ndaj ai ngriti menjëherë alarmin shtetëror duke thirrur me urgjencë Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe një sesion të posaçëm të parlamentit të Serbisë.

Për të maskuar alarmin Vuçiç hodhi në qarkullim ballkanik non-pejpërin e rremë serb, që cituam në fillim të shkrimit, ku kushdo e sheh se non-pejpëri nu ka asgjë që të alarmohet Serbia, sepse ai është në favor të Serbisë. Presidentin serb e ka nxjerrë nga binarët përmbajtja e dokumentit origjinal, që i lanë në tavolinë dy këshilltarët diplomatikë franko-gjermanë me kërkesat, që e detyrojnë Serbinë për njohjen e Kosovës si shtet fqinjë i barabartë.

Dokumenti origjinal franko-gjerman e ka bërë presidentin serb të humbë ekuilibrin dhe të kërcënojë pa logjikë nga Njujorku ku ndodhet, se Serbia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e OKB, një absurditet diplomatik sikur varet nga Serbia nëse një shtet hyn apo jo në OKB. Ai bëri thirrje absurde që Serbia duhet të rimbështetet në mitet e saj mesjetare për Kosovën, sikur mitet do ia zgjidhin çeshtjen e detyrimit për të njohur shtetin e pavarur fqinj. Humbjen e ekuilibrit të udhëheqjes serbe e dëshmoi edhe aleati i tij kryesor në qeveritë e mëparshme dhe në qeverinë e re, filorusi radikal Ivica Daçiç.

Në 14 shtator në sesionin e posaçëm të parlamentit Daçiç deklaroi se serbët kanë bërë gabim të madh që kanë vrarë sulltan Muratin në betejën e Kosovës në 1389 dhe duhet ta kishim lejuar atë që të hynte në Vienë dhe në Budapest, sepse ata që ne mbrojtëm atëhere kanë njohur sot Kosovën si shtet i pavarur. “Serbët ishin mbrojtja e fundit e Europës dhe ajo nuk na e ktheu nderin”-ka thënë Daçiç, ish-kryeministër, ish-ministër i jashtëm dhe ish-kryetar parlamenti i Serbisë.

A e shikoni se në çfarë niveli mendor janë udhëheqësit e sotëm të Serbisë, dhe se sa janë çekuilibruar nga dokumenti origjinal franko-gjerman?

Aq keq janë, sa që presidenti i Rusisë Puti nxitoi në 20 shtator t’u jepte zemër me deklaratën se “Rusia do të vazhdojë t’i japë mbështetje Serbise si aleat strategjik, një mbështetje të gjthëanëshme miqve serbë në mbrojtjen e interesave legjitime të Serbisë”. Presidenti rus e ndërmerr këtë përçapje të re personale si kundërveprim ndaj aksionit të përbashkët diplomatik të presidentit francez dhe të kancelarit gjerman, dhe për ta lidhur më fort Serbinë pas aleancës strategjike me Rusinë.

Presidenti Vuçiç e dëshmoi përsëri rreshtimin e tij me agresionin e Rusisë në Ukrainë, kur në 22 shtator Serbia refuzoi të bashkohej me vendimin e  ri të Këshillit Europian të BE lidhur me masat restriktive ndaj personave dhe veprimeve, që cënojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Presidenti serb dhe Serbia po kërkojnë të autosugjestionojnë veten se do të arrijnë ta mbajnë të pazgjidhur dhe të hapur pafundësisht çeshtjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën dhe të njohjes së saj si shtet i pavarur. Ne këtë klimë iluzionesh Beogradi prodhoi edhe non-pejpërin e rremë për të gënjyer më shume veten se të tjerët. Serbia si shtet, si diplomaci dhe si propagandë, ka ekzistuar gjenetikisht me rrenën. Por efektiviteti i rrenës shtetërore serbe tashmë i përket së kaluarës.

As Ballkani, as Europa dhe as bota, nuk ecin sipas modeleve të rrejshme serbe, por i nënshtrohen ligjësive të marrëdhënieve ndërkombëtare të realiteteve objektive, me ose pa dëshirën e Serbisë. Presidenti amerikan ia ka treguar rrugën e duhur. Kancelari gjerman ia ka treguar rrugën e duhur. Tani edhe nisma e përbashkët e presidentit francez dhe e kancelarit gjerman po ia tregon rrugën, që duhet të ndjekë. Është rruga njëkalimëshe e njohjes së Kosovës.

Shaban Murati / DITA

Lufta e re e Rusisë në Ballkan ka filluar: Gjithë vendet e rajonit veç Serbisë janë nën sulme kibernetike

 

Kam thënë në libri tim “Rusët po vijnë”. E papritura ndodhi. Shumë naivë dhe skota filoruse në Ballkan talleshin kur zëra dhe institucione serioze paralajmëronin se pas Ukrainës Ballkani do të bëhet qendra e dytë e gravitacionit të tensioneve të luftës ruse.

 

Dhe tani e papritura ndodhi. Lufta ruse erdhi në Ballkan, jo me tanke dhe raketa, por me ofensivë sulmesh kibernetike, të cilat kanë efekte të ngjashme si lufta fizike me tanke dhe me ushtri pushtuese.

Në 12 shtator agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve “Asoshiejted Press” njoftonte nga Podgorica: “Në selinë e qeverisë në Malin e Zi anëtar të NATO-s kompjuterat janë fikur, interneti është mbyllur dhe websajtet kryesore të qeverisë janë mbyllur. Sulmi kibernetik ka filluar që në 20 gusht”.

Në 10 shtator në të njejtën ditë kemi sulme kibernetike kundër institucioneve shtetërore të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokimi informatik i një shteti duket si formë e një pushtimi pa tanke dhe pa ushtri të huaj, por që arrin efektin e bllokimit dhe të paralizimit të jetës institucionale në një shtet anëtar të NATO-s njësoj sikur të pushtohet.

Agjencia e  Sigurimit Kombëtar të Malit të Zi njoftoi në 26 gusht se disa agjenci të specializuara të Rusisë qendrojnë prapa sulmeve kibernetike në sistemet kyçe të institucioneve shtetërore të vendit. Në një deklaratë për mediat Agjencia malazeze e Sigurimit Kombëtar njoftoi se “shërbimet e koordinuara ruse janë prapa sulmeve kibernetike, të cilat ndodhin për herë të parë në Mal të Zi”.

Sulmet kibernetike ruse kundër Malit të Zi nuk janë as rastësi dhe as rast i izoluar. Kemi një ofensivë të vërtetë ruse të sulmeve kibernetike të njëkohëshme ndaj pothuaj të gjitha shteteve të rajonit. Kjo ofensivë kibernetike ruse filloi dhe po vazhdon që nga agresioni i tanishëm ushtarak rus kundër Ukrainës dhe krahas tij. Pra duhet konsideruar pjesë e agresionit rus dhe e konfliktit gjeopolitik dhe gjeoushtarak të Rusisë me Aleancën Atlantike.

Në 29 gusht qendra e specialzuar kibernetike “cybernews.com” bënte të ditur se Mali i Zi, Sllovenia dhe Moldavia kane pësuar sulme kibernetike masive. Në 28 gusht portali i specializuar për çeshtjet e zbulimit “intellinews.com” njoftonte se “Rusia është akuzuar se qendron prapa valës së sulmeve kibernetike ndaj websajteve dhe mediave sociale të institucioneve shtetërore dhe të partive politike në Europën Juglindore”.

Kryetari i delegacionit të BE dhe përfaqësues i posaçëm i BE në Bosnje-Hercegovinë, Johannes Sattler, tërhoqi vëmendjen në 10 shtator se sulme të mëdha kibernetike janë rregjistruar në vendet e rajonit.

Pra Ballkani ndodhet në mesin e një luftë të re ruse, që e ka emrin luftë kibernetike, me pasoja të renda për sigurinë, jetën, shoqërinë, sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve dhe popujve të këtij rajoni.

Cilat janë disa nga karakteristikat e luftës kibernetike ruse në rajon?

 

Së pari, ajo është një ofensive kibernetike ruse e njëkohëshme në të gjitha shtetet atlantike të rajonit dhe ka karakter rajonal, çka don të thotë se lidhet me strategjinë e re rajonale të Moskës. Drejtori i Agjencisë kroate të Sigurisë dhe të Zbulimit, Daniel Markiç, deklaronte se “Rusia ka rritur sulmet kibernetike ndaj Kroacisë dhe sulmet kryesore kanë synuar të vjedhin informacione sensitive nga ministritë dhe administrata e taksave. Disa nga sulmet kibernetike erdhën nga grupe të lidhura me agjencitë ruse të spiunazhit”.

 

Së dyti, ajo është një luftë ruse e përqendruar në shtetet e rajonit, që janë anëtarë të NATO-s. Portali rumun “romania-insider.com” bënte të ditur se sulmet kibernetike ruse kanë goditur mbi 300 websajte rumune dhe midis objekteve të sulmeve janë qeveria, ministria e mbrojtjes, ministria e brendëshme, xhandarmëria rumune, ministria e financave, administrata e taksave, shërbimet e telekomunikacionit ,etj.

 

Së treti, lufta e re kibernetike ruse është fokusuar kundër shteteve të rajonit, të cilat Rusia pas invazionit të saj ushtarak në Ukrainë i përcaktoi zyrtarisht si shtete armike.

 

Së katërti, lufta e re kibernetike ruse ka si objektiv jo vetëm paralizimin e institucioneve shtetërore në vendet ballkanike, por edhe ndërhyrjen në jetën politike e sociale të atyre vendeve, provokimin e trazirave dhe të destabilizimit. Gazeta “Sarajevotimes” shkruante në 11 shtator se Rusia mund të përfitojë nga dobësia e institucioneve të Bosnje-Hercegovinës dhe të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 2 tetorit. Sipas gazetës në fjalë, “ka një shqetesim brenda në NATO dhe në BE që Bosnje-Hercegovina mund të jetë objekt i sulmeve kibernetike dhe të tjera nga Rusia”.

Lufta e re kibernetike ruse e shpërthyer në rajon pritet të ketë efekte dhe komplikime të rënda në jetën shtetërore, administrative, politike, sociale, ekonomike, etj, njësoj siç do të kishte një luftë e drejtëpërdrejtë pushtuese me tanke dhe me trupa.

Spektri i luftës kibernentike, që Rusia po zhvillon në Ballkan, sinjalizon për disa fronte. Është fronti i paralizimit të qeverive, institucioneve shtetërore dhe të gjithë shtetit, disfunksionimi i përgjithëm i shtetit dhe shkëputja e plotë e qeverisë nga qytetarët. Është fronti i bllokimit të informacioneve të rëndësishme jetike për institucionet qeveritare në vendet e NATO-s në Ballkan. Është fronti i ndërhyrjes kibernetike për destabilizimin politik dhe për devijimin e proceseve dhe rezultateve elektorale në vendet e rajonit.

Sulmet kibernetike ruse në zgjedhjet në Ballkan janë një realitet, njësoj siç kanë bërë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë në 2016 apo në zgjedhjet në Francë në 2017 apo në referendumin për Brexitin në Britaninë e Madhe.

Kanë ndërhyrë në mënyrë flagrante në Malin e Zi në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020, kur arritën të devijojnë rezultatet dhe të sjellin në pushtet partitë radikale proserbe, proruse dhe antiatlantike. Kanë ndërhyrë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, në Bullgari, në Greqi, etj. Strategjia e ndërhyrjes kibernetike ruse në proceset politike dhe elektorale të rajonit është që të forcojnë pozitat politike dhe elektorale të forcave proruse dhe antiperëndimore në vendet e Ballkanit.

Veçori e luftës kibernetike ruse në Ballkan është që shoqërohen me sponsorizimin dhe organizimin e protestave dhe trazirave nga forcat ekstremiste politike vendase, me protesta civile dhe me futjen në intrigat destabiizuese të së ashtuquajturës shoqëri civile nëpërmjet shoqatave ojq-iste apo “studimore” dhe filantropiste, të financuara nga institucionet ruse.

Në luftën e re kibernetike ruse në Ballkan i duhet  kushtuar shumë vëmendje shtetërore dhe publike shkallëzimit të pritshëm të sulmeve kibernetike në drejtim të infrastrukturës kritike dhe jetike të shteteve të dobëta ballkanike. Përveç paralizimit të institucioneve qeveritare dhe shtetërore me hakerimin e sistemeve informative, ekspertët amerikanë parashikojnë që një objektiv tjetër i shkallëzimit të luftës kibernetike kundër vendeve të NATO-s mund të jetë goditja e infrastrukturës kritike të shteteve ballkanike dhe konkretisht sistemi i energjisë elektrike, sistemi i ujësjellësve, shërbimi mjekësor kombëtar, shërbimi policor, shërbimet mjekësore, digat për shkaktimin e përmbytjeve masive, transporti publik dhe komunikimi publik, etj. Kjo nuk është fantashkencë, por një realitet i kapshëm.

Kuptohet se goditja kibernetike ruse e sistemit të sigurisë fizike kombëtare të shteteve të NATO-s në rajon do të kishte pasoja katastrofike nga një luftë pa pushtues direkt me trupa, por me pushtim të telelekomanduar kibernetik nga Kremlini.

Në jurisprudencën ndërkombëtare, në zyrat përgjegjëse të qeverive serioze dhe në diplomacinë ndërkombëtare ka lindur dhe po zhvillohet një diskutim intensiv nëse duhen konsideruar në planin juridik sulmet kibernetike si akte lufte. Në fakt duket unanim qendrimi se sulmet kibernetike, që po paralizojnë qeveri, institucione shtetërore, jetën normale publike dhe ekonomike, po destabilizojnë shtetet dhe po prishin ekuilibra jetike të ekzistencës së shteteve dhe të popuve, duhen konsideruar akte lufte.

Në mbështetje të këtij qendrimi nxit sidomos alternativa tepër e rrezikshme e goditjes së sigurisë fizike të shteteve dhe të popujve nëpërmjet sulmeve kibernetike kundër infrastrukturës kritike. Por duke qenë se është një formë e re e luftës midis shteteve dhe jo një agresion klasik pushtimi fizik, ende nuk ka gjetur pasqyrim të përkufizuar në formën e një dokumenti ligjor ndërkombëtar të pranuar ndërkombëtarisht, ku të klasifikohet akt lufte.

Në Shqipëri sulmi kibernetik i Iranit i datës 15 korrik 2022 u klasifikua agresion shtetëror dhe në 7 shtator për këtë Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Shqipëria është i pari shtet në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, që pret marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër me arsyetimin e klasifikimit të sulmit kibernetik si një akt lufte. Kuptohet se sa e vështirë është që një përkufizim i sulmit kibernetik si akt lufte të pranohet dhe të konkretizohet me një dokument zyrtar të OKB, sepse shteti kryesor, që po e zhvillon luftën kibernetike kundër vendeve të NATO-s në Ballkan dhe në gjthë Europën, pra Rusia, është anëtar i përhershëm i Këshilit të Sigurimit të OKB me të drejtë vetoje dhe që nuk do ta pranonte ligjërimin e një dokumenti të tillë ndërkombëtar.

Ndërsa në jurisprudencën dhe në diplomacinë  ndërkommebëtare vazhdon diskutimi për përkufizimin e sulmeve kibernetike si akte lufte, në planin e terrenit konkret ofensiva kibernetike ruse vazhdon me intensitet, duke konturuar pasojat e saj të paparashikueshme. Fakti është se lufta e re kibernetike ruse është përqendruar kundër shteteve të NATO-s në rajon, dhe nga pikëpamja strategjike është planifikuar si një goditje ndaj vetë NATO-s, nëpërmjet destabilizimit dhe dobësimit të krahut ballkanik të Aleancës Atlantike.

Pikërisht se kemi të bëjmë me goditje ndaj shteteve të NATO-s, edhe Aleanca Atlantike po e trajton luftën kibernetike ruse në Ballkan në referim të Nenit 5 të Traktatit Themelues të NATO-s për mbrojtjen kolektive. Ndaj ekipet e posaçme të  mbrojtjes kibernetike nga SHBA dhe shtete të fuqishme të NATO-s u dërguan menjëherë në Shqipëri dhe në Mal të Zi, si dhe në vende të tjera aleate të rajonit të sulmuara kibernetikisht nga Rusia.

Ajo, që bie në sy menjëherë në luftën e re kibernetike ruse në Ballkan, është fakti demaskues se vetëm Serbia në rajon është shteti, që nuk ka pasur asnjë sulm kibernetik. Kjo don të thotë se Rusia nuk sulmon aleatin e saj të vetëm strategjik në Ballkan, i cili në rastin e agresionit rus në Ukrainë është shteti i vetëm europian, që ka mbështetur Rusinë dhe ka refuzuar sanksionet antiruse të BE, megjithse zyrtarisht është shtet kandidat i BE.

Kjo don të thotë që Serbia është në rezonancë me strategjinë antiatlantike të Rusisë në Ballkan. Kjo don të thotë që Rusia me luftën e re kibernetike kundër shteteve të NATO-s në Ballkan, synon t’ia dobësojë  Serbisë shtetet rivale dhe kundërshtare të saj si Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj.

Për ekspertët strategjistë dhe të agjencive perëndimore të zbulimit lufta e re kibernetike ruse në Ballkan ka brenda saj edhe implikimin e shërbimeve sekrete serbe me shërbimet sekrete ruse në aspiratën e shkrirjes së “botës serbe” me “botën ruse” si strategji e deatlantizimit të Ballkanit. Drejtori i Agjencisë së Sigurimit dhe të Zbulimit i Kroacisë, Daniel Markiç, sipas gazetës “The Dubrovnik Times” deklaroi se “Sulmet kibernetike ruse u rritën pas invazionit rus në Ukrainë. Influenca ruse në rajon është e mirënjohur, veçanërisht në Serbi. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”.

Kur drejtori i mirëiformuar i Agjencisë kroate të Sigurisë dhe Zbulimit tërheq vëmendjen për korelacionin Rusi-Serbi në sulmet kibernetike në rajon, duhet të jesh i verbër ose idiot i dobishëm i Rusisë dhe i Serbisë që të mos e shohësh realitetin bashkëpunimit antiballkanik dhe antiatlantik ruso-serb në rajon.

Tërësia e rreziqeve të mëdha, që po sjell lufta e re kibernetike ruse në Ballkan, i bie kambanës së nevojës së masave urgjente të shteteve atlantike të rajonit për të garantuar sigurinë kibernetike dhe fizike të shteteve dhe të popujve. Është koha e alarmeve shtetërore për të papriturat e frikshme, që po vijnë nga Rusia, dhe jo kohë e verëpirjeve të nanuritjeve në opiumin serbo-rus të “Ballkanit të hapur të paqes”.

Lufta e re ruse ka ardhur në Ballkan dhe këtë realitet të dhimbshëm tenton ta fshehë histeria diplomatike dhe propagandistike serbe dhe filoserbe për paqen dhe vëllazërim-bashkimin e ”Ballkanit të hapur”.

Ariu rus po e kafshon Ballkanin dhe Serbia po ia shtron sofrën.

Shaban Murati / DITA

Kurti për REL: Situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur

Kurti relNë komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

 

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për Komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

 

Radio Evropa e Lirë: Të shtunën, Policia e Kosovës u përball me një sulm të armatosur në veri. Sulmet janë të përsëritura. A po bëhet i vështirë qarkullimi i Policisë në atë zonë?

Albin Kurti: Nga viti i kaluar deri sivjet i kemi pasur 14 sulme në veri të Kosovës, me ç’rast dhjetë prej tyre kanë qenë kundër zyrtarëve policorë. Këto ndodhin prej elementeve kriminale, të cilat bëjnë kontrabandë, e që janë të përfshira në trafiqe të ndryshme, ku dominon shpëlarja e parave, por sidomos droga.

Duhet të thuhet se jo vetëm kemi konfiskim të sasive të konsiderueshme të drogës, kemi edhe pesë laboratore të drogës që i kemi zbuluar dhe i kemi ndaluar në veri të Kosovës. Pra, është krimi i organizuar atje ai që rrezikon, jo vetëm rendin publik dhe sigurinë tonë kombëtare, por gjithashtu edhe organet tona të sigurisë dhe të rendit, përkatësisht Policinë e Kosovës, e cila me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe me guxim të pashoq është duke i bërë ballë dhe duke pasur sukses atje.

Nga prilli i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti kemi pasur 69 raste të iniciuara kundër krimit dhe kontrabandës në veri, me ç’rast janë realizuar 35 operacione të Policisë.

 

Radio Evropa e Lirë: Me gjithë këto sulme që po i përmendni ndaj Policisë së Kosovës, ende nuk e kemi parë që dikush është përballur me drejtësinë për këto sulme. Çfarë po bën shteti për të mundësuar qarkullim të sigurt të Policisë së Kosovës në veri të vendit?

Albin Kurti: Policia është hallka e parë e drejtësisë që duhet të vazhdohet më pastaj me Prokurori aktive dhe me gjyqësor efikas. Besoj që puna e madhe e Policisë do të pasohet edhe nga sistemi i drejtësisë.

Ndërkaq, për Policinë tonë ne jemi duke ndërmarrë të gjitha masat që ajo të jetë sa më pak e cenueshme, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që rreziku zero nuk është i mundur.

Njëkohësisht bashkëpunojmë edhe me partnerët, aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in, por edhe me përfaqësitë diplomatike këtu që të kemi sa më shumë informacion e parashikueshmëri dhe rrjedhimisht sa më pak rrezik për policët tanë.

 

“Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë për ta sulmuar Kosovën”

 

Radio Evropa e Lirë: Në fundjavë, po ashtu, në veri të vendit u kap një shtetase ruse, e cila tashmë është shpallur e padëshiruar në Kosovë. A dihen qëllimet e saj brenda Kosovës?

Albin Kurti: Padyshim që qëllimet e saj nuk kanë qenë të mira. Dhe, këtë e kanë konstatuar edhe ata, të cilët e kanë intervistuar. Bëhet fjalë për një person të mirënjohur nga shumë shtete në Evropën lindore për veprimtarinë destruktive gjithnjë në funksion të Kremlinit zyrtar. Dhe nuk është e rastësishme që ajo u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës. Pra, ishte në Serbi ku mbase ishte edhe e mirëpritur dhe që prej atje provoi të hynte edhe në Kosovë dhe organet tona e ndaluan dhe më pastaj edhe e dëbuan.

Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia meqënëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore.

Të gjithë e dimë se në Serbi ekziston baza regjionale për Sputnikun në Beograd konkretisht dhe po atje brenda Ministrisë së Mbrojtjes ndodhet zyra e Ministrisë së Mbrojtjes e Rusisë. Ndërkaq 160 kilometra nga ky vend ku po e zhvillojmë intervistën, në Nish të Serbisë, është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse me shumë agjentë dhe me shumë oficerë rusë, të cilët bashkë me ata serbë natyrisht kanë për synim se si ta destabilizojnë Kosovën, si ta cenojnë paqen dhe demokracinë, si ta rrezikojnë sigurinë për Kosovën dhe jo vetëm. Andaj, veprimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ishte i menjëhershëm, i saktë, i duhur dhe profesional.

 

Radio Evropa e Lirë: Por, a ka informacione për persona të tjerë të infiltruar nga Rusia, sidomos në veri të vendit? Gjithashtu e keni përmendur se ka informacione për dezinformata të qëllimshme të shpërndara nga Rusia sidomos për çështjen në veri. Çfarë dini për këtë dhe çfarë është duke bërë Kosova për t’i luftuar këto dezinformata?

Albin Kurti: Ata janë duke e udhëhequr një luftë hibride, e cila siç është dëshmuar në rastin e Ukrainës, nuk është zëvendësim për luftën tradicionale çfarë e njeh historia, por është fazë përgatitore për të.

Andaj, ne jemi shumë vigjilentë. Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar meqenëse mekanizmat tanë shtetërorë janë në nivel të detyrës dhe për nga cilësia e tyre padyshim që mund t’iu bëjnë ballë ndërhyrjeve të atilla.

Edhe në shtatorin e vitit të kaluar, atëherë kur u ngritën për herë të parë barrikadat gjatë qeverisjes sonë, e mbaj mend shumë mirë se shumë prej atyre serbëve të strukturave ilegale të Serbisë që paguhen nga Beogradi dhe dirigjohen prej andej, e kur dalin në rrugë shndërrohen në banda kriminale, kishin afërsi me Moskën po aq sa me Beogradin e shpeshherë edhe më shumë se aq.

Nga invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë kemi këtë fenomenin kur ata që kanë marrë pjesë nga Serbia në luftërat në ish-Jugosllavi tashmë nuk janë vetëm nacionalistë e shovinistë serbë, por të njëjtën kohë edhe adhurues të presidentit despotik [Vladimir] Putin dhe mbështetës të tij.

Andaj, në masë të konsiderueshme, Kremlini nuk ka nevojë të sjellë agjentë rusë në Serbi shumë, ndonëse edhe këtë e bën, meqenëse ka jo pak serbë vullnetarë që e kryejnë këtë punë. Mbase edhe këto matjet e opinionit publik në Serbi janë duke na dhënë fakte shqetësuese që më shumë se dy të tretat e serbëve në Serbi kanë mendim pozitiv për presidentin despotik Putin dhe, në anën vjetër, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë në një të tretën.

 

“Ka dyshime për përfshirjen e agjentëve rusë”

 

Radio Evropa e Lirë: A ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë, sidomos që qëndrojnë në veri të vendit pas arrestimit që ndodhi në fundjavë?

Albin Kurti: Sigurisht që ka dyshime, mirëpo organet tona të inteligjencës dhe sigurisë grumbullojnë të dhënat dhe vetëm më pastaj veprojnë duke i dëbuar ata, për të cilët kemi dyshim të bazuar për të mos thënë edhe siguri, sepse kjo u përket edhe organeve të gjyqësorit se bëhet fjalë për njerëz, të cilët kanë ardhur ta luftojnë republikën tonë, demokracinë tonë e sigurinë tonë.

 

Barrikadat u vendosën edhe “për të qëlluar mbi automjetet”

 

Radio Evropa e Lirë: Edhe javën e kaluar, Kosova e kaloi një fundjavë me tensione. A mund të na tregoni se cilat ishin prapaskenat për marrjen e vendimit për shtyrjen e vendimeve për targat dhe për dokumentet hyrëse për shtetasit serbë?

Albin Kurti: Prapaskenat e tensioneve të 31 korrikut ishin skenat në Rashkë dhe Beograd ku u mbajtën mbledhjet përgatitore për ato 11[barrikada], plus dy barrikada, që u ngritën në veriun e Kosovës.

Kishim 11 barrikada në fshatrat e ndryshme dhe dy barrikata shtesë në urat te Liqeni i Ujmanit. Dhe së paku, nëntë barrikada janë ngritur brenda 10 minutave. Bëhet fjalë për një organizim dhe një përgatitje që nuk mund të jetë thjesht qytetare, por është shtetërore. Kjo është gatuar në Beograd që për më shumë se një muaj kishte zhvilluar fushatë se si me datën 1 gusht në Kosovë do të nisë e ashtuquajtura ‘Stuhia’, ngjashëm sikur në Kroaci dhe se do ta pasojë ferri në Kosovë.

Ata, duke qenë të vetëdijshëm se me datën 1 gusht nuk do të ketë asgjë të ngjashme, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se do të ketë vetëm një dokument që u lëshohet qytetarëve nga Serbia, jo të Kosovës, por [atyre] nga Serbia që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoritetet atje, e shkaktuan një ditë përpara atë tensionim që kishte për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë rrezikimin e rendit publik dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve për liri të lëvizjes.

Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin, por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë. Andaj në këto barrikada kishte njerëz të armatosur. Nuk bëhej fjalë për barrikada me njerëz civilë që, thjesht, pengojnë lirinë e qarkullimit. Bëhej fjalë për barrikada me njerëz të armatosur, të cilët e kanë vendosur barrikadën në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë.

Nga këto 11 plus 2, gjithsej 13 barrikada të 31 korrikut kemi pasur dhjetëra shkelje të rënda të ligjit me të cilat po merren organet e shtetit dhe kishim edhe 11 shqiptarë të lënduar apo të maltretuar.

 

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë katër orë para nisjes së zbatimit të vendimeve, me deklarime publike ju jeni treguar shumë i vendosur për zbatimin e këtyre vendimeve. A ka pasur diçka specifike, sidomos gjatë bisedave me faktorët ndërkombëtarë, me ambasadorin amerikan, që iu ka shtyrë drejt shtyrjes së zbatimit të vendimeve?
Albin Kurti: Edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, (Josep) Borrell, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, (Jeffrey) Hovenier, kanë kërkuar prej nesh që ta shtyjmë për 30 ditë zbatimin e vendimit, me ç’rast edhe njëherë e kanë konfirmuar që vendimi është i drejtë. Dhe, unë jam i bindur që edhe zbatimi ka qenë i drejtë.

Përgjatë orëve të 1 gushtit, 2.679 dokumente i kemi lëshuar në vendkalimet tona kufitare për qytetarët që kanë ardhur me dokumente të Serbisë dhe 20 sekonda ka qenë mesatarja e kohëzgjatjes së lëshimit të këtij dokumenti.

Ndërkaq, kur kalon në Serbi këtë dokument ta vonojnë prej 10 minuta deri në mbi 1 orë, sepse nganjëherë duan të të dekurajonë të mos e kalosh fare kufirin, për të vizituar familjarë, për shembull, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e nganjëherë dëshirojnë që t’iu japësh para në mënyrë që të të lejojnë të kalosh.

Pra, atje ka edhe vonesa, edhe padrejtësi, edhe korrupsion. Ndërkaq, në Kosovë ka efikasitet digjital. Dhe, ata kanë qenë të vetëdijshëm që Kosova do të dëshmohet edhe më shumë si shtet me datën 1 gusht.
Ne jemi kritikuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë që fushata jonë nuk ka qenë e mjaftueshme. Unë besoj që kemi bërë fushatë të mirë. A është plotësisht e mjaftueshme? Mbase asnjëherë, mirëpo nuk mendoj që ka qenë e mangët.

Ajo çka unë jam pajtuar me faktorët ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë, është që ka pasur një fushatë tejet të madhe të dezinformimit, të cilën, ç’është e vërteta, ne mbase nuk e kemi analizuar dhe trajtuar sa duhet.

 

Fushata dezinformuese “shkaktoi akth dhe pasiguri” në veri

 

Radio Evropa e Lirë: A keni mundur ta parashikoni?
Albin Kurti: Kemi mundur ta parashikojmë si qasje e Beogradit, por mbase jo përmasën e efektit. Duke qenë se serbët në Kosovë përgjithësisht i shikojnë mediat televizive në Serbi dhe ta zëmë, kanali i dytë i RTK-së nuk arrin të depërtojë sa mediat e Serbisë, qytetarët serbë në Kosovë, por edhe qytetarët serbë në Serbi i janë nënshtruar një fushate të paparë të dezinformimit për atë se çka do të ndodhë më 1 gusht. Dhe, kjo pastaj ka krijuar shumë frikë, shumë ankth dhe shumë pasiguri edhe tek ata.

Shtyrja që ne e kemi bërë deri më datën 1 shtator, kur do të vazhdojë zbatimi, pra ky numri 2.679 do të rritet për ata që vijnë në Kosovë, ka të bëjë me një lloj ndjeshmërie shtesë të Qeverisë së Kosovës për brengën e madhe të faktorëve demokratikë ndërkombëtarë për fushatën dezinformuese të Serbisë.

Unë besoj që në kontekstin aktual e kemi bërë zgjidhjen e duhur. Jemi vonuar 11 vjet. Nëse këtyre 11 vjetëve ua shtojmë edhe katër javë për ta përforcuar qëndrimin, vendimin tonë edhe me mbështetje edhe më të madhe ndërkombëtare, unë besoj që ia vlen.
Në vitin 2011, Serbia ka pranuar në Bruksel se ajo do të lëshojë dokument, por këtë do ta bëjë edhe Kosova. Mirëpo, me kalimin e viteve Serbia është mësuar me privilegjin që ia ka dhënë Kosova duke mos e zbatuar masën e njëjtë. Dhe tash kur e vendosim reciprocitetin, Serbisë i duket padrejtësi. Zaten, ai i cili është mësuar me privilegje, barazia i duket padrejtësi. Kjo është situata e raportit tonë me Serbinë.

 

Në takimet në Rashkë dhe Beograd “u planifikuan tensionet”

 

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër përmendët grupet e armatosura që ishin të gatshme të qëllonin ndaj turmave. A ka pasur rrezik që në atë natë situata të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur në veri?
Albin Kurti: Rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd. Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë. Padyshim që rreziku ekziston, por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë.

 

Radio Evropa e Lirë: Nga opozita jeni kritikuar për zmbrapsjen e vendimit, duke thënë se me këtë po e jepni një përshtypje që veriu është jashtë kontrollit të shtetit. Si i përgjigjeni kësaj?

Albin Kurti: Unë nuk mund të them që shteti i Kosovës e ka kontrollin si në veri të Kosovës si në pjesë të tjera. Por, mund të them që prej nga viti 1999, kur është çliruar Kosova, e deri më sot luftim të krimit e korrupsionit dhe veprimtari e operacione të Policisë së Kosovë sikurse këtë vit, në veri të Kosovës nuk ka pasur asnjëherë.

Pra, ne jemi duke e shtuar luftimin e krimit dhe korrupsionit, sepse strukturat ilegale janë edhe struktura kriminale, janë edhe banda kriminale. Andaj, ne nuk i luftojmë ata pse janë serbë për nga përkatësia kombëtare, por i luftojmë për shkak se janë shkelës të ligjit, të cilët përveç se kanë fletëarreste në Kosovë, disa prej tyre janë edhe në listën e zezë të Thesarit amerikan. Por, në grupet që i arrestojmë, në individët që arrestohen nga Policia jonë, nuk janë që të gjithë serbë.

Krimi i organizuar është ndërkombëtar dhe multietnik. Aty ka edhe shtetas të vendeve të tjera të Ballkanit, por ka edhe qytetarë shqiptarë të Kosovës. Pra, nuk janë në shënjestrën tonë njerëzit sipas përkatësisë etnike, por sipas veprimtarisë kriminale.

 

Bashkëpunim me KFOR-in për mbylljen e rrugëve ilegale në veri

 

Radio Evropa e Lirë: Lista Serbe ka thënë se atë ditë edhe Milan Radoiçiq është shëtitur rrugëve të barrikaduara të veriut. Si ka mundësi që një person me fletëarrest në Kosovë të qarkullojë aq lirshëm brenda territorit të Kosovës?

Albin Kurti: Policia e Kosovës i ka mbyllur shumë prej shtigjeve ilegale në veri të Kosovës. Mirëpo, këtu nuk kemi pasur edhe mbështetjen e mjaftueshme edhe të faktorëve ndërkombëtarë dhe kemi edhe rrugë ilegale që janë rihapur. Andaj, ne jemi të interesuar për sa më shumë bashkëpunim me KFOR-in që të mos ketë rrugë të tilla ilegale. Rrugët ilegale janë për njerëzit ilegalë, andaj këto rrugë duhet të mbyllen dhe shpresoj që edhe faktorët ndërkombëtarë, ata të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, kanë nxjerrë mësimet e duhura në mënyrë që të mos kemi më rrugë ilegale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne dëshirojmë që gjërat që janë legjitime, legale, pra ligjore, dhe vetëm atëherë qarkullimi i lirë dhe lëvizja e lirë ka kuptim. Lëvizja e lirë në rrugë ilegale nuk është lëvizje e lirë, është lëvizje e ilegalëve. Dhe, këtu ne e vëmë theksin tonë kryesor, por duhet ta keni parasysh se edhe këtu ka një përparim të madh.

Tash, me shumë frikë, kryekrimineli në veri të Kosovës zhvillon ndonjë lëvizje atje, por pakrahsimisht qëndron më shumë në Serbi, ndërkohë që para disa vjetësh ai ka shëtitur i lirë edhe në Prishtinë dhe madje është mirëpritur edhe në Kryeministri. Është dallim i madh me periudhën para disa viteve dhe duhet ta kuptoni që disa njerëz bëhen më të rrezikshëm pikërisht atëherë kur iu vjen fundi.

Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të mëparshme keni përmendur se ekzistojnë rreth 10 organizata ekstremiste serbe që funksionojnë në Kosovë. Cilat janë disa prej tyre dhe a dihet nëse aktiviteti i tyre ka të bëjë edhe me këto tensione?

Albin Kurti: Një pjesë e tyre aktivizohen publikisht në festa si puna e 28 qershorit, kur shënohet Beteja e Kosovës nga viti 1389. Pastaj në festat fetare ata janë shumë aktivë dhe bëjnë veprimtari, ose atëherë kur ka konflikte ose tensione të ndryshme, sepse konflikti për ta është liri. Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta. Por, janë organizata të cilat nuk ka nevojë as t’i bëj të famshme duke ua përmendur emrat princave nga mesjeta.

Dialogu, për njohje reciproke

 

Radio Evropa e Lirë: Tashmë është konfirmuar në Bruksel takimi i juaj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht. Cila është agjenda e këtij takimi?
Albin Kurti: Ne nuk kemi një njoftim zyrtar mbi agjendën. Por, ajo çfarë kemi shkëmbyer gjatë komunikimit me Josep Borrellin, që është njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian, është se duhet ta synojmë dialogun për marrëveshje – jo dialogun për dialog, por dialogun për marrëveshje – që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe përveç kësaj një marrëveshje, e cila e bën normalizimin e plotë, duke e pasur në qendër njohjen reciproke.
Në këtë kuptim, unë jam i interesuar që më 18 gusht të diskutojmë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që duam ta arrijmë me dialog.

 

Vendimet e Qeverisë “nuk i negociojmë”

 

Radio Evropa e Lirë: A pritet të diskutohet edhe për vendimet e parajmëruara të hyjnë në fuqi në shtator?

Albin Kurti: Vendimi i Qeverisë së Kosovës nga 29 qershori i këtij viti edhe sa i përket targave ilegale nga koha e [Slobodan]Millosheviqit për KM, PE, PZ, DJ, UR e GL, por edhe sa i përket dokumentit në vendkalimin kufitar është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës. Ne, vendimet e Qeverisë nuk i negociojmë.

Por, ajo çfarë duhet të bëjmë në dialog është ta realizojmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Për atë është dialogu. Nuk është dialogu për të diskutuar për vendimet e Qeverisë së Kosovës. Ne, si Qeveri e Kosovës, i përgjigjemi Kuvendit të Republikës, qytetarëve të vendit tonë. Ndërkaq, vendimet të cilat ne i kemi marrë, është dashur në fakt të mos ketë nevojë të merren sepse Serbia është dashur shumë më herët të pushojë me prodhimin e targave ilegale nga koha e Millosheviqit.
Në fakt, që nga mesi i janarit i vitit 2018 Serbia nuk është dashur të prodhojë më targa ilegale. Prodhimi i targave ilegale po ashtu ka qenë ilegal edhe nga vetë pikëpamja e Serbisë që nga mesi i janarit të vitit 2018. Por, Kosova ka qenë tërësisht pasive në atë kohë. Qeveria e Kosovës në janarin e vitit 2018 ka fjetur dhe në vend se të thotë se nga 16 janari i vitit 2018 asnjë targë PR e KM në Kosovë, në atë kohë [njerëzit që ishin në pushtet] mbase kanë qenë shumë të zënë me lobimin që në mars të vitit 2018 ta kalojnë demarkacionin e padrejtë me Malin e Zi.

 

Serbia, “e varur nga Rusia”

 

Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo çështje për ju nuk është e negociueshme në Bruksel?

Albin Kurti: Vendimet e Qeverisë së Kosovës janë vendime të një shteti sovran, i cili është demokratik për dallim nga fqinji ynë verior ku qartazi edhe sipas Transparency International, e thënë butë, kemi regjim hibrid, që është një lloj eufemizmi për autokraci.
Nëse do të duhej të negocioheshin qëndrimet e një qeverie, do të duhej të negocioheshin qëndrimet e një qeverie të një shteti autokratik e jo të një shteti demokratik si Kosova. Dhe, kur kemi parasysh kontekstin aktual të kontinentit tonë me këtë luftën e tmerrshme në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit rus, mund të them që shteti i Kosovës, jo vetëm që është më demokratik sesa i Serbisë, por është edhe më i pavarur sesa i Serbisë.

Kosova është më e pavarur sesa Serbia. Serbia është e varur prej Rusisë. Pesëdhjetë e gjashtë për qind të industrisë së naftës në Serbi i ka Gazpromi. Basenin kryesor të gazit në Serbi, po ashtu e ka Gazpromi.

Mbi 60 për qind të Kuvendit të Serbisë janë në kuadër të Grupit të Miqësisë Serbi-Rusi. Armatimin e kanë nga Rusia, ushtrimet ushtarake i kanë me Rusinë, lidhjet kulturore-historike janë të gjera dhe të thella. Andaj në këtë kuptim, Kosova është vend shumë më i pavarur pakrasimisht sesa Serbia. Pra, ne nuk jemi vetëm më demokratik sesa Serbia, ne jemi edhe më të pavarur sesa Serbia. Ajo është e varur nga Rusia.

Radio Evropa e Lirë: A mund dhe a do të evitohen ngjarjet e 31 korrikut më 1 shtator?
Albin Kurti: Ne do të bëjmë gjithçka që ato të evitohen, por natyrisht që varet sa faktorët ndërkombëtarë do të arrijnë ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj shtetit tonë, ndaj rendit tonë kushtetues dhe ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim edhe për marrëveshjen që konsiderohet ndër më problematiket, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A ka lëvizje drejt formimit të këtij Asociacioni dhe ku gjendemi aktualisht me këtë marrëveshje?
Albin Kurti: Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës. Unë besoj se gjithçka mund të realizohet aty. Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehje e unitetit të vendit tonë dhe njëkohësisht është shprehje e brengës sonë për çdo nevojë që mund ta kenë komunat.

Pra, nuk besoj që ka ndonjë çështje që komunat e Kosovës nuk mund ta adresojnë në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Serbët e Kosovës nuk e kanë kërkuar asociacionin njëetnik, ai ka qenë kërkesë e Beogradit dhe fatkeqësisht koncesion i pararendësve të mi.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë që tashmë Asociacioni duhet të diskutohet dhe, sipas tij, ka disa modele evropiane që mund të ndiqen për Asociacionin. A ka ndonjë model të pranueshëm për ju?
Albin Kurti: Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar.

Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë.

 

‘Pagesa për rrymën në veri është borxh, jo dhuratë’

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia tashmë janë pajtuar për zbatim të marrëveshjes për energjinë. Megjithatë, kompania e licencuar, Elektrosever, tashmë ka humbur disa afate të parapara që t’i dorëzojë disa dokumente. Si është duke shkuar zbatimi i kësaj marrëveshjeje?
Albin Kurti: Janë dy gjëra për të cilat gjatë qeverisjes sime jemi marrë vesh me Serbinë. Është çështja e targave, që të mos ketë targa të përkohshme, dhe përkohësisht t’i kemi ato letrat ngjitëse mbi simbolet. Edhe kjo duhet të përfundojë, sepse nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është zgjidhje evropiane.

Për këtë jemi marrë vesh dhe këtë e kemi zbatuar ne si Kosovë. Dhe, tjetra (marrëveshje) për të cilën jemi marrë vesh, është për fillimin e faturimit të energjisë së konsumuar elektrike në veri të Kosovës. Edhe këtë e kemi zbatuar. I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë.

Pra, ne i kemi dy dakordime me Serbinë, dhe është Serbia që nuk po i zbaton. Qeveria jonë, Qeveria aktuale, i ka dy dakordime. Në të dyjat, ne jemi konstruktivë dhe të përgjegjshëm. Atë çka merremi vesh, ne e zbatojmë. Por në asnjërën, Serbia nuk është konstruktive dhe nuk po e zbaton, as në kuptimin e qëllimit, se lëre më të praktikës. Pra, ata as nuk po thonë se do ta bëjnë. Dhe, kjo me të vërtetë është brengosëse. Besoj që faktorët ndërkombëtarë, e në veçanti Brukseli, do të duhej ta regjistronte, qortonte dhe ndëshkonte Beogradin për këtë.
Nuk kam kurrfarë mundësie në dimrin që vjen, të paguaj për veriun e Kosovës. Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri, që do të krijonte pretekst për dy lloj ndërhyrjesh.
E para, Serbia të përfshihet në veri më shumë, dhe e dyta, rrjeti energjetik ekzistues në veri të lidhet me Novi Pazarin.
Unë jam i bindur që ky është synimi i tyre. Ata kanë synim që ne t’i shkëpusim qytetarët në veri të Ibrit në stacionin në Mitrovicë. Mirëpo, ne tashmë kemi paguar për këtë gjë dhe kjo pagesa ynë nuk është dhuratë. Është borxh i regjistruar, që të mos përfundojmë në atë shteg të errët, ndërkaq në anën tjetër, që të mos e rrezikojmë anëtarësimin tonë në ENTSO (Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji). Edhe për këtë arsye ne e kemi paguar.

Por, kjo pagesë që e kemi bërë, e para është borxh dhe është e pamundur që të bëhet në dimrin që vjen. Andaj është shumë e rëndësishme që të zbatohet dakordimi i arritur.

 

‘Nuk mund ta paguajmë më rrymën në veri’

Radio Evropa e Lirë: Por, në praktikë, nëse zbatimi i marrëveshjes dështon, a do të thotë që Kosova është e detyruar sërish të paguajë për banorët në veri. Cilët janë skenarët për dalje nga kjo krizë?
Albin Kurti: Ne nuk kemi mundësi të paguajmë në vjeshtën e vonë dhe dimrin që vjen, andaj duhet që, pa kurrfarë dileme, sa më parë, qysh dje, të zbatohet dakordimi që kemi arritur. Si mund të kërkojnë ata marrëveshje të reja me ne, kur nuk i zbatojnë këto që tashmë i kemi arritur në kohën e Qeverinë sonë? Kjo tregon që Serbia nuk e ka dialogun për marrëveshje dhe nuk e ka marrëveshjen për zbatim.

 

‘Nuk kemi kapacitet energjetik për të mbuluar pikun e dhjetorit’

 

Radio Evropa e Lirë: Si do të përballet Kosova me një krizë energjetike këtë dimër, përveç problemit të veriut?
Albin Kurti: Ne bëjmë më të mirën e mundshme, edhe në lidhjen tonë me Shqipërinë, por edhe në përpjekjet tona që të merremi vesh paraprakisht me operatorë të fuqishëm ekonomikë ndërkombëtarë, lidhur me importin që do të na duhet edhe këtë dimër.

Është e qartë që me gjenerimin tonë, me termocentralet, Kosova A, Kosova B, dhe me burimet e ripërtërishme, ne nuk mund ta mbulojmë pikun e dhjetorit dhe të janarit, e mbase edhe të muajve tjerë. Andaj, ne po përpiqemi që ta minimizojmë edhe si sasi të importuar, edhe si çmim për atë import.

 

Radio Evropa e Lirë: A pritet të jetë dimër i vështirë edhe për bizneset dhe konsumatorët? A pritet të ketë reduktime, çfarë kërkohet prej qytetarëve për atë kohë?
Albin Kurti: Mund të themi që situata do të vështirësohet në stinën e dimrit, mirëpo në çfarë përmase do të jetë kjo, varet edhe prej rrethanave evropiane e globale. Ju po e shihni sesi edhe rritja e çmimeve, përkatësisht inflacioni, edhe shkurtimet në furnizimet me energji, dhe rishikimin e politikave energjetike, janë duke e bërë edhe vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, që janë me dekada para nesh, e lëre më ne të cilët, siç dihet, as liberalizimin e vizave s’e kemi ende.

Ka krizë Gjermania, ka krizë Italia. Janë duke iu kthyer qymyrit. Pra, është situatë e paparë në disa rrafshe, që nga rënia e Murit të Berlinit, e në disa rrafshe që nga Lufta e Dytë Botërore. Andaj, çka varet prej situatave të ardhshme në kontinentin tonë, e që do ta pësojmë edhe ne, nuk është kollaj e parashikueshme sot.

 

‘Më tepër rrezikohemi nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë’

 

Radio Evropa e Lirë: Njëjtë, në Evropë është duke u përmendur një krizë ushqimore e mundshme për shkak të situatës në Ukrainë. Si pritet ta përballojë këtë Kosova?

Albin Kurti: Shpresojmë që furnizimi i Evropës me grurë, edhe çmimet e energjisë, nuk do të jenë të tilla që do të na krijojnë gjendjen më të rëndë në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, një skenar i tillë i errët, me siguri që imagjinohet në kryeqendrat evropiane dhe ato i dizajnojnë politikat e tyre evropiane. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me to.

Ajo çfarë mund të them sot është që, përshtypjet e mia dhe Qeverisë sime, me ministrat, analizat që bëjnë, e kështu me radhë që i trajtojmë, është se, më tepër rrezikohemi nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë. Pra, besoj që çmimet e larta të energjisë, sidomos për shkak të shantazhit me gazin rus të vendeve të Bashkimit Evropian, do të jenë më të rënda për t’i përballuar, sesa furnizimi me ushqimin bazë. Por, sërish, nuk i dihet. Është e vështirë të flitet në muajin gusht për muajt dhjetor e janar.

Radio Evropa e Lirë: Në intervistën e kaluar na keni thënë që prisni se marrëveshja përfundimtare me Serbinë të bëhet brenda mandatit tuaj. A mendoni sërish kështu?

Albin Kurti: Ashtu mendoj edhe më tej, që brenda këtij mandati ekzistojnë edhe mundësitë, edhe vullneti, edhe interesi për ta realizuar marrëveshjen ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës ndodhet njohja reciproke. Pra, qenia e Kosovës është në rregull, jemi shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo çka nuk është në rregull është raporti ynë me Serbinë. Ky është një raport abnormal, që duhet të normalizohet.

Intervista Shaban Murati – “Rusët po vijnë…”

ShabanStudiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”. Në një intervistë më Zërin e Amerikës ai shpjegon se libri është një përpjekje për të kuptuar në thellësi pasojat e sotme dhe të ardhme, nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Murati! Urime për botimin e ri! Pse e titulloni “Rusët po vijnë”, dhe çfarë përmban studimi?

Shaban Murati: Faleminderit që më jepni mundësinë dhe kënaqësinë të komunikoj me shikuesit e Zërit të Amerikës, kësaj media prestigjioze! Kam dashur të tërheq vëmendjen për një fenomen gjeopolitik, diplomatik dhe strategjik, që i kërcënohet Ballkanit dhe Shqipërisë, dhe natyrisht dhe çështjes tonë kombëtare, duke përfshirë dhe Kosovën. Është një fenomen jo i ditës, jo i lidhur thjesht me agresionin e fundit rus në Ukrainë, por është një fenomen që ka karakterizuar 30 vjet të post-komunizmit në Ballkan, fenomen të cilit nuk i është kushtuar vëmendja dhe rëndësia e duhur nga qeveritë e quajtura demokratike dhe që erdhën në Ballkan pas shembjes së komunizmit.

 

Zëri i Amerikës: Si i vlerësoni ju qëndrimet dhe veprimet e Rusisë ndaj Ballkanit? Çfarë synon Moska në këtë rajon?

Shaban Murati: Unë kam një analizë në libër, për të cilën them që është hera e parë që është trajtuar si çështje:Propozimi i Vladimir Putin që në 2014, pas agresionit të parë rus në Ukrainë, që kërkon rishikimin e rezultateve të Luftës së Ftohtë dhe nënshkrimin e një traktati paqeje midis palëve për të parë kufijtë e rinj të ndarjes së zonave të influencës. Kjo tregon që Rusia, e cila zëvendësoi Bashkimin Sovjetik, kërkon rimarrjen e të njëjtit statusi dhe rimarrjen e sferave të saj të influencës. E inkurajuar nga agresioni i parë i Rusisë në Ukrainë, si rezultat i të cilit ajo aneksoi një territor ukrainas si Krimeja, qendra e dytë ku do të ndodhte zhvendosja gjeopolitike e Rusisë ka qenë Ballkani. Ballkani, së pari si hallka më e dobët e sigurisë së kontinentit europian dhe së dyti si qendër e botës ortodokse. Rusia nuk ka asnjë rajon në Evropë, ku janë përqendruar vende ortodokse dhe krijohet baza e lidhjeve të vjetra të kohës cariste, komuniste e demokratike, të Rusisë për të rivendosur fuqinë e saj. Pra është një fenomen, që ka ardhur gjithmonë në rritje, e Rusia nuk mund të konkurrojë me ideale, me ide demokratike e as me standarde ekonomike ose me vlera të tjera. Rusia, e cila këto vlera europiane e perëndimore nuk i ka zbatuar asnjëherë në territorin e saj, nuk mund ta lejonte që të zbatoheshin në shtete, të cilat prireshin nga Perëndimi. Ajo do të sulmonte vlerat perëndimore, lidhjet perëndimore të Ballkanit dhe do t’i përqendronte më shumë në lidhjet ideologjike, okulte e fetare, që e kanë lidhur gjithmonë me Ballkanin.

 

Zëri i Amerikës: Si e keni vlerësuar këto 100 ditë të sulmit rus ndaj Ukrainës dhe rezistencën e paparashikuar të Ukrainës?

Shaban Murati: Agresioni i dytë i Rusisë në Ukrainë nuk përbën një befasi. Unë e kam ndjekur politikën ruse për 30 vjet dhe kam një libër të posaçëm për Rusinë me titull “Rusia ballkanike” ku analizoj gjerësisht marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën dhe përplasjen e parë gjeopolitike midis BE-së dhe Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë dhe agresionin e parë. Rusia në 2014 krijoi 11 Shtatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk mund të befasoheshim nga një sulm i dytë. Këtë ecuri unë e kam ndjekur dhe është interesante se që në fillim të 2015 sekretari amerikan i shtetit John Kerry paralajmëroi se pas Ukrainës vija e zjarrit është në Ballkan. Por Ballkani fjeti gjumë, edhe pse e paralajmëroi sekretari amerikan i shtetit. Kjo vijë zjarri do t’i afrohej Ballkanit. Në këtë kuptim agresioni i dytë rus në Ukrainë nuk përbën një befasi por është një demonstrim i qartë i ambicies së madhe imperiale, që ka presidenti i Rusisë, i cili ngutet se është 70 vjeç, dhe nuk ka më kohë të përmbushë ëndrra të tjera gjeopolitike dhe i cili nuk ka pranuar kurrë shembjen e Bashkimit Sovjetik. Ka një befasi për rezistencën e Ukrainës përballë një fuqie ushtarake të madhe si Rusia, por unë mendoj se këtu ka disa elemente. Së pari janë një popull i madh mbi 40 milionë, së dyti është një popull që mban tradita sovjetike dhe ruse, qoftë për rezistencë dhe për ushtrinë. Kanë të njëjtën shkollë e doktrinë ushtarake. Dhe e treta që është shumë e rëndësishme, është përkrahja e madhe e shteteve të perëndimit. Shtetet demokratike e mbështetën Ukrainën në pikëpamjen diplomatike e ushtarake, duke i furnizuar armatimet të cilat kishin nevojë. Krijuan një barrierë të papritur për ushtrinë ruse. E katra, mendoj se vet taktika ruse nuk është e pushtimit të menjëhershëm. Rusia e di nga eksperienca në Afganistan që nuk e mban dot të pushtuar të gjithë Ukrainën, por vetëm Donbasin dhe Donietskun. Pra janë disa elementë që e kanë ngadalësuar këtë proces dhe ka bërë që dhe vetë Putin të rishikojë strategjinë e ndërmarrjes së agresionit të tij, nga një pushtim i gjithë Ukrainës ai po synon ta bëjë atë një shtet të mbyllur nga pikëpamja tokësore e ta bëjë një shtet pa det duke pushtuar bregdetet e duke dalë në kufi me një shtet të NATO-s që është Rumania.

 

Zëri i Amerikës: Si i komentoi qëndrimet e Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me ngjarjet e Ukrainës?

Shaban Murati: Shqipëria veproi drejt, që u bashkua me mendimet e NATO, e kundërta do të ishte absurde, që iu bashkua dënimit të agresionit ushtarak rus, bashkimin me të gjitha deklaratat e NATO-s dhe BE-së, që u bashkua me sanksionet e BE-së dhe Amerikës ndaj Rusisë. Pra mori një qëndrim të drejtë duke u bashkuar me qëndrimin e NATO-s dhe BE-së. Ky është një qëndrim i detyrueshëm si një anëtar i NATO-s, e cila po përballet me një përplasje gjeopolitike. Mendoj se krahas Shqipërisë, edhe qëndrimi i Kosovës do të thoja se është dy herë më fisnik, duke ditur që Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ajo gjeti largpamësinë t’iu bashkohej sanksioneve dhe qëndrimeve të Europës dhe NATO-s dhe duke qenë të gatshëm për të pritur refugjatë lufte nga Ukraina, si edhe Shqipëria. Pra, kemi një rreshtim të drejtë të faktorit shqiptar nga ana e duhur, gjë që për fat të keq, nuk ndodh shpesh.

 

Zëri i Amerikës: Cilat janë vlerësimet tuaja për afrimin e Shqipërisë me Serbinë dhe për nismën Open Balkan?

Shaban Murati: Nga përvoja ime e gjatë në diplomaci dhe në politikën e jashtme di të them se Tirana nuk ka mësuar ende të luaj shah gjeopolitik me gjithë përvojën e saj të hidhur në marrëdhëniet me Serbinë që nga mesi i shekullit të kaluar, nuk ka mësuar nga përvoja edhe më e hidhur e Kosovës me Serbinë. Pra Shqipëria nuk po arrin të orientohet në parametrat e duhur për interesin e saj shtetëror dhe kombëtar. Dalja befas e projektit të presidentit Vuçiç për Mini-Shengen dhe për Ballkanin e hapur ishte një propozim i cili duhet të ishte menduar 10 herë përpara se të jepej një përgjigje. Ka një disinformim të qëllimshëm, që e paraqet shpesh herë Open Balkan si një nismë trepalëshe. Ky është një naivitet sepse që në 2016 Vuçiç e ka propozuar jo rastësisht në Paris nismën e krijimit të një zone të përbashkët ballkaniko-perëndimore të tregtisë së lirë dhe aty deklaron, në Paris, që ia ka dërguar propozimin të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në 2017 në një intervistë me mediat amerikane presidenti Vuçiç, i pyetur nga gazetari amerikan, deklaroi se hapur se “zona ekonomike ballkanike perëndimore është rilindja e Jugosllavisë plus Shqipërinë”. Këtë e keni në median amerikane Politiko.com në vitin 2017. Thuhet se edhe palët e tjera janë propozues, por propozuesi është thjesht Serbia. Të gjithë dokumentet e Ballkanit të Hapur, që nga Novi Sadi në 2019 e deri tani, i përgatit ministria e jashtme e Serbisë. Nuk ka zënë kapitull as ministria e jashtme e Maqedonisë së Veriut as ministria e jashtme e Shqipërisë. Ministria e jashtme e Shqipërisë duhet të kishte disa parametra për t’u shqyrtuar: së pari; Ç’duhej një nismë e re rajonale, kur kanë dështuar dhjetë nisma të tjera rajonale? Ç’duhej një nisme rajonale pas procesit të Berlinit? Ne kemi Procesin e Berlinit, një nismë gjermane me angazhimin e kancelares gjermane, me një fuqi ekonomike të jashtëzakonshme europiane dhe e cila kishte marrë përsipër pikërisht krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Madje edhe në 2020, kur u bë samiti i Ballkanit perëndimor nga Bashkimi Europian në Sofie, theksohet e zeza mbi të bardhë, se objektivi është krijimi i tregut të përbashkët rajonal. Atëherë, ç’është ky treg i ri, që na propozon befas Serbia?! Që në mbledhjen themeluese presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama theksojnë me forcë vet ata, që këtë nismë e bëjnë pa sponsorizimin dhe pa mentorët europianë, të shkëputur prej tyre. E dyta që është më e rëndësishme në aspektin shtetëror dhe kombëtar: si mund të pranojë Shqipëria të hyjë në një nismë të ngushtë subrajonale ndërkohë që Serbia nuk njeh Kosovën. Serbia ka deklaruar hapur që në nismën Open Balkan Kosova do të vijë si provincë. Kështu shkruhet në dokumentet zyrtare serbe. Shqipëria që është shteti amë, kështu nuk është as amë as njerkë, derisa pranon të hyjë në këtë nismë serbe, në kohën që Serbia nuk njeh Kosovën. Çfarë është kjo nismë, që ka pesë shtete dhe një provincë?! Sa për ato katër liritë e famshme të Helsinkit, unë desha të theksoj që këto shtete të Ballkanit të Hapur janë shtete ish jugosllave dhe këto liritë jugosllave ata i kanë patur në federatën jugosllave. Megjithatë ata vrapuan të iknin nga ajo federatë e përbindshme, që drejtohej nga Serbia. Pse u dashka të kthehen prapë me ato katër liri tek Serbia?! Shqipëria pse nuk ia bën këtë pyetje vetes?! Propagandat mbi fitimet ekonomike të kësaj nisme përpiqen të mbulojnë një fenomen tepër të rrezikshëm: Open Balkan nuk po lejon faktorin shqiptar të ketë kohezion në Ballkan. Strategjia bazë e Serbisë në drejtim të faktorit shqiptar me Open Balkan është çarja e faktorit shqiptar në Ballkan. Ne e dimë fare mirë që tre vjetët e fundit kohezioni i faktorit shqiptar është në kuotat më të ulëta dhe sipas analizës time profesionale, mëkati, ose faji kryesor i bie Tiranës. Të tre kryeministrat që do të takohen më 7 qershor për Ballkanin e Hapur i kanë të tre presidentët e tyre kundër kësaj nisme; presidenti Pendarovski është kundër, presidenti Gjukanoviç po ashtu, edhe presidenti Meta është kundër. Atëherë, çfarë janë këta kryeministra, që nuk bindin dot as presidentët e tyre dhe kërkojnë të bindin popujt se do të fitojnë nga kjo nismë?! Këtu ka një thyerje, që duhet të na vërë në mendim. Në Mal të Zi, në zgjedhjet e gushtit 2020, kemi një inxhiniering elektoral nga Serbia dhe nga Rusia për të përmbysur regjimin në Podgoricë dhe për të sjellë një regjim anti-atlantik dhe anti-perëndimor. Serbët e bënë ndryshimin atje, gjë që u pa në ndryshimin e ligjit për fetë, duke bërë një kthim prapa. Bashkimin e tanishëm të mundshëm me Open Ballkan do ta quaja një akt regresiv.

 

Zëri i Amerikës: Ata ende nuk janë shprehur qartë për këtë.

Shaban Murati: Po, por ministri i mbrojtjes dhe zëvendës kryeministri është shprehur se kryeministri shkon në Open Ballkan si vëzhgues dhe se ai nuk ka të drejtë të bëhet pjesë si shtet i një nisme që nuk është në interesin e Malit të Zi. Megjithatë personat që marrin ose jo pjesë në atë nismë nuk e ndryshojnë karakterin e vet nismës. Këtu është vendi të sqaroj një spekulim të qeverisë së Shqipërisë dhe të Serbisë, sipas të cilave, departamenti i shtetit përkrah këtë nismë. Por diplomati i lartë amerikan Escobar ka përcaktuar dy elementë të rëndësishëm: Ai thotë që nisma Open Balkan do të gjejë mbështetje nëse do të jetë e varur dhe e lidhur me Procesin e Berlinit dhe nëse ajo do të ketë karakterin gjithëpërfshirës, ku do të marrin pjesë të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor. Këto elementë kjo nismë nuk i plotëson, pra edhe nga një pikëpamje më tolerante, mund të themi se kjo nismë është e gabuar dhe për mendimin tim ajo do të ketë fatin e nismave të tjera të mëparshme, si për shembull nisma serbo-malazeze Ballkan 6. Aty mori pjesë edhe Shqipëria, u bënë mbledhje ministeriale, samite dhe në fund dështoi. Kështu do të shkojë edhe kjo.

 

Zëri i Amerikës: Pse shuhen nismat në këtë mënyrë?

Shaban Murati: Si nisma serbo-malazeze si edhe kjo e tanishme puro serbe nuk janë nisma për integrimin europian, por janë nisma që synojnë të konsakrojnë rolin hegjemon të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo mendohet si një lloj kompensimi që disa qarqe politike në Europë duan t’ia bëjnë Serbisë dhe duan ta rikthejnë si një forcë drejtuese si ishte në kohën e federatës komuniste jugosllave.

 

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni pozicionimin e Kosovës në këtë situatë?

Shaban Murati: Asnjë nismë rajonale shtetërore nuk mund të jetë e suksesshme, nëse së pari nuk do të jetë e saktë në pikëpamjen formale, juridike, protokollare, ku shtetet pjesëmarrëse duhet të jenë të barabarta. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të mendohet që kjo nismë të quhet e saktë. Së dyti; dhe më e rëndësishmja, nisma Open Ballkan është kundërvënie e procesit të njohjes diplomatike të shtetit të Kosovës. Dy ditë më parë u bë betimi i presidentit të Serbisë dhe u betua që do të ruajë Kosovën si pjesë të Serbisë. Këtu ka vdekur çdo lloj dialogu dhe për mua është e habitshme se si BE-ja, qarqet diplomatike të Europës dhe ndërmjetësuesit e dialogut nuk reaguan. Si mund të pretendosh dialog, kur njëra palë kërkon të drejta koloniale mbi një palë tjetër?! Qëndrimi i qeverisë së Kosovës është pozitiv, sepse ajo ka bërë të sajën atë që unë e quaj formula Biden, ose doktrina Biden: presidenti amerikan Biden, pas inaugurimit në Shtëpinë e Bardhë, në telegramin që i dërgoi presidentit Vuçiç, ai jep formulën e qartë dhe të saktë diplomatike, duke i thënë: Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të qendërzohet në çështjen e njohjes së Kosovës. Për mua kjo është formula e saktë dhe e drejtë, e cila i jep fund spekulimeve dhe zvarritjeve të qëllimshme dhjetë vjeçare të dialogut në Bruksel midis dy shteteve. Qëndrimi i Kosovës sipas formulës Biden është qëndrimi më i drejtë dhe më i saktë, që jep rrugën e zgjidhjes jo vetëm çështjes së njohjes mes dy shteteve, por edhe jep rrugën e stabilizimit të situatës në Ballkanin perëndimor.

Rexhep Qosja për 50 vjetorin e Drejtshkrimit, patriotët e mëhallës, privatizimin e shtetit dhe rolin e SHBA në fatin tonë historik

Rexhep Qosja ditaMe akademikun Rexhep Qosja, kam bërë disa intervista. Është privilegj për një gazetar komunikimi me një intelektual dhe krijues të madh të kalibrit të tij. Profesori ka një qëndrim sa të qartë, aq dhe konsekuent për ato që e pyesin dhe për të cilat ai flet.

Shkak i kësaj interviste në DITA është përvjetori jubilar i 50-të i Kongresit të Drejtshkrimit i vitit 1972, një arritje e natyrshme mbarëkombëtare e shkencëtarëve dhe gjuhëtarëve tanë. Profesor Qosja ka qenë një nga firmëtarët e atij Kongresi.

Përveçse për firmën e hedhur 50 vjet më parë, për sulmet ndaj gjuhës standarde, tragjikomedinë e atyre që tregojnë përralla me Enver Hoxhën dhe patriotët e mëhallës, më tej në intervistë Profesori u përgjigjet disa pyetjeve mbj aktualitetin politik shqiptar dhe mbarëkombëtar.

Ai flet për Edi Ramën, Albin Kurtin dhe shtetin e privatizuar; për të lodhurin Sali dhe rolin unik të SHBA-ve në fatin historik të shqiptarëve… Më poshtë, intervista e botuar sot në DITA

 

– Profesor, ju keni qenë nder firmëtarët e Kongresit të Drejtshkrimit, apo standardizimit të gjuhës shqipe, që është mbajtur në nëntor 1972. Pasi kanë kaluar 50 vjet nga ai Kongres, a mendoni se ajo ngjarje e ruan monumentalitetin e vet kulturor dhe historik si gur themeli për unitetin kombëtar?

– Kisha fatin të jem në Grupin e intelektualëve nga Kosova që ishin caktuar, kush në sajë të meritave studiuese, shkencore e kush në sajë të pozitës drejtuese që ushtronte në ndonjë institucion të lartë arsimor apo shkencor. E pata ndier veten shumë, shumë të nderuar që do të isha ndër firmëtarët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Kongresi i Drejtshkrimit, i mbajtur në Tiranë në vitin 1972, dhe Kongresi i Manastirit, i mbajtur në vitin 1908, në të cilin u miratua Alfabeti i Gjuhës shqipe, prej 36 shkronjash, përbëjnë dy ngjarjet më të mëdha kulturore, shkencore, kombëtare në historinë e Popullit shqiptar.

Kongresi i Drejtshkrimit e ka rëndësinë e tij kulturore, shkencore, kombëtare të paçmueshme.

Gjuha e përbashkët letrare kombëtare, domethënë gjuha shqipe standarde, është përbërësi kryesor, themelor, qendror i identitetit kombëtar shqiptar; dhe përbërësi kryesor, themelor, qendror, i kohezionit shoqëror, kulturor, moral, kombëtar i shqiptarëve. Pa këtë përbërës kryesor, themelor, qendror të identitetit e të kohezionit tonë sot, në kushtet e globalizmit të përgjithshëm, ne do të bëheshim pikë e pesë!

Për arsye të rëndësisë së tij madhështore të përtashme dhe historike kulturore, kombëtare dhe politike, 50 vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit do të duhej të shënohej në të gjitha kryeqendrat tona shtetërore, politike e kulturore. Sa mirë e sa shumë kuptimshëm e shumë domethënshëm do të ishte sikur 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit ta shënonim edhe vëllezërit tonë Arbëreshët në Itali.

 

– Është thënë shpesh se për atë ngjarje ka pasur mirëkuptim gjithëkombëtar midis gjuhëtarëve për standardizimin e gjuhës shqipe në atë kohë. Disa e kanë kontestuar këtë. Thënë më shkoqur: kjo arritje kulturore u bë me dëshirë apo me imponim nga Tirana zyrtare në atë kohë?

Në atë kohë është shkruar dhe është folur se gjithë shqiptarët e dëshirojnë mbajtjen e atij Kongresi në të cilin, është theksuar, do të bëhej gjuha e përbashkët, e njësuar, letrare kombëtare. Në Kosovë para atij Kongresi, më 1968, është mbajtur Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, në të cilën morën pjesë rreth 150 intelektualë dhe studiues të gjuhës shqipe si dhe një numër i zyrtarëve politikë-shoqërorë.

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, shkruan albanologia e shquar, Shefkije Islamaj, në studimin Konsulta gjuhësore 1968 – marrëveshje për njësimin gjuhësor “i vuri pikë rrugës veçuese jo vetëm gjuhësore nëpër të cilën po ecnin shqiptarët. Ajo e hapi rrugën e njësimit tonë gjuhësor dhe bëri që Kongresi i Drejtshkrimit, që do të mbahet katër vjet më vonë, të quhet Kongres mbarëkombëtar”.

Në Konkluzën e tretë të Konkluzioneve të Konventës thuhet se Tubimi njohu njëzëri si gjuhë të vetën letrare gjuhën letrare të vendit amë.

Fadil Hoxha, duke qenë aso kohe kryetar i Kuvendit të Kosovës, më 14 prill, një ditë pas përfundimit të Konsultës, shkruan në studimin e sipërtheksuar, do të presë një delegacion – përfaqësues të Konsultës Gjuhësore. Në pritje Fadil Hoxha, duke miratuar pa rezervë përfundimet e Konsultës, e quajti këtë të fundit kontribut të madh për zhvillimin e kulturës.

Siç dihet nismën për mbajtjen e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës në vitin 1968 e dha Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Një vit para se të mbahej Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, një intelektual krijues i këtij instituti do të botojë trajtesën Përgjegjësia gjuhësore e shkrimtarit në të cilën do të thotë, përpos të tjerash, se shkrimtarët shqiptarë sot kanë përgjegjësi të dyfishtë: njëra është historike, kurse tjetra artistike. Përgjegjësia historike, thuhet aty, mund të quhet e plotësuar në qoftë se shkrimtari është i gatshëm të përqafojë gjuhën letrare kombëtare ose, sikundër e quajnë gjuhëtarët, gjuhën e njësuar letrare dhe në qoftë se shkrimet e veta i boton në këtë gjuhë.

E dyta, përgjegjësia artistike mund të quhet e plotësuar në qoftë se shkrimtari, mbasi ta ketë pranuar përgjegjësinë historike, të gjitha përpjekjet e tij si krijues i shtrin në drejtim të zbatimit të saj sa më besnik dhe të shprehjes gjuhësore sa më të përsosur.

Më vonë në vitet e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar dhe më pas në vitet pasuese të shekullit 21, janë paraqitur disa individë që do të fillojnë dhe do të vazhdojnë të shprehin mospajtim me frytin madhor, historik të atij Kongresi. Mospajtimi i tyre me atë Kongres mbështetet në hamendjen se ai ishte paraparë, është planifikuar, është programuar prej Tiranës zyrtare.

Disa prej tyre madje bëhen aq “profetizues” sa nuk ngurrojnë të pohojnë se Kongresi është paraparë, planifikuar dhe urdhëruar me gjithë përfundimet e tij prej vetë Enver Hoxhës. Nuk e duan, nuk e durojnë emrin Enver Hoxha, prandaj nuk mund ta durojnë as Kongresin që paska planifikuar ai, as Kongresin që paska kërkuar ai, as frytet e atij Kongresi që na paska shpikur ai!

E gjithë kjo përrallë është tragjikomike.

Po të ishte kështu, si thonë këta kundërshtarë të Kongresit, lavdia historike e diktatorit Enver Hoxha do të rritej pamatshëm shumë. Përkrahësit e kësaj lavdie do të thoshin: ja, shihni, hapini sytë mirë e shihni dhe pastrojini mirë veshët e dëgjoni: Enver Hoxha i ndërtoi themelet e unitetit të përjetshëm të shqiptarëve.

 

– Njëri nga kontestimet që janë bërë pas vitit 1990 nga disa gjuhëtarë në Tiranë e në Prishtinë, është ai se standardizimi u arrit në kohën e diktaturës komuniste. A qëndron ky argument?

Edhe ky është kontestim joserioz. Kryesorja është se gjuha e përbashkët letrare kombëtare, gjuha standarde, është arritur. Kryesorja është, pra, se ajo gjuhë standarde, ajo gjuhë e përbashkët letrare kombëtare, është bërë dhe e çmojnë, e duan, e adhurojnë, e zbatojnë në krijimtarinë e tyre shpirtërore shqiptarët kudo janë.

Popujt e Evropës, popujt e Ballkanit, i kanë krijuar gjuhët e tyre standarde shumë kohë para nesh. Disa prej tyre e kanë krijuar gjuhën standarde në “terrin” e Mesjetës dhe mburren se gjuha e tyre e përbashkët letrare është krijuar aq herët.

Disa të tjerë e kanë krijuar gjuhën e tyre standarde në kohën e shtimit të zhvillimeve dhe bashkëpunimeve ekonomike dhe po ashtu mburren pse gjuha e tyre është krijuar dhe është bërë asokohe ajo vlera e madhe që i ka mësuar të merren vesh, të bashkëpunojnë më mirë, më lehtë, më me qejf mes vete në interesin e tyre të përbashkët.

Gjuhën standarde franceze, thuhet, e ka krijuar Pallati Mbretëror dhe francezët nuk i qortojnë mbretërit e tyre, Luigjët e tyre të lavdishëm, pse ata e kanë bërë atë punë, por i lavdërojnë pamatshëm e u shprehin mirënjohje historike.

 

– Pas vitit 1990 janë bërë përpjekje për ta rishikuar atë Kongres, madje edhe për ta prishur atë standard e për të krijuar një standard tjetër. A shikoni se pas sulmeve kundër shqipes standarde ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë?

Nuk ka dyshim se pas sulmeve kundër shqipes standarde ka edhe disa, si i quajtët ju, “faktorë” të tjerë që ndikojnë.

Është lokalizmi, ai, si e quante Faik Konica, “patriotizmi i mëhallës”, që disa individë, disa studiues, disa çerekintelektualë i bën kundërshtarë të përbetuar të gjuhës standarde, për të cilën, e tillë si është, janë marrë vesh firmëtarët në Kongresin e Tiranës në vitin 1972.

Më pak e dukshme, më rrallë e përmendur, por, megjithatë, frymëzuese e mospajtimit me gjuhën standarde të krijuar në kohën e komunizmit është përkatësia fetare.
Shumë më e dukshme, shumë më shpesh e shprehur, shumë më agresive është përpjekja e disa publicistëve, disa gazetarëve, ndonjë studiuesi gjuhësor për të krijuar të ashtuquajturin kombin kosovar.

Të gjithë këta e shohin gjuhën standarde kosovare, që do të krijonin ata po të rrënohej gjuha e përbashkët letrare kombëtare, gjuha standarde e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, si themel të kombit kosovar! Ata janë aq të përkushtuar ndaj iluzionit të tyre “patriotik”, lokalist, mëhallëzues, saqë nuk e lodhin mendjen aspak për pasojat që do të kishte në të sotmen dhe në të ardhmen e Kombit shqiptar ai qëllim po ta arrinin që, që është shumë e sigurt, nuk do ta arrijnë kurrë.

Dhe, nuk do ta arrijnë kurrë sepse nuk është qëllim, por iluzion në të cilin janë përmbledhur paragjykime politike, ideologjike e krahinore, në njërën anë dhe leverdi lëndore e karrieriste të supozuara si afatgjata, në anën tjetër!

Në kohë të fundit është botuar në dy vëllime një vepër me titullin Propozime për drejtshkrimin dhe është botuar prej dy institucioneve: njërit në Tiranë e tjetrit në Shkup. Nuk është i vogël numri i autorëve që paraqesin propozime për ndryshime në Drejtshkrimin e tanishëm, domethënë në gjuhën e tanishme standarde.

Disa prej këtyre propozimeve, po të pranoheshin dhe po të zbatoheshin, më pak a më shumë do ta cenonin gjuhën e bashkuar letrare kombëtare, domethënë gjuhën standarde, të miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në vitin 1972.

Shpresoj se nuk do të miratohen apo edhe po të miratohen në ndonjë tubim, sesion a simpozium nuk do ta arrijnë qëllimin e autorëve. Gjuha e përbashkët letrare kombëtare është më e fuqishme, më e mençur se gjithë kundërshtarët e saj.

Mendja ime e thotë se gjuha standarde, e miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në vitin 1972, është, është e arritura shkencore, kulturore, shoqërore, kombëtare, historike e shqiptareve, që nuk do të mohohet, nuk do të rrënohet, sepse me mohimin e me rrënimin e saj do të rrënohej statusi ekzistencial, i përtashëm dhe historik i Kombit shqiptar.

 

Dekadat e fundit e kanë faktorizuar kombin shqiptar në Ballkan si kurrë, ndonjëherë, më parë. Aktualisht kemi dy shtete shqiptare, kemi tre kryeministra shqiptarë dhe tre kryetarë parlamentesh gjithashtu shqiptarë. Mendoni se jemi edhe më pranë zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare?

-Fundi i shekullit njëzet, i shënuar prej dhunës, terrorit dhe përpjekjeve të shtetit serb për ta pastruar etnikisht Kosovën prej shqiptarëve, që na solli shumë sakrifica, shumë viktima, shumë dhembje, në të vërtetë e filloi ndryshimin e fatit historik të shqiptarëve. Dhe, ky ndryshim i fatit tonë historik vazhdoi, duke u përforcuar, duke u bërë proces historik, në shekullin njëzet e një.

Edhe më tutje jemi popull i ndarë, në disa shtete fqinje, ashtu siç na kanë ndarë këta fqinjë me Rusinë dhe Fuqitë e Mëdha evropiane të asaj kohe pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878, mandej në Konferencën e Londrës në vitin 1913 dhe në Konferencën Paqes në Paris në vitet 1919-1920.

Kontribut të madh, të jashtëzakonshëm, këtij ndryshimi të fatit tonë historik i është dhënë me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me mirëkuptimin, me përkrahjen, me ndihmën vendimtare, me rëndësi historike, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fryt i këtij ndryshimi të fatit tonë historik është sot shteti i dytë shqiptar, Kosova e lirë, e pavarur e më vete si dhe gjendja shoqërore e politike ku më pak e ku më dukshëm më e përmirësuar se përpara e shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, në Turqi, në Itali, në Luginë të Preshevës.

Popull shumë i shpërfillur gjatë, shumë gjatë, sot i kemi dy shtete. Popull gjatë i shpërfillur sot jemi popull me tre kryeministra në tri shtete dhe me tre kryetarë të kuvendeve shtetërore në tri shtete. Popull gjatë i shpërfillur dhe i penguar për zhvillimin e ndërtimin sot jemi popull gjithnjë e më i afirmuar, gjithnjë e më i ngritur e gjithnjë e më i zhvilluar.

Është e kuptueshme, prandaj, se sot jemi më të çmuar, më të nderuar se ndonjëherë përpara jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në Botë në përgjithësi.

Por? Por? Por?

Me keqardhje duhet të thuhet se këtë nderim tonin të sotëm të shtuar në Botë po e cenojnë disa sjellje të disa bashkatdhetarëve tanë në diasporë dhe të disa bashkatdhetarëve tanë në dy shtetet tona!

Për këtë arsye është shumë i nevojshëm bashkëpunimi ynë me diasporat tona kudo janë. Dhe, bashkëpunimi shkencor i planifikuar i dy shteteve tona. Për këtë arsye është shumë i nevojshëm funksionimi institucional ligjor, ligjor, i drejtë, i parimshëm, demokratik, me përgjegjësi etike, i dy shteteve tona.

Për këtë arsye është shumë e nevojshme që dy shtetet tona t’i parandalojnë me politikë, me ligje, me institucionet përkatëse gjithë ato të këqija, ato padrejtësi, ato korrupsione, ato nepotizma, ato personalizime të institucioneve shtetërore e politike, ato privatizime të shtetit prej klaneve politike e shtetërore.

Vetëm ashtu, vetëm me këtë shërim të shtetit, vetëm me këtë pastrim të shtetit, vetëm me këtë shëndoshje të shtetit nga të këqijat që po na krijojnë pamje të keqe në Botë ne mund të përfitojmë përkrahjen e asaj Bote për qëllimet tona, për Idealin tonë.

Gjendja e çështjes shqiptare sot është larg më e mirë, më e pranueshme se ndonjëherë më parë. Por, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur, historikisht e zgjidhur. Jo.
Çështjen shqiptare do të mund ta quajmë historikisht të zgjidhur vetëm kur të bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të përbashkët, trajtën kushtetutare juridike të të cilit do ta caktojnë bashkërisht me referendum apo me plebishit.

 

– Çfarë duhet të bëjnë më mirë se deri më sot qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës për çështjen tonë kombëtare?

Nuk ka dyshim se politikanët kryesorë shqiptarë, kryetarët e dy shteteve, kryeministrat e dy shteteve, kryetarët e kuvendeve të dy shteteve dhe ministrat e punëve të jashtme të dy shteteve mund të bëjnë më shumë se çka po bëjnë sot për çështjen tonë kombëtare.

Dy kryeministrat e tashëm, ai i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë sjellë ide të reja, sjellje të reja, veprime të reja, mendime të reja, në politikën e tyre shtetërore, kur e kur edhe në politikën ndaj çështjes kombëtare të pazgjidhur historikisht. Ata e kanë ngritur nivelin dhe dinjitetin e politikës sonë në përgjithësi.

Posaçërisht i dukshëm është kontributi i Albin Kurtit ndaj çështjes kombëtare. Këtë që në krye të herës e ka dëshmuar edhe emri i Lëvizjes së tij: Vetëvendosje.

Por, dy kryeministrat tanë mund të bëjnë edhe më shumë për këtë çështje. Ata duhet të dinë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian ekzistojnë intelektualë, studiues shkencorë, publicistë, që e kuptojnë dhe e përkrahin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ata duhet të jenë të bindur se mbas pranimit të Shqipërisë e të Kosovës në Bashkimin Evropian do të fillojnë të mendojnë zyrtarët e atij Bashkimit se edhe për vetë Evropën do të jetë më e kuptueshme, më e arsyeshme, më e drejtë që në atë Bashkim të mos jenë dy shtete shqiptare –Shqipëria dhe Kosova, por të jetë një shtet shqiptar: shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës – të bashkuar.

Qoftë edhe për këtë arsye ata, pa ngurrime, pa drojën e sotme mos po i shqetësojnë kolegët evropianë, ata, duhet t’ua shqiptojnë atyre idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si zgjidhje e çështjes kombëtare shqiptare, që është në interesin edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Dhe bashkë me kryetarët, kryetarët e kuvendeve dhe ministrat e Jashtëm të dy shteteve tona duhet të jenë ata që do të kërkojnë dhe do të arrijnë që në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Kushtetutën e Kosovës të futet paragrafi në të cilin do të shënohet se Shqipëria dëshiron të bashkohet me Kosovën dhe se Kosova dëshiron të bashkohet me Shqipërinë.

Dhe, për këtë dëshirë të tyre do të vendosë populli i Shqipërisë dhe populli i Kosovës në Referendum.
Dhe, për këtë dëshirë të tyre ata, udhëheqësit shqiptarë, do të bëjnë përpjekje politike për përkrahjen e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

– Kur bisedoj me ju, Profesor, e kam të pamundur ta shmang politikën, pavarësisht se ju mund të ndjeni bezdi. Por ngaqë e di shumë mirë se ju jeni mjaft i angazhuar dhe si rrallëkush tjetër i keni thënë mendimet tuaja për politikën publikisht dhe lexuesit tanë janë shumë të interesuar të dinë mendimin tuaj, prandaj nuk rri dot pa ju bërë pyetjen : Si i shikoni zhvillimet në Shqipëri vitin e fundit?

-Disa nga zhvillimet politike në Shqipëri (dhe në Kosovë) sot më zgjojnë mendime të ndryshme, më përkujtojnë kohë të shkuara, më përkujtojnë vende të ndryshme në kohë të ndryshme, më nxisin t’i bëj vetes pyetje të ndryshme, që më shkaktojnë më pak qetësime e shumë më tepër shqetësime dhe dyshime të ndryshme.

Uni im i heshtur i thotë unit tim publik: a nuk po sheh se demokracia, të cilën aq shumë e kemi dëshiruar, i madh e i vogël, i pasur e i varfër, i shkolluar dhe i pa shkollë, u ka dhënë mundësi dobësive tona, të vjetra e të reja, që të shfaqen, që të tregohen, që të shumëzohen, që të ashpërsohen!

Demokracia jonë pa kulturën e demokracisë po kurorëzohet kështu me ligësitë tona!

Këtë e kanë provuar dikur edhe të tjerë, por, megjithatë, jo në këtë masën dhe shpeshtësinë tonë. Shkrimtari i madh francez, Adre Zhid, e ka thënë dikur: Lirinë më lehtë e fitojmë se ç’dimë ta shfrytëzojmë si duhet. Qoftë edhe me një përqendrim të paktë do të mund të shohim se sa shumë i keqpërdorim sot shtetin, lirinë dhe demokracinë.

E shteti, liria dhe demokracia jonë janë bërë fjalët më të shpeshta të gojës sonë, me të cilat duam të mburremi para të tjerëve, sidomos para evropianëve dhe para amerikanëve.
Cilat janë ato të këqija të ndryshme, të shumëllojshme, të cilat i prodhon keqpërdorimi i shtetit, i lirisë, dhe i demokracisë, por të cilat s’duam t’i shohim!

Të gjitha të këqijat që po na mundojnë sot janë bërë të mundshme në demokracinë tonë sepse një varg zyrtarësh të niveleve të ndryshme e kanë keqkuptuar më së pari Shtetin, sepse e kanë keqkuptuar dhe keqtrajtuar Shtetin!

Shteti për ta është bërë vetëm sundim, pushtet sundues, kurse ata që marrin pjesë në të, aty ku janë kryetarë, zëvendëskryetarë, drejtorë, zëvendësdrejtorë e sekretarë, janë bërë sundimtarë të plotfuqishëm.
Duke e kuptuar ashtu shtetin, si sundim të ushtruar prej sundimtarëve e jo siç e kupton Bota moderne Perëndimore, si servis, si shërbyes, të qytetarëve, në demokracinë tonë shteti është privatizuar.

Privatizimi i shtetit, Shteti i privatizuar, është çështje e përhershme në politikën tonë, në shtetësinë tonë. Në historinë tonë, pothuaj në vazhdimësi, shteti ishte i privatizuar prej pushtetarëve, prej sundimtarëve, por njëkohësisht ishte i privatizuar edhe prej të tjerëve, prej bashkëpunëtorëve të tyre, zyrtarëve të tyre të niveleve të ndryshme kudo ishin të punësuar këta.

Dhe, kështu shteti i privatizuar, privatizimi i shtetit, është bërë perceptim, është bërë politikë, është bërë ideologji e përgjithshme, të themi gjithëpopullore. Kryetarët dhe drejtorët dhe shefat dhe sekretarët e të gjitha organizimeve institucionale, politike, ekonomike, shëndetësore, shoqërore, kulturore, shkencore, shtetërore janë sjellë dhe vazhdojnë të sillen si të ishte shteti, servisi i qytetarëve në Botën e sotme me qytetërim dhe kulturë demokratike, organizatë, institucion, bashkësi, parti, pronë e tyre private, nga baba e babagjyshi!

Dhe, kjo sot po ndodh në institucionet, organizatat, bashkësitë, partitë më të vogla, pa ndonjë prestigj politik shoqëror, kulturor, shëndetësor, ekonomik, shkencor më të lartë.
Prej të dhënave që do të jap do të shihet se çka krejt i sjellin Shqipërisë e Kosovës privatizimet e tilla të shtetit në ato organizata shtetërore të niveleve të ndryshme, çka krejt i sjell Shqipërisë e Kosovës privatizimi i përgjithshëm, “gjithëpopullor” i të gjitha niveleve shtetërore, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, shkencore, shëndetësore.

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse në shtetin e privatizuar prej të tillëve demokracia kuptohet vetëm si teknologji pushtetore, si proces zgjedhor. Qëllimet demokratike, veprimet demokratike, sjelljet demokratike – të gjitha janë përbërës të atij procesi zgjedhor, pra vetëm përbërës të asaj teknologjie “demokratike” të zgjedhjeve!

Demokracia jonë është e privuar ashtu prej përmbajtjes themelore, më të rëndësishme të demokracisë: prej domethënies së saj si marrëdhënie mes njerëzve, si marrëdhënie humaniste, e njerëzishme, mes njerëzve.

Demokracia është marrëdhënie, humane, e njerëzishme mes njerëzve, mes qytetarëve ose nuk është demokraci.

Në shtetin e privatizuar, në demokracinë e rrëgjuar në proces zgjedhor, idealistët e djeshëm bëhen mitëmarrës, ryshfetmarrës, të pandalshëm të sotëm. Në shtetin e privatizuar, në demokracinë e rrëgjuar në proces zgjedhor, predikuesit e djeshëm të barazisë, bëhen heronj të korrupsionit ekonomik, financiar dhe intelektual, siç ka ndodhur qe 14 vjet në shtetin tonë privat!

Në shtetin e privatizuar që nuk pranon të jetë çka duhet të jetë: servis, shërbyes i qytetarit, i popullit, marrëdhënie e njerëzishme mes qytetarëve, e drejta dhe drejtësia janë për të përkushtuarit e sundimtarëve e jo për të gjithë! Në shtetin e privatizuar, në demokracinë e privuar prej domethënies së saj si marrëdhënie humane mes njerëzve, me dinjitet të barabartë, leverditë, lëndore e politike, punësimet ekzistojnë kryesisht për familjarët, për bashkëpartiakët, për të përkushtuarit ndaj sundimtarëve.

Për të gjitha këto arsye në shtetin e privatizuar, me gjyqësi të korruptuar, në demokracinë e rrëgjuar në proces zgjedhor, është e mundshme të jetë aq i madh sa po shohim se është numri i vrasjeve hakmarrëse, gjakmarrëse, numri i fatkeqësive në komunikacion që shkaktojnë përdoruesit e drogës dhe të alkoolit, numri i krimeve familjare, numri i grave të hedhura prej kateve të larta, numri i grave dhe vajzave të dhunuara dhe të përdhunuara dhe numri i të vrarëve e i të vrarave prej individëve, që do të duhej të veçoheshin në institucionet përkatëse për shëndetin e tyre të sëmurë mendor.

E të tjera. E të tjera.

Në shtetin e privatizuar me Demokraci të pa kulturë demokratike, në Demokraci të rrëgjuar në proces zgjedhor të quajtur demokratik, Shteti, pushteti, sundimi shfrytëzohen ashtu për përfitime personale, familjare, partiake, miqësore.

Në shtetin ashtu të privatizuar, përpos të këqijave të sipërpërmendura, vjedhja, zhvatja, plaçkitja, gënjeshtra, mashtrimi, poshtërimi, abuzimi, nderi i shpallur horrllëk, horrllëku i shpallur nder – të gjitha këto janë bërë mjete të pëlqyera të qenies më të mirë, të përparimit, të përfitimit, të shquarjes.
Në shtetin e tillë me Demokraci e me Liri të tillë e pësojnë shumë sidomos historia e popullit dhe historitë e letërsisë e të arteve të tjera.

Në kushtet e tilla e Vogla shpallet e madhe, kurse e Madhja e vogël! E Drejta shpallet e padrejtë, kurse e Padrejta e drejtë! E Mira shpallet e keqe, kurse e Keqja shpallet e mirë! E Larta shpallet e ulët, kurse e Ulëta e lartë! E Vërteta shpallet mashtrim, kurse Mashtrimi e vërtetë!

Suksesi shpallet dështim, kurse Dështimi sukses! Përparimi shpallet prapambetje, kurse Prapambetja përparim! Qartësia shpallet Verbëri, kurse Verbëria qartësi! Anakronizmi shpallet modernitet, kurse Moderniteti anakronizëm!

Rrogëtaria, servilizmi ndaj Shtetit, pushtetit e Politikës shpallet disidencë, kurse pavarësia e mendimit shpallet Tradhti. E kështu me radhë e pa radhë.

 

– Dhe, si pyetje të fundit nuk durohem pa ju pyetur: Si e shihni përpjekjen për rikthimin e Sali Berishës jo vetëm në krye të Partisë Demokratike, por edhe në pushtet, megjithëse ai është shpallur prej një viti non grata familjarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ish kryeministri i Shqipërisë, ish kryetari i Shqipërisë, ish bashkëkrijuesi dhe udhëheqësi shumë shumëvjeçar i Partisë së rëndësishme politike të Shqipërisë, Partisë Demokratike, i dorëhequr dikur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur, prej politikës, po bën çmos tani, në moshën e shkuar, i lodhur, për t’u rikthyer në politikë edhe pse koha e tij për poste politike është e shkuar .

Tash e një vit, prejse Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e shpalli Persona non grata, Sali Berisha po zhvillon një veprimtari të vazhdueshme e të shumëllojshme politike.

Është bërë protagonist i mbledhjeve të shpeshta me ithtarët e kahershëm të Partisë që kishte krijuar vetë shpejt pas rënies së komunizmit, i Partisë Demokratike, i tubimeve të bashkëpartiakëve e qytetarëve të tjerë të interesuar të dinë se çka mendon dhe dëshiron ai tani, i të ashtuquajturave Foltore, i tubimeve të studentëve e të rinjve të tjerë, i konferencave me mediat, i debateve politike më së shpeshti televizive, i intervistave të ndryshme në medie jo vetëm të Shqipërisë, e i paraqitjeve të tjera.

Në këto paraqitje, përpos shpjegimeve të pikëpamjeve të tij politike, ai bën përpjekje të mohojë të dhënat për korrupsionin dhe cenimin e parimeve demokratike kur ishte në postet e kryeministrit e të kryetarit të Shqipërisë në bazë të të cilave ishte shpallur person i padëshiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk do të dijë ish kryetari dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, se ai qëndrim i shqiptuar prej Sekretarit amerikan të Shtetit është qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është mirë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu, të nderohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti fjalët e të cilit, vendimet e të cilit kanë ndikim, kanë jehonë dhe nderohen në gjithë Botën. Ato e kanë pasuruar këtë Botë me demokracinë e tyre, me Kulturën e tyre, me Qytetërimin e tyre, me Drejtësinë e tyre, me Shkencat dhe Artet e tyre.

Për të gjitha këto vlera të SHBA-së ne, shqiptarët, duhet të jemi të vetëdijshëm. Dhe, duhet të jemi të vetëdijshëm sepse Ato, Shtet e Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur rolin më të madh në përcaktimin e fatit historik të shqiptarëve.

Nuk mund të mos shprehet keqardhje e veçantë prandaj pse ish kryetari i Shqipërisë dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, po i lejon vetes të bëjë lojë e betejë politike në Shqipëri dhe juridike në Francë kundër Shtetit mik historik të shqiptarëve – Shteteve të Bashkuara të Amerikës., që bashkë më UÇK-në ia sollën Kosovës lirinë dhe pavarësinë, betejë politike e juridike kundër Shtetit shpëtimtar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e shpëtuan Kosovën shqiptare prej pastrimit të përgjithshëm etnik, prej gjenocidit që do ta realizonte në tërësi Serbia e Sllobodan Millosheviqit po të mos ishin Ato – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 23 maj të këtij viti Sali Berisha u rizgjodh kryetar i Partisë (së përçarë) Demokratike. M’u kujtuan dhe s’më vjen mirë që me atë rast m’u kujtuan: kryengritja tragjike e vitit 1997, Gërdeci, 21 janari, furnizimi i Malit të Zi me naftën nga Shqipëria me të cilën naftë Mali i Zi e furnizonte Serbinë të vënë në bllokadë ekonomike nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për shkak se në luftërat e saj në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë e më parë në Kroaci po bënte krime lufte, krime kundër njerëzimit e në Bosnjë e Kosovë edhe gjenocide!

E të tjera. E të tjera.

 

– Ju faleminderit, Profesor për këtë bashkëbisedim kaq të këndshëm dhe mirutakofshim në biseda të tjera!

 

—–

Prishtinë, 24.5.2022. Intervistoi Xhevdet Shehu. Botuar në DITA

Intervistë e nd/Sekretares së shtetit Donfried për VOA: Reformat, lufta kundër korrupsionit dhe raportet me opozitën në Shqipëri

DonfriedNdihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo pati sot takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës. Thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës. Para largimit nga Tirana, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, foli me Zërin e Amerikës mbi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit. Ndihmës Sekretarja jep detaje dhe mbi takimin që pati sot me deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilët i konsideron si drejtues të opozitës duke shpjeguar se biseda ishte përqendruar jo te e kaluara, por tek e ardhmja. Zonja Donfried nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur “non grata”, siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha. Në intervistën ekskluzive me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Tiranë Armand Mero, Ndihmës Sekretarja e Shtetit ndalet dhe te ndikimi në Ballkan i agresionit rus në Ukrainë.

 

Zëri i Amerikës: Znj. Donfried, së pari, dua t’ju falenderoj për këtë mundësi. Në komunikatën e shtypit që njoftonte turin tuaj në rajon, thuhej se në Shqipëri, ndër të tjera do të theksonit nevojën për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit. Çfarë konkretisht keni kërkuar nga pala shqiptare?

Nd/Sekretarja Donfried: Së pari, faleminderit që më jepni mundësinë të flas me ju. Është e mrekullueshme të jem këtu në Tiranë, në një ditë kaq të bukur plot diell dhe që rastis të jetë viti kur festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu tani.

Kemi punuar ngushtë me Shqipërinë për disa dhjetëvjeçarë tashmë dhe jam e emocionuar të shoh se si Shqipëria po lëviz drejt një integrimi gjithnjë e më të thellë euro-atlantik. Festojmë faktin që e kemi Shqipërinë aleate në NATO dhe mbështesim jashtëzakonisht fort lëvizjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Si pjesë e atij procesi, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash demokratike. Disa prej tyre, siç e dini, kanë vënë në shënjestër korrupsionin dhe janë përqendruar tek reforma në drejtësi.

Në bisedat e mia këtu, edhe kam duartrokitur përparimin që ka bërë Shqipëria, por edhe kam thënë vazhdoni, ka më shumë për të bërë dhe SHBA-të janë me Shqipërinë për të mbështetur përparim më të madh me këto reforma.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, së fundmi, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut. Sipas Raportit, problemet kryesore në Shqipëri janë “pavarësia e gjyqësorit, pandëshkueshmëria, apo dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.” Sipas raportit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në vitet e fundit, pasi të njëjtat probleme përsëriten vazhdimisht. Çfarë mendoni për këtë? Çfarë ju tregon për gjendjen e demokracisë shqiptare? Freedom House, vetëm një javë më parë e quajti sistemin shqiptar hibrid/kalimtar.

Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj që ajo që ka rëndësi në lidhje me këto raporte është që në disa raste ato edhe njohin përparimin e bërë, por edhe theksojnë se çfarë mbetet për t’u bërë. Dhe në rastin e këtyre reformave në Shqipëri, do të argumentoja se ju, tani po filloni të shihni ndikimin e legjislacionit që u miratua këtu në Shqipëri, i cili po zbatohet tani. Dhe, po, siç thashë kur u përgjigja për pyetjen e mëparshme, mendoj që ka ende shumë që Shqipëria duhet të bëjë dhe ne e mbështesim këtë. Por, mendoj se tani po filloni të shihni pikërisht atë ndikimin e rëndësishëm të legjislacionit që Shqipëria ka.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, vitin e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit përcaktoi ish kryeministrin Sali Berisha, për korrupsion madhor. Por përcaktimi i tij dhe këmbëngulja e SHBA-ve për ta lënë zotin Berisha jashtë grupit parlamentar, e forcoi pozitën e tij në parti dhe sot duket se ai, thuajse “de facto” ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, duke synuar rizgjedhjen si kryetar i saj. A ju shqetëson ju kjo situatë? Dhe deri ku do të shkonin marrëdhëniet e SHBA-së me një opozitë të drejtuar nga zoti Berisha? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë?

Nd/Sekretarja Donfried: Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se sot takuat tre deputetë të Partisë Demokratike, zotin Alibeaj, zonjën Tabaku dhe zotin Bardhi. Në çfarë kapaciteti i takuat ata, sespe zoti Berisha nuk i njeh ata si drejtues të PD-së?

Nd/Sekretarja Donfried: U takova me ta në cilësinë time si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë dhe në cilësinë e tyre si drejtues të Partisë Demokratike. Dhe është diçka shumë e zakonshme kur udhëtoj që të takohem si me anëtarë të qeverisë ashtu edhe me anëtarë të opozitës. Dhe për mua është gjithnjë shumë frymëzuese, diçka që të ngacmon të menduarin dhe e dobishme të dëgjosh perspektiva të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kemi parë shumë kritika dhe reagime ndaj ambasadores së SHBA-së, veçanërisht nga një segment i madh i opozitës, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën shqiptare. Cili është reagimi juaj?

Nd/Sekretarja Donfried: Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim. Dhe është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim dhe duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Përveç Berishës, Uashingtoni sanksionoi së fundmi edhe një ish-deputet, Aqif Rakipin, me lidhje të qarta me partinë e shumicës në pushtet. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga autoritetet shqiptare?

Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj se kam qenë e qartë në lidhje me rolin që luajnë shpalljet. Në lidhje me çfarë ndodh në Shqipëri pas tyre, do të thoja se unë besoj që qytetarët shqiptarë, si njerëzit në të gjithë botën, duan të mbështesin kandidatë të pastër.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, bota demokratike sfidohet sot nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Cilat mendoni se janë pasojat për Ballkanin, duke pasur parasysh ndikimin rus në disa vende të rajonit tonë?

Nd/Sekretarja Donfried: Fillimisht më lejoni të them se sa e trishtueshme është të shohësh ukrainasit të vriten çdo ditë.

Rusia më 24 shkurt ndërmori një agresion frontal të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës dhe gjatë dy muajve të fundit kemi parë brutalitetin i atij agresioni, qoftë tek bombardimi i pandërprerë i Mariupolit, apo krimet që kemi parë në Buça.

Ka kaq shumë raste të tmerrshme që mund të përmend. Çdo ditë është një ditë tragjike për Ukrainën.

Dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një pozicion shumë të fortë në atë konflikt. Pozicioni ynë forcohet edhe më shumë për faktin se aleatë si Shqipëria po qëndrojnë me vendosmëri krah nesh. Shqipëria ka rol kyç në të treja shtyllat e strategjisë sonë: Ajo po ndihmon Ukrainën: po i imponon kosto Rusisë, po kontribuon në NATO, duke u siguruar që krahu ynë lindor dhe juglindor të mbrohet siç duhet; dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Shqipëria është një bashkëpenëmbajtëse me ne për Ukrainën. Mund të vazhdoja edhe më tej.

Por kjo është një betejë jo vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë sigurisht për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Por bëhet fjalë gjithashtu për ambjentin e sigurisë evropiane dhe në thelb ka të bëjë me parimet tek të cilat ne besojmë, sipas së cilave çdo shtet ka të drejtën të marrë vendimet e veta sovrane për politikën e vet të jashtme dhe të sigurisë, shumë nga parimet themelore të sigurisë evropiane me të cilat në fakt, Rusia ka rënë dakord në OSBE dhe organizma të tjera. Kështu që rëndësia e këtij momenti është e jashtzakonshme.

Dhe përsëris që Presidenti Biden, Sekretari Blinken besojnë thellësisht se pozita jonë në përballimin e këtij momenti është e fortë falë aleatëve si Shqipëria.

Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar me qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Nd/Sekretarja Donfried: Më lejoni të filloj duke thënë se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit në votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur njëqind e dyzet e një vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet. Në OKB ishin pesë vende që votuan kundër kësaj rezolute. Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne. Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia.

Përsa u takon sanksioneve, siç e përmenda, Shtetet e Bashkuara besojnë se ështe e rëndësishme t’i imponohen kosto Vladimir Putinit. Veprimet që po ndërmerr ai, janë të pajustifikuara, të paprovokuara dhe brutale dhe lidhur me këtë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet që ajo ka vendosur. Dhe do të theksoja këtu se ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në frontin e sanksioneve, koordinimi në këtë drejtim, është një shembull për t’u shënuar i bashkëpunimit tonë.

Dua të theksoj gjithashtu se paketa e reagimit përfshin sanksione dhe kontrolle për eksportin dhe mendoj se këto kontrolle për eksportet janë gjithashtu të rëndësishme. Dua të theksoj se ky koalicion që qëndron me forcë kundër veprimeve brutale të Rusisë përfshin jo vetëm aleatët dhe partnerët tanë evropianë, por edhe aleatët dhe partnerët tanë në Azi. Dhe mendoj se fakti që një pjesë e madhe e botës po i del kundër, ka një rëndësi të madhe.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje: A mendoni se blerjet e armëve që Serbia ka bërë nga Rusia e së fundmi dhe nga Kina, përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan?

Karen Donfried: Më duhet të them që kishte një dallim opinionesh midis disa evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara për planet e Rusisë në prag të 24 shkurtit dhe mendoj se meqenëse disa nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk besonin se Rusia do ta ndërmerrte atë sulm, në shumë mënyra 24 shkurti ishte për pjesën më të madhe të Evropës i barazvlefshëm me atë që ishte 11 shtatori për Shtetet e Bashkuara dhe na ka treguar të gjithëve një anë të Rusisë që ne shpresonim të mos ekzistonte.

Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t’i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB.

Kina, besoj se ka marrë një vendim strategjik për të qenë aleate me Rusinë.

Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq.

Zëri i Amerikës: Faleminderit shumë.

Karen Donfried: Kënaqësia ime dhe faleminderit për gjithë punën e shkëlqyer tek Zëri i Amerikës.