Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

LIRIA DHE QYTETËRIMI

“LIRIA ËSHTË PRODUKT I NJË QYTETËRIMI TË PJEKUR”

QYTETËRIM m.

  1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve QYTETËROJ, QYTETËROHEM. Në rrugën e qytetërimit.
    2. Tërësia e arritjeve në fushën e kulturës materiale e shpirtërore dhe në zhvillimin shoqëror, që karakterizojnë një formacion ekonomiko-shoqëror ose një popull a vend të caktuar; shkallë e lartë e këtij zhvillimi. Qytetërimet e lashta. Qytetërimi shqiptar. Lindja (shuarja, zhdukja) e një qytetërimi.
    3. ek. Periudha e tretë e zhvillimit të shoqërisë së lashtë, pas egërsisë e barbarisë, në të cilën njeri e ngre në një shkallë më të lartë prodhimin dhe kulturën.

 

QYTETËROHEM vetv.

  1. Ngrihem në një shkallë më të lartë zhvillimi, duke marrë edukatë, arsim, kulturë etj., bëhem i qytetëruar.
    2. Pës. e QYTETËROJ.

 

QYTETËROJ kal.

  1. E ngre në një shkallë më të lartë zhvillimi, duke i dhënë edukatë, arsim, kulturë etj.; e shpie drejt një mënyre jetese më të lartë e më të kulturuar.

QYTETËRUAR mb.

  1. Që ka arsim e kulturë dhe që di të sillet në shoqëri; i edukuar. Njeri i qytetëruar.
    2. Që është në një shkallë të lartë zhvillimi shoqëror, kulturor e material. Komb i qytetëruar. Vend i qytetëruar. Popull i qytetëruar.

QYTETËRUES mb.

  1. Që sjell qytetërim, që përhap qytetërimin. Rol qytetërues. Veprimtari qytetëruese.

“LIRIA ËSHTË PRODUKT I NJË QYTETËRIMI TË PJEKUR”

Prandaj, jo rastësisht, Rilindasit, por edhe në vazhdimësi, gjeneratat e arsimtarëve dhe patriotëve, iu përkushtuan arsimimit, edukimit dhe qytetërimit të kombit tonë.

Por, automatikisht lind edhe pyetja, pse dështojmë në ndërtimin e shoqërisë shqiptare? A janë ose sa janë të qytetëruar udhëheqësit dhe vendimmarrësit e partive politike shqiptare në trojet shqiptare!?

Epilogu i zgjedhjeve të parakohshme në ish IRJM dhe roli i Lëvizjes për Vetëvendosje

Liderët e dy partive më të mëdha sllave në ish IRJM u takuan kokë më kokë, dhe pa përfillur fare partitë shqiptare, caktuan datën e zgjedhjeve, më 15 korrik 2020. Dhe pikërisht këto parti shqiptare qe nuk u pyetën as për datën e zgjedhjeve, u turën me plot kompetenca të pushtetit që ua mohon kushtetuta, t’u premtojnë shqiptarëve fushë me lule në shkëmbim të votave të tyre. Premtimi që ra më së shumti në sy ishte ai i kreut të BDI, Ali Ahmeti. “Komandanti” që mburrej se “ka shkatërruar Jugosllavinë”, me premtimin për kryeministër shqiptar të ish IRJM po zbatonte pikë për pike strategjinë perfide të gatuar në kuzhinën e UDB që në kohën e ish RSFJ, për të paraqitur shqiptarët si një pakicë që gëzon të gjitha të drejtat, madje e mbi-përfaqësuar në nivelet më të larta të pushtetit! Natyrisht, publiku nuk kishte pse ta dinte dakordësinë me LSDM-në për këtë skemë manipulimi, ndërsa kandidati i përzgjedhur nga të dy palët, nuk kishte si të ishte më i përshtatshëm se sa Naser Ziberi, ish ministri dhe nënkryetari i qeverisë së Branko Cervenkovskit për dy mandate radhazi (që nga viti 1996) dhe bashkëpërgjegjës për krime ndaj shqiptarëve në Bit Pazar, Ladorisht, masakrën e Gostivarit etj. Por ku e gjeti guximin kreu i BDI për këtë ofertë tallëse dhe ofenduese për shqiptarët?

Pikërisht tek opozita pa kauzë kombëtare, po aq vazale ndaj partive sllave sa dhe vet pozita. Opozitë, e cila në vend se të adresonte para elektoratit shqiptar kushtetutën si burimin real të nëpërkëmbjes së të drejtave të tyre kolektive, të demaskonte lojën e “kryeministrit shqiptar”, dhe të kërkonte votat e tyre në funksion të ndryshimeve kushtetuese për një zgjidhje reale të çështjes shqiptare në ish IRJM, për kauzë të vetme kishte rrëzimin e BDI-së, me synimin e vetëm, zëvendësimin e saj në bashkëqeverisjen pa kushte me partitë sllave. Dhe argumenti pothuajse i vetëm i përdorur në fushatën parazgjedhore, ishte fakti se BDI e korruptuar, bashkë me VMRO-në e korruptuar (një bashkëqeverisje që përfundoi para tre vitesh dhe pas kësaj ASKUSH me peshe nuk u dënua!) e paskan vjedhur shtetin! Athua se shqetësimi i vetëm i shqiptarëve duhet të jetë vjedhja e shtetit, i cili i i përbuzë dhe diskriminon ata që në aktin më të lartë juridik të tij – në kushtetutë. Me motive të qarta të manipulimit të opinionit dhe vullnetit politik të shqiptarëve, në vend të këmbënguljes për barazi kushtetuese, e gjithtë vëmenjdja e tyre tentohet të orientohet drejt korrupsionit të VMRO, të cilës, qëllimisht, për të mjegulluar skenën e krimit, i faturohen të gjtha krimet e bëra ndaj shqiptarëve me dekada të tëra, nga të dy partitë sllave që ndërrohen në pushtet, për të ushtruar pushtetin ekskluziv që ua jep sistemi qeverisës unitar. Ndërkohë, largimi i VMRO paraqitet si zgjidhja përfundimtare e të gjitha problemeve të shqiptarëve.

Dhe ndodhi ajo që pritej nga ata që ishin të gatshëm ta njohin, dhe ta pranonin realitetin. Për fat të keq, edhe për këto zgjedhje, shqiptarët nuk arritën të krijojnë një forcë politike që realisht do të mbronte interesat e tyre kolektive të mohuara në kushtetutën e ish IRJM, që më 1945. Në vend të kësaj, partitë e tyre vërtetë fituan 32 mandate deputetësh, por këto mandate janë në duar të partive dhe në shërbim të interesave të tyre, e jo në funksion të interesave kolektive të shqiptarëve. Pa asnjë përfitim nga kjo, partitë shqiptare edhe në këto zgjedhje u keqpërdorën për të deformuar realitetin e zgjedhjeve në taborin sllav. LSDM, me ndihmën e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Besa, mori 4 mandate shtese, që shërbyen si mbulesë për dekorin multietnik fallco, dhe për dalë nga këto zgjedhje me dy deputetë më shumë se VMRO e cila realisht është fituese edhe e këtyre zgjedhjeve. Pjesa tjetër e opozitës, ASH-AAA, nëse mund të quhet opozitë, për faktin që Alternativa si pjesë e koalicionit ASH-AAA është akoma në bashkëqeverisje me BDI, edhe përkundër ndihmës së pakushtëzuar të LVV, jo që nuk arriti ta mposhti BDI-në, por BDI edhe në këto zgjedhje doli faktori kryesor per krijimin e qeverisë, për faktin se çdo kombinatorikë tjetër e sforcuar, do të prodhonte qeveri jo stabile, dhe rrjedhimisht përsëri zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët nuk harruan se këto dy parti bashkëqeverisën (Alternativa akoma vazhdon) dhe votuan bashkë me BDI, të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet në dëm të shqiptarëve.

Mbështetja e pakuptimtë, jo parimore dhe pa kushte nga ana e LVV e koalicionit ASH-AAA, në vend të mesazheve të qarta për të githa partitë, për një platformë elektorale konstruktive për zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM, përveç se komprometoi vet atë, la shijen e hidhur jo vetëm tek përkrahësit e saj, por tek të gjithë shqiptarë në ish IRJM, të cilët kishin varur shpresat tek LVV. Mbetet i paqartë kriteri i çuditshëm i përzgjedhjes për përkrahje të Alternativës përkundrejt Lëvizjes Besa, të dyja në koalicion me LSDM, e para në koalicion qeverisës ndërsa e dyta në koalicion parazgjedhor!? Ashtu siç është dhe fakt i pamohueshëm dhe i ditur për të gjithë shqiptarët në ish IRJM (si duket, përveç LVV), se çështja kombëtare, dhe realizimi i interesave të shqiptarëve si grup etnik, nuk ka qenë, dhe nuk do të jetë kurrë preokupim i Alternativës me agjenda fundamentaliste të financuara nga vende të treta (në media hidhen dyshime për Truqinë, Katarin dhe Iranin), e as i karrieristëve të ASH, të cilët synojnë komoditetin e pushtetit, te provuar edhe më parë në kuadër të PDSH (lehtësisht e verifikueshme në biografitë e anëtarëve të kryesisë së ASH). Dhe për gjithë ata që menduan se kjo ishte thjesht një lajthitje e krerëve të LVV, erdhi goditja e dytë. Një ditë pas zgjedhjeve, në një kumtesë zyrtare, duke e quajtur “lajm i mirë”, shprehu kënaqësinë për fitoren e LSDM, pasardhësen e Lidhjes komuniste të Maqedonisë, përgjegjëse për gjysëm shekulli terror komunist mbi shqiptaret, e duke shtuar këtu dhe krimet e vet LSDM viteve të fundit ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Ladorisht, Brodec, Gostivar, Reçicë të Vogël – Tetovë, Bit Pazar të Shkupit, Sopot…

A ishte kjo deklaratë e krerëve të LVV, tregues i mosnjohjes së thellë të realitetit të shqiptarëve nga krerët e VV, apo po ndodh ajo që do të zhgënjente të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata në ish IRJM: LVV vendosi të flijojë interesat kombëtare të shqiptarëve të ish IRJM, në kërkim të pëlqyeshmërisë nga faktori ndërkombëtar, për të qeverisur me shtetin e Kosovës “së pavarur”, duke u paraqitur para tyre si faktor stabiliteti në rajon dhe kontribues për fqinjësi të mirë në dëm të shqiptarëve të ish IRJM!?

Për fat të keq, shqiptarëve në ish IRJM edhe këtë herë u mungoi mesazhi i qartë nga dy qendrat shqiptare, Tirana dhe Prishtina për të gjitha ata që nuk (duan të) dinë se çfar mundet dhe duhet bërë me këto 32 mandate të fituara në zgjedhjet e fundit. Ndaj dhe, partitë shqiptare, në vend se bashkë me 32 deputetët e sapo zgjedhur dhe 15 kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, të ftojnë partitë fituese sllave për të biseduar në mënyrë publike dhe transparente para opinionit shqiptar dhe sllav, për ndryshimet e domsdoshme kushtetuese, ku do të pasqyrohej realiteti i shtetit me dy bashkësi etnike të mëdha, dhe sistemit qeverisës në përputhje me këtë, e me këtë të sigurohej paqja, stabiliteti dhe një e ardhme me e mirë për të dy popujt, ato rendin në bisedime të fshehta duke negociuar, secila veç e veç, për përfitimet e tyre personale dhe klanore, natyrisht, në dëm të gjithë këtyre më lartë.

Afrim Fanda

Bordello politike!

Kot ankohen disa, se opozita nuk bashkohet. Opozita në fakt “bashkohet” gjate gjithë kohës – për t’ja futu njëri tjetrit. Ja p.sh., ne fillim “u bashkuan” AAA me ASH, duke ja futur LB, e me plane ambicioze per t’ja futur edhe BDI-së. Por ama LB, u tregua “e shkathët” dhe “u bashkua” me LSDM, duke ua futur AAA-ASH, me arsyetimin se “ne fund, aty do bashkohemi të gjithë për t’na e futur Zaev”. Nga ana tjetër, hesapet e zgjedhjeve, nuk u dolën ashtu si i bënë ne shpi AAA-ASH, ndaj tani në fund “u bashkuan” LB me BDI, duke ua futur përsëri, dhe përfundimisht AAA-ASH-se, me synimin për “t’u bashkuar” me Zaev, i cili, siç deklaroi edhe vet, në fund, ashtu “të bashkuar,” ua fut të gjithëve! Njerëzit do thoshin se kjo ngjanë në bordello politike!

Afrim Fanda

Kryengritja e “Ilindenit” 2 gusht 1903

E vërteta e pamohueshme e shpalosur më poshtë nga Jusuf Buxhovi lidhur me kryengritjen e Krushevës (Ilindenit) të organizuar më 2 gusht 1903 nga bullgarët, për interesa të tyre, e bën këtë ngjarje të përgjakshme, jo vetëm tërësisht të papranueshme për shqiptarët si bazë juridike të kushtetutës së ish IRJM, por edhe një datë të hidhur për shqiptarët si të vetmet viktima të këtij plani djallëzor të Sofjes dhe Beogradit, Ashtu siç është edhe ASNOM-i një datë po aq e hidhur dhe e përgjakshme, dhe po aq e papranueshme si bazë juridike e kushtetutës.
Urimi i kryetarit të kuvendit z. Talat Xhaferi për “dy Ilindenët” duke i quajtur “simbol i përpjekjes për një të nesërme më të mirë” e bën atë dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të partisë së tij, monstra jo njerëzor, që shpërfillin dhe përbuzin jo vetëm të kaluarën plot viktima të shqiptarëve, por edhe të ardhmen e tyre të gjendur në kurthin e tradhtisë së përfaqësuesve të tyre politikë. Ndërkaq, po aq përgjegjës janë edhe partitë e tjera shqiptare, të cilat zgjodhën heshtjen dhe përkrahjen, ne vend të denoncimit dhe kontestimit të këtyre dy ngjarjeve pa diskutim antishqiptare.

Jusuf Buxhovi
Përkujtesë historike: Kryengritja e “Ilindenit” 2 gusht 1903

“ILINDENI” MBROJTI INTERESAT BULLGARE DHE ASSESI SHQIPTARE!

Kryengritja e “Ilindenit” e 2 gushtit 1903, u iniciua dhe u përkrah nga Bullgaria. Sofja, si dhe Beogradi, kishte interesat që çështja e Maqedonisë të humbte tretmanin e çështjes shqiptare, për t’u kthyer në një çështje , që duhej të gjente zgjidhje në copëtimin e saj midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Jo rastësisht u zgjodh Krusheva (në vilajetin e Manastirit) në mënyrë që ky projekt të fitonte edhe “legjitimitet” etnik të “popullatës së përzier”, ku shqiptarët e besimit orotodoks dhe vllehet shfaqeshin si shumicë.
Në këtë lëvizje u përfshinë edhe shqiptarët ortodoksë të fshatrave përreth detyrimisht: në njërën anë, si “vullnetarë” të mobilizuar nga Ekzarkati (kisha bullgare). Dhe në tjetrën anë, nga militantët e VMRO-së, që po ashtu, u vunë në veprim për djegien e katundeve shqiptare të besimit mysliman në pjesën e Manastirit dhe përreth, me çka u krijua mundësia për një vëllavrasje shqiptare për intresa të huaja, siç ndodhi në të vërtetë me kundërpërgjigjen që erdhi nga Myteserifi i Shkupit, i cili mobilizoi redifet nga radhët e shqiptarëve myslimanë për ta shuar kryengritjen.
Pra, si e tillë, kjo lëvizje e projektuar nga interesat ruso-sllave dhe të disa faktorëve të tjerë europian, nuk ishte as projekt as interes i lëvizjes kombëtare shqiptare në përputhje me kërkesat e dala në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” dhe nga “Lidhja e Pejës” për autonominë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, që me katër vilajetet e bashkuar shqiptare në një, do të kishte fizionominë e një Shqipërie Osmane si urë kalimtare tek Shqipëria Europiane.
Historianët institucionalistë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, gjithnjë me ngarkesa ideologjike dhe klishetë internacionaliste, duhet të rishqyrtojë qëndrimet antishkencore rreth kësaj ngjarje në mënyrë që ajo të vlerësohet në përputhje me të vërtetën historike dhe jo koniunkturat e caktura politike të kohës.

Afrim Fanda

Aroganca e pushtetit politik dhe financiar në duart e klerit shqiptar në shërbim të sigurimit shtetëror të ish IRJM

Para pak ditësh, reisi 74 vjeçar i Bashkësisë së Fesë Islame (BFI) në ish IRJM befasoi opinionin publik me lajmin e përcjellur me foto të kurorëzimit të tij me një grua 24 vjeçare. Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, menjëherë pas kësaj, në fjalimin e tij drejtuar shqiptarëve me rastin e festës së Bajramit, shpalli Covid-19 zyrtarisht të “vdekur”. Kjo deklaratë e kreut të BFI, pasoi me një shpërthim të numrit të të infektuarve në lagjet shqiptare të Shkupit dhe ne vendbanimet e tjera shqiptare si dhe daljen e epidemisë nga kontrolli në ditët në vazhdim. Pak ditë pas kësaj, Rijaseti (organ më i lartë i BFI), njoftoi shkarkimin e tij dhe emërimin e reisit të ri.
Ajo që nxiti reagimet më të shumta të zemërimit me kreun BFI, ishte kryesisht diferenca e madhe në moshë në mes reisit dhe bashkëshortes së tij të re (sa një e treta e moshës së tij). Por Ajo që la shijen e hidhur, është fakti që asnjë gazetar ose opinionist, asnjë intelektual nuk pati kurajën për të trajtuar më thellë fenomenin që përfaqëson ky veprim i prijësit të Bashkësisë Fetare Islame!
Çfarë qe ajo që e shtyri prijësin e BFI-së për të sfiduar opinionin me këto deklarime dhe veprime arrogante dhe mospërfillëse ndaj besimtarëve shqiptarë, duke mos çarë kokën fare për reagimin e pritur nga opinioni? Ishte pikërisht arroganca e pushtetit absolut politik dhe financiar, që gëzonte me vite kreu i BFI, si shpërblim për shpërblimet e tij ndaj UDB-së që e shtyri atë për të sfiduar shqiptarët me gjestin prej rrugaçi me pushtet dhe para për të marrë një grua që mund të ishte mbesa e tij. Po kjo arrogancë mospërfillëse ia dha të drejtën për të deklaruar hapur përmes memoareve të tij bashkëpunimin me UDB-në, që njëkohësisht ishte dhe “zgjuarsi” e tij, për të shpallur publikisht para opinionit shqiptar paprekshmërinë e tij të garantuar nga shërbimet e sigurimit të shtetit të ish IRJM.
A ishte Rijaseti (organi më i lartë i BFI) që morri vendimin për të shkarkuar reis Sulejman Rexhepin pas skandaleve të tij të fundit? Sigurisht që jo! Rijaseti i BFI, nuk ka pasur kurrë guximin e as kompetencën për ta shkarkuar Sulejman Rexhepin e mbrojtur nga pushteti, me ironi të quajtur sulltani i plotfuqishëm. Ishte pikërisht pushteti me ndihmën e sigurimit shtetëror që mban nën kontroll jetën politike dhe fetare të shqiptarëve, i cili dha urdhërin Rijasietit të BFI për shkarkimin e Reisit, tani më i dalur nga kontrolli i tyre. Dhe pikërisht ky shkarkim i Reisit, nxori zbuluar nënshtrimin e gjithë udhëheqësisë së BFI ndaj një vendimmarrësi nga jashtë BFI – në këtë rast, mbështetur edhe në vet memoaret e reis Sulejman Rexhepit, ndaj sigurimit shtetëror të ish IRJM.
Por pse gjithë ky interesim kaq i madh i pushtetit në duart e sllavëve për të pasur në dorë udhëheqësinë e BFI? Shqiptarët e ish IRJM, përveç një periudhe të shkurtër trevjeçare, 1941- 1944, nuk e patën më kurrë shtetin dhe pushtetin e tyre, siç e kishin bashkëkombësit e tyre në shtetin e cunguar të Shqipërisë, ose së paku atë pak autonomi që kishin ata në Kosovë, që do t’u jepte atyre mundësinë për të ndarë qartë fenë nga shteti dhe politika. Që atyre do t’ua mundësonte vazhdimin e emancipimit të shoqërisë përmes arsimimit dhe zhvillimit të jetës
kulturore të filluar gjatë periudhës 1941-1944. Pas vitit 1945, sllavët, të vetëdijshëm për faktin që shqiptarët nuk do ta pranojnë asnjëherë në mënyrë të vullnetshme pushtetin e tyre të imponuar me dhunë, përdorën pushtetin që ka feja, duke e vendosur atë në shërbim të tyre. Ashtu siç pranon edhe vet reis Sulejman Rexhepi në memoaret e tij, me ndihmën e një pjese të madhe të klerit që i shërbenin me zell pushtetit, kultivoi me kujdes atë “fe” që i diferenconte shqiptarët në “besimtarë të vërtetë”, lojalë ndaj pushtetit, dhe “të pafe”, që luftojnë për të drejtat e tyre kombëtare. Klerit në shërbim të pushtetit iu dha pushtet absolut, i krahasueshëm me fuqinë e një shteti në vete. Ndërkohë, një pjesë të madhe të arsimtarëve, që pas “çlirimit” në vitin 1945 punonin me zell dhe sakrificë për emancipimin përmes arsimimit të popullatës shqiptare, pushteti i burgosi, i diferencoi “ideo-politikisht” duke i lënë pa punë, e një pjesë i shpërnguli në Turqi…
Shumica dërmuese e këtyre intelektualë të dënuar nga regjimi ishin besimtarë, por që dinin të ndanin qartë fenë si ushqim shpirtëror, nga dashuria dhe obligimi ndaj atdheut dhe kombit. Dinin shumë mirë se rruga drejt emancipimit të shoqërisë shqiptare nuk kalon përmes fesë, aq më tepër të keqpërdorur nga pushtuesit, por përmes arsimit dhe kulturës. Ashtu siç e kuptonin edhe klerikët në shërbim të kombit e jo të pushtetit, siç ishte Xhemil Efendiu- imami i Xhamisë në qendër të Tetovës. i cili në përpjekjet e tij për të ndaluar shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve në Turqi, në një ligjëratë të tij në xhami deklaroi: “Gjithëkrijuesi derrin e këtushëm e pranon per
kurban, kurse dashin e Turqisë – nuk e pranon…” Për këtë deklaratë të tij, Xhemil Efendiu, edhe pse në moshë të shtyrë, u dënua me burg, ku dhe përfundoi jetën e tij.
Përfshirja kaq e hapur dhe e vrazhdë e pushtetit dhe partive politike në institucionet fetare, si dhe e fesë në jetën politike të shqiptarëve zbulon motivin e krijimit Lëvizja Besa dhe Alternativa, që për platformë të pashkruar politike kanë shtrirjen e ndikimit politik përmes fjalorit dhe
aktiviteteve fetare. Sqaron faktin që bashkëshortja e re e reisit “për koincidencë” qëlloi të jetë nënkryetare e një nëndege të BDI-së. Ndërkohë zbulon edhe majen e ajsbergut, të një luftë të ashpër, me shërbime inteligjente vendase dhe të huaja të involvuara, në mes të BDI-së në pushtet dhe Aleancës në koalicion me ASH, për të futur në dorë udhëheqësin e BFI.
Shkelja e parimeve dhe regullave demokratike të funksionimit të shtetit laik, do te duhej të alarmonte të gjithë opinionin publik në këtë shtet, si dhe të gjitha ambasadat që treguan zellin
e tyre të madh në mbajtjen në këmbë të këtij shteti të brishtë.
E besimtarëve të vërtetë shqiptarë, do të duhej t’u shërbente për t’u bindur në vërtetësinë e porosisë së rilindasve tanë, si dhe personaliteteve të shquara shqiptare si Hazif Ali Korça, Hoxhë
Idriz Gjilani, Hoxhë Rexhep Voka… marrë nga fjalët e vet profetit Muhamed a.s. “pa vatan, nuk ka iman”.
Afrim Fanda

Deklarata e Denko Maleskit, zëri i arsyes dhe ndërgjegjes intelektuale, apo tentativë për mbijetesë të identitetit të përvetësuar, sërish në kuriz të shqiptarëve!?

Para ca ditësh, Denko Maleski, i njohur si ministri i parë i jashtëm i ish IRJM pas pavarësimit nga ish Jugosllavija, aktualisht këshilltar i presidentit të ish IRJM, bëri bujë në media me deklarata dhe qëndrime të padëgjuara më parë nga donjë intelektual ose zyrtar “maqedonas”. “Maqedonasit dhe bullgarët në të kaluarën kanë qenë një komb, dhe për këtë sot me nje klik në internet gjen materiale të bollshme dhe të besueshmme”, deklaroi z. Maleski! Më tej në shkrimin e tij, Denko Maleski sqaron se si dhe kur u vendos që “maqedonasit” të ndahen si komb i veçantë: – “gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjeneratës së partizanëve maqedonas, ish-‘serbëve të jugut, ju ofrua të jenë komb maqedonas me gjuhën e tyre maqedonase dhe shtetin e tyre Maqedoni, në Federatën e ardhshme Jugosllave,”. Por tani, pas ndryshimit të emrit dhe kushtëzimit të proceseve eurointegruese nga ana e Bullgarisë lidhur me gjuhën, z. Maleski mendon se  “më kot, u përpoqëm që të bindim botën se jemi pasardhësit e drejtpërdrejtë të maqedonasve antikë” dhe se “ka kaluar koha kur historia maqedonase ishte e mbrojtur nga federata e fuqishme jugosllave dhe mundej pa presion dhe në mënyrë selektive të zgjidhen tullat e ndërtimit të kombit maqedonas, duke fshirë kudo ku shkruan bullgar dhe zëvendësuar me maqedonas”. Ndaj dhe z. Maleski shpreh qëndrimin e tij se “ne duhet të diskutojmë seriozisht për mosmarrëveshjet rreth historisë, të cilën ne nuk mund ta ndryshojmë, por mund ta interpretojmë atë në një mënyrë që do të na bëjë miqtë më të mirë”. Ndërkohë, z. Maleski siguron bashkëkombasit e vet se nuk duhet të shqetësohen për kushtëzimet e Bullgarisë, pasiqë “shpërndarja rajonale e forcave është e tillë që Greqia dhe Serbia nuk duan shtrirje të ndikimit bullgar në Maqedoni dhe ndarjen e saj në sferat shqiptare dhe bullgare”, duke lënë të nënkuptohet se Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese të votuara edhe nga partitë shqiptare, kishin pikërisht këtë funksion – pamundësimin e faktorizimit kushtetues shqiptar, dhe atij bullgar.

A mund të konsiderohen këto deklarime të z. Maleski si zëri i ndërgjegësimit intelektual dhe qytetar i bashkëqytetarëve tanë sllavë, nën presionin e fakteve të pamohueshme historike dhe shkencore, të imponuara tani më me ngulm nga autoritetet bullgare?  Për fat të keq, jo! Në shkrimin e tij, z. Maleski e sqaron qartë se shteti i “Maqedonisë” nuk u krijua me vullnetin e lirë politik të vet qytetarëve që jetojnë aty, por me një vendim politik dhe ideologjik, i dizajnuar dhe imponuar nga jashtë, i shpallur në formë të vendimeve të ASNOM-it.  Por, e hesht faktin se krijimi i kombit dhe shtetit të ri “maqedonas” nuk ishte një proces i pafajshëm dhe paqësor, sepse i njëjti u krijua me dhunë dhe gjakderdhje mbi territoret e uzurpuara të shqiptarëve, të cilët në atë kohë gëzonin shtetin e tyre të lirë. E edhe për këtë, me një klik në internet gjen dëshmi dhe fakte të bollshme. Si përfaqësues tipik i brezit të politikanëve dhe pushtetarëve të një sistemi çnjerëzor të zhytur në krime ai zgjedh përsëri  interpretimin e shtrembëruar të fakteve dhe historisë, e me këtë mbijetesën e identitetit dhe shtetit të përvetësuar. Por faktet e shpalosura nga z. Maleski mund t’u shërbejnë fare mirë bashkëqytetarëve tanë sllavë, të rinjë, që duan të hapin një faqe të re, të qytetëruar, në marrëdhënie me shqiptarët.

Këto të vërteta dhe fakte të pamohueshme historike  do të duhej të alarmonin edhe intelektualët dhe partitë politke shqiptare, ashtu si dhe shuplaka kthjelluese e presidentit Pendarovski, i cili deklaroi se “nuk na duhet BE me kusht që te heqim dorë nga të qenit maqedonas që flasin gjuhën maqedonase”.

Por cili ishte reagimi i partive shqiptare dhe intelektualëve shqiptarë?  Për fat të keq, ashtu si deri tani, partitë shqiptare dhe intelektualët shqiptarë zgjodhën heshtjen dhe nënshtrimin kokëulur, në pritje të privilegjeve nga pushtetit në duart e sllavëve! I vetmi që reagoi, jo për guximin, por për pafytyrësinë dhe demagogjinë politike që ka, ishte z. Sela. Ai në vend se të skuqet për pjesën e përgjegjësisë që mban për mashtrimin qe ju bë shqiptarëve lidhur me anëtarësimin në BE, në shkëmbim të votimit të Marrëveshjes së Prespës, në letrën publike drejtuar presidentit Pendarovski, thjesht bëri rolin e patriotit të zemëruar për opinionin shqiptar. Atij i’u ankua për diskriminin që u bëhet shqiptarëve, pikërisht përmes ligjeve dhe ndryshimeve kushtetutese të cilat i ka votuar vet, bashkë me partitë të cilat i shan! “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk do të t’a bëjnë ty”, i shkruajti z. Sela presidentit , duke bërë paralelizmin absurd në mes të identitetit “maqedonas” të kontestuar me fakte shkencore, dhe identitetit të pakontestueshëm shqiptar, në vend se të adresonte problemin aty ku duhet – tek statusi kushtetues i mohuar. Në solidaritet me presidentin Pendarovski, bëri sërisht paralelizëm absurd, në mes të gjuhës “maqedonase” të kontestuar me të drejtë nga bullgarët si dialekt i tyre, me gjuhën shqipe, gjuhën më të vjetër në Evropë, të kufizuar si gjuhë e pakicave me ligjin të cilin e votoi ai vet. E sikur të mos mjaftonte kjo, u rreshtua përkrah presidentit Pendarovski, kundër Bullgarisë, në mbrojtje të një kauze të paqenë të identitet “maqedonas”, duke injoruar faktin që shqiptarët janë pala e dëmtuar, por jo nga Bullgaria. Dhe në fund, me paturpësinë më të madhe, po atë kushtetutë që votoi vitin e kaluar bashkë me dhunuesit e tij, tani e quan “kushtetutë anakronike dhe anti-evropiane” !

Deklaratat e këtyre dy personaliteteve të rëndësishëm politik, z. Maleski dhe z. Pendarovski duhet të vetëdijësojnë dhe ndërgjësojnë pjesën e shëndoshë të klasës politike shqiptare dhe intelektualët me atë pak guxim intelektual të mbetur, për të ndërprerë njëherë e përgjithmonë, përkrahjen “blanko” në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së përvetësuar nga ana e bashkëqytetarëve të tyre sllavë në pritje të realizimit të premtimeve boshe. Është koha e fundit, që qasja prej spektatorit, të zëvendësohet me atë të palës së dëmtuar që kërkon rivendsojen e drejtësisë. Me ndihmën e gjithnjë e më shumë fakteve historike të bëra publike kohëve të fundit, të këmbëngulet në ridefinimit e plotë të kushtetutës, duke  përjashtuar nga kjo kushtetutë vendimet antishqiptare, ideologjike dhe falsifikuese të ASNOM-it, dhe duke i zëvendësuar ato me standarde kushtetuese evropiane të ndërtimit të shteteve bashkësi popujsh.

Afrim Fanda

Mesazhet “sinqerta” të z. R. Grenell në funksion të “pro-amerikanizmit” të klasës politike të koruptuar dhe kriminalizuar.

Të ballafaquar me reagimin e ashpër të shqiptarëve në media dhe rrjete sociale, të revoltuar nga  lehtësia mospërfillëse me të cilën, vet partneri qeveritar, presidenti i shtetit, dhe partitë e tjera, votuan rëzimin e qeverisë Kurti, në situatën kur edhe  shqiptarët si gjith bota ballafaqoheshin me sfidat tanimë të një pandemie të rezikshme të COVID-19, krerët e këtyre partive, në veçanti Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ndjenë nevojën urgjente për përkrahje publike nga mikut i tyre, ambasadori i z. Donald Trump, z. Richard Grenell.  Dhe ja, pasoi deklarimi publik i  Z. Grenell, në formë të një interviste, të cilën ja dha kujt tjetër, pos gazetarit kontraverz z. Berat Buzhala, ish deputetit i PDK, drejtor i përgjithshëm i Gazetës Expres dhe televizionit T7.

Intervistës i parapriu hyrja që i bëri vet z Buzhalla, i cili me sjelljen e tij prej aroganti të “gjithëditur”, të vetëkënaqur, provincial, dhe me sjelljen prej avokati të z. Grenell, shpalosi para opinionit shqiptar te pavërteta lehtësisht të verifikueshme në mediat prestigjioze botërore. Z. Buzhala, pranoi sjelljen konfliktuale të z. Grenell, gjatë misionit të tij si ambasador kontraverz i SHBA në Gjermani, por në vazhdim dezinformoi publlikun duke deklaruar se “me kalimin e kohës, qeveria gjermane është zbutur në raport me z. Grenell, dhe ky i fundit ka filluar të bashkëpunojë me qeverinë e Gjermanisë”, aq sa me kancelaren Merkel kanë arritur të bisedonin për vizat e Kosovës.  Githashtu, se “Gjermania ju është bindur kërkesave amerikane dhe bashkëpunon me SHBA sa i përket rrjetit 5G…”! Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Z. Grenell disa herë gjatë vitit 2019 (janar, mars dhe maj 2019, DW), bile herën e fundit pikërisht me kancelaren gjermane,  hyri në konflikte te panevojshme, duke nxitur kështu vazhdimisht zemërimin e opinionit gjerman. Ndërkaq, sa i përket rrjetit 5G, Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian qartazi u rekomandoi anëtareve të saj kufizimin, por jo ndalimin e përfshirjes së  Huawei në zhvillimin e rrjetit 5G, në kundështim me insistimn e administratës së z. Trump, dhe z. Grenell si përfaqësues i tij në Gjermani. Britania tanimë i ka lejuar kompanisë kineze Huawei një pjesëmarrje maksimale prej 35 përqind në pjesët jo-ndjeshme të infrastrukturës së saj 5G, ndërkohë që sekretari i shtetit Mike Pompeo përjashtoi çdo ndryshim në ndarjen e inteligjencës midis Uashingtonit dhe Londrës.. Ndërsa Franca tanimë autorizoi përdorimin e disa prej pajisjeve të Huawei në rrjetin e saj 5G, ndërkohë që Huawei planifikon fabrikën e parë evropiane 5G në Francë.

Grenell me naivitet të përzier me arrogancë, të padenjë për një diplomat ngatërroi dhe keqpërdori besimin e verbër të shqiptarëve ndaj popullit dhe shtetit amerkan, duke e marrë si të mirëqene atë për t’i dhënë të drejtë vetes që t’u drejtohet atyre me harbutëri dhe të pavërteta. A thua se shqiptarët do të besonin me kaq lehtësi absurdin e deklaruar në intervistë, se taksa 100% nuk e dëmtoka ekonominë serbe, por “më së shumti” ekonomine e Kosovës!?

A thua se shqiptarët do te besonin fjalën e Grenellit në përkrahje të një bande të koruptuarish dhe kriminelësh, në vend se të Albinit, i cili mund të jetë kokëfortë, por kurrë mashtrues.  E si ta besonin shqiptarët z. Grenell se nuk ka patur marrëveshje të fshehta mes z. Thaçi dhe z. Vuçic, dhe mes tij dhe këtyre politikanëve tanimë pa mbështetje në popull, kur i njëjti i ka kërkuar z. Kurti një zotim ndryshe nga ai publik që ua kishte dhënë shqiptarëve, dhe për të cilin kishte marrë edhe votat e tyre? Nuk do ishte kjo një marrëveshje e fshehtë mes z. Grenell dhe z. Kurti?

Si të besonin shqiptarët z. Grenell, i cili në intervistën e tij, tentoi t’i bindi shqiptarët se kapja e shtetit nga krimi i organizuar, nga pushtetarët hajdutë, të korruptuar, injorantë dhe të paaftë,  me të cilët  z. Grenell “nuk ka bërë marrëveshje te fshehta”,  nuk dëmtojnë ekonominë e Kosovës, nuk pengojnë hapjen e vendeve të reja të punës,  dhe nuk shkaktojnë ikjen masive të të rinjve. Por këto i shkakton, tani më jo taksa 100%, heqjen e të cilës nuk e diskutoi asnje udhëheqës partie, perfshirë edhe atë që e vendosi dhe deri dje ulërinte për të mos e hequr, por reciprociteti në marrëdhëniet me Serbinë, kriter i përdorur gjërësisht në të gjithë botën në marrëdhëniet mes shteteve!?

Intervistën e z. Grenell e mbylli pyetja qe i befasoi të gjithë. Nuk e dime se kujt nga “local sheriffs” i shkoi mendja për këtë “ide briliante”  për t’ua mbyllur gojën shqiptarëve të revoltuar duke i kërcënuar me temën e homofobisë, por një gjë dihet mirë – Buzhalës jo se nuk i pjell mendja për keq, por është një frikacak që kurrë nuk do të merrte guximin që z. Grenell t’i parashtojë një pyetje të tillë. Aq më tepër, “proamerikanëve” nuk u shkoi mendja që gjatë propozimit të kësaj ideje briliante, ta informonin “captain america” (verzioni gay) se shqiptarët kanë natyrë të ashpër, dhe si të tillë nuk i japin peshë fjalëve të një gruaje. Bile shoqëria shqiptare konsideron si një plagë të shoqërisë trajtimin që shkon deri në dhunë ndaj gruas, fenomen negativ  të cilin ne shqiptarët mundohemi ta luftojmë me cdo kusht. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që homoseksualizmi akoma konsiderohet si fenomen i huaj për këtë shoqëri, që nuk trajton as gruan ashtu si duhet, e lere më homoseksualët. Por nga ana tjetër, shqiptarët, krahasuar me fqinjët janë treguar goxha tolerantë ndaj këtij fenomeni, së paku krahasuar me Serbinë, ku paradat e homoseksualëve sulmohen regullisht nga qytetarët e tjerë dhe ushtrohet dhunë mbi ta.  E po aq tolerant dhe i qytetruar u tregua edhe Kryeministri ynë, i cili nuk ndoqi shembullin e kryeministrit të shtetit fqinj ish IRJM, i cili, i trembur dhe në zemërim e sipër që një homoseksual i afërt me qeverinë, arriti të koruptonte qeveritarë, e deri edhe kryeprokuroren speciale, duke rrezikuar seriozisht qeverinë, publikisht, para kamerave te medias deklaroi:  “nuk do të lejoj që ca kriminelë, një gazetar koti, dhe një pederast, ta rëzojnë qeverinë”

Albini s’kishte si ta shpëtonte qeverinë e koalicionit, të vetmen qeveri kombetare të pas luftes, me gjithë hendikepin e ministrave komplotist të LDK-së. S’kishte si ta shpëtonte atë qeveri koalicioni,  i rrethuar nga banda e kriminelëve politikë që e kishin rrethuar, ndërkohë që  i kishte edhe brenda! Por ama luften per ta mbrojtur atë e beri ashtu si di ai, me parime, burrëri, dinjitet dhe atdhetari! E bëri, duke ua çjerrur maskat gjithë hajdutëve dhe “pro-amerikanëve”  të mbledhur atë ditë ne Kuvend, duke pretenduar për kauzë te drejte në mocionin e mosbesimit të qeverisë së koalicionit. Dhe me këtë ai fitoi besimin edhe më shumë shqiptarëve, që deri atë ditë ishin të lëkundur. Është pikërisht kjo që tmeroi Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, dhe që çoi deri tek vendimi absurd i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen të paligjshëm vendimin e qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve si e vetmja mase e këshilluar edhe nga OBSH si të vetmen mbrojtje nga përhapja e COVID-19!

Afrim Fanda

OPOZITA E BASHKUAR, PA KAUZË, ME NË QENDËR ALTERNATIVËN OSMANE – TREGUES I MJERIMIT POLITIK TË SHQIPTARËVE NË ISH IRJM

“E gjetëm formulën e suksesit”, klithën të kënaqur osmanlinjtë e Stambollit dhe nostalgjikët e tyre  në ish IRJM –  do të themelojmë parti që për doktrinë do të ketë fenë tonë, por të mbështjellur me ambalazhim të bukur  “patriotik”.  Ndaj për emër të partisë, uzurpuan emrin e institucionit të shenjtë të shqiptarëve – Besën. Lekët u erdhën me bollëk nga Katari, e nuk u mungoi as përkrahja e miqve “të pafe” në pushtetin e ish IRJM. Fondacioni i tyre, “Qendra e civilizimit islam” me shtëpinë botuese Logos A, me në krye “abinë” e famshëm, ofruan  “doktor profersorë”, redaktorë, libra dhe para për të rritur “cilësinë” dhe komoditetin e kryesisë, … dhe pothuajse ia arritën ta realizojnë ëndrën. Derisa, një ditë, paratë e Katarit bënë atë që bën paraja – nxiti lakminë, grykësinë, konfliktin dhe në fund përçarjen.  Ata më të zellshmit, më meritorët, u ndanë, por nuk arritën të mbanin emrin. Por ç’e duan… me rëndësi e kishin “abinë” në anën e tyre, sepse paratë e “abisë” ua dhanë “Alternativën”.

Miqtë e “pafe” të Alternativës, u dhanë zemërgjerësisht pjesë të pushtetit dhe me ndihmen e pushtetit dhe miratimin e kryeministrit bujar, ata filluan të shpërndajnë “kulturë” shqiptarëve të lënë në mëshirën e fatit nga institucionet e tyre kulturore në Tiranë.  Ndaj dhe u organizuan qindra udhëtime me autobuzë për arsimtarët e shkollave shqipe, për të vizituar monumentet kulturo historike të Stambollit. “Abija” i Logosit, u kujdes që të shtypen mijëra libra fetarë, në mënyrë që të plotësohet boshllëku arsimor dhe kulturor tek shqiptarët.

Dhe erdhën zgjedhjet. Shqiptarët e shkretë, të gjendur në situate “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, të dëshpëruar dhe me shpresë të fundit, bënë thrijen për bashkim të opozitës për të rrëzuar BDI-në e kriminalizuar dhe koruptuar, që tanimë kishte lëshuar rrënjë në pushtet. Por për fat të keq, për të kaluar “nga shiu, në breshër”.   Në këtë situate, falë parave të “abisë”, erdhën “5 minutat” e osmanëlinjve pozitë/opozitë të Alternativës.  Vërshuan ftesat për koalicion duke filluar që nga LSDM e deri te “ish kolegët besatarë” të cilët i ranë pishmanit për konfliktin dhe ndarjen.

Lideri i ASH, me gojën që i rridhnin jargë për leket e “abisë”, e ndau mendjen që në fillim.  Sa për të kënaqur thirjen e shqiptarëve për bashkim të opozitës, deklaroi preferencën e tij për koalicion, me të dy, Alternativën dhe Besën, por duke u kujdesur që të rendiste Alternativën të parën. Edhe Alternativa e ndau më në fund mendjen për ASH, pas një hezitimi në mes të opsionit PDSH-se që po perëndonte, dhe ASH-se “që premtonte”. Por, njëkohësisht shprehu publikisht qëndrimin këmbëngulës për të mos bërë koalicion me asnje kusht me Lëvizjen Besa.  Lidershipi i LB, pothuajse ranë në gjunjë para lidershipit të Alternativës, gjë që dëshmoi mungesën e një identiteti politik që i dallon nga lidershipi i Alternatives, por kjo nuk ndryshoi qëndrimin e Alternativës.  Kështu që LB vendosi të garojë e vetme në zgjedhjet e 12 prillit, dhe e vetme t’a rëzojë BDI-në nga pushteti.

Më i prekuri në gjithe  këtë situate të krijuar, duket se është lideri I PDSH, i cili, i zemëruar për tradhtinë që i bëri “abija”, duke zgjedhur armikun e tij për bashkëpunim, bëri disa denoncime të forta me prova, për financime të dyshimta nga shtete të treta, dhe veprimtari  të paligjshme financiare, si dhe aktivitete të dyshimta të udhëheqsisë së Alternativës për llogari të shteteve të huaja. Por e gjitha kjo hasi në vesh të shurdhër tek miqtë “e pafe” të osmanlinjve në pushtetin e ish IRJM.

A do të mundet “opozita e bashkuar”, pa nje kauzë kombëtare, por duke e zëvëndësuar atë me dogma fetare dhe agjenda të huaja, pa ngritur çështjet esenciale që prekin të drejtat kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, pa ofruar asgje ndryshe, të mobilizojë votuesit shqiptarë, thjesht për ta zëvendësuar në pushtet BDI-në e kriminalizuar dhe shërbëtore besnike e partive sllave në pushet?  E vështirë, por sidoqoftë, mbetet për të pare, nëse shqiptarët do të duhet përsëri, pas disa vitesh, të bahkojne një opozitë tjetër, për t’a rëzuar nga pushteti, opozitën e sotme!

Afrim Fanda

Shqiptarët nuk kanë nevojë për liderë e opozitë të bashkuar për pushtet, por për të ripërcaktuar statusin e tyre në Maqedoni

SHQIPTARËT NË ISH IRJM NUK KANË NEVOJË PËR NJË LIDER APO OPOZITË TË BASHKUAR PËR TË ZËVENDËSUAR BDI-në E KONSUMUAR, DHE PËR TË SHËRBYER MË MIRË PUSHTETIT NË DUART E LSDM APO VMRO, POR PËR RIPËRCAKTIMIN E STATUSIT TË TYRE POLITIK DHE JURIDIK BRENDA ISH IRJM, QË DO T’U MUNDËSONTE ATYRE TË USHTROJNË TË DREJTAT E TYRE KOLEKTIVE DHE TË VETËVENDOSIN PER TË ARDHMEN E TYRE!

Nga Doli zbuluar edhe mashtrimit i integrimit në BE, që së bashku me „mbrojtjen nga reziku i ndikimit rus“ që kamuflonin marrëveshjen e Prespës, dhe ndryshimet kushtetuese antishqiptare që dolën nga kjo marrëveshje. Në mungesë të një mashtrimi rezervë, Kryeministri „reformator“ „properëndimor“ luajti sërish rolin që e di më së miri – atë të viktimës. Dhe politikanë shqiptarë të papërgjgeshëm dhe naivë, opinionistë sharllatanë, duke ofenduar shqiptarët e ish IRJM, viktimat reale të politikës antishqiptare të pushtetit në duart e partive sllave, nxituan t’a praqesin të kundërtën – kryeministrin Zaev dhe qeverinë e tij si viktimë të shqiptarëve! Te painformuar fare ose duke anashkaluar faktet e pamohueshme se partia e z. Zaev, e cila erdhi në pushtet me ndihmën e votave të BDI-së të koruptuar dhe kriminalizuar, dështoi t’i nxirte para drejetësisë politikanët e koruptuar dhe kriminalizuar të qeverisë paraardhëse, nuk bëri asnje reformë në gjyqësorin e njëanshëm antishqiptar, dështoi me prokurorinë speciale, dhe akoma më shumë., vet kryeprokurorja speciale u involvua në një aferë korupsioni!
Por cfarë në të vërtetë ka përfaqësuar historikisht dhe akoma përfaqëson reziku i ndikimit rus për shqitparët, nga i cili pretendohet t’i ketë mbroujtur marrëveshja e Prespës? Faktet e shumta historike e bëjnë të lehtë përgjigen – coptimi dhe shkëputja e territoreve shqiptare për t’ua dhënë shteteve fqinje sllave, si dhe shtrirja e hegjemonizmit ruso-serb në gadishullin Ilirik! Po dorëzimi i sovranitetit dhe pushtetit vetëm në duart e bashkësisë etnike sllave në ish IRJM, përmes votimit të ndryshimeve të fundit kushtetutese, nuk përfaqëson realizimin e synimeve ruse për shqiptarët? Po dhurimi i 8000 hektareve territor shqiptar Malit të Zi, përmes votimit të deputetëve shqiptarë në parlamentin e Kosovës nuk është vazhdim i realizimit të synimeve historike ruse në Gadishullin Ilirik? Po pranimi nga ana e kryeministrit Edi Rama të iniciativës serbe për „Shengenin Ballkanik“ , në kushtet e territoreve të coptuara shqiptare, nuk është realizim i synimeve të hegjemonizmit ruso-serb? Pas shpalljes të datës së zgjedhjeve të parakohshme në ish IRJM më 12 prill 2020, në hapsirën politike jodemokratike që kundërmon erë amoraliteti politik, lojëra të pista dhe prapaskena, dolën preferencat dhe ftesat e para publike për koalicione parazgjedhore dhe bashkëqeverisje pas zgjedhjeve. Kështu, kryeministri në dorëheqje, i cili erdhi në pushtet me premtimin për të dhënë dënimin e merituar korupsionit dhe kriminialitetit të qeverisë së kaluar, shfaqi publikisht besimin e plotë „pa dilema“ dhe preferencën për bashkëqeverisje pikërisht për BDI-në, partnerin e koalicionit të kësaj qeverie, për të cilën vet ai nxori para opinionit publik prova të shumta për korupsion dhe kriminalitet, përmes të ashtuquajturave „bomba“. Nërkaq lideri i Aleancës për Shqiptarët, z. Sela, i pyetur nga gazetari në një debat televiziv për preferencat e tij për koalicionim për bashkëqeverisje, u përgjigj se nuk ka preferenca. Pra do të bashkëqeveriste qoftë me VMRO-në që e tërhoqën zvarë gjysëm te vdekur hapsirave të parlamentit, qoftë me LSDM-në që i amnistuan të njëjtët, dhe i dërguan nga burgu në parlament për të votuar bashkë me viktimën e tyre ndryshimet kushtetuese që cementuan statusin e pakicës për shqiptarët që përfaqësojne bashkësine e dyte etnike me së paku 30% të banorëve të ish IRJM. Por në fakt, z. Sela shfaqi preferenca koalicionimi, dhe atë pikërisht për Alternativën, një parti me lidhje dhe financime të dyshimta të përfolura në media, nga bota arabe dhe Turqia, duke bërë ftesën publike njëkohësisht Alternativës dhe Lëvizjes Besa, duke ditur historinë e ndarjes dhe mosdurimit në mes këtyre dy subjekteve, dikur një parti e vetme. Pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhejet e parakohshme në Kosove, përmes rrjeteve sociale dhe medias, u shtuan thirrjet drejtuar partive shqiptare opozitare në ish IRJM që të bashkohen „për t’a mundur bashkë të keqen“, duke tërhequr jo pa te drejtë paralele mes BDI dhe pozitës në Kosovë. Madje parti opozirate dhe liderë partiak filluan të identifikohen me VV, gjegjesisth me liderin e VV, z. Albin Kurti. Por a është kjo, ajo që u duhet shqiptarëve? Shqiptarëve në ish IRJM nuk u duhet një lider që thjesht do të zëvendësonte Ali Ahmetin e konsumuar, e as nje opozitë e bashkuar që thjesht do të zëvendësonte BDI-në e konsumuar, për ti shërbyer më mirë pushtetit në duart e LSDM ose VMRO. Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë, alternativë të re politike, për ripërcaktimin e statusit të tyre politik dhe juridik, që do të shërbente si kriter bashkëpunimi ndërpartiak të subjekteve të shëndosha politike shqiptare, dhe akoma më shumë, si kriter kushtëzues bashkëpunimi me partitë e bashkësisë etnike sllave. Vetëm ripërcaktimi i statusit të tyre politik dhe juridik, që kushtetuta aktuale e definon si pakicë, do t’ju jepte mundësinë shqiptarëve që banojnë si popull shumicë pothuajse gjysmën e territorit të ish IRJM, që udhëheqin me më shumë se shtatë komuna, dhe që përbëjnë më shume se 30% të banorëve të këtij shteti, të ushtrojnë të drejtat e tyre kolektive përmes një njësie shtetërore të tyre brenda ish IRJM. Vetëm një gjë e tillë do të bënte që shqiptarët, duke bashkëjetuar me vullnetin e tyre të lirë me bashkëqyteatret e tyre sllavë, të ndjehen të lirë dhe të kënaqur. Dhe në rast se një ditë do të ndjeheshin të pakënaqur së ndari shtetin me bashkësinë tjetër etnike , do të kishin të drejtën për të vetëvendosur deri në shkëputje dhe bashkim me shtetin fqinj shqiptar. Ky është koncepti i Vetvendosjes. Identifikimi fallco me Lëvizen Vetëvendosje dhe fotografitë bashkë me Albin Kurtin nuk do t’u sjelli vota asnje partie dhe asnje udhëheqësi partiak, sepse shqitparët dinë mirë të dallojnë qëndrimin e palëkundur dhe luftën pa kompromis për çështjen kombëtare, të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, nga qëndrimet e lëkundura dhe pazarllëqet me interesat kombetare të shqiptarëve të opozitës aktuale, me të vetmin synim, akomodimin në pushtet.
Ndërsa nga VV dhe Albin Kurti, shqiptarët e ish IRJM, më tepër se preferenca për emra dhe parti, kanë nevojë për imponimin e modelit dhe standardit të politikanit të ndëgjegjshëm, të pakoruptueshëm, këmbëngulës dhe të palëkundur në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Dhe akoma më shumë, kanë nevojë për Albinin nacionalist më shum se sa për Albinin socialdemokrat.

Afrim Fanda

Araçinasit dhe premtimi i kryeministrit Zaev per 300 pilotë (projekte)

Të vjen për të qeshur, por e qeshura te ngelet në fyt dhe shëndrohet ne dhimbje dhe mllef!

E si mund të qeshësh me këta shqiptarë të rinj të Araçinës të cilët jetojnë vetëm 12 km larg qendrës së kryeqytetit, pa arsim cilësor, pa jetë kulturore, pa perspektivë punësimi, sikur të ishin në donjë provincë të humbur dhe të thellë malore? Ndaj dhe pilot-projektin e ngatërojnë me profesionin e pilotit!

Të tradhëtuar dhe të braktisur në mëshirë të fatit nga partitë shqitpare në pushtet, por edhe nga ata në opozitë,   besuan broçkullave të kryeministrit Zaev, i cili u paraqit si shpëtimtari i tyre nga këta mercenarë shqiptarë që u’a sollën jetën në maje të hundës, dhe u premtoi një jetë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.  Por më vonë, të zhgënjyer, e kuptuan se u mashtruan, sepse panë të njëjtët kriminelë shqiptarë në pushtet, të cilët tani i shërbenin kryeministrit Zaev dhe LSDM, po aq me zell sa edhe VMRO-së, ndërkohë që jeta e tyre nuk po përmirësohej.  Panë se në fakt, kryeministri Zaev dhe LSDM nuk dallonin fare nga VMRO, e as nga paraardhësit e tyre në LSDM, e edhe më herët.

I besuan, sepse nuk kishin një opozitë shqiptare që do tu tregonte se është nëpërkëmbja e të drejtave të tyre kolektive si shqiptarë që i bën ata të pabarabartë me bashkëqytetarët e tyre sllavë, për të cilët në të vërtetë është ndërtuar dhe frymon Shkupi si kryeqytet, me të gjitha institucionet që ka.  Nuk kishin një opozitë që do t’u tregonte se në këtë shtet, me sistemin unitar të qeverisjes, dhe si pasojë, pushtetin e përqëndruar vetëm në duart e partive sllave, nuk ka dhe nuk mund të ketë “jetë dhe të ardhme të barabartë për të gjithë”.  Ndaj dhe përfaqësuesit e tyre  në pushtet gjithmonë do të ishin të kapur, nga po këta që u premtuan se do t’i shpëtonin nga ata. Në vend të kësaj, opozita,  e joshur nga poste dhe privilegje, nxitoi ta votojë qeverinë në të cilën u fut edhe vet, për të bashkëqeverisur me po ata që shante atëhere, dhe me pjesën tjetër që shan sot.

E, araçinasit, si gjithë shqiptarët e tjerë në ish IRJM, nuk kanë as sot një opozitë që do t’u shërbente si garanci për një të ardhme më të mirë për të mos ikur, duke luftuar për pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon shqiptarëve.  E me këtë pjesë pushteti, do te vendosnin ata vetë, e jo kryeministri Zaev apo cilado parti sllave në emër të tyre, se ku dhe kur të ndërtohen më shumë shkolla, më shumë spitale, më shumë vende pune, më shumë rrugë që bashkojnë shqiptarët…

Afrim Fanda