Kategoritë: Shkenca

Robotët ndihmojnë pacientët të rifitojnë aftësinë për të lëvizur

robotetRobotët mund të ndihmojnë me rehabilitimin e pacientëve që kanë kaluar goditje në tru. Një projekt i ri i zhvilluar për këtë qëllim, përdor një paisje që përmes kompjuterit ndjek aktivitetin nervor të trurit dhe komunikon me robotët të cilët përmes këtij informacioni ndihmojnë pacientët, ndërsa ata përpiqen të rifitojnë aftësinë për të lëvizur.

 

Jake MacDonald po shkon në Robotoriumin Kombëtar të Edinburgut në Skoci për të marrë pjesë në një provë klinike. 59 vjeçari ka pësuar një goditje në anën e majtë të trurit.

Ai po i nënshtrohet rehabilitimit për të rifituar aftësinë për të lëvizur, por sot fizioterapisti i tij është i pazakontë. Një projekt i quajtur VITALISE ka programuar robotë të shërbejnë si fizioterapistë për të ndihmuar pacientët.

Emilyann Nault, një nga drejtueset e projektit, i shpjegon pacientit procesin.

Ekipi i projektit ka punuar me 16 pacientë në Austri gjatë fazës së zhvillimit të tij.

Paisja e lidhur me kompjuterin dikton aktivitetin e trurit dhe roboti përgjigjet në kohë reale duke ofruar motivim, dhe duke reaguar.

“E çuditshme, pasi isha mësuar për gjashtë muaj me një person fizioterapist, kështuqë është e vështirë të përshtatesh. Por është më mirë se të mos e kesh mundësinë. Njerëzit janë të izoluar. Dhe unë i kam parë sa të ngarkuar janë fizioterapistët dhe kjo është një ndihmë kyçe për ata që kanë nevojë për fizioterapi”, thotë ai.

Lynne Baillie, profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Heriot-Watt dhe studiuese e lartë në Robotariumin Kombëtar, thotë se një robot nuk mund të zëvendësojë kurrë një fizioterapist.

Por shpresa është që terapia robotike të plotësojë mungesat e personelit njerëzor, si një alternativë më e përballueshme. Ajo shpjegon se si paisja e lidhur me kompjuterin dikton veprimet që do që të bëjë pacienti dhe ia përcjell robotit.

“Dhe ajo që vumë re është se kur pacienti e kupton se është ai që po e kontrollon robotin, kjo i jep atij një ndjenjë kontrolli. Por gjithashtu u tregon atij se roboti po i bën ushtrimet bashkë me të. Dhe kështu ata i bëjnë lëvizjet në të njëjtën kohë”, thotë ajo.

Projekti VITALISE është financuar nga programi Horizons i Bashkimit Evropian në partneritet me Institutin Austriak të Teknologjisë.

VITALISE përdor robotë Nao, të cilët janë të njohur në institucionet akademike në mbarë botën, sepse mund t’i programosh dhe kushtojnë rreth 13,000 dollarë.

Në një mjedis mjekësor, robotët janë të lehtë dhe të fortë dhe më e rëndësishmja janë miqësorë dhe jo të frikshëm.

Lisa Farrell, Menaxhere e Zhvillimit të Biznesit në Robotariumin Kombëtar, thotë se projekti është shumë i rëndësishëm.

“Ne e dimë se sa jetike është që pacientët me goditje në tru të marrin trajtimin që u nevojitet në mënyrë sa më efektive dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. E dimë gjithashtu se ka mungesa në personelin mjekësor, prandaj përdorimi i robotëve do të jetë thelbësor për rezultatet më të mira për individët e prekur”, thotë ajo.

Pas seancës së tij të parë në Edinburg, Jake MacDonald kthehet në shtëpi. Ai po rifiton aftësinë për të lëvizur dhe mund të bëhet një nga shumë pacientët që kanë pësuar goditje në tru, që mund të përfitojnë nga terapia robotike.

voa

Bletët dhe qentë mund ta zbulojnë kancerin më shpejt se pajisjet

qeni kanceriNë laboratorët në të gjithë Shtetet e Bashkuara, shkencëtarët po studiojnë kafshët dhe insektet lidhur me vetitë e tyre për të zbuluar kancerin. Siç njofton korrespodentja e Zëri të Amerikës, Dora Mekouar, hulumtimet e fundit sugjerojnë se bletët dhe qentë mund ta zbulojnë sëmundjen më shpejt sesa pajisjet mjekësore.

 

Në fillim të këtij viti, studiuesit në Universitetin e Miçiganit zbuluan se bletët me shqisën e tyre të mprehtë të nuhatjes mund të zbulojnë kancerin e mushkërive në frymëmarrjen e pacientit.

“Bota jonë është vizuale. Bota e insekteve bazohet e gjitha tek nuhatja, kështu që aftësia e tyre e nuhatjes është shumë mirë”, thotë për Zërin e Amerikës Debajit Saha, asistent profesor i inxhinierisë biomjekësore në Universitetin e Miçiganit.

Ekipi i tij zbuloi se bletët mund të nuhasin kancerin e mushkërive në frymëmarrjen e një pacienti.

“Hulumtimi ynë tregon se bletët mund të zbulojnë kancerin e mushkërive dhe ndoshta sëmundje të tjera bazuar në erën që mbajnë qelizat”, thotë ai.

Disa bletë u ekspozuan ndaj provave që imitonin frymën e një pacienti me kancer të mushkërive. Në 93% të rasteve bletët mund të dallonin midis frymëmarrjes së një pacienti me kancer dhe frymëmarrjes artificiale të shëndetshme. Bletët gjithashtu mund të dallonin midis llojeve të ndryshme të kancerit të mushkërive.

“Ne mendojmë se diagnostikimi i kancerit përmes frymëmarrjes mund të ndryshojë gjithçka. Arsyeja është se shumë herë ne e zbulojmë kancerin vonë, kur tumori tashmë është rritur”, tregon zoti Saha.

Studiuesit po studiojnë gjithashtu vetitë që ka qeni në zbulimin e hershëm të kancerit. Kafshët janë trajnuar për të njohur aromat specifike të kancerit.

“Shumë kafshë të tjera i kanë gjithashtu shqisat e nuhatjes mjaft të zhvilluara. Por ajo që i bën qentë kaq të mirë është se ata bashkëpunojnë me njerëzit dhe kështu e tregojnë informacionin”, thotë Dr. Cindy Otto, nga Universiteti i Pensilvanisë.

“Qentë duan që të bashkëveprojnë. Ndaj është si një lojë argëtuese për ta. Përdorin trurin e tyre, përdorin hundën për ta zbuluar”, thotë Clara Wilson, nga “Penn Vet Working Dog Center”.

Qentë mund të mendojnë se po luajnë, por studiuesit thonë se ata kanë afëtsi të zbulojnë kancerin më mirë se pajisjet mjekësore.

“Po zbulojmë se këta qen po i kalojnë kompjuterat. Një pjesë e suksesit të tyre është për shkak të aftësisë superiore për të zbuluar molekulat e aromës në krahasim me gjithçka që kemi aktualisht në përdorim”, thotë Amritha Mallikarjun, nga “Penn Vet Working Dog Center”.

Shkencëtarët po vijojnë punën si me qentë dhe me bletët për të mësuar sa më shumë lidhur me aftësitë e tyre për zbulimin e hershëm të llojeve të ndryshme të kancerit.

voa

Kush është specia më e studiuar e majmunëve që u dërguan në hapësirë?

majmuni43 majmunë të species që njihet si “rhesus macaque”, të cilët gabimisht dolën nga një laborator në Karolinën e Jugut këtë javë, janë ndër kafshët më të studiuara në planet. Hulumtimet mbi njëshekullore të kësaj specie kanë ofruar një pasqyrë për njerëzimin, duke zbuluar pikat e forta dhe të dobëta tek njeriu përmes sjelljeve të tyre, studimit të organeve dhe kodit gjenetik.
Ky lloj i majmunëve janë dërguar në hapësirë me raketa. Ata madje kanë qenë yje të një emisioni televiziv.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e kafshëve theksojnë se ky lloj i majmunëve i janë nënshtruar studimeve mbi vaksinat, transplantimin e organeve dhe ndikimin që ka ndarja e foshnjës nga nëna. Në të njëjtën kohë, shumë shkencëtarë theksojnë rëndësinë e studimeve që janë bërë me këtë specie majmuni për të luftuar SIDË-n, poliomielitin dhe COVID-19.

Në vitin 2003, mungesa e këtij lloji majmunësh rrezikoi ngadalësimin e vazhdimit të studimeve shkencore. Shkencëtarët paguanin deri në 10,000 dollarë për një majmun të këtij lloji, për të vazhduar hulumtimet.

“Çdo universitet i madh amerikan, që zhvillon kërkime shkencore, ka të ngjarë të ketë disa majmunë ‘rhesus macaque’ në qendrën e shkollës së tij mjekësore”, sipas librit “Macachiavellian Intelligence: How Rhesus Macaques and Humans Have Conquered the World” të botuar në vitin 2007.

“Ushtria amerikane dhe NASA gjithashtu zhvillojnë hulumtime me majmunë të këtij lloji”, shkroi autori i librit, Dario Maestripieri, shkencëtar në Universitetin e Çikagos.

“Për vite me radhë, ushtria dhe NASA i stërvitën majmunët në lojëra elektronike për të parë nëse mund të mësonin të drejtonin aeroplanë dhe lëshonin raketa”.

Hulumtimet filluan në vitet 1890

Njerëzit e kanë përdorur specien ‘rhesus macaque’ për kërkime shkencore që nga fundi i viteve 1800, kur teoria e evolucionit filloi të pranohet më shumë, sipas një punimi kërkimor të vitit 2022 nga revista “eLife”.

Studimi i parë mbi këtë lloj majmuni u botua në vitin 1893 ku përshkruhet “anatomia e shtatzënisë së avancuar”, sipas gazetës “eLife”.

Deri në vitin 1925, Instituti i Shkencave ‘Carnegie’ kishte krijuar një grup të madh të majmunëve për të studiuar embriologjinë dhe pjellorinë për këtë specie që ishte e ngjashme me njeriun.

Një arsye e rritjes së popullaritetit të kësaj specie ishte numri i lartë i tyre.

“Tjetër arsye është se ‘rhesus macaque’ janë një specie mjaft e fortë”, thotë Eve Cooper, autore e studimit që u publikua në revistën ‘eLife’ dhe profesore biologjie në Universitetin e Kolorados në Boulder. “Ata mund të jetojnë dhe të shumohen në kushte që nuk janë të vështira për t’u mirëmbajtur”

NASA dhe vaksina kundër poliomielitit

Në vitet 1950, veshkat e këtij lloji të majmunit u përdorën për të bërë vaksinën kundër poliomielitit, Salk. NASA gjithashtu i përdori kafshët gjatë garës hapësinore, siç e thotë edhe një histori e shkurtër mbi majmunët në hapësirë që gjendet në faqen e internetit të agjencisë.

Për shembull, një majmun i species ‘rhesus macaque’ i gjinisë femërore e quajtur ‘Miss Sam’, në vitin 1960 u vendos në anijen hapësinore ‘Mercury’ që arriti shpejtësinë prej 1,900 kilometrash në orë dhe një lartësi prej 14.5 kilometrash. ‘Miss Sam’ u kthye në tokë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ajo u kthye në koloninë e saj të trajnimit ku jetoi deri në vdekjen e saj”, shkruan NASA.

Harta e kodit gjenetik

Në vitin 2007, shkencëtarët zbuluan se ADN-ja e species ‘rhesus macaque’ ishte rreth 93% e ngjashme me atë të njeriut.

Për krahasim, njeriu dhe shimpanzeja evoluan veçmas që nga ndarja një paraardhës i përbashkët rreth 6 milionë vjet më parë, por kodi i tyre gjenetik ka një ngjashmëri prej rreth 99%.

Krijimi i hartës së kodit gjenetik njerëzor në vitin 2001 shtoi përpjekjet për të deshifruar në mënyrë të ngjashme ADN-në e kafshëve të tjera.

“Ata janë shumë të zgjuar”

Për ata që kanë studiuar sjelljen e species ‘rhesus macaque’, konkluzuini është po aq interesant.

“Ata kanë disa ngjashmëri të habitshme me njeriun për sa i përket inteligjencës së tyre sociale”, thotë Dario Maestripieri, profesor në Universitetin e Çikagos, i cili shkroi një libër mbi këtë specie majmunësh.

Për shembull, ata janë shumë të orientuar nga familja, duke mbështetur të afërmit e familjes kur shpërthejnë zënkat, tha ai për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’, të premten. “Ata gjithashtu rekrutojnë aleatë kur sulmohen”.

“Ata janë shumë politikë” tha profesoi Maestripieri. “Pjesën më të madhe të jetës së tyre të përditshme e kalojnë në thurjen e aleancave politike me njëri-tjetrin”.

Zoti Maestripieri ishte konsulent i një emisioni televiziv në Indi të quajtur “Monkey Thieves”.

“Ata filluan të gjurmonin grupe të mëdha të species ‘rhesus macaque’ dhe t’u vinin emrin”, tha profesori Maestripieri. “Ishte gjë e bukur sepse këta majmunë herë pas here sillen si njerëz . Kështu që është magjepsëse të ndjekësh historitë e tyre.”

voa

Perspektiva e përdorimit të avionëve elektrikë në zonat urbane

avion elektrikUdhëtimet me taksi në një të ardhme të afërt mund të realizohen me avionë elektrikë. Prodhuesit e avionëve thonë se do të revolucionarizojnë udhëtimin e përditshëm për pasagjerët duke ofruar fluturime të përshtatshme, të shpejta dhe të qëndrueshme brenda qyteteve dhe mes tyre. Disa prej kompanive të prodhimit të këtyre avionëve shfaqën konceptet e tyre në panairin ndërkombëtar “Farnborough 2024”.

 

Supernal, një kompani e mbështetur nga gjigandi global i makinave Hyundai Motor Group, thotë se automjeti i saj më i ri elektrik i pasagjerëve do të revolucionarizojë udhëtimin ajror në të ardhmen.

Ky aeroplan do të jetë në gjendje t’i transportojë më shpejt pasagjerët brenda qyteteve dhe mes tyre, duke fluturuar mbi radhët e gjata të trafikut rrugor.

“Qëllimi i tij është të ndryshojë mënyrën e lëvizjes së njerëzve. Është një aeroplan tërësisht elektrik, që me një karikim mund të përshkojë një distancë prej rreth 96 kilometrash, duke fluturuar me një shpejtësi prej 193 kilometrash në orë, dhe mund të transportojë njerëz në distanca të shkurtra, duke shmangur trafikun e ngjeshur urban”, thotë David McBride, shef i teknologjisë në kompaninë Supernal.

Automjeti plotësisht elektrik do të ketë rotorë që mundësojnë ngritje dhe ulje vertikale pa pasur nevojë për pista.

Kompania gjithashtu synon që fluturimet më vonë të automatizohen.

Ndonëse për disa ekspertë ky koncept mund të duket larg realitetit, shefi i kompanisë Supernal thotë se partneriteti me kompaninë Hyundai Motor Group (HMG) do të lejojë prodhimin e këtyre automjeve flutarake në një shkallë industriale masive.

“Ne besojmë se kemi jo vetëm fuqinë e madhe industriale, që Hyundai Motor Group mund të ofrojë, por ne edhe mund të revolucionarizojmë aviacionin përmes aftësive të mëdha të kompanisë sonë”, thotë Jaiwon Shin, president i Hyundai Motor Group dhe shef i kompanisë Supernal.

Kompania gjermane Lilium është gjithashtu në garë për prodhimin në shkallë të gjerë të avionit të saj elektrik EV-TOL. Avioni i saj tërësisht elektrik mund të ngrihet dhe ulet vertikalisht, por në vend të rotorëve përdor ventilatorë me motorë të fuqishëm për lëvizjen në ajër.

“Avioni ynë mund të transportojë gjashtë njerëz në një distancë prej 175 kilometrash dhe mund të arrijë shpejtësinë deri në 250 kilometra në orë. Kostoja e operimit të këtij avioni është aq e ulët sa që ne mund të ofrojmë bileta me çmime prej më pak se 2 dollarë për kilometër”, thotë Klaus Roewe, shef i kompanisë Lilium.

Por, përdorimi i këtyre automjeteve duhet fillimisht të miratohet nga zyrtarët e qyteteve, të cilët duhet të përcaktojnë zona nga ku këta avionë elektrik mund të ngrihen dhe ulen në mënyrë të sigurt.

Të dy avionët u shfaqën në panairin ndërkombëtar të aviacionit “Farnborough 2024”.

Richard Aboulafia, analist i aviacionit, mendon se mundësia reale për të parë më shpesh këta avionë në qiell është ende shumë larg.

“Ata janë jashtëzakonisht të popullarizuar nga pikëpamja e dizajnit dhe konceptit, por për sa i përket prodhimit të tyre masiv, ne ende jemi shumë vite larg. Pra, është një nga ato gjëra që njerëzve u pëlqejnë të diskutojnë, por nuk ka shumë aktivitet tregtar në lidhje me këta avionë”, thotë ai.

Panairi ndërkombëtar “Farnborough Airshow”, i cili u mbajt së fundmi në Britani, është një nga panairet më të mëdha të industrisë së aviacionit në botë dhe tërheq ekspertë dhe entuziastë nga e gjithë bota.

voa

Ndikimi i ndërhyrjeve në sistemet elektronike të avionëve civilë në zonat e konflikteve

bllokues sinjaleshSipas studiuesve, sistemet e navigimit të mijëra avionëve të pasagjerëve po bllokohen çdo ditë gjatë fluturimeve të tyre pranë zonave të konfliktit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, ata paralajmërojnë se teknologjia që po përdoret për bllokimin e sinjaleve elektronike të avionëve, mund të rrezikojë jetën e pasagjerëve.

 

Avionët që fluturojnë rreth zonave të konfliktit ndeshen me rreziqe të dukshme. Kompanitë ajrore të Libanit kanë vazhduar fluturimet nga aeroporti i Bejrutit gjatë gjithë konfliktit mes Hezbollahut dhe Izraelit.

Por veç rrezikut nga luftimet në tokë, avionet rrezikohen edhe në lartësitë prej mijra metrash.

Studiuesit thonë se rajoni ka parë një rritje të madhe të luftës elektronike.

Sistemi i pozicionimit global, apo sinjalet satelitore “GPS”, po bllokohen dhe “manipulohen”, thotë Raphael Monstein nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Zyrihut në Zvicër.

“Sistemet elektronike të avionëve manipulohen përmes sinjaleve keqdashëse, që dërgohen nga grupe të forcave të ndryshme në një zonë të caktuar konflikti. Ato i japin informacion të gabuar ekuipazhit të avionëve mbi vendndodhjen e tyre, duke shkaktuar paqartësi mbi pozicionin e tyre. Këto sinjale mund të shkaktojnë paralajmërime të rreme dhe humbje të kontrollit mbi vijën e fluturimit, sepse pilotët nuk mund të jenë plotësisht të sigurt që sistemi i tyre i navigimit “GPS” po jep sinjale të rreme se ata ndodhen diku tjetër.”

Eksperti Monstein gjurmon ndërhyrjet në sistemet e navigimit “GPS” të avionëve civilë në kohë reale dhe i publikon të dhënat në internet. Ai thotë se ka patur një rritje të madhe të ndërhyrjeve që nga fillimi i vitit.

“Ndërhyrjet po ndodhin kryesisht rreth zonave të konfliktit, si ato në Lindjen e Mesme, Detin e Zi dhe rreth Rusisë. Mesatarisht, rreth 1000 avionë në ditë preken nga këto ndërhyrje, që është një numër shumë i lartë”, thotë ai.

Ekspertët thonë se qeveritë dhe grupet e armatosura ndërpresin sistemet satelitore të navigimit “GPS” për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa dhe dronë.

Por kjo nuk ndodh vetëm në zonat e luftës. Në prill, kompania ajrore “Finnair” pezulloi fluturimet për në Tartu, në Estoninë lindore pasi ndërprerja e sinjalit të sistemit “GPS” pengoi uljen e dy avionëve.

Kompania ajrore raportoi një rritje të ndërhyrjeve në sistemin satelitor të navigimit “GPS” afër kufirit rus që nga viti 2022, kur Finlanda aplikoi për anëtarësim në NATO, e nxitur nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë në Ukrainë.

Në atë kohë, Estonia fqinje tha se kjo ndërhyrje ishte një taktikë e qëllimshme ruse.

“Ne të gjithë e kuptojmë se këto sulme hibride janë shumë të rënda. Duhet të jemi gati edhe për këto lloje sulmesh”, thotë Hanno Pevkur, Ministër i Mbrojtjes i Estonisë.

Rusia ka mohuar akuzat për ndërprerjen e sinjaleve të sistemit “GPS”. Por, sa e rrezikshme është kjo për avionët dhe pasagjerët e tyre?

“Ka shumë sisteme në aviacion, që janë ndërtuar për një arsye të caktuar. Dhe një prej tyre është, për shembull, sistemi i paralajmërimit të afërsisë me tokën. Nëse detyroheni ta çaktivizoni atë sepse ju jep paralajmërime të rreme, kjo nuk është një gjë e mirë sepse e ul shkallën e sigurisë. Pra ky mund të jetë një rrezik i lartë në aspektin afatgjatë, por jo i menjëhershëm”, thotë eksperti Raphael Monstein.

Bllokimi dhe manipulimi i sinjalit të sistemit “GPS” gjithashtu ndikon në navigimin në tokë.

Banorët e Moskës janë ankuar kohët e fundit për mosfunksionim të aplikacioneve të telefonave inteligjentë, si ato të porositjes së taksive dhe ato të dërgesave ushqimore. Ekspertët e kanë lidhur këtë me përpjekjet ruse për t’u mbrojtur nga sulmet ukrainase me dronë. Kremlini nuk ka bërë komente për këtë çështje.

voa

Çmim Nobel tre ekonomistëve që konkluduan se shoqëritë e lira sjellin më shumë begati

NobelÇmimi Nobel në ekonomi iu dha të hënën tre ekonomistëve që kanë studiuar arsyet se përse disa vende janë të pasura dhe të tjera të varfra. Ata dokumentuan se shoqëritë më të lira dhe të hapura, kanë më shumë gjasa të përparojnë.

 

Puna e Daron Acemoglut, Simon Johnsonit dhe James A. Robinsonit “tregoi rëndësinë e institucioneve shoqërore për përparimin e një vendi”, u shpreh komiteti për Çmimin Nobel i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Zoti Acemoglu dhe zoti Johnson punojnë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, ndërsa zoti Robinson është studiues në Universitetin e Çikagos.

Jakob Svensson, kryetar i Komitetit për Çmimin në Shkencat Ekonomike, tha se analiza e tyre ka ofruar “një kuptim shumë më të thellë të shkaqeve rrënjësore se përse vendet dështojnë ose ia dalin mbanë”.

I njoftuar për çmimin e akademisë ndërsa gjendej në Athinë, Greqi, ku do të fliste në një konferencë, zoti Acemoglu me origjinë turke, 57 vjeç, tha se ishte i habitur nga dhënia e çmimit.

“Nuk e prisja kurrë diçka të tillë”, tha ai.

Zoti Acemoglu tha se puna kërkimore e vlerësuar me këtë çmim nënvizon vlerën e institucioneve demokratike.

“Mendoj se në përgjithësi puna që kemi bërë favorizon demokracinë”, tha ai gjatë një telefonate me komitetin Nobel dhe gazetarët në Stokholm.

Por, ai shtoi se: “Demokracia nuk është përgjigja për gjithçka” dhe se prezantimi i demokracisë në një shoqëri është shumë i vështirë dhe ndonjëherë krijon konflikt.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Robinson, 64 vjeç, tha se dyshon se Kina mund të vazhdojë të përparojë ekonomikisht për sa kohë që mban një sistem shtypës politik.

“Ka shumë shembuj në historinë botërore të shoqërive të tilla që funksionojnë mirë për 40, 50 vjet”, tha zoti Robinson nëpërmjet telefonit. “Ajo që shihni është se nuk është kurrë e qëndrueshme… Bashkimi Sovjetik ia doli mirë për 50 apo 60 vjet”.

Zoti Robinson tha se shumë shoqëri kanë realizuar me sukses kalimin në atë që ai, zoti Acemoglu dhe zoti Johnson e quajnë një “shoqëri gjithëpërfshirëse”.

“Shikoni Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Robinson. “Ky ishte një vend i skllavërisë, privilegjit, ku gratë nuk lejoheshin të merrnin pjesë në ekonomi apo të votonin”.

“Çdo vend që është aktualisht relativisht gjithëpërfshirës dhe i hapur e bëri këtë tranzicion”, shtoi ai. “Në botën moderne, ju e keni parë këtë në Korenë e Jugut, në Tajvan, në Mauritius”.

Zoti Acemoglu dhe zoti Robinson botuan në vitin 2012 studimin e mirënjohur, “Përse Vendet Dështojnë: Origjina e Fuqisë, Begatisë dhe Varfërisë”, ku argumentohet se problemet e krijuara nga njeriu ishin përgjegjëse për mbajtjen e vendeve në varfëri.

Në studimin e tyre, fituesit e Çmimit Nobel shqyrtonin, për shembull, qytetin Nogales, i cili shtrihet në dy anët e kufirit SHBA-Meksikë.

Pavarësisht se ndajnë të njëjtën gjeografi, klimë dhe një kulturë të përbashkët, jeta është shumë e ndryshme në dy anët e kufirit. Në Nogales të Arizonas, në veri, banorët janë relativisht të pasur dhe jetojnë gjatë; shumica e fëmijëve mbarojnë shkollën e mesme. Në jug, në Nogales të Meksikës, banorët janë shumë më të varfër dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të bollshme.

Dallimi, konkluduan ekonomistët, është se sistemi amerikan mbron të drejtat e pronës dhe u jep qytetarëve të drejtën për të vendosur për qeverisjen e tyre.

voa

 

 

 

 

 

BE, sanksione zyrtarëve dhe kompanive iraniane për furnizimin e Rusisë me dronë dhe raketa

 

Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj zëvendësministrit iranian të mbrojtjes, drejtuesve të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit dhe tre kompanive ajrore për shkak të përfshirjes në furnizimin e Rusisë me dronë, raketa dhe pajisje të tjera, që janë përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.

 

Zëvendësministri i Mbrojtjes Seyed Hamzeh Ghalandari është njëri prej shtatë zyrtarëve të cilëve u është ndaluar hyrja në Evropë dhe pasuritë e pronat e të cilëve janë ngrirë. BE-ja tha se ai “është përfshirë në zhvillimin e programit të dronëve dhe raketave të Iranit”, duke marr parasysh rolin e tij të lartë në strukturën e mbrojtjes.

Pronat e kompanive ajrore “Iran Air”, Mahan Air dhe Saha Airlines u ngrinë. BE-ja tha se aeroplanët e tyre janë “përdor vazhdimisht për të transportuar dronë të prodhuar në Iran dhe teknologji tjera të ngjashme në Rusi, të cilat janë shfrytëzuar në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.

Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së i mbështetën sanksionet gjatë takimit në Luksemburg.

Në mars, BE-ja paralajmëroi se “nëse Irani i transferon raketa balistike dhe teknologji të ngjashme Rusisë për përdorim kundër Ukrainës, BE-ja do të jetë e gatshme të përgjigjet shpejt, përfshirë me masa të reja dhe të rënda kufizuese”.

Shtetet anëtare të BE-së, me përjashtimin e Hungarisë, që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt të vitit 2022 e kanë furnizuar Ukrainën me armatim dhe i kanë dhënë asaj ndihmë ekonomike dhe ndihma të tjera në vlerë prej 118 miliardë eurosh.

voa

Instagrami vendos kufizime në llogaritë e adoleshentëve

instagramInstagrami po i bën në mënyrë automatike llogaritë e adoleshentëve private, duke kufizuar qasjen e të tjerëve në përmbajtjen e këtyre llogarive. Kjo ka qëllim ta bëjë platformën më të sigurt për fëmijët. Vendimi u mor ndërsa ky rrjet social gjendet përball një trysnie në rritje për mënyrën se si media sociale ndikon në jetën e të rinjve.
Duke filluar nga dita e martë në Shtetet e Bashkuara, në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi, përdoruesit nën 18 vjeç, të cilët hapin llogari në Instagram, do të vendosen në listën e llogarive kufizuese të adoleshentëve. Ata që tanimë kanë llogari ekzistuese do të kalojnë në atë listë gjatë 60 ditëve të ardhshme. Llogaritë e adoleshentëve në Bashkimin Evropian do të kalojnë në llogari private më vonë gjatë këtij viti.

Meta, pronë e së cilës është dhe Instagrami, pranon se adoleshentët mund të gënjejnë për moshën e tyre dhe thotë se do t’u kërkohet të verifikojnë moshat e tyre në më shumë raste, si dhe do të shohin nëse përpiqen të krijojnë një llogari të re me një ditëlindje të të rrituri. Kompania ‘Menlo Park’, në Kaliforni tha gjithashtu se po ndërton teknologji që gjen në mënyrë proaktive llogaritë e adoleshentëve që pretendojnë se janë të rritur dhe i vendos automatikisht në llogaritë e kufizuara të adoleshentëve.

Llogaritë e adoleshentëve do të jenë private në mënyrë automatike. Mesazhet private që iu dërgohen këtyre llogarive do të jënë gjithashtu të kufizuara, kështu që adoleshentët mund t’i marrin ato vetëm nga njerëzit të cilët i ndjekin. “Përmbajtjet e ndjeshme”, si videot e njerëzve duke u përleshur ose ato që promovojnë procedura kozmetike, do të jenë të kufizuara”, tha Meta. Adoleshentët do të marrin gjithashtu njoftime nëse e përdorin Instagramin për më shumë se 60 minuta dhe do të aktivizohet një modalitet që çaktivizon njoftimet dhe dërgon përgjigje automatike tek njerëzit që dërgojnë mesazhe nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Ndërsa këto veprime do të aktivizohen për të gjithë adoleshentët, 16 dhe 17-vjeçarët do të mund t’i çaktivizojnë ato. Fëmijët nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindërve për ta bërë këtë.

“Tri shqetësimet që po dëgjojmë nga prindërit janë se adoleshentët e tyre po shohin përmbajtje që nuk duan të shohin ose se po kontaktohen nga njerëz që nuk duan të kontaktohen ose që po shpenzojnë gjithashtu shumë në aplikacion”, tha Naomi Gleit, drejtuese e produktit në Meta. “Pra, llogaritë e adoleshentëve tani vërtet janë të përqendruara në trajtimin e këtyre tre shqetësimeve.”

Njoftimi vjen pasi kompania përballet me padi nga dhjetëra shtete amerikane që e akuzojnë atë për dëmtim të të rinjve dhe kontribut në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve duke krijuar me vetëdije dhe qëllimisht funksione në Instagram dhe Facebook që i bën fëmijët të varur në platformat e saj.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se njoftimi i Metës ishte “një hap i parë i rëndësishëm, por duhet bërë shumë më tepër për të siguruar që fëmijët tanë të mbrohen nga dëmet e mediave sociale”. Zyra e zonjës James po punon me zyrtarë të tjerë të Nju Jorkut se si të zbatohet një ligj i ri shtetëror që synon të frenojë qasjen e fëmijëve në ato që kritikët i quajnë përmbajtje që krijojnë varësi varura të mediave sociale.

Në të kaluarën, përpjekjet e Metës për të trajtuar sigurinë dhe shëndetin mendor të adoleshentëve në platformat e saj janë përballur me kritika se ndryshimet nuk shkojnë aq larg sa duhet. Për shembull, ndërsa fëmijët do të marrin një njoftim kur të kenë kaluar 60 minuta në aplikacion, ata do të jenë në gjendje ta anashkalojnë atë dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në aplikacion.

Kjo ndryshon vetëm nëse prindërit e fëmijës aktivizojnë modalitetin “mbikëqyrje prindërore”, ku prindërit mund të kufizojnë kohën e adoleshentëve në Instagram në një kohë specifike, si p.sh. 15 minuta.

Me ndryshimet e fundit, Meta po u jep prindërve më shumë mundësi për të mbikëqyrur llogaritë e fëmijëve të tyre. Ata nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindit ose kujdestarit për të ndryshuar masat kufizuese.

Nick Clegg, presidenti i Metës për çështjet globale, tha javën e kaluar se prindërit nuk po përdorin kontrollet prindërore që kompania ka prezantuar vitet e fundit.

Drejtuesja e produktit në Meta Gleit tha se ajo mendon se llogaritë e tanishme të adoleshentëve do të “nxisin prindërit dhe adoleshentët për të vendosur në funksion mbikëqyrjen prindërore”.

“Prindërit do të jenë në gjendje të shohin se kush po i dërgon mesazhe adoleshentit të tyre dhe shpresojmë të kenë një bisedë me adoleshentin e tyre”, tha ajo. “Nëse ndodhin ngacmime, prindërit do të kenë qasje të shohin se kë ndjek adoleshenti i tyre, kush e ndjek adoleshentin e tyre, kujt i ka dërguar adoleshenti i tyre mesazh në shtatë ditët e fundit dhe shpresojmë të kenë disa nga këto biseda dhe t’i ndihmojnë ata të kalojnë në këto situata vërtet të vështira në internet.

Zyrtari më i lartë amerikan për shëndetin publik Vivek Murthy, tha vitin e kaluar se kompanitë e teknologjisë presin shumë nga prindërit kur bëhet fjalë për mbajtjen e fëmijëve të sigurt në mediat sociale.

“Ne po u kërkojmë prindërve të menaxhojnë një teknologji që po zhvillohet me shpejtësi, e cila ndryshon rrënjësisht mënyrën se si fëmijët e tyre mendojnë për veten e tyre, si krijojnë miqësi, se si e përjetojnë botën – dhe teknologjinë, meqë ra fjala, që gjeneratat e mëparshme nuk duhej ta menaxhonin kurrë”, tha Murthy në maj 2023.

voa

Monumenti i Stonehenge erdhi nga Skocia nëpërmjet detit

Stonehenge„Një zbulim“ fare i papritur lidh gurin e altarit 6,6 ton të Stoneheng-it me pjesën më veriore të Britanisë së Madhe të transportuar ndoshta nga oqeani.

Një studim i detajuar i monolitit qendror të Stoneheng-it ka përmbysur të kuptuarit e origjinës së monumentit misterioz britanik duke sugjeruar se njëri nga gurët e tij qendrorë është transportuar nga Skocia veriore.

Zbulimet thonë se guri ranor i sheshtë prej 5 metrash katrorë dhe peshë 6 ton duhet të ketë udhëtuar një distancë më shumë se tri herë mëtë madhe krahasuar me sugjerimet e mëparshme.

Guri neolitik me moshë 5000 vjeçare është një thesar i trashëgimisë arkeologjike britanike që vizitohet nga më shumë se 1 milionë njerëz në vit. Ai është një vend për të festuar solsticin çdo vit dhe së fundmi ka qenë objekt i protestave ambjentaliste mjaft të debatuara.

Supozimet për origjinën e Stonehenge  

Por mbetet akoma e paqartësuar se si është ndërtuar struktura.

Deri vitin e kaluar, altari i gurtë ishte përshkruar si „gur blu” edhe pse është gjetur të jetë gur ranor, që ishte menduar ta kishte orgjinën nga një depozitë afër Brecon Beacons in Uells.

Për një kohë të gjatë ishte menduar se gurët ishin transportuar nga depozitat e Mynydd Preseli në brigjet perëndimore të vendit për 225 kilometra për të ndërtuar Stonehenge. Qendra ka edhe pllaka të mëdha me gurë ranorë lokalë.

Një raport i vitit të fundit nga Universiteti i Aberystwyth zbuloi përbërjen e Gurit të Altarit që është tërësisht i ndryshëm nga gurët ranorë të Uellsit dhe autorët e studimit supozojnë se e ka origjinën nga Britania Veriore.

Me rekomandim të grupit të Aberystwyth fragmente të vogla gurit të altarit u dërguan në anën tjetër të botës, në Australinë Perëndimore, ku një student doktoranture nga Universiteti Curtin i vëzhgoi ata nën mikroskop.

‘ADN-ja e gurëve zbulon origjinën e Gurit të Altarit të Stoneheng-it

Guri i madh i Altarit që është në qendër të Stonehenge është i rrethuar në tokë poshtë dy blloqeve të gurëve ranorë, të cilët janë sjellë nga rajoni i Weltshire së bashku me gurët e tjerë vertikalë që formojnë rrethin e jashtëm të monumentit.

Por shkencëtarët e Aberystwyth të drejtuar nga gjeologu Richard Bevins identifikuan mundësinë e origjinave të ndryshme të altarit në vitin 2023.

Anthony Clarke dhe kolegët e tij bënë një analizë me izotope të uraniumit që shpërbëhet në fragmented e kristaleve të Altar Stone. Duke përdorur këto matje, Clarke dhe kolegu Chris Kirkland —një skocez që punon gjithashtu në Curtin —përdorën një bankë të dhënash gjeologjike të depozitave të gurëve në Britaninë e Madhe për të krahasuar Gurin e Altarit me gurët e Orcadian Basin, rreth 850 kilometera në veri të Stonehenge.

Duek matur raportet e izotopëve të uranit dhe plumbit brenda këtyre kristaleve të vogla ne kemi një orë në miniaturë” , tha Kirkland. “Kjo është si ADNA-ja e gurëve që na tregon se prej nga vijnë këto materiale dhe për moshën e tyre.”

Stonehenge: Një histori e tregtisë detare?

Lëvizja e gurit 6 tonësh në rrugë tokësore për më shumë se 100 kilometra 6000 vjet më parë është një sensacion. Shkencëtarët thonë se më e mundur është që të jetë transportuar përmes ujit.

“Fillimisht ne menduam se është lëvizur përmes akullit pasi për njerëzit është një distancë shumë e madhe. Por kur shikon rrymat e akullit në periudhat akullnajore ato më shumë janë larguar nga jugu i Britanisë”, tha Clarke. “Nëse shikon rrugën tokësore ajo ka shumë barriera, lumenj dhe pyje të dendura, që na bëjnë të mendojmë se rruga detare është më e mundshmja”.

Në mënyrë të ngjashme arkeologët kanë gjetuar një degë të Nilit që është tharë por që në Egjiptin e lashtë mund të jetë përdorur për transportimine gurëve që u është dashur për konstruksionet e tyre. Clark thotë se është një përzierje mes habisë dhe ndoshta skepticizmit. Zbulimet e reja janë botuar në revistën shkencore Nature.

dw

Përgatitjet për misionin hapësinor në Hënë “Artemis II”

ArtemisNASA përfundoi prodhimin e një pajisjeje kyçe të sistemit të fluturimit hapësinor, që do të përdoret për dërgimin e astronautëve në Hënë. Mjeti lëshues i misionit “Artemis II” është prodhuar në Qendrën Hapësinore Marshall në Hantsvil të Alabamës dhe po transportohet me rrugë ujore në një udhëtim dy-javor drejt Qendrës Hapësinore Kennedy në Florida.
Zyrtarët e NASAs thonë se mjeti konik 27 metra i gjatë është pjesë e rëndësishme e platformës së lëshimit për misionin e ardhshëm në Hënë, “Artemis II”.

Kjo pajisje do të mbrojë motorët e anijes hapësinore, që do të bëjë një fluturim prove rreth Hënës.

“Ky mjet i rëndësishëm për sistemin e lëshimit në hapësirë po ngarkohet në platformën lundruese “Pegasus” për udhëtimin drejt Qendrës Hapësinore Kennedy. Është kryesisht një pjesë strukturore, që do të përdoret për bartjen e ngarkesave në platformën e lëshimit të anijes hapësinore Orion”, shpjegon Matthew Ramsey, menaxher i misionit “Artemis II”.

Pjesë e misionit “Artemis II” është dërgimi i katër astronautëve rreth Hënës në një fluturim 10-ditor në shtator të vitit 2025.

Lauren Fisher, inxhiniere e materialeve strukturore në Qendrën Marshall të Fluturimit në Hapësirë, është pjesë e ekipit që po punon në programin Artemis.

“Unë gjithmonë kam shpresuar se do të kthehemi në Hënë. Nuk e mendoja se do të isha pjesë e një ekipi kaq të rëndësishme të realizimit të këtij misioni. Jam shumë krenare dhe e lumtur që jam pjesë e këtij programi”, thotë ajo.

Edhe menaxheri i misionit “Artemis II”, Matthew Ramsey është i emocionuar.

“Është një punë e madhe sepse kanë kaluar 50 vjet që kur kemi dërguar njerëz në Hënë”, thotë ai.

Anëtarët e ekuipazhit të misionit “Artemis II” janë astronautët Jeremy Hansen, Victor Glover, Reid Wiseman dhe Christina Hammock Koch.

NASA shpreson se fluturimi rreth hënës do t’i hapë rrugën astronautes Hammock Koch të bëhet gruaja e parë që do të shkelë në Hënë në misionin e ardhshëm, “Artemis III”.

“Astronautët janë njerëz fantastikë. Christina është e mrekullueshme. Mendoj se ajo mund të ketë vendosur rekordin e qëndrimit më të gjatë të një gruaje amerikane në hapësirë. Pra, kemi të bëjmë me njerëz, që janë të avancuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë”, thotë zoti Ramsey.

Misioni i ri në Hënë është shumë më bashkëpunues dhe ndërkombëtar se misionet e mëparshme Apollo, thekson zoti Ramsey.

“Nuk është një lloj programi monolit, ku vetëm Shtetet e Bashkuara do të jenë të angazhuara. Ndërsa ne vazhdojmë të zhvillojmë teknologjinë tonë, ne do të bashkëpunojmë edhe me kanadezët, sauditët dhe evropianët”, thotë ai.

Pas mbërritjes së strukturës konike në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida, inxhinierët do të punojnë për ta përgatitur anijen për lëshim në hapësirë.

voa

Një oqean me ujë nën sipërfaqen e Marsit

MarsTë dhënat sizmike nga sonda robotike InSight e NASA-s sugjerojnë se ka një depozitë të madhe uji nën sipërfaqen e Marsit. Nuk bëhet fjalë vetëm për akull por edhe ujë normal.

 

Ekziston një oqean i madh dhe i lëngshëm me ujë në Mars, pretendon një analizë e re e të dhënave nga sonda robotike InSight e NASA-s. Ky mision u nis në vitin 2018, me qëllim të regjistrimit të aktivitetit sizmik në Planetin e Kuq dhe shpejt u zbulua se – Marsi është ende gjallë. Kjo analizë e re është një tjetër tregues se uji në Mars nuk u avullua kur planeti humbi atmosferën e tij miliarda vjet më parë, ose se uji ishte i kufizuar në kapakët e akullit polar. Megjithatë, qasja në atë ujë është praktikisht e pamundur.

Nuk është një oqean sipërfaqësor, sepse uji shtrihet nëpër shtresa shkëmbi, duke filluar të paktën 11 kilometra nën sipërfaqen e planetit. Sipas përllogaritjeve të studiuesve të Universitetit të Kalifornisë në San Diego dhe Berkeley, vlerësohet se mes shkëmbinjve ka aq shumë ujë sa mund të mbulojë planetin dhe se më pas sipërfaqja e ujit do të ishte dy kilometra e thellë.

Por as në Tokë nuk ka asnjë mundësi për të gërmuar 11 kilometra në thellësi, dhe për këtë arsye ka pak shpresë se një gjë e tillë mund të arrihet në Mars.

 

Të dhënat sizmike të “Insight” përdoren për zbulimin e ujit

Në mungesë të një teknologjie të tillë shpimi, shkencëtarët analizuan të dhënat e valës për të kuptuar përbërjen e kores së planetit dhe materialin brenda. Këto të dhëna u mblodhën nga sonda “Insight” gjatë misionit të saj katërvjeçar, i cili përfundoi në dhjetor 2022.

Ndër të dhënat ishin regjistrimet e të ashtuquajturve “Termetet e Marsit”, por edhe goditjet e meteorëve që shkaktojnë tërmete sipërfaqësore në këtë planet. “Insight” regjistroi shpejtësinë me të cilën përhapen valët sizmike gjatë ngjarjeve të tilla.

Ekipi hulumtues përdori modele të fizikës shkëmbore për të llogaritur vetitë e kores së Marsit kur këto valë që udhëtojnë shpejt kalojnë nëpër të. “Qëllimi është të lidhim atë që ndodhet brenda shkëmbit me shpejtësinë e zërit,” shpjegoi Vashan Wright, një gjeofizikan në Institutin Scripps të Oqeanografisë në San Diego, i cili drejtoi analizën. “Sa më i dendur shkëmbi, aq më shpejtë mund të depërtojë zëri. Nëse shtoni pak ujë të lëngshëm, shpejtësia do të rritet. Nëse e thyeni, shpejtësia do të ulet.”

Wright dhe kolegët e tij nuk hynë në hulumtim duke pritur të gjenin ujë të lëngshëm nën sipërfaqe – ata prisnin të gjenin ndonjë sasi uji, nga zero në 100 përqind, ose ujë që depërtonte nëpër shtresa shkëmbi.

Të dhënat nga sonda InSight sugjerojnë se çdo ujë në Mars në të kaluarën e tij të lashtë lëvizte nën tokë, diçka e ngjashme me ujërat nëntokësore në Tokë. “Ka shumë pyetje të thella në lidhje me Marsin që [ky studim] na ndihmon t’u përgjigjemi – ai na jep të dhëna rreth ciklit të lëvizjes së ujit që nuk është prekur nga njerëzit,” thotë Wright.

 

Ku është uji, a ka jetë?

MarsiGrupi i Wright nuk është i pari që përcakton se ekziston mundësia e ujit të lëngshëm në Mars. Studiuesit në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni në vitin 2022 përdorën sondën Orbiter për të studiuar depozitat e kripës në sipërfaqen e Marsit dhe vlerësuan se uji ekzistonte atje deri dy miliardë vjet më parë.

Studimet në pjesën polare me akull në Planetin e Kuq kanë sugjeruar gjithashtu se uji i lëngshëm mund të ekzistojë nën sipërfaqen e ftohtë, por një studim i fundit çon në përfundimin se mund të ketë pasur keqinterpretime në matje.

Dhjetë vjet më parë, studimet e NASA-s treguan se uji mund të rrjedhë herë pas here në sipërfaqen e planetit. E gjithë kjo emocionon shkencëtarët që janë ende në kërkim të provave të jetës në Mars. Sepse, si në Tokë, uji i lëngshëm konsiderohet një përbërës thelbësor që mundëson jetën të evoluojë. “Uji duket se është thelbësor për jetën,” thotë Wright. “Ajo që dimë për jetën dhe ujin në Tokë është se ka jetë në thellësi dhe se jeta mbijeton në kushte shumë më të ‘ashpra’ sesa ato në sipërfaqen e Tokës. Megjithatë nëse gjeni ujë në thellësi të madhe, kjo nuk do të thotë automatikisht jetë, por do të thotë se ka një mundësi për të.”

Të dhënat nga studimi u publikuan në Proceedings of the National Academy of Sciences.

 

Liquid water in the Martian mid-crust. Publikuar nga Vashan Wright et al. in PNAS (August 2024) https://doi.org/10.1073/pnas.2409983121