Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Ndarja nga jeta e aktores Margarita Xhepa, reagon Rama: Lamtumirë yll!

MargaritaKryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktores së shquar Margarita Xhepa.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë ka ndarë disa foto të saj, ndërsa shkruan “Lamtumirë yll!”.

Për dekada me radhë, ‘artistja e popullit’ portretizoi karaktere të panumërta dramatike duke mbetur përjetësisht në kujdesën e artdashësve.

Karrierën e nisi që në bankat e shkollës, kur studionte në Lice dhe regjisorët e Teatrit Popullor të asaj kohe spikatën talentin e saj.

Në skenën e Teatrit interpretoi role të mëdha të dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, vajza te “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, apo rolin e nënës nga romanit i Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.

Të huajt blejnë Shqipërinë/ Në 2024 u blenë prona me vlerë 379 milionë euro. U rritën çmimet

banesaRritja e vlerës së pronave në vend, po shihet si një biznes fitimprurës jo vetëm për vendasit por edhe të huajt.

Ndonëse prej vitesh po investojnë, në vitin 2024 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 379 milionë euro shkuan në drejtim të këtij tregu nga të huajt.

Ekspertët e tregut thonë se qëllimi për ti kthyer në biznese me qira ditore është arsyeja që po i nxit më shumë të huajt të investojnë.

“Kemi kërkesa shumë të mëdha që marrin apartamente i riparojnë me kushtet që duan të huajt dhe turistët, dhe i japin me booking për disa net”, Gjin Gjoka, ekspert i pasurive të paluajtshme.

“Gjithmonë rritje. Dita ditës shohim kërkesa të shtuara ku dhe oferta është po në të njëjtin drejtim, njerëzit kërkojnë me qira janë vendasit por më shumë janë dhe të huajt”, Ervin Demirxhiu, ekspert i pasurive të paluajtshme.

Ky zhvillim i tregut ka rritur ndjeshëm çmimet edhe për vendasit, kryesisht ato të qirave.

“Nëse çmimet kanë një stopim, ka te pronat luksoze por s’ka rënie çmimesh. Në shtëpi do ishte mirë që të gjithë të kishin një shtëpi. Duke llogaritur Unazën e Vjetër pothuajse 90% e apartamenteve janë të riparuar dhe me booking. Së dyti kërkesa e studentëve është e lartë, por dhe rreth 19 mijë banorë shpërngulen pashaportizohen në Tiranë. Në Astir sot gjejmë një apartament jo poshtë 350 euro dhomë kuzhinë. 2+1 të kompletuar nuk e gjen nën 500 euro. Kinostudio, Porcelani Xhamlliku qiratë janë 550, tek Unaza 650”, tha Gjoka.

“Trendi rritës vazhdon si pasojë e kërkesës së lartë po dhe ndërtuesit kanë shtuar kostot që përkthehen në fund të klienti”, tha Demirxhiu.

Por deklarata e kryeministrit Edi Rama për një dyfishim të çmimeve të pronave me anëtarësimin në BE si rrjedhojë edhe të qirave, sipas ekspertëve të tregut do të vër në lëvizje qytetarëve për të investuar me çmimet aktuale.

“Sipas parashikimeve mund të kemi rritje. Por i bëj thirrje që nuk ka ulje çmimesh”, tha Gjoka.

“Nuk kemi hyrë në Europë dhe rritjet e çmimeve janë goxha. E shohin një treg me potencial. Të huajt do jenë goxha në numër dhe sigurisht do rrisin çmimet”, tha Demirxhiu.

Jo vetëm në tregun e pasurive të paluajtshme, investimet e të huajve në 2024 u rritën ndjeshëm, teksa arritën 1.6 miliardë euro, 92 milionë më shumë se në 2023.

Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.

tch

“Fan Noli i dha gjuhën shqipe kishës, Anastasi e ruajti”/ Fjala e plotë e kryepeshkopit Joan: Të rinjtë ta duan vendin e tyre, mos ta braktisin

JoaniNë një ceremoni madhështore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, u fronëzua Fortlumturia e Tij, Joani.

Në mesazhin e tij të parë, Kryepeshkopi Joani, premtoi ruajtjen e traditës së Shenjtë dhe theksoi rëndësinë e forcimit të unitetit brenda Kishës.

 

Fjala e plotë:

Atij që na deshi, edhe që na lau nga mëkatet tona me gjakun e tij, edhe që na bëri mbretër dhe priftërinj të Perëndisë dhe Atit të tij, atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve (Zb. 1:6). Do të falenderoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemrën time, edhe do ta lavdëroj emrin tënd përjetë. Se e madhe është mëshira jote ndaj meje.

 

Me këto fjalë të Shkrimit të Shenjtë dua të shpreh falënderimin tim të thellë ndaj Perëndisë për të gjitha të mirat që ka bërë për mua dhe për Kishën tonë. Falënderimi ndaj Perëndisë përfshin, gjithashtu, edhe të gjithë ata njerëz me anë të cilave Perëndia i bëri të mundura këto.

Falënderojmë dhe nderojmë martirët e Ilirisë që përhapën dritën e besimit në trevat ku jetojmë, duke dëshmuar me gjakun dhe jetën e tyre; oshënarët dhe shenjtorët që e mbajtën dritën e besimit ndër shekuj; martirët e rinj, të cilët, në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për kishën dhe vendin tonë, dhanë jetën tyre për të ruajtur besimin, identitetin kombëtar dhe gjuhën e tyre. Një listë e gjatë të cilën do e kujtojmë gjithmonë me nderim dhe mirënjohje.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20-të, Kisha u përball me persekutimin e egër komunist. E gjithë infrastruktura materiale dhe njerëzore u shkatërrua plotësisht. Kishat dhe manastiret u prishën nga themelet, ose u shndrruan në stalla, depo etj. Ata shkatërruan muret e jashtme, por nuk mundnin dot të shkatërronin besimin në zemrat njerëzve. Mijra burra e gra të devotshmëm, u përndoqën dhe u persekutuan për shkak të besimit të tyre, shumë prej të cilëve dhanë edhe jetën për atë besim. Ishte pikërisht dëshmia e këtyre njerëzve, ajo që frymëzoi mijra vetë tjerë të mbanin dhe ta bënin besimin e krishterë qendrën e jetës së tyre, duke u bërë një shembull real i premtimit të Zotit se dyert e ferrit nuk do ta mposhtin Kishën e tij, të ngritur mbi shkëmbin e besimit (Mt. 16:17-18).

Gjatë gjithë historisë Kisha jonë ka kaluar permes zjarrit dhe ujit, por ti na nxore në vend ngushëllimi (Ps.65:12). Në kohëra kritike dhe të vështira Perëndia e vizitoi kishën tonë, duke dërguar njerëz të ndritur e të devotshëm. Në këtë ditë dua të nderoj, gjithashtu, kujtimin e të gjithë paraardhësve të mi dhe përpjekjet e tyre të mëdha për tu kujdesur për grigjën që u ishte besuar. Në listën e gjatë do të doja të përmendja dy personalitete të shquara.

Në gjysmën e parë të shekullit 20-të, në një kohë të vështirë për kishën dhe vendin tonë, Imzot Theofan Noli ishte njeriu i duhur. Ai ishte pajisur nga Perëndia me talente të jashtëzakonshme; me një karakter kurajoz për të pasur guximin për të shkelur në udhë të panjohura dhe për të hapur shtigje të reja; një njohës i mirë i jetës kishtare dhe i doktrinës së saj; zotërues i shumë gjuhëve dhe ekspert i mirë i muzikës kishtare dhe i apasionuar me të. Ai dha një kontribut të paçmuar për ndërgjegjësimin kombëtar dhe përgatitjen e autoqefalisë, si edhe të teksteve kishtare. Në një kohë rekord, i vetëm dhe në mungesë të një tradite të gjuhës kishtare, ai e pajisi kishën me librat kryesorë të adhurimit orthodhoks. Shpirti i tij poetik dhe kultura e gjërë do ti jepnin përkthimeve të tij një fuqi dhe bukuri të papërsëritëshme.

Në fund të shekullit 20-të, kur kisha orthodokse, si të gjitha komunitetet e tjera fetare të vendit, u gjet krejtësisht e rrënuar dhe ringritja e saj dukej një mission i pamundur. Por, përsëri, Perëndia dërgoi një tjetër person të ndritur të pajisur gjithashtu me talente shumta – Kryepiskopin Anastas – i cili e bëri të mundur rindërtimin e saj. Ai, jo vetëm që arriti të realizonte ndërtimin e mureve të Kishës dhe infrastrukturën fizike të saj, por përpjekja e tij kryesore ishte për të pasur një kishë ku Perëndia të adhurohet “me frymë dhe të vërtetë”. Në vizionin e tij ndërtesat nuk ishin një qëllim në vetvete, por vetëm një mjet për të realizuar veprën shpëtimtare të kishës. Predikimi i tij publik dhe privat ka qenë gjithmonë dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, duke përhapur një frymë pajtimi dhe falje brenda Kishës dhe më gjërë, frymë, të cilën duhet ta ruajmë dhe ta vazhdojmë.

Për të gjitha këto mendoj se më e pakta që ne mund të bëjmë është t’u themi faleminderit dhe t’u jemi gjithmonë mirënjohës, sepse besimi i vërtetë nuk ndahet nga falenderimi dhe mirënjohja. Asgjë nuk është më e pëlqyeshme te Perëndia se sa një shpirt mirënjohës dhe falenderues… Mirënjohja nuk shton asgjë te Perëndia, por na sjell më afër tek Ai – shkruan Shën Joan Gojarti. Sa më shumë mirënjohje të kemi, aq më afër do jetë Perëndia tek ne. Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij – na mëson shën Pavli (Kol. 3:17).

II

Por falënderimi, ashtu si çdo ndjenjë e thellë, nuk mund të jetë vetëm ndjenjë, por është edhe veprim. Ç’do t’i japë Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë? – pyet veten Psalmisti (Ps.115:12). Kjo pyetje na drejtohet edhe neve sot. Jam i vetëdishëm për peshën e madhe mbi supet e mia të dobëta. Vetëm shpresa se Perëndia është Ai që i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të dobëtit (Is. 40:49), na jep kurajë dhe fuqi për të vazhduar, pa u lodhur, përpjekjet për të përmbushur këtë mission të shenjtë ndaj Kishës së Tij.

Çdo kohë ka patur sfidat e saj. Shekulli në të cilin jetojmë me teknologjitë e reja, humbjen e vlerave tradicionale, pluralizmin kulturor dhe fetar, paraqet sfida të reja dhe të ndryshme për të gjithë komunitetin njerëzor në përgjithësi dhe nga këto sfida, pa dyshim, nuk mund të përjashtohet as edhe Kisha jonë Orthodhokse. Ne na duhet që të përballemi me këto sfida, jo vetëm thjesht për t’u mbrojtur, por edhe të gjejmë zgjidhje origjinale dhe krijuese si pjesë e përgjegjësisë sonë në këtë kohë.

Ndonëse kohërat dhe përgjigjet nuk mund të jenë gjithmonë të njëjta dhe metodat mund të jenë të ndryshme, por fryma që i përshkron ato duhet të mbetet gjithmonë e njëjtë – dashuria ndaj Perëndisë dhe ndaj të gjithë njerëzve, kushdo qofshin ata. Përpjekjet dhe përqëndrimi ynë duhet të jenë:

1- Ruajtja dhe mbrojtja e Traditës së shenjtë dhe besnikëria ndaj mësimeve të Zotit, të transmetuara nga apostujt deri në ditët tona, sepse vetëm duke u mbështetur në vlerat, që rrjedhin nga mësimi i Zotit, ne mund ta ripërtërijmë jetën tonë shpirtërore. Bota e sotme vuan nga mungesa e kësaj jete dhe mungesa e saj sjell edhe mungesën e jetës kulturore dhe intelektuale, duke e varfëruar jetën dhe shoqërinë tonë.

2 – Forcimi i unitetit brenda Kishës është një nevojë e domosdoshme për të realizuar qëllimin e saj. Vetëm nëse jemi të bashkuar, Kisha mund të forcohet dhe dëshmia e saj për Krishtin tek bota do të jetë e besueshme. Çdo mbretëri që ndahet kundër vetes së saj, shkretohet – na mëson Zoti – edhe një shtëpi kundër shtëpisë, bie (Llk. 11:17). Uniteti ruhet vetëm atje ku është gëzimi, paqja dhe dashuria ndërmjet njëri-tjetrit. Pra, vëllezër – shkruan shën Pavli – gëzohuni, ngushëllohuni, jini në një mendje, kini paqe, edhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë bashkë me ju (2 Kor. 13:11).

3 – Prioriteti i Kishës ka qenë gjithmonë Ungjilli i Mbretërisë së Perëndisë. Por, ajo e kupton këtë Ungjill të Mbretërisë, të rëndësishëm edhe në këtë jetë. Prandaj ajo është përpjekur për të ruajtur balancën, pa kundërvënie dhe pa zgjedhur njërin dhe neglizhuar tjetrin, ndërmjet Ungjillit të Mbretërisë, ku përfshihet vepra pastorale për shpëtimin e njeriut dhe “Ungjillit Social”, ku përfshihet përkujdesja ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që janë të varfër, në nevojë, në sëmundje, në vetmi dhe të mënjanuar, sepse të dy aspektet janë të rëndësishëm dhe të ndërlidhur. Nëse nuk e gjen Krishtin tek lypësi në dyert e Kishës – thotë Shën Joan Gojarti – nuk do e gjesh në kupën e kungimit.

4 – Siç dihet dhe pranohet nga të gjithë familja është qeliza fillestare e jetës shoqërore. Kisha Orthodhokse mëson se një familje e shëndetshme ndërtohet mbi shenjtërinë e martesës, si një doktrinë themelore e pa diskutueshme dhe e patjetërsueshme. Është më se e nevojshme të themi, se shoqëria e sotme ka nevojë për t’i rizbuluar vlerat e patjetërsueshme të martesës dhe familjes. Sepse ndodh shpesh here, që në emër të progresit dhe zhvillimit, janë shkatërruar vlerat dhe lidhjet tradicionale, duke e dëmtuar rëndë familjen, martesën dhe vetë personin njerëzor. Besimi në Perëndinë është një garanci për ruajtjen e këtyre vlerave jetike për njerëzimin dhe për të patur një familje dhe shoqëri të shëndetshme.

5 – Kur flitet për fenë në Shqipërinë gjithmonë përmendet bashkëjetesa fetare, e cila është një thesar i madh i vendit tonë. Por si çdo gjë, ashtu edhe bashkëjetesa, nuk është statike. Asgjë në këtë botë nuk është e imunizuar nga ndryshimet, lëvizjet, rritjet dhe humbjet. Brezat e mëparshëm hodhën themelet dhe e zhvilluan këtë traditë. Është detyra e jonë sot dhe atyre që do të vijnë, që ta ruajmë dhe ta forcojmë vazhdimisht, sepse ashtu si çdo pasuri ajo duhet mbrojtur dhe zhvilluar më tej për të mirën e të gjithëve.

6 – Duhet të inkurajojmë, me dashuri dhe me urtësi, sidomos të rinjtë, ta duan vendin e tyre dhe të mos e braktisin, sepse është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur dhe rritur dhe njerëzit që banojnë në të. Sakrificat për të tjerët kushtojnë, por ato do të sjellim gëzim dhe do ta plotësojnë jetën e tyre, sepse një jetë pa gëzim është një jetë e gjymtuar.

7 – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të jetë miqësore dhe dëshiron të jetojë në paqe me të gjithë, duke ndjekur këshillën e Shën Pavlit: Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit (Rom. 12:18). Ajo do të përpiqet, brenda mundësive të saj modeste, të nxisë dhe të ketë një pjesëmarrje aktive, si në dialogun pan-orthodhoks, ashtu edhe në dialogun me të gjithë të tjerët.

IIΙ

Personalisht do të përpiqem me të gjithë forcën time t’i shërbej grigjës që më ka besuar Perëndia, duke patur parasysh gjithmonë fjalët e Zotit se Biri i njeriut nuk erdhi që të shërbehet, po që të shërbejë (Mt. 20:28). Do të përpiqem të jem i gatshëm për të dëgjuar dhe për t’u këshilluar me klerikët dhe laikët dhe për vizita pastorale në të gjitha dioqezat. Për të mbajtur peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Zotit tonë Jisu Krisht, Themeluesit të Kishës, të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë detyrë të vështirë, por njëkohësisht të shenjtë.

Së fundi do të doja të shpreh mirënjohjen time ndaj anëtarëve të Sinodit të shenjtë, të cilët më besuan dhe më zgjodhën. Falënderoj të gjithë përfaqësuesit e Kishave të tjera orthodhokse, autoritetet shtetërore, përfaqësuesit diplomatikë, gjithë klerikët dhe besimtarët e kishës sonë, si edhe miqtë e dashamirësit, për praninë e tyre dhe lutem që Perëndia ta mbrojë Kishën tonë, ta ndriçojë popullin tonë dhe ta bekojë vendin tonë. Amin!

 

tch

“Shqipëria mbyll negociatat në 2027”, komisionerja për zgjerimin e BE e konfirmon: Janë pararojë bashkë me Malin e Zi

KosMbyllja e negociatave me BE-në brenda vitit 2027 është një prej premtimeve që po artikulon ditët e fundit kryeministri i vendit Edi Rama teksa prezanton kandidatët për zgjedhjet e 11 majit.

Por deklaratat e tij i përforcoi sot nga Sllovenia komisionerja e zgjerimit Marta Kos.

Në një intervistë për radio televizionin slloven, duke folur për prioritetet e Komisionit Europian tha se gjatë mandatit të saj janë dy vendet që do të përmbyllin negociatat, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Dy shtete nga Ballkani Perëndimor janë në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE. Mali i Zi që renditet në krye, vend me të cilin negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Shqipëria është në vendin e dytë dhe besoj se mund të kalojë vijën e finishit për ti mbyllur negociatat në fund të vitit 2027”, shprehet Kos.

Në këtë drejtim, Komisionerja Kos tha se vendimi përfundimtar do të merret nga shtetet anëtare të BE-së.

Jam e vetëdijshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të komunikimit sepse nuk mund ta imagjinoj që pasi të kenë përfunduar të gjitha negociatat, një shteti anëtar do të thoshte jo, ne nuk e duam atë vend në Bashkimin Europian, prandaj jam optimiste për të dyja shtetet pararojë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, shton Kos.

Sinjalet pozitive për Shqipërinë, zonja Kos i dha edhe gjatë vizitës së saj të parë si komisionere në Tiranë pak javë më parë, ku vlerësoi rrugën e integrimit të Shqipërisë, dhe mbështetjen me 1 miliard euro për reformat në Shqipëri.

tch

“830 euro është rroga mesatare sot në Shqipëri”/ Rama: Nga 1 janari 2026, paga minimale 500 euro!

ramaNga janari i vitit 2026, paga minimale në vendin tonë do të jetë 500 euro, u shpreh kryeministri Edi Rama.

 

Gjatë komunikimit me qytetarët në “Sy m’sy”, Rama tha paga mesatare sot në Shqipëri është 830 euro.

“Kur ne morëm detyrën pagën mesatare në sektorin publik, pra në punë shteti e kishim 372 euro edhe që sot vitin 2024 e mbyllëm me 1 mijë euro pagën mesatare, Instati, pra referoju Instatit. Pra kemi bërë një rritje shumë të lartë, po të them pagën mesatare të përgjithshme, atë të kombinuarën, se atë sektor publik, sektor privat e kishim 322 dhe e kemi sot e kemi sot 830 euro. 830 euro është paga mesatare sot në Shqipëri e përgjithshmja. Ajo në sektorin publik është 1 mijë euro, si qenka njësoj. Po paga minimale? Paga minimale e kishim 157 euro e kemi 400 euro dhe me vendim siç e kam thënë edhe më parë në qershor do ta bëjmë 500 euro, që do të hyjë në efekt nga janari 2026 pagën minimale 500 euro. Ndërkohë që, shumica e kompanive, shumica e bizneseve e kanë shumë më të lartë pagën minimale. Çfarë të të të them. Kush nuk do të dëgjojë nuk dëgjon, është më shurdh sesa ai që realisht ka probleme e dëgjimin. Kush nuk do të shikojë është më i verbër se ai që ka probleme me shikimin, dihet kjo”.

tch

Amerikanët kthehen në SPAK! U larguan pas urdhrit të Trump, sot kanë shkuar edhe në GJKKO

gjkkoRikthehet mbështetja dhe mbikëqyrja amerikane në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

 

Pak më shumë se një muaj pas vendimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të ngrirë fondet për vendet e huaja për një periudhë 90-ditore, të cilat prekën edhe SPAK e GJKKO, ekspertët amerikanë janë rikthyer në Shqipëri pranë institucioneve të posaçme.

Burime për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha bëjnë me dije se këtë të mërkurë përfaqësuesit amerikanë të OPDAT, të cilët kanë qenë me mision në Shqipëri para urdhrit të Donald Trump, kanë zhvilluar takime në ambientet e SPAK dhe GJKKO.

Urdhri i Trump për pezullimin e fondeve të huaja nuk preku vetëm institucionet e reja të drejtësisë, por edhe ministritë, Kuvendin e bashkitë. Presidenti Trump i cilësoi shumë prej shpenzimeve për programet për vendet e tjera si shpërdorim të taksave të amerikanëve, ndërsa urdhëroi një kontroll të imtësishëm se si shpenzohen këto fonde nga vendet e huaja.

Pas kontrollit 6-javor, ishte Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ai që njoftoi mbylljen e 83% të programeve të ofruara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në të gjithë botën, por pa dhënë detaje se cilat vendet prekeshin. Ndërkohë, edhe vetë kryeministri Edi Rama, në disa dalje publike, tha se amerikanët janë larguar nga institucionet e posaçme.

Por, këtë të mërkurë të 26 marsit, ata janë rikthyer në institucionet e reja të drejtësisë shqiptare, SPAK e GJKKO, për të vijuar asistencën e tyre në kryerjen e hetimeve të korrupsionit në nivele të larta, por edhe të krimit të organizuar e veprave të tjera kriminale.

tch

“Po ecim shumë shpejt drejt BE”, Spiropali në forumin “Parlamenti për Qytetarët”: Po inkorporojmë në Kuvend modele nga Bundestagut e parlamenti skocez

SpirolariKryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në Forumin “Parlamenti për Qytetarët: Forumi i Demokracisë Pjesëmarrëse dhe Përgjegjshmërisë Parlamentare, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ku mbajti një fjalë përshëndetëse.

 

Në aktivitet ishin të pranishëm dhe përshëndetën Drejtori Ekzekutiv i IDM, Sotiraq Hroni, Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, Drejtoresha e Inovacionit dhe Praktikave, Involve UK, znj. Stephanie Draper etj.

Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se Kuvendi po fuqizon ndërveprimin me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit për të siguruar një dialog të dobishëm, të hapur e konstruktiv, si reflektim edhe ndaj vlerësimeve të raporteve të Bashkimit Europian për të rritur transparencën dhe efektivitetin në proceset e konsultimeve publike dhe të bashkëpunimit të Kuvendit me qytetarët.

“Në bashkëpunim me Kuvendin dhe me mbështetjen e Involve UK, ju keni pilotuar me sukses Panelet Qytetare, mbi dy çështje të propozuara nga Komisionet Parlamentare: zhvillimi i turizmit rural dhe malor si dhe çështjet e aftësisë së kufizuar. Gjatë kësaj faze ju edhe ne kemi konstatuar se qytetarët janë të gatshëm dhe kanë potencialet të kontribuojnë në mënyrë produktive në ligjbërje, nëse ne arrijmë të ndërtojmë një proces deliberativ.

Dhe kjo u dëshmua se ishte e mundur. Rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi turizmin rural dhe malor u inkorporuan në “Paketën e Maleve”, një ligj i cili do të shërbejë si shtytje e zhvillimit të zonave e fshatrave malorë.

“Udhëzuesi mbi Mekanizmat e Konsultimit Publik Deliberativ për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, hartuar gjatë këtij procesi dhe si produkt i këtij bashkëpunimi, do të shërbejë si një udhëzues praktik për Kuvendin, qytetarët dhe grupet e interesit, duke forcuar ndërveprimin tonë në procesin legjislativ.”-u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nënvizoi më tej se gjatë legjislaturës së ardhme do të shohim mundësinë të ndërtojmë një mekanizëm monitorimi për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Paneleve Qytetare nga qeveria dhe institucionet përkatëse, duke përfshirë përveç veprimtarisë ligjbërëse edhe kontrollin parlamentar dhe zbatimin e politikave e programeve në shërbim të qytetarëve.

“Inkorporimi në Kuvendin e Shqipërisë i praktikave e modeleve të suksesshme të Bundestagut Gjerman dhe Parlamentit Skocez do të shndërrohen në një vlerë të shtuar të këtij procesi.”-u shpreh Spiropali.

Drejtori Ekzekutiv i IDM, Sotiraq Hroni, gjatë punimeve të Forumit u shpreh se duhet të angazhohemi në mënyrë të vazhdueshme për të nxitur demokracinë pjesëmarrëse. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë shembull në konsultimin publik. Kuvendi i Shqipërisë po pasuron një sërë mekanizmash sa i përket konsultimit publik në tërësinë e saj. Duhet të fuqizohet mekanizmi parlamentar për konsultimin publik.”-tha Sotiraq Hroni.

Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, u shpreh se mbështet Kuvendin e Shqipërisë për nismat që ka ndërmarrë ndërsa theksoi se demokracia dhe transparenca parlamentare janë shtylla thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

Drejtoresha e Inovacionit dhe Praktikave, Involve UK, Stephanie Draper, foli për mjetet inovative të pjesëmarrjes për angazhimin parlamentar dhe proceset e demokracisë deliberative, roli i publikut në vendimmarrje si dhe tregoi shembuj të praktikave të suksesshme të demokracisë pjesëmarrëse dhe ndikimin e tyre.

Fjala e plotë:

Shkëlqesia Juaj, Ambasadori Abbott,

I nderuar z. Hroni,

Zonja e zotërinj,

Ka një sentencë të njohur në historinë politike që shpreh në mënyrë domëthënëse rëndësinë jetike të ndërveprimit midis qeverisësve dhe të qeverisurve:

“Askush nuk mund ta qeverisë tjetrin, pa pasur konsensusin dhe bashkëpunimin e tij.”

Historia e demokracisë ka provuar se kjo nuk është vetëm një kërkesë pragmatiste, por një parim jetësor i funskionimit të sistemit demokratik.

Thënë shkurt e qartë: Nëse dijmë të bashkëpunojmë me publikun dhe qytetarët, nuk dështojmë kurrë.

Është kjo një arsye që unë kam ndjekur e ndjek me vëmendje veprimtaritë e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, sidomos ato që kanë lidhje me demokracinë pjesëmarrëse dhe që ju përgjigja ftesës për të marrë pjesë në këtë takim të sotëm.

Unë i vlerësoj përpjekjet tuaja për të ndërtuar një platformë për komunikimin dhe bashkëpunimin midis Kuvendit dhe qytetarëve, duke synuar që kjo të shndërrohet në një praktikë të re periodike, pjesë integrale e ushtrimit të funksioneve dhe detyrave të Kuvendit të Shqipërisë.

Po konstatoj me kënaqësi se nisma juaj ka shtuar informacionin mbi veprimtaritë parlamentare, për qytetarët, shoqërinë civile dhe median.

Ka rritur aksesin dhe mundësitë praktike të tyre për të ndikuar e kontribuar në veprimtarinë e Kuvendit, sidomos të komisioneve parlamentare, për të ndërtuar një proces legjislativ dhe ushtruar kontroll parlamentar që u përgjigjet drejtpërdrejt sfidave reale të qytetarëve dhe komuniteteve.

Shqipëria ndodhet aktulisht para portave të Bashkimit Europian, dhe siç kam nënvizuar, është vendi kandidat që ecën më shpejt, më vendosmërisht dhe më qartësisht drejt familjes europiane, me ambicjen që të përfundojmë negociatat teknike brenda vitit 2027 dhe të anëtarësohemi brenda vitit 2030.

Dëshiroj të ndaj me ju vizionin tim se unë e konsideroj legjislaturën e ardhme të Kuvendit, pra legjislaturën e njëmbëdhjetë, si përfundimin e procesit të shndërrimit të Kuvendit të Shqipërisë në parlamentin e një shteti anëtar të Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst unë e vlerësoj edhe bashkëpunimin tonë dhe kontributin tuaj për fuqizimin e dimensionit pjesëmarrës të demokracisë shqiptare dhe të Kuvendit.

Kuvendi udhëheq procesin e integrimit duke garantuar tiparin e tij gjithëpërfshirës dhe unë ju bëj thirrrje që kontributi juaj të kanalizohet edhe në këtë proces.

Kuvendi po fuqizon ndërveprimin me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit për të siguruar një dialog të dobishëm, të hapur e konstruktiv, si reflektim edhe ndaj vlerësimeve të raporteve të Bashkimit Europian për të rritur transparencën dhe efektivitetin në proceset e konsultimeve publike dhe të bashkëpunimit të Kuvendit me qytetarët.

Në bashkëpunim me Kuvendin dhe me mbështetjen e Involve UK, ju keni pilotuar me sukses Panelet Qytetare, mbi dy çështje të propozuara nga Komisionet Parlamentare: zhvillimi i turizmit rural dhe malor si dhe çështjet e aftësisë së kufizuar.

Gjatë kësaj faze ju edhe ne kemi konstatuar se qytetarët janë të gatshëm dhe kanë potencialet të kontribuojnë në mënyrë produktive në ligjbërje, nëse ne arrijmë të ndërtojmë një proces deliberativ.

Dhe kjo u dëshmua se ishte e mundur. Rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi turizmin rural dhe malor u inkorporuan në “Paketën e Maleve”, një ligj i cili do të shërbejë si shtytje e zhvillimit të zonave e fshatrave malorë.

“Udhëzuesi mbi Mekanizmat e Konsultimit Publik Deliberativ për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, hartuar gjatë këtij procesi dhe si produkt i këtij bashkëpunimi, do të shërbejë si një udhëzues praktik për Kuvendin, qytetarët dhe grupet e interesit, duke forcuar ndërveprimin tonë në procesin legjislativ.

Ju përgëzoj gjithashtu për bashkëpunimin me Kuvendin për dinamizimin e procesit të shqyrtimit të peticioneve qytetare dhe propozimet për përmirësimin e Rregullores së Kuvendit për këtë çështje, të cilat rrisin transparencën dhe fuqizojnë gjithëpërfshirjen.

Ne tashmë pothuajse kemi hyrë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe ky është një rast i mirë për të gjithë kandidatët që të ndërtojnë një dialog të hapur e të sinqertë me qytetarët, të shpalosin alternativat për të cilat konkurrojnë dhe të dëgjojnë mendimet, vlerësimet dhe kritikat e zgjedhësve.
Po kështu, edhe qytetarët kanë mundësinë të gjykojnë programet që u paraqiten dhe t’i vlerësojë ato në përshtatjen me pritshmëritë e tyre dhe të ardhmen e vendit.

Gjatë legjislaturës së ardhme ne do të shohim mundësinë të ndërtojmë një mekanizëm monitorimi për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Paneleve Qytetare nga qeveria dhe institucionet përkatëse, duke përfshirë përveç veprimtarisë ligjbërëse edhe kontrollin parlamentar dhe zbatimin e politikave e programeve në shërbim të qytetarëve.

Inkorporimi në Kuvendin e Shqipërisë i praktikave e modeleve të suksesshme të Bundestagut Gjerman dhe Parlamentit Skocez do të shndërrohen në një vlerë të shtuar të këtij procesi.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

tch

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfitojnë parafinancim nga BE, komisionerja Kos: Duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe

KosShqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të përfitojnë parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për të vijuar rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin  Europian, Marta Kos përmes një postimi në rrjetin social “X”, thekson se kjo do të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e vendeve me BE-në.

“Urime për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së! Kjo duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, përmirësuar jetën e qytetarëve dhe afruar vendet më shumë me BE-në”, ka shkruar Kos.

Shqipëria do të përfitojë 922 milionë euro kredi dhe grante deri në vitin 2027 nga Bashkimi Europian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

E ndarë në sektorë të veçantë, pjesa më e madhe e fondeve shkojnë për reformat në drejtësi, afërsisht 267.7 milionë euro.

Përmirësimi i klimës së biznesit po ashtu merr një rëndësi të veçantë sa i takon fondeve grant dhe kredi, në një vlerë prej 209 milionë euro.

Sektori i energjisë dhe tranzicioni i gjelbër kanë marrë një rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian, fushë në të cilën do të shpenzohen për 3 vite afërsisht 127.8 milionë euro. Po ashtu për zhvillimin e teknologjisë do të shkojnë afërsisht 127.8 milionë euro.

tch

Lemke: Gjermania gati për ndihmë për Vjosën

Ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke në ShqipëriMinistrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke në intervistë për DW e quan Vjosën një nga dhomat e thesarit natyror të Shqipërisë. Për Parkun Kombëtar të Vjosës ajo kërkon zgjidhje profesionale.

 

Deutsche Welle: Zonja ministre, Lumi Vjosa është Park Kombëtar i një lumi të egër, i pari në Shqipëri dhe në Evropë, megjithatë po përballet me probleme të menaxhimit. E njëjta situatë paraqitet edhe me zonat e tjera të mbrojtura. Nisur nga përvoja gjermane në menaxhimin e të tilla zonave, si mund të aplikohej ajo në Shqipëri?

Steffi Lemke: Unë e admiroj Shqipërinë për këtë thesar natyror që ajo zotëron dhe që është një arsye mjaft e rëndësishme për thithjen e turistëve, që sjell me tej edhe një zhvillim të konsiderueshëm në sektorin e ekonomisë. Vjosën do ta quaja një nga dhomat e thesarit dhe unë e përgëzoj Shqipërinë për faktin e të pasurit Parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër. Strukturat menaxhuese të këtij parku janë duke u përballur me problematika të ndryshme, zgjidhjet e të cilave do të duhet të ishin në mënyrë shumë profesionale, pra të ruanin dhe të garantonin mbrojtjen e këtyre zonave. Gjermania mbështet në këtë drejtim siç është ai i përshtatjes së legjislacionit për sa i përket ruajtjes së zonave të mbrojtura. Unë ndodhem këtu pikërisht që të gjejmë zona ku mund të intensifikojmë punën në këtë drejtim.

 

Lumi Shushica, degë e Vjosës dhe pjesë e Parkut Kombëtar rrezikohet nga ndërtimi i një ujësjellësi që kundështohet nga komuniteti i zonës dhe organizatat mjedisore. Si mund të ruhet një balancë mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e komunitetit?

Unë kam pasur privilegjin dhe mundësinë që në vitin 2019 të vizitoj disa fshatra, mes tyre edhe të zonës ku ndodhet Shushica dhe mund të them që natyra dhe peisazhet aty janë unike dhe duhet bërë çdo përpjekje për t’i ruajtur. Sigurisht, duhet të ketë edhe zhvillim ekonomik të zonës, po kjo do të duhet të vlerësohet dhe gjykohet nga institucionet shqiptare se ku do të duhej të përqendronin përpjekjet e tyre, në mënyrë të tillë që të mos kishte dëme në asnjërën prej aspekteve. Qeveria gjermane është e gatshme të ndihmojë për të gjetur kompromiset e duhura në këtë drejtim. Në këndvështrimin tim është shumë e rëndësishme që të kemi zona të tilla natyrore ku të ruhet unikaliteti i zonave, pra të gjendet një balancë.
Ndodhemi në Vjosë, ku morët pjesë në një aksion për ripyllëzimin e saj. Shqipëria ndodhet në hartën e rrezikut për ndryshimet klimatike, e rrezikuar veçanërisht nga përmbytjet dhe thatësira. Çfarë masash mund të ndërmerren për të përballur dhe për t’u përshatur me këtë sfidë?

Diçka e mrekullueshme të shikosh sesi shoqëria civile dhe organizatat e mbrojtjes së mjedisit kanë dhënë një kontribut mjaft të vyer sa i përket rinatyralizimit përmes masave sikundër janë ato të ripyllëzimit të  zonës eluvionale këtu. Kjo është meritë e shoqërisë civile në bashkëpunim me qeverinë, pra e bashkëveprimit mes tyre, edhe për vetë faktin që Vjosa u shpall Park Kombëtar i lumit të egër.
Ndryshimet klimatike shoqërohen në çdo vend të botës me periudha thatësirash, me stuhi, me përmbytje dhe politika nuk ka reaguar ende mjaftueshëm ndaj këtyre fenomeneve. Ne duhet të kuptojmë që ne jemi të varur ndaj mjedisit, që na duhet të konsiderojmë natyrën si aleaten tonë, nëse duam të mbrojmë jetën tonë, dhe jo ta dëmtojmë atë.

 

Në Shqipëri ka një problem të madh me menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjen e ujërave. Cilat janë disa nga projektet apo iniciativa konkrete nga Gjermania për të ndihmuar në këtë drejtim?

Në fakt jemi të vetëdijshëm për problemet që lidhen me ndotjen e mjedisit dhe këto nuk ekzistojnë vetëm në Shqipëri, po edhe në shumë vende të tjera të botës. Ne kemi menduar vazhdimisht vetëm sesi të krijojmë dhe të gjenerojmë konsum, por jo paralelisht me këtë jo sesi të ngremë sistemet e duhura të menaxhimit të mbetjeve dhe adresimin e tyre, situatë kjo që duhet të ndryshojë. Gjermania mbështet Shqipërinë pikërisht në këtë drejtim, në ngritjen e menaxhimit të mbetjeve, të asgjesimit të tyre, po kështu ngritjes së rrjetit të kanalizimeve, pra trajtimit të ujrave të ndotura dhe kjo në aspektin ligjor dhe ndihmës direkte për komunitetet, mund të përmend këtu qytetet e Cërrikut dhe të Korçës.

 

Në kontekstin e integrimit evropian, Shqipëria ka hapur kapitujt e parë të negociatave. Si mund të kontribuojë Gjermania në drejtim të kapitullit 27, pra atë të mjedisit?

Ne jemi në shkëmbime të vazhdueshme me Shqipërinë sa i përket çeljes sa më të shpejtë të kapitullit 27 të negociatave për anëtarësim, po ashtu edhe në kontekstin e procesit të Berlinit, për të ngritur kapacitetet e duhura ligjore në funksion të mbrojtjes së natyrës, mjedisit, ujrave, dhe në qoftë se ia dalim që kapitullin 27 ta hapim brenda këtij viti, ky është një qëllim i një projekti ambicioz, por mendoj se me vullnetin dhe dëshirën e mirë mund t’ja arrijmë.

dw

 

“Po bëni hile të madhe me deklarimin e netëve të fjetjes”/ Rama ‘dush të ftohtë’ operatorëve turistikë: Nëse nuk doni kontrolle, paguani detyrimin te bashkia!

rama turizmiKryeministri Edi Rama me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaron, zhvilluan një takim me turoperatorët dhe kryetarët e bashkive bregdetare për përgatitjet për sezonin veror 2025.

Kumbaro tha se këtë vit do të kemi 973 stacione publike plazhi.

Kemi këtë vit, 973 stacione plazhi publike si asnjë herë më parë, gjithashtu rregullin që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë publik. Për të mos qenë vetëm ne anën e publikut, sepse investitorët janë motori i zhvillimit, i kemi dhënë prioritet bizneseve me investime serioze akomoduese. Prioritet u është dhënë strukturave akomoduese me kategorizim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Nuk ka qenë proces i lehtë, edhe pse është proces i ri. Kemi qenë në komunikim të përjavshëm edhe me kryetarët e bashkive. Stacionet e plazhit nuk duhet të jenë biznesi kryesor. Biznesi kryesor është turizmi i qëndrueshëm, plazhi është një aksesor për të krijuar eksperienca për turistët. Plani i masave është gati për këtë sezon veror, është ngritur task-forca”, tha Kumbaro.

 

Ndërsa Rama kërkoi që bashkitë të kenë ofertën e tyre, krahas ofertës së privatit për plazhet.

Të ndërtohet një sistem bashkiak, ku bashkia jo vetëm të ruajë, por të zhvillojë një sipërmarrje bashkiake. Mirë është që të gjitha bashkitë të kenë ofertën e tyre, paralele me ofertën e operatorëve privatë. Kuptohet, me një gamë shërbimi më modeste, sepse nuk do të ndërtojnë bashkitë edhe beach bar-e”, u shpreh Rama.

Nga Vlorë, ai u tërhoqi vëmendjen operatorëve, kur kërkoi që të deklarojnë të gjitha netët e fjetjes.

Bëni një hile të madhe me deklarimin e netëve të fjetjes. Për t’ju dhënë mundësi që të dilnin faqebardhë, ju kemi ulur TVSH-në prej vitesh, më poshtë se të tëra vendet e tjera. Jua kemi ulur 6% që të deklaroni se sa… nga 10 milionë e 555 mijë turistë në 2023, 3 milionë e ca netë të deklaruara qëndrimi. Është pak problem. Këtë vit do t’ju japim mundësinë që ju të bëni paradeklarim. Nëse nuk doni as kontrolle, deri në maj, do të paguani detyrimin te bashkia. Përgatituni se në 2026 nuk do keni nga të lëvizni më se do fusim platformën digjitale e-visitors”.

tch