Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Shqipëri, pakësohen kreditë e këqija

banka shqiptareNë Shqipëri, kreditë e këqija bankare janë pakësuar nga 25 në 20 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se kreditë problematike për më shumë se 3 vjet janë fshirë nga sistemi për të lehtësuar punën e përditshme të bankave, por ato nuk janë falur. Ai deklaroi sot në një takim me bankat se një rritje më e madhe ekonomike do ta rriste edhe kreditimin.

Banka e Shqipërisë shprehu sot shqetësimin se vëllimet e kreditimit në ekonomi janë ende shumë të ulëta, ndërsa kreditë e këqija janë ende shqetësuese dhe në një nivel të lartë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se kreditë e këqija u luën nga 25 në 20 për qind.

Megjithatë shqetësimi mbi kreditë e këqija është ende shumë i madh.

Zoti Sejko i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me bankat private në vend dhe me përfaqësues të qeverisë.

Bankat morën vendim të fshijnë nga statistikat e tyre negative kreditë equajtura të humbura për një periudhë më të gjatë se 3 vjet.

Pastrimi i të dhënave të vjetra nxit bankat drejt kreditimit të ri.

Megjithatë theksoi guvernatori Sejko, kreditë e këqija nuk falen, pavarësisht se fshihen nga bilanci i bankave, por janë gjithmonë në ndjekje.

Banka e shqipërisë ka kërkuar bashkëpunimin e qeverisë për t’u koordinuar me institucionet në shërbime si ligji i falimentit.

Kreditë vonohen nga gjykatat dhe përmbarimi.

Ulja e rritjes ekonomike në vend ka bërë që kërkesa të jetë e paqëndrueshme.

Nëse ekonomia do të rrite më shpejt edhe kreditimi do të shtohet dhe kreditë me probleme do të korigjohen në një kohë të shkurtër. (voa)

TAP, s’ka marrëveshje për gazin; Shqipëria ende nuk ka prenotuar sasinë që i duhet

TAP_route_AlbaniaQeveria ka nisur paralelisht studimin e fizibilitetit dhe hartimin e masterplanit për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend, por nuk ka ende një marrëveshje me konsorciumin TAP për sasinë e gazit që do të shkojë për tregun shqiptar.

“Gjatë negociatave që janë bërë me TAP vitet e kaluara, mund të ishte negociuar më mirë pjesa e një sasie të dedikuar për tregun shqiptar pasi nga 10 miliardë metër kub që do përcjellë TAP nga kufiri i Greqisë me Turqinë në Itali, 8 miliardë janë prenotuar nga Italia, 1 miliardë nga Bullgaria dhe 1 miliardë nga Greqia. Ndërkohë që Shqipëria nuk ka prenotuar”, tha Endri Puka, drejtor i Albpetrolit.

Por përfaqësuesi i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo thotë se pavarësisht sasisë fillestare që do të transportohet me nisjen e punës në vitin 2019, gazsjellësi parashikohet të punojë me regjime më intensive se në fillim, duke lënë të hapur mundësinë e përfitimit të gazit për Shqipërinë.

“Pavarësisht se 10 miliardët e parë të kapaciteteve tashmë janë të caktuara, sërish ekziston mundësia që për nevojat konkrete që mund të ketë Shqipëria të gjendet hapësirë na kapacitetet e TAP. TAP-i shumë lehtë mund ta rrisë kapacitetin nga 10 deri në 20”, tha Bozgo, drejtor i TAP-it për Shqipërinë.

Përfaqësuesi i Entit Rregullator të Energjisë thotë se para nënshkrimit të marrëveshjeve për përfitimin e gazit nevojitet ndërtimi i infrastrukturës që duhet të jetë e gatshme brenda tre viteve.

“Kur të vijë gazi, nëse nuk paguan këtë sasi gazi, ti do paguash gjobën, nuk është kollaj”, tha Maks Shuli, përfaqësues i ERE-s.

Konsumatorët e parë që mund të përfitojnë nga gazi natyror çka që do të sillte kosto më të ulët në veprimtarinë e tyre janë TEC-i i Vlorës, rafineritë e Ballshit dhe Fierit si dhe Bankers, nevoja e të cilave përllogaritet në 500 mln metër kub.

/ Top Channel

Zgjedhjet, Glover raporton në PE: Partitë keqpërdorën komisionerët

gloverShefja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale të 2015-s, Audrey Glover raportoi përpara Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian konkluzionet e raportit përfundimtar për këtë proces elektoral.

“Është interesant fakti që PS, PD dhe LSI deklarojnë të gjithë se kanë vullnet dhe janë të gatshëm për të zbatuar rekomandimet, por duhet mbajtur shënim gjithashtu se shumë prej këtyre rekomandimeve janë shfaqur në raportet e zgjedhjeve të kaluara dhe nuk janë zbatuar deri më sot. Konkluzioni i raportit përfundimtar mbi zgjedhjet thotë siç po e citoj: Pavarësisht parregullësive, kuadri ligjor mund të ofronte bazën për zgjedhje demokratike. Megjithatë, partitë kryesore keqpërdorën shtrirjen e pushtetit dhe të përgjegjësisë së tyre brenda administratës zgjedhore dhe mungoi vullneti politik për ta zbatuar atë efektivisht”, deklaroi Glover.

Me një përvojë të mirë zgjedhjesh shqiptare që prej vitit 1996, ambasadorja Glover insistoi gjatë fjalës së saj mbi 3 çështje thelbësore: 1 – zbatimin e rekomandimeve në përgjithësi e veçanërisht ato më të përsëriturat në raport; 2 – që të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore të paktën një vit përpara zgjedhjeve të 2017, në mënyrë që elektorati të njihet me normat e reja në kohë; dhe 3- reforma e drejtësisë.

“Një punë impresionuese mund të arrihet vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar punon së bashku për të plotësuar punën e vet, duke mënjanuar kështu dublikimet”, tha Glover.

Konkluzionet e raportit përfundimtar të vëzhguesve të huaj pritet të përfshihen plotësisht në raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë.

“Kur bëhet fjalë për vlerësimin e zgjedhjeve ka vetëm një mision vëzhgues ndërkombëtar dhe ne e mbështesim të gjithë me aq sa mundemi. Unë theksoj se pajtohemi plotësisht me raportin, analizën e tij dhe rekomandimet e bëra”, tha ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së foli mbi fushatën sensibilizuese parazgjedhore, e përqëndruar enkas mbi votën familjare, dekriminalizimin e politikës dhe pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në mbikqyrjen e zgjedhjeve. Sipas saj, depolitizimi i zgjedhjeve është parësor, por po kaq të rëndësishme në fjalën e saj ishin dhe reforma e drejtësisë, pavarësia editoriale e medias dhe transparenca e financimit të partive politike.

“Ky është një problem i madh. Ne ende nuk kemi raporte monitoruese mbi mënyrën se si u financuan partitë në këto zgjedhje. Së fundi, ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje për t’u dhënë qytetarëve fuqi që të jenë pjesëmarrës më aktivë për të vëzhguar zgjedhjet”, nënvizoi më tej Vlahutin.

Siç pritej, seanca dëgjimore mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk pati shumë debat. Vetëm 4 eurodeputetë shprehën qëndrimet politike të grupeve kryesore.

“Zonja Glover dha një tablo të qartë për zgjedhjet lokale: pati hapa pozitivë, por dhe një sërë parregullësish si: akuzat për blerjen e votës, politizimi i administratës zgjedhore, mungesa e transparencës për financimin e partive politike e kështu me radhë. Këto janë anët negative të raportit dhe po kuptoj se rekomandimet që duhet të ishin zbatuar kohë më parë, nuk janë plotësuar ende. Prandaj mendoj se të dy palët, qeveria dhe Parlamenti shqiptar duhet të garantojnë se do punojnë mbi këto çështje për t’i zbatuar”, tha Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE.

“Këto janë probleme shumë serioze ku duhet të jetë e qartë përgjegjësia e marrë politike. Të gjitha këto çështje të mirëpërmendura në raport më japin përshtypjen se zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri nuk mund t’i përshkruajmë në të vërtetë si të lira e të ndershme. Personalisht jam shumë i shqetësuar edhe mbi një çështje tjetër në Shqipëri, dekriminalizimin e politikës. Megjithëse këto zgjedhje përbënin një shans për partitë politike që të merreshin me çështjen e dekriminalizimit, reagimi ishte shumë i mjegullt. Në fakt, unë nuk shoh ndonjë progres të qartë mbi këtë nga ana e qeverisë përgjatë 9 muajve të fundit”, tha Eduard Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë, nga PPE.

“Zgjedhjet lokale ishin kyçe, sipas shumë analistëve, për të nxitur më tej ritmin e vendit drejt plotësimit të objektivit të Shqipërisë për nisjen e negociatave. Ashtu si dhe në zgjedhjet e kaluara, ato e plotësuan vetëm pjesërisht këtë dhe pati mjaft parregullësi”, u shpreh Ilhan Kyuchyuk, grupimi liberal ALDE.

“Unë isha në Shqipëri si pjesë e delegacionit këtë fillimviti, 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe kujtoj se kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme mes opozitës dhe partive në pushtet, shumë presione e madje dhe kërcënime, apo shprehje të dhunës, çfarë ishte një situatë tërësisht e papranueshme”, deklaroi Igor Soltes nga grupimi i të gjelbërve.

Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin njoftoi eurodeputetët se gjatë këtij muaji nis dhe puna për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme të 2017-s dhe se ajo priste ngritjen e një komisioni të posaçëm ad-hoc për këtë qëllim.

/ Top Channel

Dita e parë e shkollës mes emocioneve dhe trafikut të rënduar

nxenesit shkollaRreth 30 mijë fëmijë do të ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, duke nisur një fazë të re e të gjatë në jetën e tyre. Ndërkohë, e hëna shënon fillimin e vitit të ri shkollor edhe për 489 mijë nxënës dhe 36 mijë mësues në të gjithë vendin.

Por me nisjen e vitit të ri shkollor Tirana është përballur me një trafik të rënduar. Kryebashkiaku Erion Veliaj planifikoi një plan për ditën e parë të shkollës për nxënësit e 9-vjeçareve dhe gjimnazeve, i cili duket se nuk është zbatuar.

Në orët e para të mëngjesit (07:00-08:00) rrugët kryesore të kryeqytetit ishin pothuajse të bllokuara nga vargu i makinave.

Të “stresuar” në këtë ditë nuk ishin vetëm fëmijët me prindërit, por edhe qytetarët e tjera të cilët u bllokuan në trafik për shkak të ngarkesës.

Bashkia e Tiranës lëshoi urdhrin e ri më 11 shtator për t’i mundësuar qarkullim të lehtë nxënësve që duhet të nisin shkollën në orën 08:00 .

Sipas urdhrit të kryetarit Veliaj, gjatë ditës ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të furgonave të transportit në unazën e vogël të Tiranës. Duket se ky urdhër nuk është zbatuar, pasi në rrugët brenda Unazës u vërejtën furgona, të cilët ndoshta nuk ishin vënë në dijeni për urdhrin e ri.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit do të garantohet transporti për 32 mijë nxënës, të cilët e kanë shkollën mbi 2 kilometra larg vendbanimit, si dhe transporti për 12 mijë mësues që punojnë mbi 5 kilometra nga vendbanimi.

Ndryshe nga shkollat e tjera në vend, në “Shkollën e Kuqe” nxënësit bojkotuan mësimin, pasi së bashku me prindërit kundërshtuan vendimin për të vendosur “Italishten” si gjuhë e parë e huaj pa u konsultuar më parë me ta.

Të gjithë fëmijët, që vitin e ardhshëm do jenë të ulur në bankat e shkollës fillore, sot nisën përgatitjen në parashkollor. Bashkë me nxënësit e 9-vjeçareve dhe të gjimnazeve, nisën mësimin edhe parashkollorët.

Kufizimet e qarkullimit të makinave në brendësi të Unazës së Vogël

Plani i lëvizjes së automjeteve në qytetin e Tiranës përfshin kufizim 24 orë i mjeteve në brendësi të unazës së vogël, përveç veturave, urgjencave, zjarrfikësit dhe autobusëve urban

Gjatë orëve të ditës do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve që furnizojnë dyqanet, marketet apo supermarketet me mallra të ndryshme. Subjektet tregtare mund të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese nga ora 20.00 e mbrëmjes deri në orën 06.00 të mëngjesit.

Ndërsa nga ora 6.00-20.00 do ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 3.5 ton (në Unazën e mesme të qytetit, në brendësi të saj, si dhe në rrugët Sulejman Delvina, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Elbasanit dhe Blv. Bajram Curri).

Po ashtu nga ora 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 18 ton (në brendësi të unazës së madhe të qytetit, si dhe në akset kryesore hyrëse në të).

Nga ora 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme deri në 25 ton (në akset kryesore hyrëse në qytet).

/Shekulli Online/

Perspektivë drejt Evropës dhe BE-së – Takim zyrtar mes Ramës dhe Seehofer

Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi të premten një vizitë në Landin e Bavarisë.Ishte hera e parë që një kryeministër shqiptar ftohet për një vizitë zyrtare në Mynih.

rama+seehoferKryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi të premten një vizitë në Landin e Bavarisë, ku ishte i ftuar nga kryeministri bavarez Horst Seehofer për një takim zyrtar. Gjatë këtij takimi, kreu i ekzekutivit nënvizoi së pari marrëdhëniet pozitive mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Kryeministri bavarez përmendi çështjen e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor dhe shprehu preokupimin e tij në lidhje me masat e njerëzve që vijnë edhe nga Shqipëria duke theksuar se njerëzit që vijnë nga Shqipëria nuk mund të kërkojnë azil politik, sepse shansi për t’i pranuar është thuajse zero.

Statusi i vendit të sigurtë të origjinës

Kryeministri Rama kërkoi sërish që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit të sigurtë të origjinës, pasi ky vend i plotëson të gjitha kriteret si i tillë. Rama theksoi se migracioni brenda kufijve të Europës është një fenomen që gjithmonë ka ndodhur në Evropë. Ai e krahasoi situatën me atë të vendeve evropiano-lindore si Bullgaria, pak kohë përpara se të antarësoheshin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se edhe ky proces dëshmon sa pranë portave të BE-së ndodhet Shqipëria.

“Rreth nje milion njerëz morën arratinë nga Polonia, Çekia, apo Bullgaria përpara se këto vende të bëheshin pjesë e familjes evropiane. Vetëm 14 për qind e popullsisë donin të rrinin në vendin e tyre. Tani, pas antarësimit në BE të paktën 40 përqind e popullsisë duan të rrinë në venden e tyre.

Rama e njohu kryeministrin bavarez edhe me ecurinë e procesit të Berlinit, si dhe hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përshpejtimin e procesit të integrimit europian.

Sistemi dual i arsimit – model i çmuar nga Gjermania

Kryeministri shqiptar theksoi sa i rëndësishëm është bashkëpunimi sidomos në fushën e arsimit profesional mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi në sektorin e arsmit profesional ka filluar tashmë të bartë frute qëkur Shqipqria implementoi edhe sistemin dual të edukimit, i cili është një model aq i suksesshëm nga Gjermania.

Nga ana e tij, kryeministri bavarez Horst Seehofer, në fund të takimit u shpreh se mbeti shumë i kënaqur dhe pozitiv nga ky takim:

“Shqipëria dhe Bavaria kanë marrëdhënie politike dhe ekonomike të shkëlqyeshme. Për këtë arsye unë i jam shumë mirënjohës kryeministrit, i cili na vizitoi sot, në mënyrë që ne t’i thellojmë marrëdhëniet që kemi. Ai më ka ftuar në Shqipëri dhe e ka paraqitur Shqipërinë kaq bukur sa që unë jam vërtet shumë kureshtar dhe do ta vizitoj këtë vend.“

Përsa i përket të ardhmes së përbashkët në Evropë, Seehofer u shpreh i bindur se afrimi është vetëm një element kohor dhe theksoi: “Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria në një kohë të parashikueshme të ketë një perspektivë drejt Europës dhe drejt BE-së.” (dw)

Nisja e shkollës, masat e Bashkisë së Tiranës për të shmangur trafikun

veliajNë prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kryebashkiaku Erion Veliaj, mblodhi 24 administratorët e Tiranës për t’u dhënë udhëzimet e fundit për përballimin e kaosit që shkaktohet në trafik.

Veliaj njoftoi një sërë masash për të shmangur trafikun.

“Do bllokohet qarkullimi brenda Unazës së Vogël për mjetet e rënda. Nga ora 6 deri në orën 9 të mëngjesit dhe nga ora 4 deri në orën 5 pasdite, ndalohet qarkullimi mjeteve të transportit të mallrave tregtare, pavarësisht tonazhit që kanë, brenda Tiranës. Asnjë mjet komercial nuk do të qarkullojë në Tiranë në këto orë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se do të bashkëpunohet ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit për projektin e shkollave komunitare.

“Tirana duhet të shndërrohet në pararojë e shkollës komunitare, ndaj projekti do të ketë nevojë për ndihmë nga ana e të gjitha njësive administrative”, tha ai.

/ Top Channel

Shqipëria, e parafundit në Ballkan për transparencën mbi buxhetin

kalkulimShqipëria renditet në Ballkan ndër vendet me transparencën më të dobët mbi buxhetin. Rumania ka dalë më mirë nga të gjitha vendet e Ballkanit, në një klasifikim të ri në lidhje me transparencën e pikave të buxhetit. IBP për vitin 2015 i rendit vendet e Ballkanit shumë ndryshe në shkallën globale.

Në indeksin 2015, Rumania doli në vendin e nëntë globalisht, me një indeks 75 nga një maksimum prej 100. Tre shtetet me pikët më të larta ishin Zelanda e Re, Suedia dhe Afrika e Jugut. Ndërsa Shqipëria u vlerësua me 38 pikë për transparencën në buxhet.

IBP është një OJQ në Uashington, që monitoron transparencën e buxheteve shtetërore në botë, si tregues të llogaridhënies publike.

Kërkimi mat transparencën e buxhetit, mundësinë e pjesëmarrjes publike në të dhe forcën e institucioneve që e mbikëqyrin ekzekutimin e tij.

Pikët e buxhetit të hapur varionin nga 0 deri në 100, ky 100 pikë ishte vlerësimi më i lartë.

Të gjitha shtetet ndahen në kategori, me shtetet që arrijnë pikët e mjaftueshme mbi 61 dhe ato të pamjaftueshme nën 60.

Në Ballkan, pas Rumanisë për më shumë transparencë renditet Bullgaria me 65 pikë. Brenda grupit të shteteve me buxhete të hapura “jo mjaftueshëm” ishte Kroacia, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina. Ato morën respektivisht 53, 47 dhe 43 pikë.

Shqipëria u vlerësua me 38 pikë për transparencën në buxhet, ndërsa Maqedonia e fundit me 35 pikë. Këto shifra vlerësohen si transparenca minimale të buxhetit.

/Shekulli Online/

Rama në Mynih për ekonominë, arsimin dhe azilin

Rama-MynihBashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe rajonit të Bavarisë, bashkëpunimi në fushën e arsimit profesional dhe universitar dhe çështja e azilantëve do të jenë në fokus të vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Mynih.

Lajmi për vizitën zyrtare të shefit të qeverisë bëhet i ditur nga Zyra e Shtypit në Kryeministri. Sipas komunikatës, Kryeministri Rama ka nisur sot vizitën zyrtare në Mynih, i ftuar nga Kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer.

Gjatë kësaj vizite, Rama shoqërohet nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Dy delegacionet do të takohen ditën e premte (11 shtator), ku do të diskutojnë me Kryeministrin Seehofer mbi çështjet e interesit.

/Shekulli Online/

BE: 7 vendet që përcaktohen si “të sigurta”

BEPresidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shpalli një listë të veçantë të BE-së për 7 vendet që ajo i përcakton si të sigurta: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Turqia.

Sipas propozimit të zgjeruar të shpallur nga zoti Juncker, qytetarët e këtyre vendeve do të përballen me deportime me procedurë të përshpejtuar, nëse kërkojnë strehim në Bashkimin Evropian.

Në bazë të propozimeve të reja, emigrantët ekonomikë kërkesat e të cilëve për status refugjati dështojnë, do të kthehen mbrapsht më shpejt se të tjerët. Bashkimi Evropian po punon me vendet e ndryshme që ato të kthejnë më shumë njerëz në shtëpitë e tyre. (voa)

Prenga dhe Ndoka, flet ambasada amerikane

Përfaqësia diplomatike shprehet se mirëpret dorëheqjen e deputetit të PS, Ndoka dhe lejen e parlamentit për arrestimin e deputetit tjetër Prenga. “Përparim i mirëfilltë për një sistem politik me drejtues të standardeve më të larta etike”

ambasada USA tiraneNë Shqipëri ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi sot në mbrëmje se “mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga”.

Deputeti socialist Ndoka, i cili njoftoi një ditë më parë tërheqjen nga mandate parlamentar, ishte akuzuar shpesh për të kaluarën e tij dhe dënimin e marrë në Itali në akuzën e trafikut të prostitucionit. Madje, ndonëse nuk përmendej me emër, rasti i tij u citua dhe në raportin e fundit të Departamentt amerikan të Shtetit për Trafikimin e personave. Ndoka në letrën e tij të dorëheqjes pretendonte se ai është dënuar gabimisht dhe se do të kërkonte me të gjitha rrugët ligjore të pastronte emrin e vet të njollosur sipas tij padrejtësisht.

Deputeti tjetër socialist Armando Prenga përfundoi në pranga pasi dyshohet se u përfshi të shtunën në një konflikt të dhunshëm ku pati 7 të plagosur mes të cilëve dhe dy me armë zjarri. Pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij dhe autorizimin për të kërkuar arrestin, Gjykata e Lartë rikonfirmoi sot mbajtjen e tij në qeli.

Për të dy rastet, ambasada e Shteteve të Bashkuara thekson se “këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike”. Përfaqësia diplomatike amerikane dhe ambasadori Donald Lu prej muajsh kanë kërkuar me forcë që politika shqiptare të pastrohet nga elementët e inkriminuar. (voa)