Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

BB: Raporti mbi Lehtësinë e të Bërit Biznes

Në raportin e sapo-botuar mbi lehtësinë e të bërit biznes, Banka Botërore thekson se në Shqipëri ky tregues është përmirësuar me 6.3 pikë, ndërsa në Kosovë me 1.8 pikë. Raporti vjetor, mbi praktikat më të mira për klimën e biznesit, arrin në përfundimin se gjatë vitit të kaluar, qeveritë në shkallë globale vazhduan të vënë në zbatim reforma të gjera për të përmirësuar sistemin rregullator në ndihmë të klimës për biznes. Raporti thekson se ekonomitë që arrijnë përmirësim si në procedurat rregullatore, ashtu edhe në forcimin e institucioneve që mbështesin tregtinë, biznesin dhe sipërmarrjen e hapur, mundësojnë rritje dhe zhvillim më të fuqishëm.

Në kapitullin për Shqipërinë, raporti thekson se u përmirësuan kushtet për hapjen e një biznesi të ri, me uljen e tarifave të regjistrimit të biznesit. Po ashtu raporti identifikon përmirësime në sektorin e ndërtimit, ku nënvizon se ka rifilluar nxjerrja e lejeve të ndërtimit si dhe janë konsoliduar në një dokument të vetëm lejet për truallin dhe për ndërtimin. Gjatë vitit të kaluar raporti vëren përparim edhe në transferimin e pasurisë, me vendosjen e afateve kohore dhe dixhitalizimin e dokumentacionit për pasuritë e patundshme.

Banka ngre gjithashtu problemin e rritjes së kostos së operimit për kompanitë, të cilave u është rritur norma e taksimit mbi të ardhurat e biznesit.

Raporti arrin në përfundimin se klima e zhvillimit të biznesit në Shqipëri është përmirësuar me 6.3 pikë.

Kosova

Në vlerësimin për Kosovën, raporti vëren përmirësime në nxjerrjen e lejeve të ndërtimit pas krijimit të skemës së re të inspektimit dhe uljes së tarifës për marrjen e lejes. Po ashtu Kosova vlerësohet për thjeshtësimin e procesit të zbatimit të kontratave, duke futur në funksionim sistemin e garantuesit privat.

Ndër vërejtjet përmendet ndërlikimi i procesit të transferimit të pasurisë si rezultat i rritjes së tarifës për regjistrimin e transaksioneve për regjistrim.

Por edhe në rastin e Kosovës, Banka Botërore shprehet pozitivisht, duke vërejtur një përmirësim prej 1.8 pikësh drejt arritjes së standardit të vendeve më funksionale lidhur me klimën e biznesit.

Ky është viti i 12-të që Banka Botërore nxjerr një raport mbi klimën e zhvillimit të biznesit. Raporti i parë doli në vitin 2003. Ky raport vlen si një analizë e rregulloreve në nivel mikro-ekonomik për të ofruar një pasqyrë të klimës së biznesit. Raporti përqëndrohet në rregulloret për bizneset e vogla dhe të mesme, duke analizuar 10 indikatorë: hapjen e një biznesi, nxjerrjen e lejeve të ndërtimit, shërbimin elektrik, regjistrimin e pasurisë, marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorëve pakicë, pagimin e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe procedurat e kompensimit të kreditorëve.

Analiza nuk shqyrton faktorë si siguria në vend, stabiliteti makroekonomik, niveli i korrupsionit, aftësia e krahut të punës, funksionaliteti i institucioneve apo infrastruktura e shërbimeve. (voa)

Vjedhja e energjisë, inspektohen bizneset në Tiranë-Durrës, Gjiknuri: Tolerancë zero

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike ka nisur nga bizneset e mëdha. Operacioni ka vijuar sot me inspektimin e bizneseve në autostradën Tiranë-Durrës.Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri theksoi se aksioni do të jetë i përditshëm dhe asnjë abuzues nuk do të tolerohet.

“Kjo është një betejë e njerëzve të ndershëm dhe abuzuesve. Sot ka pasur disa raste arrestimesh nga policia. Tolerancë zero ndaj atyre që vjedhin energjinë.”- deklaroi ministri Gjiknuri.

Qeveria lançoi dje planin operacional të masave dhe ndërhyrjeve kundrejt vjedhjeve dhe abuzimeve me energjinë elektrike.

Takimi kombëtar i organizuar me temë “Mbrojtja e energjisë dhe lufta kundër krimit urban, sfida të përgjegjësisë publike” shënoi edhe nisjen e aksionit kombëtar për evidentimin dhe vendosjen përpara ligjit të të gjithë vjedhësve dhe abuzuesve të energjisë elektrike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje, se ata që vjedhin energjinë do të dënohen me 3 vjet burg, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre me 5 vjet.

(er.nu/BalkanWeb)

Nis operacioni kundër vjedhjes së energjisë, Rama: Burg autorëve, varfëria s’është arsye

Qeveria shqiptare nis sot një aksion kombëtar, për evidentimin dhe arrestimin e të gjithë atyre që vjedhin energjinë elektrike. Në orën 10:00 ka nisur në Pallatin e Kongreseve një takim me temë “Takim kombëtar. Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”, që do t’i japë shtysë fillimit të aksionit me dorë të hekurt në terren. Në takimin ku kryeministri Rama pritet të bëjë publike detajet e aksionit, janë të pranishëm rreth 2 mijë pjesëmarrës.
Ky aksion kombëtar u njoftua pesë ditë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se operacioni do të nisë fillimisht ndaj bizneseve të mëdha, ku dyshohet se ka vjedhje masive të energjisë elektrike.

RAMA: NUK E SHOHIM KONSUMATORIN SI ELEKTORAT, LE TE MOS NA VOTOJNE, NE DO MBAJMË ZOTIMET
Operacion të fuqishëm, të hekurt dhe me kosto do të jetë ky ndaj vjedhjes së energjisë elektrike. Këtë e ka pohuar vetë kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën mbi Planin Operacional mbi vjedhjen e energjisë elektrike’. Sipas Ramës operacioni do të prekë shumë persona që dhe do i kthejnë kurrizin dhe nuk do e votojnë, por kjo nuk e bën shtetin të tërhiqet nga zotimet e bëra.

“Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë në shumë cmime dhe që dikush do na kthejë kurrizin dhe që dikush të na marrë mëri e mos na votojnë sepse detyra jonë është që të udhëheqim duke treguar të vërtetën dhe për të mbajtur zotimet tona duhet të bëjmë të gjitha operacionet. Se një i sëmurë me kancer si sektori energjetik nuk mund të ngrihet në këmbë sepse ndryshon mjeku apo spitalin sepse shpëtoi nga një spital që më shumë prodhonte më shumë dëshpërim se shpresë. Është një ilac i hidhur ky që ne kemi zgjedhur ne” .

Qëllimi i këtij operacioni, sipas kryeministrit është që të kthejë sektorin energjetik nga një pasuri që vidhet në një pasuri përfitimi dhe rritje ekonomike.
“Operacion të thellë që synon të kthejë faqen në këtë sektor duke kthyer energjinë nga një pasuri që vidhet lirisht në një burim mirëqënie dhe rritje ekonomike në një burim përfitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët me premisën që kushdo që e konsumon e paguan”.

Rama shprehet se nuk beson që varfëria është arsyeja kryesore e vjedhjes së energjisë.
Varfëria, tha ai, nuk është shkaku i vjedhjes së energjisë, pasi këtë nuk e bëjnë pensionistët, që janë pagues te rregullt te asaj qe konsumojne.
“Nuk është varfëria asrsye që edhe në sallë ka bashkëpunëtorë të hajdutëve të energjisë elektrike.
Operacioni fillon sot në mbarë territorin. Por nuk besoj se varfëria është arsye e vjedhjes së energjisë. Nuk besoj se e bëjnë nga varfëria kompanitë e mëdha lokale në qendër të Tiranës që paguajnë energji elektrike sa një konsumator në Tiranë. As nuk janë të varfrit ata që lidhin energjinë për të lidhur poçin apo ndezur televizorin se ne zhytemi çdo vit 150 milionë euro në gropë. Nuk është varfëria që 20 vjet e bëri marrëdhënien me konsumatorin si marrëdhënie elektorale. Lala Gjoni nuk do lejonte që çmimi i energjisë të ishte i drejtë për të gjithë e me të gjithë.
Por ndodhi se s’ka pasur asnjëherë një shtet që t’u thotë stop, as gjykatë që ti dënojë. As varfëria që institucionet publike të këtij vendi të jenë debitore të hatashme ndaj sistemit të shpërndarjes dhe nuk është varfëria që ujësjellësat të jenë një sistem plotësisht i falimentuar”.

“Energjia është jetike, po dhe buka është jetike, por në dyqan nuk i shkon mendja të shkojë e mos e paguajë. As të shkojë në një dyqan të marrë ujin dhe ta marrë pa paguar. Atëhere ku ndryshon energjia elektrike nga këto? Si mund që të pranojmë pra që të vidhet energjia”.

Kryeministri garanton se nga disa e sotme do vendoset në binarët e drejtësië dhe mos i shkojë më në mendje kujt të vjedhë më energjinë elektrike.

Më tej, Rama vuri në dukje se në 20 vjedhja e energjisë u tolerua nga qeveria që shihnin konsumatorin si elektorat. Ndërkaq, tha ai, tanimë vjedhja duhet të konsiderohet një krim i rëndë si gjithë krimet e rënda dhe të ndëshkohet. Ai solli në vëmendje si shembull shtetin e Norvegjisë.
“Vjedhja është bërë e pandëshkueshme për 20 vjet me radhë në një Shqipëri ku vjedhja e energjisë duhet të përfshihet njësoj si dhe krimet e tjera, në një krim të dënueshëm dhe në rast përsëritje, i dënueshëm dhe më shumë. Para pak ditësh pata mundësinë të takoj, Drejtorin e Përgjithshëm të kompanive më të fuqishme në botë, Shtatkrafti i Norvegjisë, i cili më tregoi sesi Norvegjia në një vend ku vdisje urie dhe njerëzit detyroheshin të braktisnin vendlindjen e tyre në një vend që sot është një superfuqi reale energjitike, dhe që për shkak të transformimit rrënjësor të qasjes dhe administrimit të burimeve energjetike hyn sot në vendet më të mirqëna të botës. E pra nëse Norvegjia u bë mund të bëhemi dhe ne”.

Kryeministri Rama tha se me paratë e vjedhura nga hajdutët e energjisë elektrike, vendi do kishte përfituar më shumë shkolla të reja, rrugë dhe spitale, prandaj sqaroi, ai nuk kemi luksin që t’i tolerojmë

“Ne nuk kemi luksin t’i heqim vetes 150 shkolla të reja në vit dhe të bashkëjetojmë me hajdutët, t’i heqim vetes 100 km rrugë dhe të pranojmë se nuk do bëhen se do vidhen me një arsye, të mos ndërtojmë 6 spitale se duhet ti vjedhin hajdutët e energjisë. E kemi krejt të pamundur, s’kemi se si të pranojmë se gjithçka që ne së bashku ia paguajnë invalidëve para dhe tetraplegjikëve të jetë e barabartë me atë që na e vjedhin hajdutët e energjisë elektrike”, tha Rama.

Sipas tij, asnjë qeveri nuk e ka bërë këtë reformë duke menduar për zgjedhjet, por shtoi se më 23 qershor ai e mori mandatin për të bërë zgjedhjen e duhur që Shqipwria të ndryshojë faqen.

“Reforma nuk është bërë asnjëherë sic duhet, të gjithë e kanë shtyrë se ka zgjedhje. Ne në këtë detyrë nuk jemi për tu rizgjedhur me çdo kusht por që Shqipëria me çdo kusht të ndryshojë faqe, të bëhët shtet, të rritet ekonomikisht për tu bërë një vend normal, i bazuar në pasuritë që ka, për të garantuar mirëqenie dhe begati. Nuk mund ta bëjmë po të bashkëjetojmë me këtë humbje, që në 4 vitet e ardhshme mund të na japë fitim”, shtoi ai.

Sipas Ramës, “Sot me shumë rëndësi ka që policia të përfshihet në këtë operacion njësoj si për krimet në territor, siç i konsiderojmë ndërtimet pa leje”

Më tej, kryeministri shtoi se opozita i ka dalë në mbrojte hajdutëve. “Opozita merr në mbrojtje hajdutërinë, fillon nga CEZ a thua se CEZ-in e sollëm ne dhe humbjet i sollëm ne, a thua se atë privatizim të dështuar e bëmë ne”.

Ndër të tjera, Rama hodhi poshtë edhe akuzat e bashkisë për prishje selektive të ndërtimeve në kryeqytet. “Opozita flet edhe për ndërtimet pa leje për prishje selektive. Ne e mbajmë mend që bashkia drejtohet nga ata, është e lehtë që për çdo objekt që konsiderohet i lënë aty nga zgjedhja selektive mund të shkohet dhe të bëhet prishja. Në shumë raste ne kemi fakte që kanë ndërtuar në trotuar dhe për këtë kanë marrë legalizime dhe tapi”.

Kreu i ekzekutivit i bëri apel të gjithë sistemit të drejtësisë të bëhet bashkëpunues në këtë reformë të nisur që sot dhe të ndëshkojë me 3 vite burg çdo person që kapet duke vjedhur energji elektrike dhe me 5 vite bashkëpunëtorët e tyre, brenda OSHE, ashtu siç thotë ligji.

“Duhet të shkojmë përpara patjetër. Drejtuesit e drejtësisë, Prokurorisë, Gjykatave, të zbatojnë normën e miratuar nga Kuvendi. Nuk ka më gjobë, por 3 vjet burg kush kapet duke vjedhur energji dhe 5 për ata që bashkëpunojnë brenda OSHE. Janë dy dënime që gjykatat ti zbatojnë siç janë shkruar. Se si një gjykatës mund të rilidhë energjinë për konsumatorë që kompania i konstatoi si shkelës, duke e zhytur kompaninë në borxhe dhe duke e detyruar t’i lidhë energjinë shkelësit, në vend që ta fuste në burg, këto janë raste që mbeten për tu studiuar”, tha Rama.

Rama u shpreh besimplotë që ky operacion do dalë me sukses, pasi siç përmendi ai “e nisim nga hajdutët e mëdhenj”, ku veçoi pellgun Tiranë-Durrës, tek i cili është përqendruar 60% e problemit.

“Të forcojmë sistemin e shpërndarjes, do vijojmë me procesin e menaxhimit të kompanisë në kuptimin e marrjes së një strukture të huaja menaxhimi. Zgjidhja e problemit nuk është rritja e çmimit të energjisë, fasha më shumë se mbrojtje e familjeve në nevojë është kthyer në maskë për më të fortët. Është tek fasha që ne do synojmë të çelim rrugën e reformës për të çelur një drejtësi më të fortë. Luftë të përditshme me hajdutët jashtë dhe brenda sistemit të OSHE. Le të fillojmë kudo aty ku janë burimet më të mëdha”, apeloi Rama.

GJIKNURI: TË SHMANGIM KOLAPSIN, AKSIONI TERAPI E NEVOJSHME KUNDËR TUMORIT
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri theksoi domosdoshmërinë e aksionit kundër abuzuesve me energjinë elektrike, për të shmangur kolapsin e sistemit energjetik. Në takimin e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, Ministri Gjiknuri tha se përfshirja e forcave policore në këtë aksion mund të duket e panatyrshme, por sipas tij, situata e krijuar është një emergjencë, për përballimin e së cilës nevojitet mbështetja e organeve të drejtësisë.
“E ardhmja e sektorit energjetik varet edhe nga veprimet jetike që do të ndërmarrim në muajt në vijim. Roli i organeve të drejtësisë është kyç.
Sektori energjetik ka plagë të thella, të trashëguara të cilat na kanë sjellë në këtë pikë ku jemi. Ajo çka pret publiku nga ne është se pas kësaj terapie aq të nevojshme çfarë perspektive do të ketë sektori energjetik. Ne gjetëm një kufomë energjetike. Duhet të shmangim kolapsin, ky aksion është terapi e nevojshme kundër këtij tumori.”- deklaroi ministri Gjiknuri.

Ministri i Energjetikës theksoi se përveç qytetarëve, përgjegjësi për vjedhjen e energjisë kanë edhe persona brenda kompanisë, (faturistë, elektricistë), që siç tha ai duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

Ndër të tjera, ministri Gjiknuri nënvizoi se duke ndryshuar modelin e tregut, do të bëhet e mundur që HEC-et private të shesin energjinë direkt dhe të mos mbeten barrë mbi KESH-in.

“HEC-eve do t’ju sigurojmë të gjitha të drejtat që kanë nga kontrata por nuk do të jenë më një mbibarrë mbi KESH. Duke ndryshuar modelin e tregut, duke bërë që HEC-et private të shesin energjinë direkt dhe të jenë të parat në radhe sa herë ka nevojë për energji. Do të shlyejmë detyrimet e prapambetura të HEC-eve private.”- deklaroi Gjiknuri.

AHMETAJ: REFORMA E DOMOSDOSHME PER ZHVILLIMIN EKONOMIK
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, mori pjesë sot në konferencën energjetike me temë: “Takim kombëtar. Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”.

Ministri Ahmetaj u shpreh gjatë fjalës së tij se reforma në sistemin elektroenergjetik është e domosdoshme për të çliruar zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa pohoi se 150 milionë euro humbasin çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike.

“I gjithë prodhimi i Kaskadës së Drinit tretet në det pa dhënë asnjë efekt në zhvillimin ekonomik. E pra, thelbi është pikërisht te kjo gangrenë që duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Më tej, Ministri Ahmetaj tha se vjedhja e energjisë elektrike është një krim në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe i bëri thirrje sipërmarrjes se nuk mund të realizojë fitim nëpërmjet mospagesës së energjisë.

“Besoj qe ky takim është një moment historik. Kur t’i kthehemi mbrapa do të krenohemi që kemi filluar një epokë të re jo thjeshtë për sistemin apo sektorin energjetik të vendit, por për gjithë zhvillimin ekonomik. Energjia elektrike ka mbi 20 vite që është gangrenë, qoftë për qytetarin, qoftë për zhvillimin ekonomik. Po shihja më vëmendje të gjithë shifrat dhe të gjithë luhatjet që kanë ndodhur me sistemin elektroenergjetik në 22 vite dhe më bëri përshtypje që kulminanca e asaj që sot vazhdon të jetë traditë, e vjedhjes së energjisë elektrike, e abuzimit të një pjese në kurriz të qytetarit, klientit dhe konsumatorit të ndershëm, ka kulmuar në 1997 dhe aty papritmas u kujtova që kjo është një skemë piramidale që duhet zhdukur nga trupi i ekonomisë shqiptare. Po, sistemi elektroenergjetik shqiptar ka funksionuar si një skemë piramidale dhe unë vërtet jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që sot ne kemi vendosur të bëjmë kthesë”, tha ai.

Sipas ministrit “150 milionë euro humbasin çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike! Shkrihen, treten në lumenj dhe përfundojnë në det, për shkak të vjedhjes, keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Imagjinoni që i gjithë prodhimi i Kaskadës së Drinit tretet në det pa dhënë asnjë efekt në zhvillimin ekonomik. E pra, në diskutimin tonë për rritje apo ulje të çmimit, nuk është aty thelbi. Thelbi është pikërisht te kjo gangrenë që duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë”.

TAHIRI: SHQIPËRIA INFORMALE DHE PALIGJSHMËRIA DUHET TË MARRIN FUND
“Shqipëria informale dhe paligjshmëria duhet të marrin fund njëherë e mirë, ndaj Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për ta bërë të mundur”. Kështu deklaroi sot Ministri i Punëve të Brendshme, Samir Tahiri, gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që energjia elektrike të mos trajtohet më si mall pa zot.

“Nëse dëgjoni që do ju thonë se po ndërtojmë një shtet policor, kuptoni që janë ata që deri dje nuk bënë shtetin kur ishin në pushtet. Ne thjesht vendosëm bashkë me qytetarët në 23 qershor të zbatojmë ligjin që ishte në fuqi edhe kur ne nuk ishim në krye të këtij vendi. Pavarësisht se ka gjyqtarë që e kanë kthyer në pazar dhënin e drejtësisë, kjo nuk duhet të na dekurajojë. Kush ndërton pa leje, kush pret pyjet, kush vjedh energjinë në mënyrë sistematike nuk duhet të ketë të njëjtat të drejta me qytetarët që e zbatojnë ligjin.”- deklaroi ministri Tahiri.

CIPA: POLICIA E SHTETIT NË KRYE TË DETYRËS EDHE NË KËTË AKSION
Kreu i policisë së Tiranës, Ardian Cipa deklaroi gjatë këtij takimi se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do jetë në krye të detyrës, për të bashkëpunuar me punonjësit e OSHE-së dhe Prokurorinë në evidentimin e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike.

Cipa tha se, “Kemi një plan të posaçëm mbi evidentimin ndërprerjen dhe hetimin e personave apo subjekteve private që vjedhin energjinë. Ky është një proces që konsiston në raportimin e punonjësve të OSHE për personat që vjedhin energjinë, për linja të dyta ata do të evidentojnë abonentët e rregullt, ata pa kontrata si dhe vjedhësit. Bashkëpunim edhe me policinë për të hetuar dhe arrestuar këta persona”, shtoi ai.

Sipas Cipës, “Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës, rikthejmë autoritetin e shtetit dhe përmirësojmë financat”.
(d.b/er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Rama: Fitorja e asaj nate më e madhe se 3 pikë. UEFA minus të madh vetes para racizmit

Pas vendimit të padrejtë të UEFA-s ‘për të ndarë në mënyrë të barabartë fajin’ e incidenteve të ndodhura mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd, në ndeshjen mes Serbisë e Shqipërisë, vjen edhe reagimi zyrtar i kryeministrit Edi Rama.Kreu i qeverisë shprehet se më ketë vendim për të vënë një shenjë barazie mes Serbisë dhe Shqipërisë, UEFA i vuri vetes një minus të madh

“UEFA vuri një shenjë të padrejtë barazimi mes pritësve që kanë përgjegjësi për gjithçka që ndodh në fushë dhe palës mike që nuk çoi asnjë tifoz. UEFA i ka vendosur vetes një minus të madh përmes racizmit e dhunës, është përpjekur ti lagë të dyja palët njësoj. Ka dashur të japë një mesazh duke i penalizuar thuajse njësoj edhe pse serbët do vënë kujën për padrejtësi ndaj tyre”, tha ai.

“Shqipëria nuk e meriton këtë vendim, po të jetë nevoja do shkojmë në shkallët më të larta të drejtësisë, kam besim se do gjykohet më drejtë”, shtoi kryeministri.

Duke u ndalur tek akuzat e opozitës, e cila i bëri thirrje Ramës që ti ‘përvishet punës’ sa i takon procesit gjyqësor që do të ndjek.

“Ju shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. Jam po aq i zemëruar po as ta. Por nuk dua që zemërimi të na djeg qarkun. Pasi bëhemi më qesharak para botës. UEFA ka dhënë një vendim politik. Por jo me politikën tonë të jashtme, por ka të bëjë me polikun e brendshme. UEFA nuk i dëgjon vendimet e qeverive, apo ato nuk ndryshohen dhe ndikohen. Kush i jep këto receta të kriticizimit ballanik është i paditur.”-tha Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se, rruga e drejtë është ajo që do të ndërmarrë Federata Shqiptare e Futbollit gjatë rekursit. “Avokatët që po ndërmarrin këtë nismë janë më të afirmuar në këtë çështje. Dhe gjykata e UEFA nuk janë si ato shqiptare.”-shtoi Rama. Më tej kryeministri Rama tha se, ajo që futbolliastët e kombëtares treguan në ndeshjen me Serbinë ishte një fitore e madhe, madje më e madhe se 3 pikët që mund të merrte në tavolinë.

Më tej kryeministri Rama tha se, ajo që futbollistët e kombëtares treguan në ndeshjen me Serbinë ishte një fitore e madhe, madje më e madhe se 3 pikët që mund të merrte në tavolinë.

“Nuk jemi nisur të fitojmë kampionatin evropian dhe as e kërkojmë këtë nga futbollistët tanë. Fitorja e asaj nate ishte me e madhe se 3 pikë”.

Kryeministri Rama tha më tej se Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të ketë mbështetjen e qeverisë. Sipas Ramës, fitorja më e madhe e futbollistëve të Kombëtares ishte mishërimi i tyre.

“Djemtë e Kombëtares dhe trajneri i mençur me eksperiencë, nuk duhet të ligështohen nga padrejtësia e sotme. S’duhet të harrojmë se shkuan në Beograd si futbollist dhe u kthyer si mishërimi i kombit tonë. Kjo është fitorja e madhe e tyre nën fanelën Kuq e Zi dhe misioni i tyre nuk është të fitojnë kampionatin Evropian, por atë të mishërimit. Mbështetja ime dhe për kombëtaren sapo ka filluar. Në rrugën që vazhdon do jemi më shumë se njëherë për kombëtaren kuq e zi. Qoftë fal futbollistëve, qeverisë dhe sportistëve të shumë fushave. Që do të kenë mundësi të na bëjnë krenar në shumë fusha të tjera.”-bëri të ditur Rama.

Ndërsa në lidhje me mënyrën si do ta presin në Beograd, Rama shtoi “Secili mban përgjegjësi për veten e vetë, secili përcakton me gjuhën dhe sjelljen e vetë lartësinë e dinjitetit të vetë”.

Stadiumi i ri i Shkodrës gati më 11 tetor 2015
Gjatë daljes së tij publike para gazetarëve, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se stadiumi i ri i Shkodrës do të jetë gati më datën 11 tetor 2015, datë e cila përkon me inaugurimin e stadiumit “Elbasan Arena”.

“Sot kam marr dhe një vendim, për ti vënë një datë të stadiumit të ri të Shkodrës, 11 tetor 2015. Në ndeshjen e kthimit Shqipëri-Serbi, do të ketë vend për të paktën 20 mijë zemra Kuq e Zi. 11 tetori më është fiksuar nga çelja e stadiumit të Elbasanit dhe përfundimin në 11 tetor e shoh si momentin për të bërë gati çeljen e stadiumit.”-tha Rama.

Pyetje nga gazetarët
Në vendim e UEFA nuk ka asnjë fjalë që dënohet racizmi. A mendoni se e ka përligjur atë dhunë që panë në Beograd?
Isha i qartë në atë çka thash. Por dëshiroj që ti ftojë të gjithë që të mos bëjmë deklarata të papjekura. UEFA nuk mund të përligj racizmin. Pro kini parasysh se gjykimi ka disa shkallë dhe ka natyrën e vetë kur vjen puna tek Komisioni i Disiplinës së UEFA-s. Ku tema e racizmit do jetë një temë themelore e rekursin të FSHN-së pasi janë paraqitur provat. Objeksioni themelor i bërë ndaj skuadrës sonë ka qenë refuzimi i kthimit në fushë, pasi do kundërshtohet fortë. Për racizim dhe huliganizmin që e bënë të pamundur

Ju thoni se është një shtet më vete UEFA dhe s’ka ndikim politik. Por si shpjegohet se është në sinkron BE me vendimin e UEFA. A ja vlen të jemi kaq evropian?
Së pari të jeni të bindur se ti kthehemi vendimeve të trupës që dha vendimet e sotme, do gjeni shumë të tilla, me mbështetje politike. Që kanë rënë viktimë e një gjykimi që e kanë gjykuar të padrejtë. UEFA nuk është një strukturë që mund të tërhiqet për hunde apo të drejtohet nga qeveritë. Por ajo është një strukturë më vetë. Po më kujton disa reagime të disave që shkruajnë e komentojnë për disa këto ditët e fundit. Fakti që dikur vjedh, s’do të thotë se duhet tua kthejmë me të njëjtën mënyrë. Ne nuk na bën nevoja për të imituar dikë, dhe as na detyron njeri që të jemi evropian apo të sillemi si evropian. As BE e as NATO dhe as një forcë e mbinatyrshme. Ashtu siç kush na detyroi

Fjala e plotë e kryeministri Rama
Sot UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi për çka ndodhi në stadiumin e Beogradit. Duke thënë Shqipëria e humbet ndeshjen në tavolinë pse nuk u fut në fushë, ndërsa Serbia nuk i merr pikët pse tifozët hynë në fushë, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen.
Duke dënuar të dy palët me nga 100 mijë euro, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj.
Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës. Që dalin thuajse krejt pa lagur nga ky shi masash, ku UEFA është përpjekur t’i lagë të gjithë njësoj.

UEFA ka dashur t’i japë një mesazh të dyja vendeve duke i penalizuar të dyja thuajse njësoj, edhe pse jam i sigurt se pala serbe me siguri do të verë kujën që është viktimë e një padrejtësie të tmerrshme mbi të. Por kjo nuk është drejtësi dhe Shqipëria nuk e meriton të vendoset në anën tjetër të shenjës së barazimit, pas gjithë asaj që ndodhi në sytë e mbarë botës. Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera, dhe dua t’u them të gjithë shqiptarëve të lënduar nga ky vendim se nuk është hera e parë që UEFA merr vendime që apelohen e pastaj edhe revokohen në shkallët më të larta.

Ashtu siç dua t’ju them edhe që askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë…

Vura re komente të kësaj natyre në rrjetet sociale, të cilat janë për të ardhur keq. Ndërsa disave që hidhen përpjetë duke forcuar tonet nacionaliste dhe duke arritur ta lidhin vendimin e UEFA-s deri me mosanullimin e vizitës sime në Serbi, u shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. E kuptoj mirë zemërimin e tyre, jam po aq i zemëruar sa kushdo prej tyre, por nuk duhet lejuar zemërimi të na djegë qarkun e arsyetimit. Sepse përveçse të padobishëm për veten, bëhemi edhe qesharakë para dynjasë. UEFA ka dhënë padyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Europian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive.

Politika e brendshme e UEFA-s nuk ridimensionohet me sulme verbale të qeverive dhe vendimet që burojnë nga kjo politikë, nuk ndikohen as ndryshohen duke i hapur luftë politike UEFA-s. Kush i jep këto receta primitivizmi ballkanik përveçse i inatosur, është edhe krejt i paditur. Ka vetëm një rrugë për Shqipërinë, lidhur vendimin e sotëm: Rruga që po ndjek Federata Shqiptare e Futbollit. Vazhdimi i betejës për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të gjykimit. Provat janë kokëfortësisht në favorin e palës sonë. Avokatët e huaj që asistojnë federatën tonë janë ndër më të njohurit dhe respektuarit në planetin e UEFA-s. Eksperienca tregon se gjykatat e UEFA-s nuk janë si gjykatat e Shqipërisë dhe nuk pyesin fare për linjën e brendshme politike që dikton shpeshherë vendimmarrjen e Komisionit të Disiplinës brenda UEFA-s. Në mbyllje dua të shtoj se sot kam marrë vendimin për t’i vënë një datë çeljes së dyerve të stadiumit të ri olimpik të Shkodrës, me të gjithë parametrat e UEFA-s natyrisht: 15 tetor 2015. Në ndeshjen e kthimit Shqipëri – Serbi, duhet të ketë vend për të paktën njëzet mijë zemra kuqezi.

Djemtë e jashtëzakonshëm të Kombëtare sonë dhe traineri ynë i mençur e plot eksperiencë, nuk duhet të ligështohen aspak nga padrejtësia e sotme. Ata nuk duhet ta harrojnë se në Beograd shkuan si futbollistë dhe u kthyen si mishërim i entuziazmit tonë kombëtar; i fuqisë së besimit tonë tek vetvetja; i asaj çfarë mund të bëjmë si komb e si vend nëse vendosim zemrën dhe solidaritetin në themelin e punës sonë. Kjo është fitorja më e madhe e tyre nën fanellën kuqezi dhe misioni i tyre nuk është të fitojnë kampionatin europian të futbollit, të mbeten mishërimi i gjithçkaje ishin në natën magjike të 15 tetorit. Beteja për drejtësinë mbi ndeshjen e Beogradit vazhdon. Misioni i Kombëtares vazhdon. Mbështetja ime dhe e kësaj qeverie për Kombëtaren në veçanti e sportin në përgjithësi, sapo ka filluar. Në rrugën që vazhdon, do të kemi më shumë se një herë arsye për të qenë të gjithë së bashku krenarë për Shqipërinë e për njëri – tjetrin. (Ballkanweb)

UEFA: Shqipëria humb 3-0 në tavolinë ndeshjen me Serbinë, FSHF 100 mijë € gjobë

NION- Komisioni Disiplinor i UEFA-s, ka marrë vendimin e tij përfundimtar, pas diskutimeve të gjata në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit në Beograd mes Shqipërisë dhe Serbisë e cila u ndërpre për shkak të incidenteve në minutën e 42 dhe sigurisht nuk është vendimi që me të drejtë, e priste Shqipëria. UEFA konfirmon se Shqipëria e humb ndeshjen në tavolinë dhe 3 pikë i shkojnë Serbisë, (humb 3-0 në tavolinë). Humbja e ndeshjes do të thotë se është marrë në konsideratë relacioni i arbitrit, se Shqipëria nuk pranoi të rifillonte ndeshjen.

Komisioni i disiplinës vendos gjithashtu që Serbisë t’i hiqen 3 pikë dhe të luajë dy ndeshje pa tifozë. Mësohet gjithashtu se, të dyja federatat, ajo shqiptare dhe serbe janë gjobitur me nga 100 mijë euro.

E vërteta është se qeveria e futbollit europian nuk ka bërë aspak drejtësi, përkundrazi, ka barazuar në këtë rast dhunuesin (Serbinë) me viktimën (Shqipërinë). Me vendimet e Komisionit të Disiplinës, Shqipëria mbetet me 4 pikë, ndërsa Serbia me 1 pikë.

FSHF në një konference për shtyp tha se vendimi ishte i padrejtë dhe se Shqipëria do ta apelojë atë pranë Komisionit të Apelit në UEFA. Praktikisht sipas tyre Serbia nuk është dënuar.

UEFA hapi çështje disiplinore kundër Federatave të Futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë për dhunën mes lojtarëve dhe tifozëve, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes kualifikuese të Kampionatit Europian, në Beograd, të martën e 14 tetorit. Dhuna shpërtheu pasi një avion i telekomanduar, ku valvitej flamuri i “Shqipërisë së Madhe”, u lëshua mbi fushën e blertë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes.

Nëntë fashistët që i dhanë fitoren Serbisë
Nëntë gjyqtarët, anëtarë të Komisionit të Disiplinës dhanë sot vendimin për ti akorduar Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë kundër Shqipërisë, pas dhunës që shpërtheu në stadiumin “Partizan” në Beograd. Po kush janë nëntë gjyqtarët që legjitimuan korret raciste dhe dhunën kundër futbollistëve shqiptarë?

TOMAS PARTL
Ish-gjykatësi, që është në prag të pensionit nga UEFA. Tomas është 68 vjeç dhe ka kaluar një karrierë të gjatë si gjykatës në Austri.

ZHAK ANTENEN
Shefi i policisë së kantonit të Vaduzit. Zhak Antenen ka një karrierë të gjatë si prokuror në Zvicër, sidomos në qytetin e Lozanës.

SANDOR BERZI
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Hungareze. Sandor Berzi nuk ka një karrierë sportive, por ka një eksperiencë të gjatë në fushën e sportit.

XHIM STJERNE HANSEN
Ish-sekretari, që u bë milioner pas largimit. Hansen ka qenë futbollist në kampionatin danez, por jo në nivele maksimale.

TOMAS GEA
Avokati, i besuari i UEFA-s dhe FIFA-s. Tomas Gea është një avokat i ri në moshë, por që prej vitesh ka pasur funksione të rëndësishme nga organet drejtuese të futbollit ndërkombëtar.

XHIMI SHOU
Inxhinieri elektronik, president i Irlandës së Veriut. Xhimi Shou është presidenti i Federatës së Futbollit në Irlandën e Veriut që prej vitit 2010 dhe pak kohë më pas u bë edhe anëtar i Komisionit të Disiplinës në UEFA.

RUDOLF REPKA
Sekretari i përgjithshëm i Federatës çeke. Është emëruar në këtë pozicion në vitin 2007.

ZHOEL ULF
Delegati i ndeshjeve të mëdha në Europë. Zhoel Ulf është sekretari i përgjithshëm i Federatës së Luksemburgut në Futboll.

HANS LORENC
Gjykatësi gjerman, që iu përkushtua sportit. Hans Lorenc është një nga figurat e respektuara të gjyqësorit në Gjermani.
FSHF: VENDIMI UEFA I PADREJTË, VIJOJMË LUFTËN. AVOKATI: PRAKTIKISHT SERBIA NUK ËSHTË DËNUAR
Federata Shqiptare e Futbollit në një konferencë për shtyp ka bërë publik vendimin e UEFA-s për ndeshjen e 14 tetorit, ku praktikisht sipas tyre Serbia nuk është dënuar për dhunën dhe racizmin. Humbja nga ana e Shqipërisë, siç thanë edhe zyrtarët e FSHF-së është bazuar tek deklaratat e futbollistëve, të cilët u shprehën se ishin të pamundur fizikisht që të vijonin lojën. Por pikërisht kjo deklaratë është marrë si refuzim.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe avokati Artan Hajdari, studioja e të cilit bëri mbrojtjen në UEFA. Sipas tij, Shqipëria do vijojë luftën për të marrë tre pikë, pasi vendimi është i padrejtë.

“Vendimi i UEFA jepet i arsyetuar, arsyet jepen vetëm pas 5 ditësh nëse neve apelojmë. Vendimi duket i çuditshëm, ne do ta godasim me forcë nga ana juridike. Lufta jonë do vazhdojë. Argumentet tona janë shumë të fortë, 3 pikëshi duhet të na jepet neve”, tha Hajdari.

Gjykata të tilla janë brenda trupit të UEFA-s, por kjo e sotmja është një zgjidhje, një kompromis që nuk shkon. Dikush duhet ti merrte këto 3 pikë. Më mirë të thoshin të riluhej ndeshja. Ne kemi të drejtë të kërkojmë brenda 5 ditëve argumentet e vendimit, nga momenti që informohemi të. Lufta juridike vijon. Apeli është më debutues. Në një ndeshje futbolli dikush duhet të fitojë, më këtë rast ne jemi të dhunuarit dhe dënohemi njësoj si Serbia

Avokati sqaroi më tej se, në Apel, Shqipëria do kërkojë që Serbia të hetohet edhe për racizëm, pasi siç shtoi ai, praktikisht Serbia nuk është dënuar.

5 PIKAT E VENDIMIT TË UEFA-S
1. Ndeshja Serbi- Shqipëri regjistrohet zyrtarisht me rezultat 3-0 për Serbinë.
2. Federatës së Futbollit të Serbisë, përkatësisht reprezentacionit “A”, u merren tri pikë në kualifikimet për Evropianin 2016, kampionat i cili pritet të mbahet në Francë.
3. Federata e Futbollit Serb dënohet me dy ndeshje si vendas pa tifoz.
4. Federata e Futbollit Serb dënohet me 100 mijë euro
5. Federata e Futbollit Shqiptar dënohet me 100 mijë euro.

DE BIASI: VENDIMI NUK NA DHA DREJTËSI
Fill pas lajmit të publikuar në 35, në lidhje me vendimin e dhënë nga UEFA, ka reaguar dhe trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni De Biasi. Sipas De Biasit, vendimi nuk na dha drejtësi. “Vendimi nuk na dha drejtësi, na hoqën atë që fituam në fushë”-tha De Biasi.

HICKA: NUK REFUZUAM LOJËN, POR NË FUSHË NUK KISHTE KUSHTE PËR TË LUAJTUR FUTBOLL
Juristi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Envi Hicka bëri të ditur se lojtarët nuk refuzuan të ktheheshin në fushë, por në stadiumin “Partizani” në Beograd, nuk kishte kushte për të luajtur futboll.

“Jam i bindur se nuk ka çeduar asgjë. Do ju lutesha që të kuptonin të gjithë dispozitën, i cili nuk është kuptuar nga publiku. Ndeshja nuk është refuzuar pasi nuk ka pasur kushte, por nuk kemi qenë të mundur të vazhdonim ndeshjes. Ndërprerja nuk ka qenë se nuk donim të luanim, por pasi atje nuk ka pasur kushte për të luajtur futboll. Neni 27 ka refuzimin për të luajtur dhe shkaktarët e mosvazhdimit të ndeshjes. Do arrijmë që të ndryshojmë këtë vendim. Duhet të luhet në kushte sportive dhe jo mes sjelljeve rrugaçe dhe josportive. Do ketë një strategji të re mbrojtje.”-deklaroi gjatë një komunikimi për News24, Hicka.

KAPITENI I KUQEZINJVE, CANA: KJO NUK ËSHTË DREJTËSI!
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nuk mund të mungonte me komentin e tij në lidhje me vendimin e sotëm të Komisionit Disiplinor të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri. “Kjo nuk është drejtësi”, ka shkruar Cana në profilin e tij në ‘Facebook’, disa orë pasi u zyrtarizua vendimi i UEFA-s që ndeshjen e ndërprerë në Beograd, Serbi-Shqipëri ta regjistrojë në dobi të serbëve.

Një ditë më herët, Cana, në një intervistë për 35t shprehu shpresën se fitorja në tavolinë do t’i takonte Shqipërisë, pasi sipas tij të gjitha argumentet ishin në anën e palës shqiptare. Megjithatë, organet e UEFA-s edhe njëherë dëshmuan se marrin vendime politike. Ndërkohë futbollisti tjetër i kombëtares, Migjen Basha, i cili mungoi në ndeshjen e Beogradit në profilin e tij ka shkruar “Nuk kam fjalë”.

SOKOL KUSHTA: UEFA GABIM TË PAFALSHËM
Sokol Kushta: “Neveri, çudi, po prapë them nuk është e vërtetë: UEFA po bën një gabim të pafalshëm, megjithatë një shprehje për ta: Në shtëpitë publike nuk ka vajza të mira, Misheli bashkë me shoqet e vërtetoi këtë shprehje,”-shkruan Sokol Kushta, ish-sulmuesi i famshëm i kombëtares kuqezi dhe i Flamurtarit, autori i atij eurogoli në Beograd.

BEKIM BALAJ: MË FAL PLATINI PËR STOLIN, DESH E THEVA ME KOKË
Reagimi ka ardhur dhe nga sulmuesi i Kombëtares Kuq e Zi, Bekim Balaj “Më fal Platini për stolin, desh e theva me kokë. Bravo UEFA,” – ka qenë reagimi I sulmuesit të kombëtares sonë në faqen e tij në Facebook.

SHEHI: UEFA FAVORIZON SERBINË, PENALIZON SHQIPËRINË
Portieri i dytë i kombëtares shqiptare, Orges Shehi ka komentuar në një komunikim për News 24 vendimin e UEFA-s në lidhje me ndeshjen duke e quajtur atë të njëanshëm. Sipas tij UEFA ka favorizuar Serbinë, duke penalizuar Shqipërinë.

“Jam i shokuar nuk e prisja kurrë një vendim të tillë. Vendimi aspak i drejtë dhe transparent. Personi që ka përgjegjësi kryesore është arbitri i ndeshjes, ka shkruajtur në procesverbal se kombëtarja ka refuzuar të kthehet në lojë. Cana i ka thënë nuk refuzojmë të luajmë por jemi të pamundur fizikisht të dalim. Ekipi ynë nuk refuzoi vijimin e ndeshjes”, thotë Shehi.

Ai tha më tej se, “Asnjë gabim nuk kemi bërë, nuk kemi shkelur asnjë pikë të rregullores, kemi vepruar në mënyrën më të drejtë. Ndoshta jemi më të urtë seç duhet”.

(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Kapiteni i Kuqezinjve, Cana: Kjo nuk është drejtësi!

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nuk mund të mungonte me komentin e tij në lidhje me vendimin e sotëm të Komisionit Disiplinor të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Kjo nuk është drejtësi, ka shkruar Cana në profilin e tij në ‘Facebook’, disa orë pasi u zyrtarizua vendimi i UEFA-s që ndeshjen e ndërprerë në Beograd, Serbi-Shqipëri ta regjistrojë në dobi të serbëve.

Një ditë më herët, Cana, në një intervistë për 35t shprehu shpresën se fitorja në tavolinë do t’i takonte Shqipërisë, pasi sipas tij të gjitha argumentet ishin në anën e palës shqiptare. Megjithatë, organet e UEFA-s edhe njëherë dëshmuan se marrin vendime politike.

Ndërkohë futbollisti tjetër i kombëtares, Migjen Basha, i cili mungoi në ndeshjen e Beogradit në profilin e tij ka shkruar “Nuk kam fjalë”.
(ed.me/BalkanWeb)

UEFA: Serbi-Shqipëri 3:0, por pa pikë për Serbinë

UEFA vendosi që ndeshja e ndërprerë Serbi-Shqipëri të regjistrohet me rezultat zyrtar për Serbinë. Janë shqiptuar dhe denime të rënda për palët. Vendimi ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të mëdhaNdeshja e ndërprerë Serbi-Shqipëri do të regjistrohet me rezultat 3:0 për Serbinë, me argumentimin se kombëtarja shqitpare ka refuzuar ta vazhdojë lojën. Por për shkak të organizimit të dobët, futjes së shikuesve në fushë, hedhjes së mjeteve piroteknike dhe përdorimin e lazerëve, Serbisë i zbriten tri pikëve. Dy ndeshjet e ardhshme, Serbia si nikoqir në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian, do t’i luajë pa praninë e shikuesve. Ndërkohë që Federata e Futbollit të Serbisë si dhe ajo e Shqipërisë dënohen me nga 100.000 euro gjobë.
Shkaqet e ndërprerjes së ndeshjes
Ndeshja Serbi – Shqipëri, e zhvilluar në stadiumin “Partizani” në Beograd më 14 tetor, u ndëpre në minutën 42, pas ngritjes në stadium të një droni me një flamur ku ishte skicuar harta e “Shpipërisë së madhe”. Pas përplasjes së lojtarëve në rreth këtij flamuri, në fushë u futën edhe tifozët, të cilët së bashkë me personelin e rutjes së rendit u përfshinë sulmet e dhunshme ndaj lojtarëve shqiptarë. Pas disa minutash ndërprerjeje, ekipit shqiptar iu kërkua kthimi në fushë, por ata refuzuan duke argumentuar, se nuk ekzistojnë kushte normale për vazhdimin e lojës. Kombëtarja, himni shqiptar dhe të gjithë shqitparët, janë ofenduar gjatë ndeshjes edhe me thirrjet: “Vrit e prejë, që të mos mbetet asnjë shqiptar”. Ndërprerja e ndeshjes u bë shkas edhe për acarimin e raporteve mes Beogradit dhe Tiranës. Tensioni u rrit në masë prej deklaratave të pamatura, si ajo e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili tha se “shqiptarëve do t’u duhen edhe disa shekuj të për të arritur nivelin e civilizimit të popujve të tjerë”. E gjitha kjo rezultoi edhe me shtyrjen e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd, e cila ishte planifikuar më 23 tetor.

Reagimet e palëve
Shpjegimet zyrtare të Komisionit Disiplinor të UEFA-s do t’u dërgohen palëve brenda pesë ditësh. Por që tani vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra si në Tiranë ashtu edhe në Beograd. Krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë bërë të ditur se do të ankohen ndaj këtij vendimi, sepse e konsiderojnë plotësisht të padrjetë. “Vendimi është i habitshëm dhe i papranueshëm. Ne do të akohemi”, ka bërë të ditur Federata shqiptare. Si një vendim të padrejtë ndaj Shqipërisë e ka quajtur këtë vendim edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Ndërsa traineri i kombëtare shqiptare De Biazi u shpreh i dëshpëruar ndaj vendimit të UEFA-s. “Jam i dëshpëruar me këtë vendim të padrjetë. E kuptoj Komisionin, por për ne është shumë e vështirë ta pranojmë një vendim, sipas të cilit ne kemi humbur në të gjitha fushat. Kemi humbur madje edhe atë që e kemi arritur në fushë”, kumtoi ai.E pakënaqur me këtë vendim është edhe pala serbe. Federata e Futbollit të Serbisë mbanë sot një seancë urgjente, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm.

Reagimet në 35t perëndimore
35t evropiane janë shprehur të habitura me vendimin UEFA-së, sipas së cilit Serbia e fiton ndeshjen e ndërprerë në Beograd. Ndeshja skandaloze regjistrohet në favor të Serbisë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA, duke shtuar se janë dënuar të dyja palët. Shumë më e ashpër është “Toscana News” me shkrimin “UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin”. Televizioni Britanik ITV raporton se “Serbia shpërblehet me fitore”. Ndërsa 35t kroate shkruajnë se
“UEFA tregohet e butë me serbët”. Më në fund rrjeti BBC pohon se “Serbia shpërblehet me fitore për dhunën në ndeshje të Euro 2016″. (dw)

Arben Ahmetaj: Shqipëria ka paraqitur projekte konkrete në Beograd

Në konferencën rajonale në Beograd delegacioni i Shqipërisë drejtohet nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Në delegacion ishte edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.DW: Cilat janë pritjet e delegacionit shqiptar nga këto takime?
Arben Ahmetaj: Konferenca rajonale e organizuar nga Komisioni Evorpian në Beograd ka rëndësinë e vet për të vazhduar axhendën e zhvillimit ekonomik dhe qeverisjen e mirë të rajonit. Besoj se formati politik i konferencës nuk do të na pengojë aspak, për të kaluar në projekte konkretet dhe realizimin e tyre.
DW: Cilat janë projektet konkrete më të rëndësishme për Shqpërinë?
Arben Ahmetaj: Duke iu referuar konferencës së Berlinit ne kemi theksuar projektet tona që përfshijnë më shumë se dy vende. Ne kemi vënë theksin në projektin e autostradës Adriatiko – Joniane e cila zbret prej Kroacisë në Mal të Zi dhe bashkohet në Greqi. Theks kemi vënë në projektin Transatlantik Pipeline, që zbret nga Kroacia. Poashtu kemi vënë theks edhe tek projektet hekurudhore që bashkojnë Shqipërinë me Malin e Zi dhe Shqipërinë me Maqedoninë. Në të njëjtën kohë së bashku me kolegët kosovarë kemi theksuar rëndësinë e projektit Durrës – Prishtinë – Nish, për të integruar gjithë rajonin duke filluar nga Serbia deri në Adriatik.
DW: Keni mbështetjen e plotë të vendeve të tjera për këto projekte, apo janë këto vetëm projekte të Shqipërisë?
Arben Ahmetaj: Këto nuk janë vetëm projekte të Shqipërisë. Në Budvë më 24 shtator ne kemi filluar një proces koordinimi me ministrat e ekonomisë së rajonit. Katër vende deri tani janë përgjigjur me projekte konkrete të rëndësishme, me efekte rajonale dhe jo nacionale.
DW: A keni mbështetjen e duhur të Komisionit Evropian për ndarjen e fondeve të financimit?
Arben Ahmetaj: Ende nuk jemi në nivelin e realizimit konkret, por në konferencën e Berlinit është nisur një proces shumë i rëndësishëm. Komisioni Evropian do të jetë me siguri një nga faktorët më të rëndësishëm për financimin e projekteve rajonale. Për këto projekte janë parashikuar 12 miliadër euro, që duhet të ndahen brenda gjashtë vitesh.
DW: Kjo konferencë po mbahet në një atmosferë shumë të nxehtë, pas ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri. Sa e kanë influencuar këto ngjarje konferencën dhe qëndrimet tuaja në raport me palën serbe?
Arben Ahmetaj: Marrëdhëniet tona bilaterale kanë pasur luhatjet e tyre. Por takimi nuk influencohet fare nga çëshjtet që janë në diskutim midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Platini: Serbia dhe Shqipëria do të dënohen ashpër

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka dhënë një deklaratë para vendimit të Komisionit të Disiplinës së organizatës më të madhe evropiane për futboll, në lidhje me ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë.Francezi ka thënë se skenat që ndodhen në stadiumin e Partizanit të Beogradit ishin të turpshme dhe skandaloze, ndërsa ka paralajmëruar se te dyja kombëtaret do të ndëshkohen, transmeton Telegrafi.

“Lufta jonë kryesore është që të eliminojmë skena të ngjashme çfarë ndodhën në Beograd. Skenat ishin të turpshme dhe skandaloze. E kam thënë dhe e them prapë, politika nuk ka vend në futboll dhe nuk do të ketë kurrë. Ata që shkaktuan incidentin në Beograd do të dënohen ashpër dhe të dy Federatat të bëhen gati për ti pranuar dënimet” ka thënë Platini.
Kujtojmë se ndeshja në mes të Serbisë dhe Shqipërisë është ndërprerë më 14 tetor, para përfundimit të pjesës së parë, kur tifozët serbë u futën në fushë dhe sulmuan futbollistët shqiptarë. /Telegrafi/

Duka: I sigurt se do të marrim tre pikë

Pak orë nga marrja e vendimit për ngjarjen e rëndë të 14 tetorit, presidenti i FSHF-së Armando Duka, në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon gjithçka pret nga drejtësia sportive e UEFA-s. Edhe pse ndodhet në Zvicër sëbashku me këshilltarët dhe avokatët e huaj që do të na përfaqësojnë, presidenti Duka sqaron edhe një herë se prania e tyre në këtë komision disipline është e tepërt.

“Ne nuk duhet të ishim fare në këtë komision. Në Komisionin e Disiplinës duhet të ishte Serbia dhe rezultati duhet të ishte në favorin tonë, pa pasur nevojë fare për këtë komision”, shprehet Duka.

Presidenti sqaron edhe një herë se të gjitha relacionet e zyrtarëve të ndeshjes kanë qenë në favorin tonë, pasi të gjitha shkruajnë gjithçka ndodhi për ndërprerjen e ndeshjes dhe më pas pamundësinë për t’u riluajtur. Ndërkohë që fjalisë së gjyqtarit që mund të rifuteshin në fushë, presidenti thotë se gjithçka ka qenë e qartë për pamundësitë e shumta që kishim për t’u rikthyer në fushën e lojës. Por, nëse mbetemi tek sporti, presidenti Duka është i bindur se ne do të marrim 3 pikët.

“Jam i sigurtë që do të jetë një gjykim i bazuar në rregullore. Nuk mendoj gjë tjetër përveçse një rezultat në tavolinë për ne. Nëse vendimi do të ndikohet politikisht, atëherë unë nuk mund ta parashikoj politikën”, theksoi presidenti i FSHF-së.

Megjithatë, për çdo rast, pala përfaqësuese e Shqipërisë në Komisionin e Disiplinës së UEFA-s e ka një plan B: “Apelim në Komisionin e Apelit në UEFA.”

Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Michel Platini, vazhdon të mbajë të akullta marrëdhëniet me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që vetë Duka thotë se me sa ka lexuar mes rreshtave të deklaratave të Platinisë, ai nuk ka mbajtur një kah të caktuar, thjesht është distancuar nga dhuna dhe ka mborjtur institucionin që përfaqëson.

“Me Platininë nuk kam pasur kontakte. Thjesht kemi dorëzuar në mënyrë institucionale në UEFA dokumentat tona”, shpjegon zoti Duka.

Por, a mund të konsiderohet ende Mishel Platini një mik i shqiptarëve dhe i presidentit tonë pas kësaj ngjarjeje dhe pas qëndrimeve të tija publike, ku mes dhunës së Beogradit ka përfshirë edhe përfaqësuesen tonë?

“Nuk është i njëanshëm në këtë çështje, nuk më shkon në mendje kjo gjë. Mendoj se interesi i tij është të jetë i paanshëm pasi ai kërkon mbarëvajtjen e garës. Raportet mbeten si më parë”, theksoi Duka.

/ Top Channel