Zyrtarë të Bashkimit Evropian vlerësojnë se deklaratat publike të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ku ata paraprakisht paraqesin kushte, janë pengesë në organizimin e një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.
Një burim evropian i tha Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se “është ky lloj qëndrimi publik, i të dy liderëve, që paraprakisht tregojnë kushtet e tyre, i cili krijon pengesën më të madhe për caktimin e datës së takimit” në Bruksel.
Sipas këtij burimi, mbajtja e rundit të ardhshëm të bisedimeve varet nëse liderët nga Prishtina dhe Beogradi “pajtohen për datën e agjendës së parë”, pa treguar detaje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët gjatë ditës, se do të shkojë në Bruksel kur Prishtina ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kjo deklaratë erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Më 6 shkurt, Kurti deklaroi se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi gjashtë kushtet për formimin e tij.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë rritur presionin ndaj Kosovës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.
Raportet mes Kosovës dhe Serbisë ishin temë në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së që është duke u zhvilluar të enjten e 9 shkurtit.
Porosia për pritjet nga dialogu u përfshinë edhe në konkluzat që u miratuan në këtë samit.
“Këshilli i BE-së mirëpret propozimin Evropian për të vendosur raportet mes dy palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një rast historik i cili duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët me qëllim të realizimit të perspektivës së tyre evropiane“, thuhet në tekstit e konkluzave që u miratua në samitin dy ditësh të shefave të shteteve të BE-së në Bruksel.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.
Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
rel