Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha se Kosova duhet të ketë një program të rreptë që mundëson identifikimin dhe ndjekjen e lehte të veprave të korrupsionit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha të hënën në Prishtinë se një program i rreptë kundër korrupsionit krijon mjedisin e përshtatshëm në të cilin veprat e korrupsionit identifikohen lehtësisht dhe pastaj ndiqen po ashtu lehtësisht.
Ai i bëri këto komente në hapjen e seminarit “Aspektet Ligjore të luftës kundër korrupsionit”, të organizuar nga ambasada amerikane.
Ai tha se “lufta kundër korrupsionit është sfidë për çdo qeveri, shpresojmë që trajnimi i sotëm do ta ndihmojë Kosovën në këtë përpjekje të vështirë, por të domosdoshme. Një program i rreptë kundër korrupsionit krijon mjedisin e tillë ku veprat e korrupsionit identifikohen lehtësisht dhe pastaj ndiqen lehtësisht penalisht. Çmimi i të qenit i korruptuar duhet të jetë shumë e lartë”, tha ambasadori amerikan.
“Përpjekjet kundër korrupsionin janë nga përparësitë e mia kryesore. Duke punuar së bashku duhet të sigurojmë që Kosova ka masat ligjore zbatuese të cilat përmbushin standardet më të larta”, tha ai.
Pjesëmarrësit e programit, kryesisht nga ministritë dhe agjencitë e ndryshme shtetërore që trajtojnë luftën kundër korrupsionit, gjatë seminarit do të bashkëpunojnë me ekspertët amerikan, të njoftohen me praktikat më të mira për luftimin e korrupsionit dhe në fushat tjera me interes, siç janë siguria e kufijve dhe luftëtarët e huaj, shkeljet në qeveri, korrupsioni në administratën publike, reformat qeveritare etj.
Organizata e institucioneve vendase e ndërkombëtare e kanë radhitur shkallën e lartë të korrupsionit si një prej sfidave kryesore të Kosovës.
Organizata ndërkombëtare Transparency International në raportin e fundit e kishte radhitur Kosovën në vendin e 110-të për shkallën e korrupsionit gjatë vitit të kaluar në një tabelë me 175 vende të botës. (voa)