Freedom House: Shqipëria dhe Kosova ende pjesërisht të lira

Freedom House
Rënia ekonomike globale dhe frika nga trazirat sociale kanë çuar në rritjen e shtypjes politike nga qeveritë autoritare në vitin 2015 thuhet në raportin e organizatës Freedom House. Në raportin, i cili vlerëson shkallën e lirive demokratike në vendet e botës, Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Organizata Freedom House ka radhitur sërish Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira edhe për vitin 2015.

Në të njëjtën kategori janë edhe vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Serbia kësaj radhe është përfshirë në mesin e vendeve të lira.

Shqipëria ka të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Arch Puddington, një nga autorët e raportit të Freedom House, thotë se vendet e Ballkani kanë probleme të mëdha me korrupsionin. Zoti Puddington, thotë se faktorët që ndikojnë më së shumti në renditjen e Shqipërisë si vend pjesërisht i lirë janë problemet me zgjedhjet, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin gjyqësor.

“Si në shumë vende të tjera në rajon, edhe në Shqipëri korrupsioni është një problem shumë i madh. Kemi gjykatës të cilët janë të ndikuar nga partitë politike dhe paguhen keq, policë të cilët nuk paguhen mirë dhe nuk janë të trajnuar mirë, dhe si rezultat ata përpiqen të marrin të ardhura dhe korrupsioni është mënyra më e lehtë për ta bërë këtë. Ky është një problem i madh në rajonin e Ballkanit por edhe në Amerikën Qendrore, Amerikën Latine dhe në pjesë të tjera ku ndodhen vendet në zhvillim. Zgjidhja e këtij problemi kërkon një udhëheqje politike të fortë dhe të angazhuar”. 

Kosova sa u përket të drejtave politike ka marrë notën 3 nga 4 sa ishte nje vit me parë, ndërsa për liritë civile, vlerësimi është i pandryshuar në 4.

Në raportin e publikuar të mërkurën, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia përmenden si vende që janë përballur me qeverisje jofunksionale.

“Në Kosovë, deputetët kanë kundërshtuar njërën nga marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kanë penguar në vazhdimësi debatin parlamentar duke hedhur gaz lotsjellës brenda parlamenti dhe duke qëlluar me vezë zyrtarët qeveritarë”, thuhet në raport, duke ju referuar krizës politike në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së arritur në bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në raport janë përfshirë 195 vende, nga të cilat 86 janë radhitur si të lira, 59 si pjesërisht të lira dhe 50 si jo të lira. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>