Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Viasr Ymeri, ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nesër në ora 10:00, nga presidenti Hashim Thaçi, për të biseduar për reformën zgjedhore.
Në një shkrim të postuar në Facebook, Ymeri thotë se nuk kemi kohë për reformë zgjedhore, por për zgjedhje.
“Sot në zyrat e Lëvizjes ka mbërritur një ftesë nga Hashim Thaçi, i cili thotë se dëshiron të mbledhë partitë politike për një reformë zgjedhore.
Tash, në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht nuk kemi kohë për reformë zgjedhore – nevojiten zgjedhje!
Tash kur institucionet e qeveria e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin pas projekteve antikombëtare të kësaj qeverie, projekte që sollën tensionim të paparë mes qeverisë e popullit, nuk është koha për reforma por për zgjedhje!
Tash kur populli i Kosovës i varfëruar deri në skaj e gjithnjë e më i papunë prej privatizimeve të kësaj klike po merr rrugët e emigrimit si pasojë e faktit që qeveria PDK-LDK nuk ka ndërmarrë asnjë politikë në ndihmë të ekonomisë e punësimit, tash s’është koha për reforma, por vetëm për zgjedhje.
Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës.
Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit”, ka shkruar ai.
Pos VV-së, edhe Nisma për Kosovën, e ka refuzuar ftesën e Thaçit. Këtë lajm për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi për media i kësaj partie, Valmir Gashi.
“Ftesën e kemi marrë, por nuk do të marrim pjesë”, ka thënë ai.