Hantke e konsideron katastrofë mungesën e sigurimit shëndetësor në Kosovë

punimi ksQendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim ka prezantuar sot punimin “Destabiliteti politik në Kosovë – Implikimet për sigurinë humane të popullatës”, nga i cili ka rezultuar se në Kosovë nuk ka qytetarë aktivë për shkak të mungesës së sigurisë njerëzore.

Drejtoresha e kësaj Qendre, Besa Kabash-Ramaj, tha se pjesërisht demokracia në vend ka dështuar në disa sfera për shkak të mungesës së qytetarëve aktivë. Ndërsa, sipas saj, nuk ka demokraci pa qytetarë aktivë, transmeton KP.

“Nuk ka demokraci pa qytetarë aktivë dhe demokracia në vend pjesërisht ka dështuar në disa sfera për shkak se nuk kemi pasur qytetarë aktivë. Por jo me fajin e tyre. Sepse një shtet nuk mund të ketë qytetarë aktivë pa pasur siguri njerëzore. Të jem e qartë kur flasim për siguri njerëzore flasim për sigurinë ekonomike dhe sigurinë në punë, jo sigurinë publike, për lëndime në punë, por për sigurinë në aspektin se sa ke qasje në punësim”, tha ajo.

Më tej ajo tha se Kosova pa e kaluar hendekun e sigurisë njerëzore do të ketë mungesë të qytetarëve aktivë si dhe zhvillim të demokracisë. Madje sipas saj kjo do të ndikojë edhe në mospasjen e politikanëve të ndershëm .

Kabashi Rama tha se deri tani në Kosovë nuk është bërë asnjë hulumtim se si ndihet qytetari i Kosovës dhe si rezultat nuk ka zgjidhje për problemet e mirëqenies së qytetarit.

“Në përgjithësi qasja vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë pas luftës ka qenë gjetja e zgjedhjeve afatshkurtra (short term solutions), mirëpo e keqja e kësaj ka qenë që ende për problemet e mëdha që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarit të Republikës së Kosovës nuk kemi pasur një qasje ku në fakt merret parasysh mendimi dhe mënyra se si ndihet qytetari në mënyrë direkte, jo indirekte, jo nga lartë poshtë, por nga poshtë lartë, dhe si rezultat nuk ka zgjidhje për problemet me shumë rëndësi për mirëqenien e qytetarit”, shtoi më tej Kabashi-Ramaj.

Drejtori i FES në Prishtinë, Frank Hantke, tha se demokratizimi duhet të rifillojë nga institucionet për të fuqizuar popullatën e Kosovës.

Sipas tij, qytetarëve nuk iu intereson linja kufitare, por një vend pune e sigurimi shëndetësor.

“Ne duhet të fokusohemi në qytetarët dhe pikëpamjen e tyre mbi sigurinë. Për ta nuk është aq e rëndësishme se si duket linja kufitare me të vërtetë, ndoshta për disa që jetojnë në kufi, por kjo është një lojë e politikanëve. Për ta është e rëndësishme që ta kenë një vend pune, për ta është e rëndësishme të kenë një sigurim shëndetësor, të kenë shkolla ku i dërgojnë fëmijët e tyre dhe ku marrin shkollim të mirë”, tha ai.

Sipas tij, njerëzit në Kosovë janë ndier shumë më të sigurt 30 vite më përpara sesa sot.

Hantke është shprehur jashtëzakonisht i befasuar se si ende në Kosovë qytetarët nuk kanë sigurim shëndetësor dhe këtë situatë e sheh si një katastrofë.

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim u ka rekomanduar institucioneve të Kosovës që me rigorozitetet t’i implementojnë procedurat standarde për bartje të përgjegjësive, koncepti i sigurisë duhet të zgjerohet për të përfshirë sigurinë njerëzore dhe shoqërore, lidershipi i ardhshëm duhet të ketë prioritet interesin shtetëror dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Ky punim nuk është punim shkencor, por është krijuar nga analiza e literaturës dhe hulumtimeve që janë bërë për çështjet e sigurisë njerëzore në 10 vitet e fundit. (koha)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>