Komiteti ekzekutiv i INTERPOL-it ka vendosur që aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në agjencinë policore të hyjë në axhendën e bisedimeve të Asamblesë së Përgjithshme që do të mbahet në Pekin, nga 26 më 29 shtator.
Prishtina zyrtare është informuar për vendimin përmes një letre që i është dërguar ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni nga sekretari i përgjithshëm i INTERPOL, Jurgen Stock.
“Pas një pune intensive disamujore të qeverisë dhe sidomos të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Republika e Kosovës është pranë anëtarësimit në INTERPOL”, thuhet në një komunikatë të qeverisë kosovare.
Ekzekutivi kosovar vlerëson se, anëtarësimi në agjencinë policore do të avancojë kapacitetet e Kosovës për të luftuar fenomenet kriminale, si dhe të forcojë pozitat e vendit në nivel ndërkombëtar.
/ Top Channel