Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha të hënën në Beograd se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë vende që kanë çështje të pazgjidhura, duke bërë thirrje për një marrëveshje detyruese ligjore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të vizitës që po zhvillon në rajon, në dritën e strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimorë.
Ai tha se procesi i integrimit mbështetet në meritat e secilit vend kandidat dhe rrjedhimisht data e anëtarësimit të Serbisë varet prej saj,
“E di që shumë njerëz flasin për vitin 2025. Dua të jem i qartë. Ky nuk është premtim, por perspektivë, inkurajim, sepse vendi që synon të anëtarësohet, duhet të trimërohet në atë rrugë”. tha ai, duke nënvizuar se nuk mund të pranohen vendet që nuk i kanë zgjidhur konfliktet territoriale.
“Nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE, sepse duam që vendeve të Ballkanit t’u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të importojmë paqëndrueshmëri”, tha zoti Juncker.
Bashkimi Evropian, tha ai, dëshiron që marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen me një marrëveshje detyruese ligjore, por “nuk na takon neve që të themi se cili duhet të jetë karakteri i marrëveshjes, por u takon Beogradit dhe Prishtinës që të përcaktojnë se si do të duhet ajo”.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia duhet ta kuptojë se është me rëndësi të arrihet një kompromis me Prishtinës, në të kundërtën “do të mbytet në të kaluarën e saj”. Ai nuk tha se cili mund të ishte kompromisi por kundërshtoi siç tha, zërat në Serbi që thonë se “më së miri është të mbahet një konflikt i ngrirë…”
Ai tha se është me rëndësi që të gjendet një zgjidhje historike për marrëdhëniet me shqiptarët “në një mënyrë tjetër dhe jo me luftëra dhe dy popujt më të numërt” të jenë miq.
Ai tha se 22 vende të BE-së e njohin pavarësinë e Kosovës dhe presin një marrëveshje që do të çojë drejt kësaj, apo të paktën që Prishtina të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Pesë vende të BE-së nuk duan atë që do Prishtina dhe as Beogradi nuk e do, tha ai, duke nënvizuar se “marrëveshja duhet të jetë e tillë që edhe Beogradi edhe Prishtina të humbin diçka, apo të jenë shumë të pakënaqura dhe kjo do të thoshte se kemi fituar”, tha ai.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimit në BE.
Të hënën në Bruksel të dyja palët rifilluan bisedimet teknike ndërsa së shoejti mund të priten takime të reja në nivelin më të lartë politik për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do t’u mundësonte të dyja palëve përshpejtimin e proceseve integruese, ndonëse Kosova është e fundit në rajon. (voa)