Me nismën e presidentes një komision ndërkombëtar dueht të vlerësojë çështjen e kufirit Kosovë-Mali i Zi. Opozita e quan pozitiv vendimin, por druan se nuk janë të precizuara kompetencat e komisionit.
Panoramë nga kufiri Kosovë-Mali i Zi
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, zyrtarisht nënshkroi të martën (15.03), vendimin për themelimin e komisionit “ad hoc” të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do ta vlerësojnë procesin e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Puna e kryer më herët nga një komision qeveritar i Kosovës, bëri që opozita të mos e pranojë demarkacionin me Malin e Zi, duke e akuzuar qeverinë e Kosovës se po i fal mbi 8 mijë hektar tokë të Kosovës Malit të Zi.
Komisioni vlerësues ndërkombëtar ad hoc, i themeluar nga Presidentja Jahjaga dhe që nisi punë të martën, është i përbërë nga tre ekspertë, një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga Gjermania dhe një nga Britania e Madhe.
“Këta ekspertë në javët në vijim do të bisedojnë me të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi. Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision”, thuhet në njoftimin nga presidentja e Kosovës.
Komisioni vlerësues themelohet me iniciativën e Presidentes Atifete Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e shkuar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.
“Presidentja Jahjaga ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve dhe qytetarëve, të bashkëpunojnë me ekspertët ndërkombëtarë, për t’i mundësuar komisionit një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të procesit të demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në njoftimin e Presidentes.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i thanë Deutsche Welles se ata akoma nuk kanë marrë asgjë të shkruar rreth këtij komisioni, sikundër nuk e dinë se cili do të jetë roli i tij, kompetencat dhe metodologjia e punës.
“Gjithsesi kjo është një lëvizje pozitive, por ne druajm se nëse ky Komision nuk i ka të saktësuara të gjitha kompetencat dhe metodologjinë e punës dhe dokumentat mbi të cilat do ta “vlerësojë” demarkacionin e Kufirit me Maqlin e Zi, puna e tij do të jetë një improvizim. Për më tepër, me sa kemi parë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në pjesën e kompetencave të Presidentit, nuk ka një nen ku i jep të drejtë Presidentes të krijojë komisione të tilla. Ne dyshojmë nëse kjo është shkelje edhe e Kushtetutës”, tha anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj.
Sipas AAK-së “Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, duhet të bëhët nga e para, duhet të jetë transparent. Ai duhet të bëhet nga një komision kredibil e profesional, i cili mund të jetë edhe i përzier, ku do të ishin edhe vendorët edhe ndërkombëtarët dhe natyrisht, versioni final të ratifikohet në Kuvendin e ardhshëm. Çdo veprim tjetër ne e konsiderojmë improvizim”, tha Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së.
Për të qenë sa më transparente, zyra e Presidentes publikoi edhe biografitë e tre ekspertëve ndërkombëtar që do ta vlerësojnë sic thuhet “procesin e demarkacionit me Malin e Zi”.
Është eksperti Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ballkan. Në vitin 2009, z. Burton ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë.
Është eksperti tjetër Dr. Ing. Herbert Wilmes shtetas gjerman dhe ekspert i njohur për shënimin e vijave kufitare ndërmjet shteteve. Ai ka diplomë universitare në gjeodezi, doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike. Nga viti 1998-2015 ka shërbyer si anëtar i komisioneve të përhershme të kufijve me shtetet fqinje Austrinë, Republikën Çeke, Holandën dhe Poloninë si dhe si këshilltar teknik në çështje vlerësuese për kufijtë me Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën dhe Danimarkën.
Dhe anëtari i fundit i komisionit, Fred Newton është ekspert i njohur evropian për menaxhimin e kufijve dhe ka punuar me Komisionin Evropian në këto çështje. Newton ka këshilluar rregullisht qeveritë e vendeve të ndryshme për sigurinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Sidoqoftë, një marrëveshje e nënshkruar në gusht të vitit të shkuar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënimin e kufirit dhe një tjetër marrëveshje e nënshkruar me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka bërë që në Kosovë tash e gjashtë muaj të ketë një krizë politike, mospajtime të thella ndërmjet opozitës që kundërshtojnë këto marrëveshje dhe partive në pushtet. Mospajtimi i opozitës rezultoi edhe me hedhjen e përsëritur të gazit lotsjellës në parlament dhe protestave në rrugë, në të cilat kishte edhe përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë. Një protestë e radhës e opozitës që kërkon dorëheqjen e qeverisë është paralajmëruar për datën 26 mars. (dw)