Marrëveshje ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri u arritën ndër të tjera në fushën e arsimit, të doganave, të energjisë, të bujqësisë, të infrastrukturës rrugore dhe transportit, të shëndetësisë dhe të drejtësisë.
19 marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë pritet t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve në të dyja vendet. Në një mbledhje të përbashket të dy qeverive që u zhvillua në Prishtinë të dyja palët ranë dakord për memorandumet ndërqeveritare në fushën e arsimit, të doganave, të energjisë, rë bujqësisë, të infrastrukturës rrugore, të transportit, të shëndetësisë, të mbrojtjes dhe të drejtësisë.
Në sektorin e arsimit u ra dakord që studentët nga të dy vendet të konkurrojnë në vijim të sudimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta. Po ashtu palët u pajtuan që të punojnë drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve dhe më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovimin e turizmit të të dyja vendeve.
Port “i thatë” në Prishtinë
Në sektorin e transportit u arrit marrëveshje për fillimin e studimit të fizibilitetit që i hap rrugë ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë. Në marrëveshjet që u nënshkruan ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë u përfshi edhe çështja që kalimi i kufirit nga të dyja anët të bëhet pa regjistrim nga organet kufitare në ditët e festave zyrtare dhe fundjavave gjatë gjithë verës.
Në mbledhjen e dy qeverive u paraqit edhe projekti i lidhjes së portit të ri tregtar në Porto Romano dhe linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë me një të ashtuquajtur port “të thatë” në Prishtinë, që u vlerësua si rrugë shumë e rëndësishme për shkëmbimin tregtar edhe për rajonin e Ballkanit.
Dallime të theksuara për nismën “Ballkani i Hapur”
Në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, kishte dallime të theksuara sa i përket nismës “Ballkani i Hapur” apo siҫ njihet “Open Balkan”. Kjo nismë u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.
“Në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, ky nuk është sekret, por këto këndvështrime nuk na pengojnë që në marrëdhëniet dypalëshe ne të vazhdojmë të ecim përpara. Ashtu sikundër dëshiroj të theksoj që porosia ime për qeverinë që drejtoj është që çdo gjë që ne jetësojmë në Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri Kurti nuk deshi të thotë asgjë të re dhe të ndryshojë nga qëndrimi i tij, Kurti është deklaruar hapur kundër “Open Balkan”. “Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues midis njëri-tjetrit. Prandaj edhe mbledhja është midis Kosovës dhe Shqipërisë që t’i forcojmë të dy shtetet tona në funksion të qytetarëve tanë, për interesin, dëshirat dhe nevojat e tyre. Ndërkaq çështja e ngritur është e një dimensioni tjetër, pra jo dypalëshe dhe jo midis Kosovës dhe Shqipërisë, e për atë nuk kam asgjë të re për t’ju thënë”, tha kryeministri Kurti.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me qeverinë aktuale në Kosovë është arritur shkalla më e lartë e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara deri tani.
“Volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kur ne filluam këtë bashkëpunim të afërt ka qenë 136 milionë euro, një volum qesharak. Sot jemi në 433 milionë euro, që nuk është ende volumi që ne kemi ambicien të arrijmë, e kemi deklaruar që dëshirojmë të shkojmë në një miliardë, por është një volum që nuk mund ta quash më të papërfillshëm”, tha Rama.
Mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri që kësaj radhe u mbajt në Prishtinë është e teta me radhë ndërmjet dy vendeve. Po ashtu u ra dakord që të zhvillohet edhe një mbledhje e përbashkët e dy parlamenteve në muajin nëntor, kur Shqipëria shënon 110 vjetorin e pavarësisë së saj.
dw