Qeveria e Kosovës ka vendosur tarifë doganore 100 për qind edhe për markat ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, e nga këto shtete hyjnë në Kosovë.
Në vendimin e 21 nëntorit, kur qeveria vendosi tarifë 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, kishte lejuar që për 9 marka ndërkombëtare të mos të zbatohet tarifa.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala i tha “Radios Europa e Lirë” se tashmë, asnjë produkt që vjen nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk përjashtohet nga tarifa prej 100 për qind.
“Nga 21 janari, secili produkt që ka origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina e ka taksën 100 për qind”, ka thënë Shala.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri Shala ka theksuar që vendosja e tarifës edhe për markat ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet me vendet prej nga janë këto marka.
Ai ka theksuar se ka biseduar me përfaqësuesit e këtyre kompanive dhe ato kanë filluar tashmë që ta furnizojnë me markat e veta tregun në Kosovë, përmes vendeve të tjera dhe jo nga Serbia.
Top Channel