Kryediplomatja e re e BE-së diskuton me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin dhe tensionet mes tyre

kallaShefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas, tha të martën se rruga e vetme për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në bllok është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit.

 

Zonja Kallas e cila mori detyrën e re tre ditë më parë, i bëri këto komente pas takimeve të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.

“E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi zonja Kallas në platformën e medieve sociale X, duke iu referuar shpërthimit të së premtes në kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, shkroi për “bisedë të hapur dhe të vështirë” me kryediplomaten evropiane.

“Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, shkroi Presidenti Vuçiç duke nënvizuar se i është përgjigjur asaj “në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”.

Serbia është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Diplomacia perëndimore i kërkon Beogradit po ashtu të vërë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në veriun e Kosovës kur një grup serbësh të armatosur vrau një pjesëtar të policisë së Kosovës.

Presidenti serb tha ndërkaq se ka biseduar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien, për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë.

“Përsërita qëndrimin e palëkundur të Serbisë që nxit paqen dhe ruan qëndrueshmërinë, duke kërkuar mbështetje të fortë dhe të qartë nga partnerët amerikanë në përpjekjet tona”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha pas takimit se dorëzimi i ish nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në Bansjkë, është një nga kushtet e tij për dialogun, ndërsa ritheksoi kërkesën për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët ranë dakord në mars të vitit 2023.

“Natyrisht që diskutuam edhe për sulmin e fundit që na u bë në Kosovë, eksplodimi i kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës me ç’rast u rrezikua më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tonë”, tha kryeministri Kurti i cili akuzon Serbinë se qëndron pas shpërthimit.

Beogradi i mohon akuzat dhe është shprehur “i gatshëm të bashkëpunojë për ndriçimin” e sulmit.

Udhëheqësit e të dyja vendeve po qëndrojnë në Bruksel bashkë me udhëheqësit e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u takuar edhe me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, i cili ndërkaq është duke përgatitur takimin e lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që pritet të mbahet 18 dhjetor në Bruksel.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>