Kurti: Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit është obligim kushtetues

AlbinKryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është ftuar në interpelancë ka folur rreth zhvillimeve të fundit për targat në veri dhe arritjes së ujdisë në Bruksel.

 

Kryeministri Kurti tha shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit nuk është diçka e jashtëzakonshme, por është obligim kushtetues e ligjor, i institucioneve të sigurisë dhe është betim i përbashkët që kanë bërë në këtë Kuvend.

“Në këtë kuptim Policia e Kosovës nuk është duke bërë asgjë të jashtëligjshme e të jashtëzakonshme, por është duke e zbatuar misionin e saj kushtetues e ligjor. Të gjitha aktivitetet e policisë duke përfshirë nga patrullimet rutinore e deri te operacionet tërë territorin e republikës nuk janë bërë asnjëherë me qëllim ndaj një etnie të caktuar në zona të caktuara apo për arsye të caktuara”, tha Kurti.

Duke shtuar se Policia nuk e ndjekë askënd sipas përkatësisë etnike, por sipas veprimeve e sjellëve individuale e grupore.

“Natyrisht në asnjë vend tjetër ris në veri nuk është luftuar angazhimi i drejtë e ligjor i Policisë së Kosovës kjo ka ndodhur sepse me vite të tëra veriu i vendit ka qenë i kontrolluar nga Beogradi përmes grupeve të ndryshme kriminale që në disa raste kanë pasur mbështetje nga qeveritë e së fundi u konfirmua haptazi që kanë pasur mbështetje edhe nga strukturat e larta të menaxhmentit të policisë ne drejtorinë rajonale të veriut”, tha ai, raporton RTKlive.

Kurti tha se Policia e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe kudo misionin e tyre për sundim të ligjit që duhet ta ketë në shënjestër krimin e organizuar e korrupsionin, përndryshe nuk ka kuptim.

“Është e vërtetë që policia si askund tjetër është sfiduar pikërisht në veri të vendit, 11 herë janë bllokuar e sulmuar për tu eliminuar, por nuk janë ndalur asnjëherë , janë realizuar 38 operacione policore prej të cilave 33 operacione të antidrogës, janë shkatërruar 6 laboratorë të drogës me investime qindra milionëshe, janë sekuestruar mbi 40 kilogramë substancë narkotike rreth 110 mijë e uro dhe mbi 370 mijë dinar serb. Prandaj janë sulmuar zyrtarët policor sepse kanë shkundur themelet e grupeve kriminale atje e unë iu falënderohem e i jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Ata që janë kundër ligjit e duan paligjshmërinë. Ata nuk e kanë hall veprimin e policisë por e kanë hall praninë e policisë”, tha ai

Shefi i qeverisë tha se Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokal, për shkak të angazhimit të atë zonë policët falënderohen çdo ditë nga qytetarët në veri për punën dhe angazhimin në ofrimin e sigurisë për ta.

“Dëshmia se serbët lokal nuk kanë asnjë problem me ne dhe institucionet tona është edhe procesi i pranimit të qortimit nga ana e tyre për përdorimin e targave ilegale. 1800 qortime fiks janë shpërndarë deri në mëngjesin e 24 nëntorit dhe nuk është shënuar asnjë ankesë asnjë incident gjatë shpërndarjes së tyre e në komunikacion e procesi i regjistrimit ka vijuar me kërcënime e sulme ndaj qytetarëve që janë pajisur me targa RKS atyre u janë djegur veturat e pronat e tyre në mbrëmjet e ditëve që kanë pranuar e vendosur targat RKS”, tha ai

Sipas tij Policia e Kosovës është ballafaquar me dorëheqje të orkestruara nga Beogradi të eprorëve policor e me dorëheqje pas kërcënimeve ndaj zyrtarëve të tjerë policor.

“Policia në atë zonë është ballafaquar me çdo lloj sfide prandaj edhe këtë po e menaxhojnë suksesshëm që të jenë në nivel detyre për çdo qytetar pa dallim e të mos lënë askund vakum. Policia kufitare në Leposaviq deri kur kemi ardhur në qeveri ka pasur një zyre të vogël punë e ndërkohë ajo është vija kufitare me më së shumti qarkullim, rrjedhimisht ka pasur më shumë kontrabandë dhe kalim ilegal kufiri, por ka munguar vullneti për luftim të tyre dhe rrjedhimisht edhe për forcim të kapaciteteve tona policore”, tha ai

Kurti tha se tani janë tri stacione policore të vijës së gjelbër të kufirit që angazhohen në luftim të kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe çdo ilegaliteti atje, në Jarinje, Bërnjak e Jasenovik.

“Në pikën 2 të rezolutës, thuhet komunikim me serbët lokal për të kthyer besimin e ndërsjellë. Komunikimi me qytetarët lokal serb po ndodhë e njëkohësisht po ndodhin edhe investime. Pas 22 vitesh është investuar në veri në infrastrukturë. Për herë të parë po shtrohen rrugët që lidhin fshatrat në veri. Qytetarëve po iu afrohet qasje më e shpejtë e më e lehët e qarkullimit. Gjatë javëve në vazhdim do ta mbështesim edhe Telekomin që ta zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore në vlerë prej 1 milion euro. Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policor, nuk është venim i imi as i MPB-së, nuk ashtë vendim politik, vendim politik ka qenë dorëheqja politike, për bindjen time për arsye të paqena. Thoshim morale e individuale e teksti krejt i njëjte për secilin prej tyre, e njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur secilin prej tyre, ky është vendim politik. Unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktisë institucionet e kjo është thirrja ime e vazhdueshme. Institucionet nuk janë të qeverisë por të gjithë qytetarëve, mirëpo aty ku ka vakum duhet ët ketë aplikime të reja për punë”, tha ai.

Sipas tij vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune. “Natyrisht të gjithë janë të mirëseardhur por këtë nuk e vendosë as kryeministri e as ministri i brendshëm por kjo rregullohet sipas procedurave dhe rregulloreve të policisë që vlejnë për të gjithë zyrtarët pa dallim”, tha Kurti.

 

 

Abdixhiku akuzon Kurtin se e ka pranuar Asociacionin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kur dëgjoi fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, iu krijua përshtypja se jeton në një univers paralel.

Abdixhiku e akuzoi kreun e Qeverisë se e ka pranuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me marrëveshjen e nënshkruar për targat në Bruksel më 23 nëntor.

“Kur dëgjon pozicionimet e Qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel, dy bota që s’përputhen me njëra-tjetrën. Kryeministri foli sot për siguri dhe luftë ndaj krimit, ndërsa sot mbi 17% e territorit të Kosovës është pa polic, pa prokuror, pa gjykatës dhe pa shërbime bazë. Një dhunë familjare s’ka kush ta trajtojë në veri. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës? Pushteti na flet se si ka qëndruar qasja në dialog, por po e lexoj një paragraf të asaj që paraqiti Borrelli në dokumentin e marrëveshjes për targa. ‘Të gjitha palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog’. E keni pranuar Asociacionin. Mund të ketë dyshime se sa është i mirë, por e keni pranuar. Në marrëveshjen e parë që keni nënshkruar, zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky? Kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që e krijoni ju”, ka thënë Abdixhiku në Kuvend të mërkurën.

 

Hoxhaj propozon seancë të mbyllur të Kuvendit për veriun

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka propozuar mbajtjen e një seance të mbyllur të Kuvendit për çështjen e veriut, pas tensioneve për targat.

Sipas tij, situata në veri është në pikën më të ulët politike në vitet e fundit.

“S’është vetëm vakum, por humnerë politike ku komunat e Kosovës janë pa kryetarë, ku asambletë janë pa këshilltarë, ku Policia është pa policë… Data 4-5 nëntor është më e keqja në historinë moderne të shtetit të Kosovës. krejt çka është ndërtuar nga pavarësia është shembur”, ka thënë Hoxhaj.

“Situata në veri ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit është një kolaps shtetëror. Kryeministri nuk duhet të na tregojë sa paragrafë i ka komunikata e BE-së, por të na tregojë sa zyrtarë shtetërorë janë dorëhequr”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, Kurti ka qenë historikisht gabim në disa tema.

“Dua të dëgjoj çka do të ndodhë me zgjedhjet në veri. Çka do të ndodhë me çështjen e asociacionit. A do të kemi marrëveshje që përfshin anëtarësimin në OKB apo njohjen, apo asnjërën e as tjetrën. Unë e ftoj kryeministrin që të shkojë në Washington, në Londër, Berlin, Paris, Bruksel. Nuk është e rrezikshme diplomacia e tavolinave. Më e rrezikshme është ajo e terrenit. Kam një bindje që nëse situata nuk kalohet në veri të vendit, unë kam frikën që nëse në mars 2023 flasim me gjuhën e njëjtë, ne do ta kemi problemin Prishtinë – Mitrovicë”, ka thënë Hoxhaj.

 

Kurti: Të gëzohemi që s’varemi nga Lista Serbe

 

Duhet të jemi të gëzuar që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe sepse deri tani do të kishte ndonjë mocion mosbesimi, ka thënë të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim para deputetëve në Kuvend, ai e ka mbrojtur qasjen që ka për dialogun me Serbinë. Ka theksuar se qytetarët kanë votuar masivisht për një qasje të re në dialog.

“Kam ftuar politikanët për konsultim, përfshirë edhe thirrësin e interpelancës [Ramush Haradinaj]. Ajo që na bashkon është sovraniteti dhe integriteti territorial. Qytetarët kanë votuar për qasjen e re në dialog. Kritikat i mirëpres, por në të njëjtën kohë, duhet ta kuptoni qartësisht, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim sikur qeveritë e kaluara, kur vareshin nga Lista Serbe, ndoshta do të kishte mocion mosbesimi pas këtyre veprimeve që kemi bërë, por ja që ka ndodh ndryshimi i madh dhe kjo nuk po bëhet e mundur. Duhet të gëzohemi që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe, që jemi pavarësuar nga strukturat ilegale që kanë pasur qëllim destruktivitetin e vendit”, ka theksuar Kurti para deputetëve.

Kreu i ekzekutivit bëri me dije se komunikimi me serbët lokalë po vazhdon. Thotë sa janë takuar me organizata joqeveritare e qytetarët.

Kurti shtoi se serbët lokalë nuk kanë asgjë kundër institucioneve të Kosovës. Si dëshmi për këtë, thotë se Policia e Kosovës shqiptoi 1800 masa qortuese, dhe për to nuk pati asnjë ankesë apo incident. Lavdëroi punën e Policisë.

“Policia nuk po bën asgjë të jashtëligjshme apo të jashtëzakonshme pasi po kryen obligimet ligjore për shtrirje të sovranitetit. Operacionet e Policisë nuk janë bërë asnjëherë për përkatësi etnike apo ndaj një vendi të caktuar. Policia e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe misionin e tyre për sundim të ligjit që duhet ta ketë në shënjestër korrupsionin. Policia është sulmuar si asnjëherë më parë në veri, por ia ka dalë. Jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Policia nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë. Dëshmia me serbët lokalë që nuk kanë asgjë kundër institucioneve të Kosovës është se janë shqiptuar 1800 qortime dhe nuk ka pasur asnjë ankesë, asnjë incident gjatë shpërndarjes së tyre. Policia është ballafaquar me dorëheqje të orkestruara nga Beogradi, por po e përballojnë”, shtoi ai.

Për marrëveshjen për targat më 23 nëntor, Kurti u shpreh se nuk do të arrihej pa zhvillimet që ndodhën më 21 nëntor. Pret që udhëheqësit evropianë ta çojnë përpara planin për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Kurti: S’ka kthim në punë me thirrje politike, serbët të aplikojnë nëpër konkurse

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se serbët e dorëhequr që duan të kthehen në vendet e tyre të punës duhet ta bëjnë përmes aplikimeve në konkurse.

Kreu i Qeverisë në një interpelancë para deputetëve të mërkurën, ka theksuar se dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është bërë në mënyrë politike, dhe sipas tij, kthimi i tyre nuk mund të bëhet me thirrje politike, por në mënyrë profesionale.

“Dorëheqja e tyre ka qenë politike. Secila letër e dorëheqjes ka pasur tekstin e njëjtë. Të gjithë e kishin dorëheqjen për moral. Aty ku ka vakum, duhet të ketë aplikime të reja. Dorëheqja politike nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim. Duhet të aplikojnë në mënyrë profesionale ata që duan ato vende të punës”, ka thënë Kurti në Kuvend.

 

AAK-ja kërkon që të nisë dialogun për t’i kthyer serbët në institucione e samit në SHBA për njohje reciproke

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që krerët e shtetit të nisin dialogun me serbët e Kosovës për t’u kthyer në vendet e punës nëpër institucione.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, duke prezantuar në Kuvend një rezolutë për situatën në vend, pas tensioneve javën e shkuar për shkak të targave, ka propozuar edhe që të kërkohet samit disaditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar diskutim për njohje reciproke me Serbinë.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 23 vjet. Për fat të keq edhe veprimet e institucioneve nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfillë kërkesën e ndërkombëtarëve ka nisur implementimin e vendimit me faza për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të shpallet si viktimë”, ka thënë Haradinaj.

Në propozim-rezolutën e AAK-së është përmendur edhe shtyrja e menjëhershme e implementimit të vendimit për targat ilegale, gjë që tashmë veçse ka ndodhur pas pajtimit që u arrit me Serbinë në Bruksel.

Haradinaj ka kërkuar që kryeministri, presidentja e kryeparlamentari të nisin dialogun me serbët në vend për t’u kthyer në institucione, pas dorëheqjes masive që bënë pasi Qeveria vendosi të ndëshkojë ata që mbajnë targa ilegale të veturave.

Kreu i AAK-së ka kërkuar edhe komunikim intensiv të Qeverisë me opozitën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>