Maqedoni e Veriut- Kosovë, mbledhje e përbashkët e dy qeverive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij qeveritar ka arritur të enjten në Shkup për një seancë të përbashkët ndërqeveritare me kabinetin qeveritar të Maqedonisë së Veriut të drejtuar nga Kryeministri Zoran Zaev. Në mbledhje janë janë nënshkruar 11 marrëveshje dhe memorandume për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Kryeministri Zoran Zaev e priti homologun e tij Albin Kurti me ceremoni të larta ushtarake dhe shtetërore para ndërtesës së qeverisë.
Dy kryeministrat zhvilluan më pas një takim kokë më kokë, teksa ministrat përkatës mbajtën takime bilaterale, para një seance të përbashkët të dy qeverive.

Ndërsa kryeministri maqedonas u shpreh se marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje ishin të shkëlqyera, kryeministri i Kosovës i quajti marrëdhëniet fqinjësore si “të mira”.

Seanca e parë e përbashkët paraqet një shtysë për zhvillim e mëtejshëm ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovsës. Në këtë mbledhje u nënshkruan 11 marrëveshje dhe memorandume në fushën e ndërlidhjeve infrastrukturore midis dy vendeve për lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimit si dhe memorandume e programe që kanë të bëjnë me projekte ndërkufitare me mbështetje të programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjisë, turizmit, kulturës e nismave për zhvillimin teknologjik.

“Ndër to është edhe memorandumi i bashkëpunimit sipas të cilit do të formohet një komision i përbashkët për rrugën Prizren-Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky ishte zotim zgjedhor dhe synim programor i qeverisë sonë, që lidh edhe më ngushtë vendet tona, ekonomitë tona, dhe qytetarët tanë”, tha Kryeministri Kurti.

Zoti Kurti është i bindur se këto marrëveshje do të zbatohen.

Ndërkohë, Kryeministri Zaev marrëveshjet e sotme i vlerëson si interes i përbashkët, ndëra theksoi se Kosova paraqet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtar të Maqedonisë së Veriut dhe se tregëtia mes tyre zhvillohet pa dogana.

“Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2020 ishte 305,7 milion dollarë, dhe vetëm në tremujorn e parë të këtij vitin janë realizuar mbi 130 milion dollarë në tregtinë midis dy vendeve”, bëri të ditur Kryeministri Zaev.

Por këto shifra janë në dobi të Maqedonisë së Veriut e cila eksporton shumë herë më tepër mallra se sa që importon nga Kosova.

Zoti Zaev tha se qeveria e tij është e gatshme t’i ndajë me Kosovën praktikat që kanë të bëjë me liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi mbështetjen për dialogun Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mbante edhe rajonin të qëndrueshëm.

Kryeministri Kurti theksoi qëndrim e tij të njohur lidhur me nismën Ballkani i hapur:

“Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërkaq Europa është kontineti ynë”, u shpreh Z. Kurti, duke shtuar se Republika e Kosovës i mbështetë të gjitha nismat rajonale të cilat burojnë nga BE.

Ndërkohë, Kryeministri Zaev tha se megjithë pikëpamjet e ndryshme (me zotin Kurti lidhur me Ballkanin e Hapur), kjo nuk e pengon bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy vendeve fqinje.

Vendet rajonit kanë praktikuar së fundmi mbledhje të përbashkëta mes qeverive, për të dëshmuar marrëdhëniet e mira midis tyre dhe për t’u shfaqur në një dritë pozitive para syve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku ato synojnë integrimin.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>