Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka filluar të intensifikohet kohëve të fundit.
Megjithëkëtë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe procesit të dialogut nuk besojnë se këtë vit, ose në pjesën e parë të 2023-ës do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thonë se kjo mund të ndodhë vitin tjetër dhe se në marrëveshjen finale mund të ndikojnë edhe zhvillimet e luftës Rusi-Ukrainë.
Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbi duket se ka marrë një dinamikë të re, kohëve të fundit, sidomos pas përfshirjes direkte të Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë emëruar edhe emisarë të posaçëm për dialogun. Megjithëkëtë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të procesit të dialogut, nuk besojnë se këtë vit, ose në pjesën e parë të 2023-ës do të ketë një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Një gjë të tillë e thotë edhe Valon Murtezaj, profesor i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit. Murtezaj, tutje thotë për Radio Kosovën se arritja e marrëveshjes finale nuk mund të jetë e afërt marrë parasysh destruktivitetin e Qeverisë së Serbisë.
“Shtytja që është duke i bërë procesit të dialogut, Franca dhe Gjermania, e në përgjithësi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është gjë e mirë. Megjithatë, këtë vit ose në fillim të vitit të ardhshëm nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje finale, sepse procesi është kompleks dhe këtu kemi të bëjmë me destruktivitetin e Qeverisë së Serbisë. Ky është problemi kryesor. Veç kësaj, tani të gjithë po e shohim që Serbia është afruar edhe më shumë me Rusinë, në kohën kur secili vend evropian ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës”, thotë Murtezaj.
Përkundër zhvillimeve të kohëve të fundit, edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, është skeptik për sa i përket rezultateve të shpejta drejt arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.
“Nuk besoj se këtë vit mund të kemi një marrëveshje. Mund të përafrohemi, por këtë vit jo se jo! Ndërsa, vitin e ardhshëm do të varet gjithçka nga përfundim i luftës në Ukrainë. Sepse, besoj unë, situata do të varet edhe nga ajo se si do të pozicionohet Serbia, ngase Bashkimi Evropian në njëfarë mënyre qe 23 vite e ka privilegjuar Serbinë. Dhe, këto janë pasoja të politikës privilegjuese që BE-në e ka futur në defanzivë”, tha Arifi për Radio Kosovën.
Nga muaji gusht e deri në mesin e shtatorit, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tri herë vizitoi Kosovën.
Në vizitën e fundit në Prishtinë, Lajçak po ashtu paralajmëroi takime të përmuajshme ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Të njëjtit, për herë të fundit u takuan në muajin gusht, në Bruksel.
rk