Mesazh nga Berlini: Vuçiq ka bërë pak

Nils SchmidNë një intervistë për DW, eksperti i politikës së jashtme të SPD-së, Nils Schmid, kritikon politikën e presidentit serb. Po pse?

 

DW: Zoti Schmid, Gjermania është në krizë, qeveria federale është në krizë, partia në pushtet është në krizë. Kongresi i SPD-së ndiqet me vëmendje edhe jashtë vendit, veçanërisht për shkak të frikës se edhe Gjermania mund të hyjë në një fazë të destabilitetit politik. Përshtypja juaj pas fjalimit të Olaf Scholz: a është partia e bashkuar, a besoni se qeveria federale do të mbijetojë me gjithë mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit?

Nils Schmid: Olaf Scholz mbajti një fjalim shumë të mirë. Më mirë se sa pritej. Ai tregoi se është një socialdemokrat i vërtetë, ai arriti të bindë si audiencën ashtu edhe delegatët tanë të partisë se është kancelari i duhur për këto kohë të vështira. Por jo gjithçka varet vetëm nga SPD. Ne kemi nevojë edhe për vullnetin politik të partnerëve tanë të koalicionit për të arritur një kompromis për buxhetin e vitit të ardhshëm. Jam i bindur se është e mundur.

Pse jeni të bindur për këtë?

Jemi të rrethuar nga sfida të shumta ndërkombëtare. Ne duhet të sigurojmë burime të forta financiare për t’i përballuar ato. Për shembull, vazhdimi i ndihmës sonë ushtarake dhe financiare për Ukrainën është gjithashtu një pjesë integrale e buxhetit të ri.

Dhe a do të mbijetojë qeveria federale? Çfarë sinjali u dërgon SPD nga ky kongres partnerëve europianë?

Sigurisht që do ta mbijetojë. Nuk është hera e parë që në Gjermani ka polemika brenda koalicionit qeverisës për buxhetet apo prioritetet, por historia tregon se qeveritë gjermane udhëheqin një politikë solide dhe kujdesen për interesat e brezave të ardhshëm. Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për këtë.

Në fjalën e tij, Olaf Scholz përsëriti se Gjermania është e vendosur të qëndrojë me Izraelin. A ju duket se Gjermania është e izoluar nga agjenda ndërkombëtare për shkak të mbështetjes së saj për Izraelin? Gjermania, ndryshe nga disa partnerë të tjerë, nuk përcaktoi asnjë vijë të kuqe në lidhje me qeverinë e Netanyahut, Berlini nuk tha se deri ku mund të shkojë Netanyahu në aksionin ushtarak në Gaza në përpjekje për të shkatërruar Hamasin, operacion në të cilin vdesin edhe mijëra civilë?

Para së gjithash, Gjermania nuk është aspak e izoluar. Ne e mbështesim Izraelin sepse duam që Izraeli të jetë një strehë e sigurt për hebrenjtë. Në të njëjtën kohë, Gjermania është donatori më i madh i ndihmës për palestinezët, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndihmën humanitare dhe ndihmën për civilët. Prej vitesh ne kemi mbështetur një zgjidhje që parashikon dy shtete të pavarura, krah për krah. Dhe mund të shihni përpjekjet e mëdha diplomatike të kancelarit dhe anëtarëve të qeverisë së tij për të zgjidhur këtë krizë, ata nuk po udhëtojnë vetëm në Izrael, por edhe në vendet arabe…

…ndërkohë që po vazhdojnë vuajtjet dhe vrasjet e civilëve në Gazë…

Jemi të vetëdijshëm për problemet në Gaza, kancelari theksoi se është e nevojshme që Izraeli t’i përmbahet në masë më të madhe të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ai e tha këtë në fjalimin e tij në kongresin e SPD-së, si dhe foli edhe për vuajtjet e civilëve palestinezë. Ne kemi ndjeshmëri me vuajtjet e popullit palestinez, por edhe mbështesim plotësisht Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit.

Përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme hodhi nën hije luftën në Ukrainë. Ndërsa presidenti ukrainas Zelensky tha së fundmi se Rusia po përgatit de fakto një luftë të re në Ballkan. A është i mundur shpërthimi i një krize të re në Evropë?

Ka shumë destabilitet në zonën e Ballkanit Perëndimor. Në Bosnjë-Hercegovinë shohim tensione, ka tensione mes Serbisë dhe Kosovës, ato janë shtuar kohët e fundit. Që nga dita e parë pas marrjes së detyrës, kancelari Scholz u përfshi personalisht në procesin e stabilizimit dhe perspektivave evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne po vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike për uljen e këtyre tensioneve, veçanërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. I ftuar në kongresin tonë të partisë edhe Albin Kurti. E vetmja rrugëdalje nga këto konflikte është një perspektivë e qartë evropiane.

Të kthehemi tek ajo që tha Zelenski: sa real është rreziku i një lufte të re në Ballkan? Dhe çfarë mund të bëjë qeveria federale gjermane, e cila vetë përballet me shumë sfida në vend, konkretisht në drejtim të stabilizimit të rajonit?

Rusia ka nxitur trazira në Ballkanin Perëndimor për disa vite, kryesisht duke mbështetur Aleksandar Vuçiqin dhe Milorad Dodikun. Ne kemi frikë se Rusia mund të vazhdojë të përpiqet të nxisë trazira dhe të nxisë tension. Kjo është pikërisht arsyeja pse është shumë e rëndësishme t’i ofrohet Serbisë, si dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, një perspektivë e qartë për anëtarësim të plotë në BE. Në Kosovë kemi një qeveri që ndjek me vendosmëri kursin pro-evropian, në Serbi, për fat të keq, kemi një kryetar shteti që ka vite që udhëheq politikën e mashtrimit. Do të shohim se si do të duken rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, pra nëse do të forcojnë forcat pro-evropiane në Serbi. Me dhënien e statusit kandidat të Bosnjë-Hercegovinës, ne ofruam një perspektivë të qartë, negociatat do të hapen pas plotësimit të parakushteve specifike. Kjo është oferta jonë: prosperitet përmes bashkëpunimit. Dhe jo tensione përmes nacionalizmit. Shpresoj, në fakt jam i bindur, që qytetarët e Ballkanit Perëndimor duan të ecin pikërisht në këtë rrugë. Me disa krerë shtetesh, ne jemi skeptikë për këtë. Sidomos me zotin Vuçiq. Dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë në të fokusuar për të forcuar ato forca që qëndrojnë për perspektivën evropiane.

Çfarë pret qeveria gjermane nga Vuçiq pas zgjedhjeve?

Nuk mjafton që një vend të jetë vetëm stabil. Është thelbësore që mediat të jenë të lira në Serbi, që shteti i së drejtës të rivendoset, që demokracia të jetojë vërtet në praktikë. Në fushatën zgjedhore pamë metoda jashtëzakonisht të pandershme të përdorura nga qeveria dhe mediat qeveritare. Opozita demokratike dhe pro-evropiane në fushatën parazgjedhore nuk kishte të njëjtat kushte si partia në pushtet. Kjo është një goditje e rëndë për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. Nuk  mjaftojnë fjalët, të rëndësishme janë vetëm veprimet. Dhe kur bëhet fjalë për punët konkrete, Vuçiq thjesht ka bërë shumë pak vitet e fundit. Në vend të kësaj, ai vazhdoi të minojë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Shpresojmë se në zgjedhjet në Serbi do të forcohen subjektet pro-evropiane, demokratike.

 

dw/Srecko Matic

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>