Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë në njohje, në rast se të dyja shtetet duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
“Normalizimi duhet të rezultojë në njohje, nëse të dyja, Kosova dhe Serbia, duan t’i bashkohen BE-së. Shumë shpesh ajo që është etiketuar ‘hap pas hapi’ rezulton të jetë ‘tit for tat’ që nuk ndihmon asnjërën palë. Vendimet e guximshme janë shumë të nevojshme!”, ka shkruar Rohde në platformën X.
Shprehja “Tit for tat” e përdorur nga ambasadori përshkruan një situatë të reciprocitetit në veprime, veçanërisht kur dikush përgjigjet në formë hakmarrjeje.
Edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, dje në një intervistë televizive ka sqaruar termin “raporte të normalizuara” në mes të Kosovës dhe Serbisë, meqë thotë se disa njerëz në Kosovë shqetësohen kur e dëgjojnë të thuhet diçka e tillë nga amerikanët me mendimin se kjo është diçka më pak se ajo çfarë në të vërtetë është kërkuar përfundimisht.
Hovenier ka thënë se është i lumtur të sqarojë se një terminologji e tillë s’nënkupton diçka të tillë dhe rithekson se pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë në dy kampet.
Diplomati amerikan ka thënë se qëndrimi i SHBA-së është se rezultati përfundimtar i negociatave ne mes të Kosovës deh Serbisë mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë.
“SHBA beson se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njoha reciproke”, ka thënë Hovenier në Klan Kosova.
Ambasadori amerikan ka thënë se për këtë çështje e shpreh me mjaftë bindje qëndrimin amerikan.
Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë në nivelin e lartë apo në atë të kryenegociatorëve, kanë një emërues të përbashkët: përfundimin pa rezultate konkrete.
Palët, që dialogojnë prej vitit 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja ka theksuar se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve.
Kosova dhe Serbia kanë edhe mendime të ndryshme për përfundimin e procesit të normalizimit të raporteve. Kosova kërkon njohje reciproke, ndërkaq Serbia do kompromis ku “asnjëra palë s’do të jetë fituese absolute apo humbëse absolute”.
Telegrafi