Përvjetori i bombardimeve të NATO-s

helikopteri natoShtatëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Shënimi i kësaj dite në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.(voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>