Dy ditë më parë ishin të veshur me uniformë të policisë. Por tani, të veshur me rroba civile, ish pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komnuniteti serb, në veri të vendit, po shkojnë një nga një në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.
Siç shihet edhe në fotografitë e shkrepura nga gazetari i RTK-së, Hysni Demaku, ata me vete kanë çanta ose qese, në të cilat kanë vendosur edhe armët zyrtare, të cilat janë duke i dorëzuar.
E brenda, pjesëtarë të administratës së policisë, nën vëzhgimin e Zëvëndëskomandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hotit, janë duke dorëzuar pistoletat.
Pas mbushjes së formularëve dhe protokollimit të tyre, tashmë ish pjesëtarët e Policisë së Kosovës të konunitetit serb, largohen si të papunë.
Gazetari i RTK-së, Hysni Demaku, deklaron se ka provuar disa herë të kontaktojë e bisedojë me ta, për të kuptuar aspektin emocional të tyre, pasi bashkë me uniformën dhe pistoletën, ata po braktisin edhe vendin e punës.
Megjithatë, ai tregon se reagimet e tyre janë shumë të vrazhda dhe është gati e pamundur të bsiedohet. Sipas tij, kjo vrazhdësi nuk është vetëm në drejtim të gazetarëve të mediave shqiptare, por edhe atyre serbe.
Në katër konunat e Kosovës në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, veprojnë rreth 300 pjesëtarë të Policiasë së Kosovës, e që janë kryesisht të komunitetit serb.
rtk