Dy ministra të Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar publikisht se ish-lideri serb i viteve ‘90, Slobodan Milosheviq, “nuk ka qenë kriminel, por hero” dhe se ai ka luftuar për “interesat serbe”.
Duke komentuar vendimin e paradokohshëm të Tribunalit të Hagës, sipas të cilit Slobodan Milosheviqi lirohet nga akuzat për pjesëmarrje në krim lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se në fund, do të vërtetohet se Milosheviqi “nuk ka qenë kriminel lufte, por luftëtar për interesa të serbëve”.
Daçiqi, që tani është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), të cilën Milosheviqi e ka udhëhequr derisa ka qenë gjallë, në vitet ‘90, në kohën e luftërave në Bosnjë dhe Kosovë, ka qenë zëdhënës i kësaj partie, shkruan sot Koha Ditore.
“Herë do kurdo, e vërteta del në sipërfaqe. Kështu është edhe tani, Milosheviqi nuk ka qenë kriminel lufte, por i ka mbrojtur interesat serbe dhe këtë do ta dëshmojë historia”, ka thënë Daçiqi në një deklarim për tabloidin serb “Alo”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)