Rashiq: Ndalimi i Trajkoviqit rast i turpshëm, kemi mendim ndryshe nga regjimi i Beogradit

RashiqRashiq: Ndalimi i Trajkoviqit rast i turpshëm, kemi mendim ndryshe nga regjimi i Beogradit

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se ndalimi i këshilltares se tij, Rada Trajkoviq, nga Policia e Serbisë, në pikën kufitare në Merdar, është rast i turpshëm.

Ai ka theksuar se ajo është e sëmurë me diabet dhe se Policia e kufitare e Kosovës pas kërkesës së tij, i ka blerë asaj insulina.

“Ndalimi i saj është një rast i turpshëm, është e moshuar dhe ka sëmundje të diabetit dhe i nevojitet rregullisht insulina, dhe për këtë kam lutur policinë kufitarë të Kosovës, ata kanë shkuar në Podujevë dhe i kanë blerë insulinën, me këtë rast sinqerisht i falënderoj. Ky është një gjst shumë i mirë i tyre”, ka theksuar Rashiq.

Ai ka thënë se ka pasur raste kur edhe vetë është ndaluar por se nuk e kanë mbajtur gjithë natën si Trjakoviqin. Në ndalimin e saj sipas tij ka ndikuar fakti, që ai e Trajkoviqi, kanë mendim ndryshe nga Qeveria e Beogradit.

“Nga ardhja e përfaqësuesve të ri në agjencinë BIA, do të jetë një doktrinë e re që do të aplikohet ndaj nesh që kemi mendim të lirë dhe mendojmë ndryshe nga regjimi aktual i Beogradit”, ka theksua Rashiq.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Qeveria, që t’i kërkojnë grupit të Quint-it që të bisedojnë me kolegët e tyre në Beograd që Trajokoviq të lejohet të hyjë në Serbi.

Trajkoviq fillimisht të enjten, nga Policia e Serbisë është ndaluar për katër orë gjatë hyrjes së saj në Kosovë.

Përsëri gjatë kthimit të saj në Serbi, ajo është ndalur, dhe sipas ministri Rashiq, ende është duke u mbajtur në kufi.

 

09:07

Ndalimi i Trajkoviqit në Merdar, Qeveria në kontakt me QUINT-in dhe Zyrën e BE-së

 

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i ka kërkuar kabinetit qeveritar që të gjejë një mënyrë që t’ia mundësojë këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, lëvizjen e lirë pasi kjo e fundit është ndaluar në pikën kufitare në Merdar prej disa orësh.

Rashiq i ka lutur ministrat që të gjendet një zgjidhje.

“Dje këshilltarja ime duke ardhur nga drejtimi i Beogradit në vendkalimin kufitar në Merdar është ndaluar 4 orë në hyrje. Ka pasur takime të caktuara edhe me ambasadorin Hovenier. Prapë është ndaluar dhe deri në këto momente kur po flas është ende e ndaluar atje. Atje është qe 14 orë, arsyetim juridik nuk kanë, i kanë marrë dokumentet dhe ajo pret. Dua t’ju lus e di që nuk është në kompetencën tonë, por të dërgoni një shkresë qysh sot nga kabineti anëtarëve të QUINT-it të shprehni lutje për të biseduar me kolegët e tyre në Beograd që çështjet e tilla të mos ndodhin. Ju lus nëse dini ndonjë mënyrë tjetër, përveç komunikimit parimor, unë nuk e di çfarë mund të bëjmë tjetër”.

Ndërkohë, është bërë e ditur se nga Ministria e Punëve të Jashtme veçse janë ndërmarrë hapa. Ministrja Donika Gërvalla ka thënë se janë drejtuar në Zyrën e BE-së dhe se janë kontaktuar ambasadat e shteteve të QUINT-it.

“Me të marrë informacionin sot në mëngjes që këshilltarja mbahet në kufi dhe nuk lejohet lëvizja e saj, përmes zyrës sonë në Beograd kemi ndërmarrë të gjithë hapat zyrtarë për informimin e Zyrës së BE-së që është garancë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës brenda BE-së. Zyra jonë është aktive për të siguruar lëvizje. E di që edhe ambasadat e QUINT-it që i kam kontaktuar, janë në lëvizje edhe në Beograd edhe në Prishtinë dhe po shpresoj se do jetë kohë e shkurtër deri kur ajo të mund të lëvizë”, ka thënë Gërvalla.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka shtuar se “do të shoh se çfarë mund të bëj sot paradite që Trajkoviqi të mund të lëvizë”.

 

08:51

Trajkoviqi mbahet për mbi 12 orë në Merdar, e përfshirë edhe BIA

 

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, e cila është edhe këshilltare e Nenad Rashiqit, ministër në Qeverinë e Kosovës, ka më shumë se 12 orë që po mbahet në vendkalimin në Merdare dhe nuk po lejohet të hyjë në Serbi.

“Që prej orës njëmbëdhjetë, pa shpjegim dhe arsye, qëndroj në kufi, ku më janë konfiskuar dokumentet në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme dhe më është penguar liria e lëvizjes”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter, mëngjesin e së premtes.

Ajo gjithashtu deklaroi se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) ka marrë përgjegjësinë për ndalimin e saj.

“Siç thashë: policia që më pengon lirinë e lëvizjes e kupton që pas 4 orësh – limiti ligjor për ndalimin pa arsye të një qytetari – po shkelin ligjin me veprimet e tyre”, deklaroi ajo.

Siç ka shkruar gjatë natës në Twitter, mes personave që i janë drejtuar dyshohet se është edhe një përfaqësues i BIA-s.

“Erdhi një 20-vjeçar dhe tha se ishte nga BIA. Ai nuk prezantohet, nuk më merr në pyetje, nuk më tregon arsyen pse jam ndalur, por më thotë se ka vetëm një urdhër që të mos më japë dokumente. Natyrisht, ai ka ardhur vetëm për të justifikuar qëndrimin tim të paligjshëm këtu për më shumë se 5 orë”, tha ajo.

“Nëse BIA ka marrë përgjegjësinë për ndalimin tim në vijën administrative për më shumë se 5 orë, le të vijnë të më marrin në pyetje siç e dikton profesioni i tyre. Në pritje! Gjithçka tjetër është vetëm shpërdorim detyre”, tha ajo.

Trajkoviq edhe të enjten, për disa orë nuk ishte lejuar të hynte në Kosovë.

kd

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>