Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institucione thelbësore të sigurisë.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë, në kuadër të një vizite dy ditëshe në Kosovë.
““Fakti që jam këtu është për të treguar mbështetjen për atë që po bëni ju, për atë që po bën policia juaj, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Mesazhi im për ta dhe për të gjithë ju do të ishte që Shtetet e Bashkuara janë këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar siguri thelbësore dhe struktura të drejtësisë dhe po punojmë për një Kosovë më të mirë sot dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen”, tha zoti Robinson.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se sukseset e institucioneve të vendit janë dëshmi e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheq ndihmës sekretari Robinson, duke përfshirë edhe themelimin e policisë së Kosovës e cila sot gëzon besimin e mbi 95 për qind e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu edhe të Agjencisë së Forenzikës, Akademisë të Sigurisë Publike të Kosovës e cila ka edukuar breza të tërë të policëve tanë si dhe Inspektoratit të Policisë i cili si institucion po sigurohet të ruhet profesionalizmi dhe respektohet ligji në çdo hap të institucioneve tona ligjzbatuese”, tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani tha se për Kosovën synim strategjikë mbetët anëtarësimi në Interpol, i cili tha ajo, do të ishte i pamundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona, duke përmirësuar përgjigje tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetarë të Kosovës pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në Interpol janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale trans-nacionale, është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe Shteteve të bashkuara që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha presidentja Osmani.
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson gjatë vizitës në Kosovë do të takohet edhe drejtues të institucioneve të sigurisë dhe gjyqësorit, sektorë këta që vazhdojnë të mbështeten nga Shtetet e Bashkuara në forcimin e mundësive për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
voa