Përfshirja e Rusisë në Ballkan përmes sistemit të raketave tronditi Perëndimin. Sipas marrëveshjes së arritur më 30 tetor në Moskë ndërmjet kryeministrit serb Vuçiç dhe atij rus, Medvedev, Beogradi ka lidhur një marrëveshje prej 2.5 miliardë dollarësh për të blerë armë ruse, të paspecifikuara nga qeveria serbe.
Por nga media ruse dhe serbe thuhet se, sisteme të fuqishme të raketave ruse, BUK dhe S-400 Triumf, priten të instalohen pranë Luginës së Preshevës, ndërkohë që jo shumë kilometra më larg, në rajonin e Ferizajt në Kosovë, ndodhet baza më e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e “Bondstill”-it.
Marrëveshja që firmosi Vuçiç në Moskë është cilësuar si një politikë “e uljes në dy karrige”, pasi nga njëra anë ai betohet për marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe bëhet gati të firmosë me BE-në, e nga ana tjetër sjell kërcënimin e armatimit rus në Ballkan, duke rritur tensionet në rajon.
Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojiç, deklaroi dy ditë më parë se, “ne e ndjejmë veten të sigurt, pasi jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk i frikësohemi asnjë lloj sulmi”.
Ndërkaq, ekspertë të njohur në Serbi i kanë bërë thirrje Vuçiçit të heq dorë nga politika e dyfytyrësisë me Perëndimin, pasi kështu mund të tensionojë marrëdhëniet në rajon.
Profesori i Shkencave Politike, Ivo Viskoviç, ish-diplomat, e shikon marrëveshjen e fundit me Moskën si një “lojë me zjarrin”, që do të ndikojë në marrëdhëniet me fqinjët, e se ajo minon politikën e nisur për pajtimin mes fqinjëve ballkanikë. Kjo politikë e promovuar nga Vuçiç merr fund në momentin e instalimit të mbrojtjes së raketave ruse, që do të sjellë edhe ndërhyrjen e NATO-s.
Zyrtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut pritet që të reagojnë me sqarimin e situatës dhe nuk përjashtohet mundësia e instalimit të mbrojtjes në vendet anëtare të NATO-s.