Partia në pushtet në Serbi zotëron një ushtri të vogël, që lufton për të në internet. Me të krijohet një realitet paralel, në të cilin në Serbi të gjitha gjërat ecin si duhet dhe ku kritikët janë vetëm armiq të shtetit.
Kështjella, kështu e quan Marija “punëdhënësin” e saj të mëparshëm. Ajo qe angazhuar nga Partia serbe e Përparimit, e cila nën kryeministrin Aleksandar Vučić e drejton vendin gjithnjë e më shumë në të gjitha fushat në mënyrë autokratike. Prej kohësh ka pasur fjalë për një të ashtuquajtur ushtri “trollesh”, personash që nxjerrin në internet në vazhdimësi komente false, të angazhuar në betejën e internetit.
Në forume, në komente dhe në rrjete sociale ata dalin të maskuar si “qytetarë normalë”, të cilët brohorasin për qeverinë dhe shajnë kritikët. “Për mua qe e vështirë që ta bëja këtë, të fabrikoja afera të ndryshme, megjithëse e dija se bëhej fjalë për gënjeshtra”, i tregoi Marija, e cila në të vërtetë quhet ndryshe, botimit serbisht të revistës Newsweek. Ajo është një ndër të paktat që ka folur për punën e saj si troll, edhe nëse e bëri këtë në mënyrë anonime. Ndoshta sepse Marija jeton sot jashtë vendit, e paarritshme edhe për krahun e gjatë të pushtetmbajtësve serbë.
Ajo që të frikëson në historinë e saj është para së gjithash niveli i organizimit – kontigjente trollesh ka në shumë qytete, zyra të fshehura, punë me turne dhe kapo, që vëzhgojnë gjithçka. Dhe ka para. “Të gjithë ne figuronim të punësuar si nëpunës civilë diku në administratën publike”, pohon ajo. Paga: duke nisur nga 370 euro e lart, që i përgjigjet pagës mesatare në këtë vend të varfër ballkanik. “Puna si troll ishte për mua mbijetesa. Një punë për të qenë nuk gjeja dot, ky ishte burimi im i vetëm i të ardhurave.”
Televizioni vjen i pari
Kryeministri popullor Vuçiç dhe partia e tij e Përparimit, erdhi pesë vjet më parë në pushtet dhe ka shënuar që atëherë vetëm fitore dërrmuese ndaj kundështarëve. Kjo në një kohë kur dora e fortë e Beogradit mblodhi në vitet nëntëdhjetë përvojë të mjaftueshme me propagandë dhe censurë. Në vitet e fundit të regjimit të Miloshevicit, kur pati shpërthyer lufta e Kosovës, nacionalisti luftarak Vučić ishte edhe ministër i Informacionit, një emërtim shumë thjeshtëzues. Sepse ajo që bënte ai ishin para së gjithash propaganda dhe censura. Por rikthimin në politikë me partinë e tij të re ai e festoi si politikan proevropian, i cili gjoja ka ndryshuar dhe që është i gatshëm të punojë ditë dhe natë për të mirën e popullit të tij. I parë me sytë e Brukselit, ai është një prototip i princit ballkanik, i cili para së gjithash bën një gjë – arrin rezultate.
Çelësi për popullaritetin e tij të pandërprerë janë stacionet televizive, që shihen në të gjithë vendin, thotë Mihailo Tesic. Eksperti i marketingut në Beograd kujton faktin që mesatarisht serbët vazhdojnë të rrinë pesë orë në ditë para televizorit dhe në sondazhe të ndryshme janë bërë disa herë kampionë bote. Nga ana tjetër, gjysma e popullatës e përdor internetin rregullisht, vetëm një e katërta informohet vetëm online, siç nxorri në pah një studim i qendrës kërkimore “Mendimi i ri politik i Serbisë”.
“Interneti si kanal komunikimi është për qeverinë aq i rëndësishëm, sa e madhe është ushtria e saj e internetit”, thotë Tesic në bisedë me DW. Nga kundërshtarët politikë dhe ata që mendojnë ndryshe kjo ushtri është zbuluar prej kohësh dhe ata tallen me të. Ajo i shërben në radhë të parë komentimit të teksteve në disa portale që ndiqen shumë. “Atje trollet duan të krijojnë përshtypjen se qytetarët e mbështesin pa rezerva politikën e qeverisë. Të tjerëve u mbetet vetëm të dorëzohen të demoralizuar”, thotë Tesic.
Si lojë
Brenda për brenda, trupat e trollit i organizojnë aktivitetet e tyre si lojë, kjo dihet nga ata pak vetë që tregojnë. Ka disa platforma, ku drejtuesit e turnit ndajnë urdhërat dhe ku trollerat mund të shënojnë sa komente, pëlqej dhe tweet-e kanë postuar në to. Ato klasifikohen në bazë të sistemit të pikëve, prej të cilit varet vendi i tyre në hierarki si dhe paga. Megjithatë, komentet e trollereve mbeten shumicën e herëve pa fantazi. Veçanërisht i preferuar dhe i përdorshëm kudo është “Urime, Vucic”. Punët e thjeshta e të fëlliqura teorikisht mund t’i kryejnë edhe bots, pra programe që hiqen sikur janë njerëz në internet. Por ato janë ende thjesht shumë budallaqe, për të shkruar si duhet në serbisht.
Fondacioni i Beogradit, Share, i cili studion mediet e reja thotë se në fillim “ne kujtuam se mediet sociale mund të jenë një themel i demokracisë, se e çlirojnë opinionin nga monopoli i informimit”. Đorđe Krivokapić, drejtor i programit të fondacionit i thotë më tej DW: “Por kur nuk kemi liri në hapësirën reale, nuk mund të kemi as në atë digjitale.” (dw/Nemanja Rujevic)