Takim Biden-Vuçiç në Uashington

Biden - VucicNënpresidenti i SHBA Joe Biden u takua dje në Uashington me Kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç dhe vuri në dukje rëndësinë strategjike, që sipas tij, kanë përpjekjet e Serbisë për të nxitur pajtimin rajonal në Ballkan dhe çuarjen përpara të dialogut me Kosovën, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas zyrës së Nënpresidentit, zoti Biden dhe Kryeministri serb diskutuan edhe mbi procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, për të cilin të dy udhëheqësit janë dakord se do të garantonte qëndrueshmërinë dhe begatinë afatgjatë për Serbinë dhe rajonin. Zoti Biden përshëndeti përpjekjet dhe durimin, që sipas tij, po tregon Serbia për të përballuar valën e refugjatëve dhe krizën e tanishme të emigracionit. Ai premtoi se do të shikojë mundësinë që SHBA të japin mbështetje shtesë.

Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi zbatimin nga Serbia të reformave të nevojshme ekonomike dhe mbi rëndësinë e krijimit të një klime pozitive biznesi për të tërhequr investimet e ardhshme amerikane në Serbi. Ata diskutuan edhe mbi çështjen e sigurisë energjitike dhe të sundimit të ligjit.

Duke folur me gazetarët pas takimit, zoti Vuçiç komentoi për panikun që, siç tha ai, ka shkaktuar kriza e emigrantëve në të gjitha vendet evropiane, duke përfshirë edhe publikun serb. Ai tha se nuk ka arsye për një panik të tillë. “Ne mund t’i zgjidhim këto probleme në një atmosferë solidariteti të sinqertë. Nuk mendoj se këto çështje janë aq të frikshme dhe të pakapërcyeshme sa ç’pretendojnë disa vende,” tha Kryeministri Vuçiç.

Në prag të vizitës së zotit Vuçiç në Uashington, pesë anëtarë të Kongresit amerikan i dërguan një letër Nënpresidentit Biden, ku akuzonin Kryeministrin serb se ka lidhje me blerjen e disa kompanive strategjike dhe me keqësimin e mjedisit mediatik në vend. Letra u bë e ditur të hënën nga portali serbTeleprompter.

Anëtarët e Kongresit ngrejnë akuza se një grup i vogël njerëzish të drejtuar nga vëllai i Kryeministrit, Andrej Vuçiç, dhe dy miq të tij të ngushtë, Nikolla Petroviç dhe Zoran Korac, “kanë konsoliduar ndikimin dhe interesin e tyre në fushat e energjisë, telekomunikacionit, infrastrukturës dhe në të gjitha bizneset e mëdha në Serbi”.

Kongresmenët thonë në letër se marrëdhëniet e këtij grupi me të dërguarin e posaçëm të presidentit rus Putin, Alexander Babakov, duhet të shqyrtohen me imtësi.

Në letër thuhet gjithashtu se të drejtat e gazetarëve “kanë rënë në pikën e tyre më të ulët që prej tiranisë së Sllobodan Millosheviçit” dhe se mediat në Serbi kontrollohen drejtpërdrejt nga Kryeministri, famila e tij dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij të biznesit.

Anëtarët e Kongresit kritikojnë edhe mungesën e përparimit në zgjidhjen e çështjes së tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare që luftuan përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më vonë u vranë në një qendër stërvitore të policisë në Serbi.

Pavarësisht nga premtimet e bëra ndaj familjes Bytyqi dhe qeverisë amerikane, – thuhet në letër, – Serbia ende nuk i ka gjetur fajtorët. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>