Trump dhe Merkel bisedojnë në telefon edhe për Ballkanin Perëndimor

trump merkelZëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert, tha të hënën se kancelarja Angela Merkel dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë diskutuar në një bisede telefonike lidhur me situatën në Siri, Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor.

Agjencia e lajmeve Reuters, citon zotin Seibert, sipas të cilit “të dy udhëheqësit ndan shqetësimet rreth zhvillimeve në Siri, posaçërisht për situatën humanitare në rajonin rreth Idlibit, folën gjithashtu për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe tregtinë”. Po zëdhënësi Seibert nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Biseda është zhvilluar në një periudhë shtimi debatesh rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.

Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha që se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

Më herët gjatë këtij muaji, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që është shprehur edhe nga Britania e Madhe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti i Serbisë, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Prishtina e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve do të mbahet më 7 shtator.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>