A ka gjasa që kjo deklaratë e ambasadorit të hapë mundësi për Qeveri teknike e cila do të shpallte edhe zgjedhjet e parakohshme, apo ajo nuk do të ndryshojë asgjë, për shkak të kushteve dhe rrethanave në të cilat vjen?Ambasadori në largim i SHBA-ve, Poll Uollers tha se nuk e shikon si ekstreme kërkesën e opozitës për qeveri teknike.
“Për sa i përket qeverisë teknike nuk është aq e pazakontë. Edhe shtete të tjera kanë qeveri teknike apo qeveri pjesërisht teknike. Madje unë i kam pare disa të tilla, kur persona në pozicione të caktuara kanë lëvizur vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe pastaj janë kthyer sërish, varësisht rezultateve të zgjedhjeve. Pra qeveria teknike nuk është ekstreme. Këtu, problemi është se si të gjendet një marrëveshje në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm të një partie politike”, tha në një intervistë për Televizionin “Sitel”, Poll Uollers, ambasadori në largim i SHBA-së.
A ka gjasa që kjo deklaratë e ambasadorit të hapë mundësi për Qeveri teknike e cila do të shpallte edhe zgjedhjet e parakohshme, apo ajo nuk do të ndryshojë asgjë, për shkak të kushteve dhe rrethanave në të cilat vjen?
Analistët kanë mendime të ndryshme në këtë drejtim.
Politologu Qashif Bakiu është i mendimit se elitat politike vendore duhet të mendojnë në këtë drejtim. “Në radhe të parë deklaratat e një diplomati që kanë ndikim në politikat e përgjithshme, duhen parë seriozisht dhe duhet trajtuar me një vëmendje të veçantë. Është e zakonshme në praktikat diplomatike, që diplomatët e nivelit të ambasadorit të SHBA-ve, Uollrs, që në ikje të japin konstatimet e tyre dhe duhet që elitat politike vendore të mendojnë në këtë drejtim”, thotë Bakiu për “Lajm”. .
Sipas Bakiut, kjo deklaratë e ambasadorit Uollers i hap rrugën një qeveria teknike, por megjithatë një qeverie teknike ku do të merrnin pjesë të gjitha palët politike dhe do të organizonin zgjedhje të parakohshme.
“ngërçi politik është më I vështirë sesa një qeveri teknike që do të mund ta kalonte vetëm krizën aktuale. Dimë se mandatet e opozitës, ligjërisht janë të djegura dhe çdo hap tjetër për rikthim të opozitës maqedonase në parlament do të ishte shkelje mbi ligjet, që nënkupton edhe shkelje mbi Kushtetutën e Maqedonisë. Mbase pas kësaj deklarate shoh një tentativë për të shpall zgjedhje të reja për të cilat nuk jam I bindur se partitë në pushtet do ti kishin pranuar, por mbase edhe këto të opozitës nuk janë të përgatitur mirë”, thotë Bakiu, duke theksuar se për ndryshimet e tjera që do të bënte një koalicion I zgjeruar në emër të Qeverisë teknike, nuk mund të pritet pasi opozita maqedonase ka humbur mandatet e veta.
Ndërsa sipas analistit Edmond Ademi kjo deklaratë e ambasadorit që vjen pak ditë para se të largohet nga Maqedonia nuk do të ndryshojë asgjë dhe nuk ka asnjë kuptim.
“Se besoj duke pas parasysh pozicionet e partisë në pushtet. Kështu që deklaratat e Uollersit fatkeqësisht, (nëse janë të sinqerta), pasi vijnë në periudhën kur ai brenda disa ditëve do të ikë nga Maqedonia, kështu që është pak si ironike të flasësh publikisht për diçka për të cilën tre vitet e fundit ke fol shumë pak, ose s’ke fol aspak. Kështu që për mua deklarata e Uollersit nuk ka asnjë rëndësi, në kuptimin e saj nëse ka apo jo mundësi për qeveri teknike. Për fat të keq, Uollersi harxhoi mandatin e tij, thjesht si një administrator, dhe jo si ambasador”, tha për “Lajm”, Ademi. (lajm)