Takimet maratonë të komisionarit evropian për zgjerim Johanes Han në Shkup përfunduam pa ndonjë rezultat konkret. Zyrtari i lartë evropian madje vendosi të mbante të fshehtë mesazhet e Brukselit në drejtim të zgjidhjes së krizës politike edhe pse mësohet se gjatë takimeve me aktorët politik nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje konkrete. Pas takimit me Gruevskit, Han madje tha shkurt se ndonjëherë mos publikimi i këtyre bisedave mund të nxis progres. “Shpresoj se në fund do të arrijmë progres domethënës për perspektivën evropiane të vendit. Ndonjëherë është më mirë të zhvillohen biseda të brendshme me qëllim që të arrihet progres”, tha Johanes Han, komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi.
Ndryshe nga herët e tjera, në vend që zyrtari i lartë të pritej në qeveri, ka qenë Han ai i cili priti kryeministrin Gruevski në një drekë pune në rezidencën e Bashkimit Evropian në Shkup. Pas takimit me komisionarin Han, Gruevski gjithashtu shmangi komentet nëse janë diskutuar propozime konkrete, por tha se kishin shkëmbyer mendime.
“Folëm edhe për situatën aktuale politike. E treguam të vërtetën respektivisht atë që po ndodh. Kishim shkëmbim mendimesh”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Cila është e vërteta?
“E vërteta është ajo që e tregova publikisht”, u përgjigj Gruevski.
Komisioneri Evropian Johanes Han më herët takoi edhe liderin e opozitës Zoran Zaev, për të dëgjuar argumentet e tij rreth situatës aktuale. Zaev ka siguruar Han se do të vijoj procesin e publikimit të gjitha aferave korruptive dhe kriminale të qeverisë.
“Skandali i përgjimit të 20 mijë qytetarëve dhe ndërhyrja e qeverisë në funksionimin e Prokurorisë Publike, gjykatave, kurdisja e proceseve gjyqësore, janë një pjesë e vogël e dëshmive që i posedojmë për shkatërrimin e rendit kushtetues të Maqedonisë nga ana e Nikolla Gruevskit, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij”, ka theksuar Zaev në takimin me komisionerin Han. Ndërkohë që Han pas takimit me liderin e opozitës shkurt tha se po përpiqet të gjejë zgjidhje politike që do të jetë në interes të shtetit, por pa dashur ta bënte publike.
Në agjendën e ngjeshur të komisionarit Han, ishin edhe takimet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, me Presidentin Ivanov, zv/kryeministrin Fatmir Besimi si dhe kreun e parlamentit Trajko Veljanovski. Ivanov në takimin me Han ka theksuar se mbështet procesin e zbulimit të aktiviteteve që janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet dhe sanksionimin e autorëve të veprave penale. Ndërkohë që në takimin me Veljanovskin, siç kumtojën nga kabineti tij, Han ka theksuar se edhe deputetët evropianë janë të gatshëm t’i ndihmojnë kolegët e tyre maqedonas për kapërcimin e situatës aktuale. Nga ana tjetër në takimin mes zv/kryeministrit Fatmir Besimi dhe komisionarit Han në qendër të bisedës kanë qenë liria e 35ve, gjyqësia, lufta kundër krimin dhe korrupsionit si dhe marrëdhëniet ndëretnike. Semra Jakupi