Marrëveshja për ndërprerjen e grevës në arsim ka nxitur reagime tek shumë mësimdhënës dhe përfaqësues të SASHK në Maqedoni.Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) mbrëmë arriti marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe ate të Punës dhe Politikës Sociale për ndërprerjen e grevës, por duke mos bërë të qartë se çfarë përmban marrëveshja e arritur dhe sa do të respektohen afatet e realizimit të saj, informon INA.
SASHK mbrëmë vonë informoi se sot fillon procesi mësimor, por nuk është saktësuar se çfarë në të vërtetë do të ndodhë me kërkesën kryesore për rritjen e pagave prej 25 për qind për mësimdhënësit. Ndërkohë, janë shpalosur disa detaje jozyrtare se çfarë përmban marrëveshja e arritur.
Siç bëhet e ditur dënime për testimin ekstern nuk do të vlejnë dhe deri në vitin e ardhshëm do të pushojë dhënia e dënimeve për arsimtarët ndërsa më 15 mars do të ulen në tavolinë për të gjetur zgjidhje të përbashkët se si do të veprohet më tutje.
Për rritjen e rrogave do të formohen grupet punuese që do ët takohen dy herë në muaj bashkë me përfaqësues të Ministrisë së financave. Gjithashtu është arritur marrëveshja për rritjen graduale të rrogave nëpër çerdhe të fëmijëve.
Por nga ana tjetër, shumica e mësimdhënësve dhe anëtarëve të SASHK janë shprehur të irituar me vendimin e kreut të Sindikatës, duke theksuar se asgjë nuk është arritur, por vetëm është humbur kohë. Akuza nga mësimdhënës dhe shkolla janë se greva mund të ketë qenë edhe një skenarë i parapërgaditurnga kreu aktual i SASHK.
“]farë marrëveshje, nuk ka asgjë. Pika kryesore e jona nuk është plotësuar dhe nuk ka asnjë lëvizje pozitive. Ne jemi prap në pikën zero, dhe se vetëm kemi marrë në qafë fëmijët, duke mos mbajtur mësim. Këtu dyshojmë se ka diçka dhe fshihet ndonjë skenarë i parapërgaditur dhe i realizuar nga ana e krerëve të kësaj sindikate”, thekson për INA, një mësimdhënës nga Shkupi.
Ai thekson se tani situata është edhe më e rënduar, pasi që ka humbur besimi ndaj sindikatës dhe se çdo mësimdhënës është i detyruar të kujdeset dhe të ruaj vendin e tij të punës.
Akuzat vijnë edhe për shkarkimin e këshillit dhe kryesisë së SASHK, për shkak të mungesës së një betejë intensive dhe serioze për të arritur rezultatet apo kërkesat e kërkuara për përmirësimin e gjendjes në arsim.
SASHK pritet që në detaje të jap sqarime se çfarë është arritur dhe se a do të ketë afate se deri kur do të realizohen kërkesat e tyre. (INA)