“Rrahmanizmi kërkon ndryshimin e përcaktimit kushtetues të shtetit të Kosovës, nga shtet laik në shtet teokratik.” – deklaroi në mes tjerash në shkrimin e tij të këtyre ditëve Hysamedin Feraj, këshilltari më me influencë i Albin Kurtit , duke e emëruar këtë lëvizje islamike në gjirin e LVV sipas Eman Rrahmanit, deputet i LVV.
Për çudi, “Rahmanizmi” nuk i pengoi Hysamedin Ferajt derisa si një kancer përhapte metastazat brenda LVV-së, por u shqetësua vetem kur Eman Rrahmani bashkë me Visar Korenicën, të dy pjesë e grupit parlamentar të LVV-së, këto ditë paralajmëruan largimin nga ky subjekt politik dhe bashkimin me koalicionin e Listës për Familjen të AKR-së dhe Partisë së Drejtësisë.
Kaq e pasinqertë dhe dyfytyrëshe tingllonte kjo deklaratë e Hysamedin Ferajt, i cili nga një enverist i zjartë, u transformua në një “islamist”, erdoganist, madje duke u bërë edhe anëtar i Bordit Këshillëdhënës të Fondacionit “Qendra e civilizimit islam”, me seli në Shkup, saqë, më dukej sikur po shihja dorën e tij që po i dridhej, teksa shkruante për sekularizmin. Ashtu siç I dridhej zëri dhe I merrej goja edhe mikut dhe aleatit të tij dhe të Albin Kurtit, Afrim Gashit kur pas dovasë në parlament, i detyruar nga Mickovski deklaronte se është se…se…se…kularist.
Athua vërtetë Albin Kurti, Hysamedin Feraj dhe eksponentët e tjerë në LVV, pasi koketuan për një kohë të gjatë me islamin politik të Erdoganit, duke i bërë së fundmi shqiptarët në ish IRJM dhuratë aspiratave neootomane të tij, ta kenë kuptuar të vërtetën e hidhur se Erdogani nuk jep asgjë falas!? Athua u vetëdijësuan se “bosnjëzimin” e Kosovës ose më saktë “ sanxhakëzimin” e Kosovës Vuçiçi nuk e bën dot i vetëm përmes “zajednicës”, pa bashkëpunim e vëllaut të e tij Erdogan, I cili me shumë zemërgjërësi po “ndihmon” LVV dhe Kosovën!? Athua çfarë I lidhi Albin Kurtin me Afrim Gashin, Bilall Kasamin, Izet Mexhitin dhe Arben Taravarin!?
Shqiptarët sot nuk kane nevoje për t’u thelluar më shumë, për ta kuptuar rrezikun që Rexhep Erdogan dhe islami politik që ndjek ai si mjet për realizimin e aspiratave neootomane, përafqëson për qenien dhe sigurinë e tyre kombëtare. Agjenda e vizitave të Rexhep Erdogan, që filloi sot me Tiranën, sonte vazhdon me Beogradin, e ditët në vijim me Moskvën, flet mjaftueshëm për t’i sqaruar të gjitha!
Erdogan nuk kishte nevojë për të shkuar në Kosovë, sepse e tha qartë para ca vitesh, në mes të Prizrenit, aty ku tanimë imami turk duke ligjëruar turqisht i bën eho deklarimit të tij të famshëm: Kosova është Turqi.
E sa për situatën me shqiptarët në ish IRJM, fjalët janë të tepërta!
Afrim Fanda