Ivanov nuk e nënshkruan vendimin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë

ivanovPresidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka bërë të ditur se nuk e nënshkruan vendimin e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

“Nuk kam mandat që ta nënshkruaj vendimin. Një nga shtyllat e politikës sime të programit parazgjedhor ka qenë se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues”, nënvizon Ivanov në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Ai thekson më tej se nuk pranon ide as propozime të cilat “do ta rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin maqedonas të bashkëjetesës”.

Z. Ivanov thotë se marrëveshja me Greqinë nuk ka bazë kushtetuese:

se ligji për ratifikimin e marrëveshjes nuk është në përputhje me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Ai vlerëson se marrëveshja e vë Maqedoninë në një pozitë të nënrenditur dhe të varur ndaj një shteti tjetër, përkatësisht ndaj Greqisë dhe kjo, sipas tij, “është e dënueshme me ligj prej më së paku pesë vjet burg për personin që e bën këtë vepër”.

Parlamenti i Maqedonisë para një jave e miratoi me 69 vota marrëveshjen e nënshkruar në rajonin e Prespës greke më 17 qershor nga ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov në praninë e kryeministrave të dy vendeve fqinje dhe të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të OKB-së.

Pas këtij vendimi të presidentit maqedonas, parlamenti pritet ta miratojë për së dyti marrëveshjen, pa zhvilluar më debat dhe në një rast të tillë presidenti i vendit, sipas kushtetutës, detyrohet ta dekretojë vendimin.

Por, Ivanov ka treguar edhe më parë se nuk i përfillë detyrimet kushtetuese, siç ishte rasti me ligjin e gjuhëve që i mundësonte një shtrirje të gjerë përdorimit të gjuhës shqipe e që nuk mund të hyjë në fuqi pa nënshkrimin e presidentit.

Nga ana tjetër, drejtues shtetërorë me ndikim dhe të organizatave ndërkombëtare kanë uruar kryeministrat Zaev dhe Tsipras për marrëveshjen, e cila Republikës së Maqedonisë Veriore do t’i hapte rrugët e integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Qeveria në Shkup planifikon që marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit ta nxjerrë në referendum në fillim të vjeshtës. Më pas, parashihen të bëhen edhe ndryshime kushtetuese. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>