“Pyesni Verushevskin kujt i ka dhënë çelësin dhe cilët njerëz kanë jetuar atje”, ishte përgjigjja e Drejtorit të Ndërmarrjes Shtetërore për Banesa Cvetko Grozdanov në pyetjen e Alsat-M lidhur me banesën e cila është pronë shtetërore në rrugën “Ruzveltova nr. 64”, adresë kjo në të cilën figurojnë mbi 30 votues nga Pusteci. Ndonëse Verushevski është shpërngulur nga ajo banesë që nga viti 2003, ndërsa skandali që zbardhi ministri Spasovski ka të bëjë me zgjedhjet në vitin 2013-2014, Grozdanov me insistim sugjeron që përgjigje të kërkojnë nga ish drejtori i DSK-së.
“Çelësin që e ka kthyer te ne mundet ta kenë shumë persona. Kështu që, ne nuk kemi vërejtur të ketë shkelje ose hyrje në këtë banesë.
Alsat M: Në derë shkruan familja Kërstevski.
Pavarësisht se shkruan ‘Familja Kërstevski’, mund të shkruaj çfarëdo qoftë, mundet edhe Verushevski. Pse Verushevski atëherë nuk e ka vendosur emrin dhe mbiemrin e tij. Shtrohet pyetja përse e ka lënë emrin Kërstevski. Ja, unë as që e di se është Kërstevski, sepse ju them, nuk i di saktë banesat sepse kjo është materie e gjallë dhe ndryshon. Sot ajo banesë mund të jetë e lirë, ndërsa nesër Komisioni mund t’ia japë dikujt. Unë do të informohem se ajo banesë është ndarë në momentin kur Komisioni jep vendim. Më momentin kur ndahet vendimi, unë jam i obliguar vetëm të lidhi kontratë.
Për këtë më mirë ta pyetni z. Verushevskin sepse ai i fundit ka jetuar atje” u përgjigj Cvetko Grozdanov, Drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore për Hapësira Banesore e Afariste.
Ministri i brendshëm publikoi një listë prej 424 votuesish nga Pusteci të cilët kanë marrë letërnjoftime në mënyrë të paligjshme nga MPB-ja dhe kanë fituar të drejtë vote në komunën Qendër – pjesa më e madhe e tyre janë paraqitur në adresa banesash që janë në pronësi të shtetit. Grozdanov pohon se nuk ka pasur informata se në banesa ka pasur vendosje të paligjshme. Është e paqartë si mundet që pa dijeninë e njeriut të parë të kësaj ndërmarrje shtetërore të jenë regjistruar qindra persona nga Pusteci si banorë të komunës Qendër, dhe pse, siç publikoi MPB-ja, ata nuk i kanë plotësuar kushtet.
Pyetje Alsat-M: Është pak qesharake se 30 njerëz kanë jetuar, supozoj se ata janë paraqitur në adresë, e jo se kanë hyrë brenda. Unë personalisht nuk besoj.
Cvetko Grozdanov:“Shihni, edhe në periudhën kur z. Verushevski e ka shfrytëzuar atë banesë, ajo nuk ka qenë gjithmonë e shfrytëzuar. Pra, banesa është shfrytëzuar kohë pas kohe, kështu që pas largimit të tij banesa ishte në gjendje shumë të keqe. Këtë e dimë. Dhe a e ka shfrytëzuar dhe për çfarë e ka shfrytëzuar z. Verushevski, unë s’mund t’ju përgjigjem edhe për këtë”.
Kryetari i komunës Qendër, Zhernovski është i bindur se fitoren në zgjedhjet lokale të vitit 2013 e ka pasur që në rrethin e parë, po të mos ishin votuesit e padukshëm, votat e të cilëve janë blerë me 50 euro dhe një sandviç.
“Tashmë dolën të dhënat se sa votues ka pasur nga Pusteci. Së shpejti nga MPB-ja do të informojnë për atë se sa votues janë futur në listën e zgjedhësve në Qendër, që janë qytetarë të Maqedonisë, por edhe në komuna të tjera Gazi Babë etj. Kur ta mbledhim këtë rezultat se sa njerëz kanë votuar, votues të fshehtë në komunën Qendër, do të shohim se fitorja jo vetëm që ka qenë në rrethin e parë, por ajo ka qenë bindëse. Ajo që është më dëshpëruese për mua, është se ne, me të njëjtën listë të zgjedhësve shkuam edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Zhernovski shpreson se në zgjedhjet e ardhshme, lista e zgjedhësve do të pastrohet nga të gjithë mashtruesit, nga ata me nga disa letërnjoftime dhe prej atyre që kanë dokumente joligjore. Spasovski paralajmëroi padi penale për të gjithë ata që do të vërtetohet se kanë qenë pjesë e procesit të lëshimit joligjor dhe keqpërdorimit të letërnjoftimeve.
Maja Jovanovska