LSHD: Në bazë zë kushtetutës unitare, liderët e dy partive sllave kanë ekskluzivitetin mbi pushtetin dhe vendimmarrjet politike…

IluzioniReagim i Lëvizjes për Shtet dhe Drejtësi për shtyerjen e regjistrimit të popullsisë.

Vendimi për shtyerjen e regjistrimit të popullsisë, i marrë ne takimin kokë më kokë mes kryeministrit Zaev dhe liderit të VMRO Mickovski, duke përjashtuar partitë shqiptare nga vendimmarrja, është dëshmia e radhës që flet qartë jo vetëm për mungesën e plotë të kohezionit ndëretnikë, por edhe të një dialogu minimal ndëretnikë që do të siguronte qëndrueshmërinë e shtetit. Liderët e dy partive sllave, me këtë takim, dhe me këtë vendim dhanë mesazhin e qartë dhe moskokëçarës për ekskluzivitetin që kanë mbi pushtetin dhe vendimmarrjet politike për fatin e shtetit, të cilin ua mundëson pikërisht kushtetuta unitare, e cila shtetin e definon si shtet komb të sllavëve të vetëquajtur “maqedonas”. Vendimi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë edhe pas 20 viteve nga regjistrimi i fundit dhe arroganca me të cilin ju imponua shqiptarëve vullneti politik i bashkësisë etnike sllave për të shtyrë regjistrimin, dha mesazhin e qartë për mungesën e plotë të gatishmërisë për bashkëjetesë me shqiptarët si dy popuj të barabartë.

Nga ana tjetër, gatishmëria e partive politike shqiptare në koalicionin qeverisës për të votuar symbylluri vendimin paraprakisht të marrë nga dy partitë sllave për shtyerjen e regjistrimit, tregon vasalitetin e tyre politik ndaj partive sllave.

Nisur nga kërcënimi që përfaqëson kushtetuta aktuale për të ardhmen e shqiptarëve në këtë shtet, si dhe rrezikun permanent për konflikte ndëretnike, LSHD fton të gjitha forcat përparimtare, partitë politike dhe aktivist të shoqërisë civile me agjenda kombëtare, dhe të gjithë ata që duan një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre të drejtojnë tehun e revoltës dhe të gjitha aktivitetet politike drejtë ndryshimit të kushtetutës si burimin kryesor të diskriminimit dhe çelësin e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, çdo përfaqësues shqiptar në institucionet e shtetit, parlament, ekzekutiv duhet të ndjejë trysninë e fortë dhe pa kompromis të shoqërisë shqiptare, për t’ua bërë atyre të qartë përgjegjësinë morale, politike, historike dhe pse jo në një të ardhme edhe atë penale, për çdo miratim dhe votim të vendimeve dhe ligjeve në dëm të interesave të shqiptarëve.

Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>