Ministria e Arsimit në Maqedoni po bën përgatitjet për fillimin e punës së universitetit të ri shtetëror “Nënë Tereza” me mësim në gjuhën shqipe. Ministria ka bërë të ditur se emëron Aziz Pollozhanin në postin e rektorit të këtij universiteti.
Megjithatë, ende nuk është kompletuar përbërja e mësimdhënësve dhe stafit të universitetit, ndërsa për fillim, procesi do të nisë në objektin e universitetit të Evropës Juglindore në Shkup. Aktualisht, janë paraqitur rreth 80 studentë – kandidatë për t’u regjistruar.
Aziz Pollozhani ka bartur poste të rëndësishme politike; ka qenë ministër i Arsimit në qeverinë e Maqedonisë, deputet në Parlamentin republikan dhe ambasador në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Një pjesë e medias vërejnë se udhëheqësia e universitetit Nënë Tereza janë ish-kuadro ose të afërt me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, por ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu i hedh poshtë kritikat, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për dy a tre personalitete që mund të kenë qenë të afërt me BDI-në, por që kanë titujt e duhur shkencorë. (voa)