E nga ta dijë Izeti i shkretë se slogani famëkeq “ndodhi populli” ose në origjinal “desio se narod”, i përdorur për herë të parë në vitin 1988 në një tubim të Millosheviqit në Ushçe të Serbisë, është analogji shumë e qëlluar për të, ndaj nuk i interesonte vet atij që ta përdorte! Këto fjalë mbetën një definicion për “revolucionin antiburokratik të Millosheviqit”, për ngritjen e paligjshme të tij në pushtet, me të cilin tentohej të zëvendësohej një pushtet i keq me një pushtet akoma më të keq dhe më jonjerëzor.
Slogan, i cili shërbeu për të përligjur veprimin e koordinuar të shtetit serb, kishës ortodokse serbe, dhe demonstrantëve paramilitarë serbë për të krijuar Serbinë e madhe. Ashtu siç Izet Mexhiti, një përfaqësues tipik i pushtetarëve të BDI, kërkon të rrëzojë BDI-në, për të sjellur në bashkëpunim me islamin politik, përsëri BDI-në, por këtë herë bashkë me ithtarët e Erdogan në pushtet. E me vete ka “popullin” e gatshëm për të “çliruar” vendet e punës nëpër ministri dhe drejtori. Slogan i cili, jo vetëm shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve por gjithë njerëzimit, përveç Izet Mexhitit, ua kujton tubimet dhe manifestimet shoviniste të Millosheviqit, për të dhënë mesazhet e urrejtjes dhe të kërcënimit si dhe për të paralajmëruar masakrat serbe, gjenocidin, projektet për spastrim etnik dhe urrejtjen patologjike kundër gjithë botës së qytetëruar.
Është slogan që përdor edhe sot Vuçiç në tubimet e tij për të promovuar botën serbe dhe për të kërcënuar përsëri me luftë shqiptarët dhe boshnjakët. E përdori edhe kreu i kishës serbe për të përshkruar kapitullimin e Malit të zi ndaj Kishës Ortodokse Serbe…
Por çfarë të bëjë i shkreti Izet! Ai u rrit, u edukua dhe u formua pranë mësuesit të tij Ali Ahmetit, si një kuadër, pushtetar i denjë i BDI-së. Ndaj ai nuk di tjetër mënyrë për të “luftuar” krerët pushtetarë të BDI, përveçse si një ish pushtetar i BDI! Ndaj kur tani, si “opozitë”, duhet të kritikojë krerët e korruptuar dhe kriminalizuar të BDI, që mbajnë peng partinë më të madhe të shqitparëve në ish IRJM, atij i zihet goja dhe fillon e flet për Artan Grubin, bixhozin… Tenton Bekimi i shkretë ta ndihmojë, duke i’a kujtuar çmimin e lartë të taksave për rrugët me gropa… por kaq larg mund të shkojë edhe ai. Sepse nga fjalori politik i përdorur nga LVV në Kosovë, si psh bashkim kombëtar, Izet Mexhitit, Bilall Kasamit, Afrim Gashit dhe Arben Taravarit do tu ngriteshin flokët përpjetë! Ndaj u kufizuan tek “ndryshimi i madh” politik për shqiptarët në ish IRJM “një president i mirë pë Maqedoninë”!
Afrim Fanda