Negociatat në Bruksel përfundojnë pa sukses

1_100730040

Në Bruksel ka përfunduar pa asnjë rezultat pozitiv dialogu i nisur politik midis pozitës dhe opozitës maqedonase.

Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE dhe të LSDM-së në këto bisedime të ndërmjetësuara nga treshja e eurodeputetëve Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit kanë shprehur qëndrime kontradiktore duke mos gjetur asnjë pikë të përbashkët. Bisedimet janë ndjekur edhe nga zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian Kristina Grau dhe Dejvid Kulen.

Siç  mësohet, delegacioni i LSDM-së i udhëhequr nga Radmilla Sheqerinska ka qëndruar pas kërkesave për qeveri kalimtare, dorëheqje të ministrave, udhëheqësisë së RTVM-së si dhe të prokurorit public. Por këto kërkesaq janë hedhur poshtë nga përfaqësuesit e VMRO-DPMNE.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e treshes së eurodeputetëve theksohet se palët negociatore janë dakorduar për një takim tjetër të radhës. “Sot u zhvillua takimi në Bruksel midis përfaqësuesve të partisë kryesore maqedonase në pushtet dhe partisë opozitare me anëtarët e Parlamentit Evropian. Të gjithë pjesëmarrësit janë dakorduar që negociatat duhet të vazhdojnë”, thuhet në deklaratën e shkurtër të lëshuar nga zyra e eurodeputetëve.  Palët janë dakorduar që pas festave ortodokse të Pashkëve do të zhvillohet raundi tjetër i negociatave.  (INA)

Takimet me dyer të mbyllura në Bruksel

Në Bruksel po zhvillohen takimet midis dy partive politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.

Siç bëhet e ditur, përfaqësuesit e dy partive nga ora 11.00 kanë zhvilluar takime të veçanta të tyre me tre eurodeputetët ndërmjetësues Kukan, Hovit dhe Vajgl, ndërsa pasdite do të jetë takimi i përbashkët që pritet të zgjas deri në mbrëmje.

VMRO-DPMNE e përfaqësuar nga tre përfaqësuesit e saj Nikola Popovski, Nikola Todorov dhe Ilija Dimovski kanë shprehur qëndrimet e tyre para tre eurodeputetëve, ndërsa më pas të njejtën gjë kanë bërë edhe delegacioni i opozitës maqedonase i përbërër nga Radmila Sheqerinska, Renata Deskovska dhe Viktor Gaber.

 

Takimet dhe negociatat po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe se gjatë darkës pritet që eurodeputetët të japin vlerësimet e tyre lidhur me ecurinë e negociatave për të tejkaluar krizën politike. (INA)

 

Bruksel, nisin sot negociatat midis VMRO dhe LSDM për krizën politike

Me nismën e Parlamentit Evropian nisin negociatat që përjashtojnë partitë shqiptare.

Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha politike VMRO-DPMNE dhe LSDM sot në Bruksel me monitorimin dhe nismën e Parlamentit Evropian do të nisin negociatat për tejkalimin e krizës politike dhe gjetjen e një zgjidhje të pranueshme që do t`i hapte rrugë dialogut politik dhe zgjidhjes institucionale të krizës.

LSDM në këtë tryezë do të jetë e përfaqësuar nga zëvendëskryetarja Radmilla Shekerinska, ndërsa VMRO-DPMNE nga shefi i diplomacisë Nikola Popovski.

Ky format i këtij takimi do të mbikëqyret dhe ndërmjetësohet nga treshja e PE-së, eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt. Treshja evroparlamentare ka shprehur optimizëm se dy partitë më të mëdha politike do të gjejnë rrugën e zgjidhjes dhe përmes dialogut do të evitojnë krizën e thellë politike në Maqedoni.

Por, në këto bisedime nuk janë përfshirë partitë politike shqiptare.  BDI kërkoi përfshirjen e saj në këto bisedime, por nuk ka pasur asnjë përgjigje nga organizatorët e këtij formati të negociatave. Negociatat midis dy partive më të mëdha maqedonase pritet të zgjasin deri në mbrëmje, duke qenë një tentim i parë për tejkalimin e krizës. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>