Pas 90 ditëve nga mbajtja e seancës së fundit, sot më në fund ri-filloi gjykimi për “Besa-Trans”. Pronari i kompanisë Bekim Haxhiu dhe përfaqësuesi i saj, Hajredin Muça si palë të akuzuara për falsifikim të certifikatës së licencës së autobusit famëkeq që mori jetën e 45 personave në Bullgari, edhe njëherë para gjykatës thanë se nuk ndjehen fajtorë.
Pas kësaj në pyetje u mor përfaqësuesi i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Vasilevski. Ai shpjegoi se dogana ka sistem i cili evidenton daljet e autobusëve jashtë kufirit që quhet EKSIM. Sipas tij, pa u plotësuar kushtet, asnjë autobusi nuk i lejohet dalja nga shteti.
“Besa trans, në sistem është evidentuar disa herë, pasi është transportues i rregullt, ekziston evidencë që ka dalë. Për të kaluar një autobus, duhet të ketë: Llojin e lejes (eksport, import…), emri i transportuesit, numri amë i transportuesit, numri i lejes, targat, numri i certifikatës së licencës, emri i shoferit, certifikata, lista e udhëtarëve, relacioni i transportit dhe vendi ku është regjistruar transportuesi”, tha Dragan Vasilevski, dogana e Maqedonisë.
Pas kësaj avokati i pronarit të Besa Trans, Asmir Alispahiq pyeti përfaqësuesin e Doganave në qoftë se me këtë nënkupton se “Besa Trans” ka pasur certifikatë origjinale dhe i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. Ai u përgjigj se s’mund të jep konkluzione në këtë drejtim.
Ngelet e paqartë se si autobusi i aksidentuar edhe pse nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, ka arritur 20 herë ta lëshojë shtetin. Sipas Alispahiq, kjo përgjigje duhet të kërkohet diku tjetër – por thotë se certifikata e përdorur assesi s’ka qenë e falsifikuar.
“Po të kishte çfarë do dyshimi në pjesën e kalimit të autobusëve, ndërsa e dini se Besa Trans nuk ka vetëm një autobus, por më shumë autobusë. Do të alarmonin edhe punonjësit e doganave por edhe sistemi EXIM. Konsideroj që sot përfaqësuesi i doganave dha dëshmi të qartë dhe decide, dhe me këtë vetëm konfirmohet ajo që e thotë mbrojtja gjatë gjithë kohës se të gjitha ato certifikata të licencave të cilat janë përdorur janë origjinale, dhe të besueshme”, u shpreh Asmir Alispahiq – Avokat i pronarit të “Besa Trans”.
Sipas aktakuzës, pronari i Besa Trans Bekim Haxhiu përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Kjo çoi në suspendimin e dy doganierëve një ditë pas aksidentit.
Aksidenti në fjalë ndodhi në Bullgari më 23 nëntor të vitit 2021, kur autobusi i “Besa Trans” po kthehej nga Stambolli. Në mesin e 45 të vdekurve, 12 ishin fëmijë ndërsa vetëm shtatë mbijetuan.
alsat