FBI arreston anëtarin e Gardës Kombëtare, të dyshuar për publikimin e dokumenteve sekrete

Jack TeixeiraAnëtari i Gardës Kombëtare të Masaçusetsit, Jack Teixeira, u arrestua të enjten në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve ushtarake shumë sekrete në lidhje me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera madhore të sigurisë kombëtare amerikane, një shkelje alarmante që ka ngritur pyetje të reja në lidhje me aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sekretet më të ndjeshme.

 

21-vjeçari Teixeira u arrestua në shtëpinë e tij në Masaçusets nga oficerët e FBI-së pa bërë rezistencë. Akuzat ndaj tij do të ngrihen në bazë të një dispozite të Ligjit për Spiunazhin, që e konsideron krim marrjen ose transmetimin e informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare, tha pas arrestimit Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Zoti Garland nuk dha ndonjë motiv të mundshëm për nxjerrjen e informacioneve, por persona që kishin komunikuar me të në platformën e komunikimeve private Discord, ku u shfaqën dokumentet, kanë thënë se zoti Teixeira ishte më i motivuar nga dëshira për të shitur mend, sesa ideologjia.

Arrestimi i së enjtes ishte një moment kyç në hetimin për rrjedhjen e informacionit të zbulimit të profilit më të lartë prej vitesh dhe ushtria dhe Departamenti i Drejtësisë po vazhdojnë të hetojnë se si ka mundësi që sekretet qeveritare të publikuara në një platformë private si Discord, qarkulluan në mbarë botën.

Fakti që anëtari i Gardës Kombëtare rezultoi si i dyshuari kryesor, po shtron pyetjen se si ka mundësi që një shkelje kaq e rëndë, që Pentagoni e quajti një “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare”, mund të jetë shkaktuar nga një pjesëtar kaq i ri dhe i një rangu të ulët.

Zoti Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake.

Disa orë pas arrestimit, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, lëshoi një deklaratë ku premtoi se do të “analizojë se pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen rrjedhjet në të ardhmen”.

Zoti Teixeira, do të paraqitet para një gjykate në Masaçusets të premten. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.

Administrata e presidentit Biden ka bërë përpjekje intensive për të vënë nën kontroll pasojat e mundshme diplomatike dhe ushtarake nga rrjedhjet që kur u njoftua për herë të parë për to javën e kaluar, duke marrë masa për të siguruar aleatët dhe për të vlerësuar përmasat e dëmit.

Dokumentet e klasifikuara – të cilat nuk janë konfirmuar nga zyrtarët amerikanë – variojnë nga informacione që tregojnë pozicionet ushtarake të Ukrainës deri te vlerësimet e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën dhe tema të tjera të ndjeshme, përfshirë rrethanat kur Presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë armë bërthamore.

voa

 

Jo spiun po mburravec? Zbulimi i dokumenteve sekrete në SHBA

 

Jack TNjë 21-vjeçar, punonjës në ushtri duket të jetë përgjegjës për zbulimin spektakolar të dokumenteve sekrete të amerikane. Në SHBA shumë vetë pyesin, si ishte e mundur një gjë e tillë dhe si mund të pengohet në të ardhmen.

 

Nuk është hera e parë që rrjedhin në publik dokumente sekrete amerikane. Por rasti i fundit është i veçantë. Sepse burimi nuk është spiun, as zbulues-whistleblower si Edward Snowden. Pas dokumenteve sekrete amerikane ndodhet, sipas hetuesve, një pjesëtar 21 vjeçar i ushtrisë amerikane nga shteti federal, Masaçusets. Jack T. punon për Gardën Kombëtare në një bazë ushtarake.

Jim Himes, anëtar i komisionit parlamentar për shërbimet sekret amerikane është i shokuar. “Kemi të bëjmë me një 21 vjeçar, që donte të shiste mend para shokëve dhe jo me cyber-spiunët e Pekinit apo Rusisë”, tha ai për CNN. “Kemi shumë punë përpara, për të riparuar këtë sistem, që lejon herë pas here që të rrjedhin informacione.”

 

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur masa të reja pas këtij rasti. Në të ardhmen do të ketë shumë më pak vetë që kanë dijeni për dokumente sekrete. “Kjo ishte vepër penale me paramendim. Një shkelje e rregulloreve tona”, thotë zëdhënësi i kësaj ministrie, Patrick Ryder. Në të ardhmen do të sigurohet, që të kenë qasje tek informacione sekrete, vetëm ata që kanë nevojë për to.” Ryder tha se “ne mësojmë gjithmonë nga situata të tilla dhe hulumtojmë më tej.”

 

Dokumentet sekrete publikohen në grupin e chat-it

21 vjeçari i ka memorizuar njëherë dokumentet sekrete dhe i ka fotografuar në shtëpi për t’i postuar pastaj në një grup chat-i me rreth dy duzina anëtarësh. Shumica e anëtarëve ishin adoleshentë apo meshkuj të rinj që interesohen për videolojërat, armët dhe ushtrinë. Një anëtar i këtij grupi tha për “Washington Post”, se “nuk beson që ai ka ndjekur një qëllim të caktuar me postimin. Ai është kritik ndaj qeverisë, por kjo nuk është ndonjë gjë e pazakontë për shumicën e Të Djathtëve këto kohë.”

 

I dyshuari rrezikon disa dekada burg

Pas ditë hetimesh autoritetet më në fund e zbuluan 21 vjeçarin. Policët e arrestuan atë në shtetin federal Masaçusets- Në pamjet televizive shihet se si djali i ri merret në arrest i veshur me pantallona të shkurtra dhe T-Shirt. Kundër tij do të hapet një procedurë penale. Sipas ministrit të Drejtësisë, Merrick Garland akuzat janë largim i palejuar materialesh, ruajtja e tyre dhe dhënia më tej e materialeve sekrete. Sipas padisë që do të ngrihet, 21 vjeçarin e kërcënojnë disa dekada burgim.

 

Zbulimi i dokumenteve sekrete amerikane u konsiderua nga autoritetet amerikane si rrezik sigurie. Sipas të dhënave të publikuara në mediat amerikane këto dokumente përmbanin të dhëna për furnizimet me armë të Ukrainës dhe shpenzimin e municioneve- po ashtu  detaje për forcën e trupave ukrainase dhe pozicionet e tyre. Sipas raportimeve të “New York Times” aty kishte të dhëna për planet e NATO-s dhe SHBA, si të mbështesnin Kievin në një ofensivë të mundshme kundër Rusisë në pranverë.

Pas publikimeve të dokumenteve sekrete, Kievi reagoi i qetë. Publikimi i dokumenteve të tilla nuk ka asnjë ndikim në strategjinë ushtarake të Ukrainës dhe rrjedhën e luftës, thuhet nga Kievi. Por kreu i institutit studimor amerikan, Silverado Policy Acclelerator, Dimitri Alperovitch, i tha gazetës “Washington Post”, se dokumentet mund të sjellin dëme. Vërtet ato nuk kanë plane konkrete sulmi, por ato i japin Moskës të dhëna për llojin dhe sasinë e armëve perëndimore dhe për ushtrinë që përdor këto armë. Këto janë informacione me rëndësi për aftësinë mbrojtëse të Ukrainës.

 

la/tgsch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>