Qeveria e koncentruar politike do të jetë zgjidhja dhe kompromisi për nxjerrjen e vendit nga kriza e re politike. Burime diplomatike europerëndimore në Shkup i thanë agjencisë së lajmeve INA se zgjidhja është tek qeveria e koncentruar, pasi që nuk presin zgjidhje edhe midis LSDM dhe partive shqiptare, për shkak të kushteve, sidomos Platformës së partive shqiptare.
“Presim bisedimet midis LSDM dhe partive shqiptare. Por në këtë situatë të krijuar vlerësojmë se do të ketë një qeveri të koncentruar politike, pjesë e cilës do jenë të gjitha partitë politike që kanë fituar mandate deputetësh. Kjo qeveri do të jetë e obliguar që të miratojë çështjet kyçe që kërkohen nga raporti i Pribesë, nga platforma e partive shqiptare, zgjidhja e kontestit të emrit dhe çështja tjera të rëndësishme për vendin. Kjo zgjidhje pritet të ndodhë, pasi që kemi palët politike me qëndrimet diametralisht të kundërta dhe çdo qeveri e pakicës, mund të regjenerojë krizë më të thellë”, theksoi për INA, diplomati evropian, duke ngelur anonim.
Siç bëhet e ditur, pikërisht me këtë propozim do të vjen të enjten në Shkup edhe eurokomisari për zgjerim, Johannes Hahn. Bashkimi Evropian javën e kaluar dështimit të Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë bëri thirrje për formimin e një qeveri sa më të gjerë, që nënkupton qeveri të koncentruar, e cila do të merret me zbatimin e reformave kyçe, por edhe çështjet e hapura në negociatat midis partive për formimin e Qeverisë, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. (INA)